Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një ngjarje me tre ikona


Botuar në gazetën “Tirana Observer”, 5 nëntor 2009

Kur afro një vit më parë hymë në Frashinjetë, një nga vendbanimet më magjepse të arbëreshëve në Italinë e Jugut, do të gjendeshim përballë dy të papriturave. Ishte ngritur një muze etnografik shumë modern dhe në të tre katet e tij mjaft të pasura me objekte mungonte çdo shenjë nga Shqipëria. Për të mos rënë që në fillim preh e emocionit dhe ndërkohë t’i hapim rrugë arsyetimit, po e shpjegojmë çudinë më hollësisht. Papas Anton Belushi, një nga dijetarët më të mëdhenj bashkëkohorë në Arbërisë, prift ortodoks i spikatur, zot i një biblioteke të rrallë, botues prej dekadash i revistës “Lidhja”, autor i shumë librave, midis tyre edhe i kryeveprës “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladës” (Ose siç me intimitet të veçantë e thërret mes miqsh “Prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Hedhadhë“, pra Greqi), na pret në sheshin para muzeut. Ky është edhe sheshi qendror i Frashinjetës. Takimi me Papas Anton Belushin sikur njëqind herë të ndodhë gjithnjë është mahnitës, i paharrueshëm. Gjestin e mikpritjes ai nuk e ka vetëm me thirrmën e hareshme “Mirse të na ardhët!”, por edhe duke hapur tej për tej krahët.
Shpjegimet e para për muzeun i marrim ende pa hyrë atje. Kur gjendemi në katin e parë, i cili është në nivelin e sheshit, ndërsa në fakt në strukturën e ngrehinës është kati i tretë, na vjen në ndihmë edhe punonjësi i specializuar. Pas vizitës së katin e sipërm marrim ashensorin dhe zbresim më poshtë, pastaj sërish në katin përdhes. Tashmë kuptojmë se ajo godinë e bukur ka formën arkitektonike të një cilindri të futur nën tokë. Në të gjitha stendat e qelqta të atij muzeu, kthinat dhe të ndarat e tij plot hapësirë e dritë, nëpër faqe muresh apo në raftet e sendërtuara në një bashkim të harmonishëm të drurit dhe xhamit, ndodhen që nga monedhat antike, veshjet tradicionale arbëreshe të krahinës e deri tek ikonat e traditës fetare të krishtere ortodokse. Pikërisht në radhën e pafund të këtyre të fundit fshihej edhe e papritura e hidhur. Papas Anton Belushi nuk na e pati thënë këtë gjë. E mbajti fshehur që të mos na lëndonte. Për ta zbuluar në ndihu dikush tjetër. Në mbi njëqind ikona që ekspozoheshin aty asnjë nuk kishte ardhur nga trojet shqiptare. Ndodheshin me dhjetëra të dhuruara nga Rusia, prej Ukrainës, Bullgarisë, Greqisë...Prej Serbisë nuk numëroje pak, madje kishte një bollëk të habitshëm.
Këtë hollësi të fundit mund ta kishim vënë re që në hyrje, ku pranë tabelës me emërtesën zyrtare të muzeut ndodheshin edhe emrat e shteteve dhurues. Me këtë mënyrë, duke ja bërë të ditur vizitorëve, gjendej një formë për t’u shprehur publikisht mirënjohjen. Në këtë veprim të sjellshëm dhe të natyrshëm kishte një ndërhyrje, e cila siç zbuluam më pas, qe kryer për “nderin” tonë. Një shirit i bardhë letre, i porsa vënë e që me largimin tonë do të hiqej me siguri, mbulonte emrin e Serbisë. Siç dukej, patjetër me dashamirësi, patën menduar se qe një lloj zgjidhjeje e përkohshme të mbahej larg dijenisë tonë ai bollëk i madh ikonash të dhuruara nga kisha ortodokse serbe. Kur miqësisht u kërkuam një shpjegim, na thanë se kjo “hakmarrje” e vogël bëhej për respekt të Kosovës. Në të vërtetë arbëreshët i duan shumë kosovarët.
Sigurisht që shiriti i hollë i letrës që mbulonte emrin e Serbisë u hoq menjëherë e në mirëkuptim të plotë. Jo sepse dërgata jonë vinte nga Instituti Kombëtar i Diasporës, çfarë do të thoshte një strukturë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por sepse gabimin nuk e patën bërë serbët. Atë e kishim kryer ne shqiptarët. Zgjidhje kishte vetëm një: bashkë me ikonat e shumta të vendeve sllave, ku edhe feja e krishterë ortodokse është pjesë themelore e historisë së tyre, të shtonim ato shqiptare.
Qe barra jonë pra, e grupit të ardhur nga Tirana, të mbushte atë boshllëk aspak të merituar për kishën e krishterë ortodokse shqiptare, e cila ka një histori shkëlqimtare në formimin dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Më shumë se ne në anët tona këtë gjë e dinë bashkëkombësit tanë përtej detit. Këta mërgimtarë shekullorë në sajë të ruajtjes së ritit ortodoks kanë mbajtur të paprishur themelet e traditës së tyre arbërore.
Kështu Papas Anton Belushit ia premtuam se herën tjetër, kur do të ritakoheshim, do të kishim me vete disa ikona. Në Tiranë, me t’u kthyer, ky premtim u kthye në detyrimin madhor të mbajtjes së një fjale të dhënë. Përpjekjet për ta zgjidhur u bënë disa, ndërkohë shfaqej e rishfaqej kokëfortë problemi i kudogjendur në raste të tilla: paratë. Ikonat duheshin blerë. Për disa muaj me radhë zgjidhja nuk dukej e afërt, ndërlikohej kot, ndonjëherë mbase për mos shkathtësi nga ana e jonë.
Një ditë të fillim tetorit drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës e pikasi një mundësi origjinale. Kësaj radhe veprimi do të qe mjaft kuptimplotë, tërësisht me përmbajtjen e një mesazhi. Në darkën e ritit mysliman të Iftarit, të cilën e kishte shtruar Ambasada e Republikës së Kosovës me të gjithë trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri si edhe me përfaqësues të institucioneve të Tiranës, në një nga tryezat njohu një sipërmarrës me origjinë nga Drenica, emigruar për një çerek shekulli në atëherë Gjermaninë Perëndimore. Quhej Beqir Hajzeraj. Ishte drejtor i përgjithshëm i shoqërisë farmaceutike “HPAL HELVETICA”. Propozimin që të mund të blinte disa ikona dhe si dhurues i tyre t’ua plotësonte boshllëkun bashkëkombësve në Arbëri, e pranoi me një emocion të veçantë, madje duke iu drithëruar buza.
Kështu disa ditë më parë, pasi u porositën në studion e një piktori të specializuar për riprodhime ikonash (Aleksandër Filipi, mes të tjerash autor edhe i restaurimit të plotë të Kishës Katolike në Kuçovë afër Beratit), sipërmarrësi Hajzeraj bleu tre ikona. Ato tashmë janë të paketuara dhe gati për t’u nisur në muzeun e Frashinjetës.
Ndërsa bashkëkombësi ynë kosovar është një mysliman të tre ikonat kanë pamje të Krishtit dhe të Shën Mërisë. Kur të shkojë në Frashinjetë dhe të bëjë dhuratën e tij me siguri ne do ta gjejmë rastin t’i ndërhyjmë që në ndonjë nga bisedat intime me arbëreshët të mund të tregojë se ka qenë një pjesëmarrës shpirt nxehtë i demonstratave të vitit 1981, kur kërkonin Kosovën Republikë. Pas shtypjes së tyre, i përndjekur, shkoi në qytetin Kassel në Gjermaninë Federale. Aty e vijoi kauzën e tij. Në fillim punonjës në një firmë farmaceutike gjermane dhe pastaj më vete sipërmarrës Beqir Hajzeraj kontribuoi maksimalisht për luftën e çlirimit, sidomos gjatë vitit historik 1999, prej ku doli Republika e Kosovës.
Ndoshta e tregon arbëreshëve edhe se si në vitin 1983 hyri ilegalisht në Shqipëri, me mallin e madh për të parë atdheun amë. Kishte ardhur posaçërisht nga Gjermania. Qe një veprim shumë guximtar, por ja arriti, falë edhe disa njohjeve që kishte në Malin e Zi, në Shkodër dhe në Tiranë. Si gjithë kosovarët atë kohë mendonte se Shqipëria do të qe vetë parajsa mbi tokë, por u zhgënjye. Iluzioni iu shkërmoq. Megjithatë e ngushëlloi veten se pa që shteti i vetëm i shqiptarëve ekzistonte, qe i varfër, por i gatshëm t’u delte në mbrojtje vëllezërve të tyre të një gjaku.
“Do të kem një rast të ndihem krenar”, thotë Hajzeraj duke ëndërruar çastin kur do t’u dhurojë arbëreshëve të Frashinjetës tre ikonat. Ndërkohë pret të marrë vesh se kur do të ndodhë ai çast fatlum. Në përgjigje nga diplomatët e Institutit Kombëtar të Diasporës merr fjalët “Më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit”.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com