Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Misioni i lartë i Gëzim Hajdarit


Botuar në shtojcën kulturore “Milosao” të “Gazeta Shqiptare”, më 11 tetor 2009

Jashtë vendit mund të jetë ngjarja më e madhe letrare e shqiptarëve, të paktën për vitin 2010. Megjithatë hë për hë, ndërsa po nisim ta shkruajmë, le ta mbajmë parashikimin tonë në kufijtë e vetpërmbajtjes. Më shumë se kushdo arti i vërtetë ka nevojë për modesti.
Në vitin 2010 në Itali nga krijimtaria gojore e popullit shqiptar pritet të botohet vëllimi \\\"Këngët e nizamëve\\\". Më pas do të dalë vëllimi i dytë \\\"Këngët e kurbetit\\\". Botimet do të jenë dygjuhësh, në shqip dhe në italisht. Asnjëherë më parë në Gadishullin Apenin nuk ka ngjarë të marrin jetë e të shpërndahen nëpër të gjitha libraritë e vendit botime të tilla, korpuse të mëdha nga folklori ynë. Një përpjekje për t’u marrë në konsideratë e ka kryer një gjysmë dekade më parë Ernest Koliqi, bashkëkombësi që drejtonte katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin “La Sapienza” të Romës si edhe botuesi i revistës më të rëndësishme të publikuar në shqip ndonjëherë në vendin fqinj, “Shejzat”. Botimi i Koliqit, shumë i mirë për kohën e vet dhe për dy apo tri dekada më pas, nuk është më aktiv dhe rri nëpër raftet e thella të bibliotekave, vetëm në gëzimin e rrallë të pasionit kërkues të ndonjë studiuesi. Dijetari i njohur shqiptar, por edhe politikan mjaft aktiv antikomunist, në botimin e vet ka paraqitur, me disa analiza të shpejta, këngët tona popullore epike. Ato, fragmentet madhështore të Ciklit të Kreshnikëve, të Mujit dhe Halilit, apo baladat e Gjergj Elez Alisë, të Murrimit apo të Vëllait të Vdekur, kur Ernest Koliqi i bëri të njohura, patën për kohën një joshje jo të vogël. Ndërkohë në Italinë moderne të vitit 2010, pa e përjashtuar tërheqjen e ndonjë lexuesi dhe patjetër studiuesve për këtë thesar epik të krijimtarisë gojore të viseve tona, brezat e rinj kanë shije dhe interesa më të zhdërvjellëta dhe më afër mënyrës së tyre të tanishme të jetesës. Subjektet apo temat ekzistencialiste, dramat e jetës, rrokullimat e saj apo refleksionet për të, mendimet filozofike jetësore i tërheqin më shumë.
Pikërisht këtë gjë, si më kryesoren, një gjysmë shekulli pas sprovës së Ernest Koliqit, ka patur parasysh bashkëkombësi ynë që ka përgatitur këtë dyvëllimësh të pazakonshëm me këngë nizami dhe kurbeti. Në të dyja është lufta për ekzistencë e shqiptarëve, mbijetimi. Pas botimit dekada më parë të këngëve epike, dyvëllimëshi i ri mund të konsiderohet një vazhdim i tyre, veç në një status shumë më të lartë.
Njeriu që në gjysmën e parë të vitit 2010 dhe menjëherë më pas do të bëjë këtë sfidë të madhe kulturore ka një emër të njohur në Itali, madje disa herë më shumë jashtë se brenda vendit tonë.
Ai është Gëzim Hajdari.
Në këtë mision të madh kulturor për përhapjen e visareve të krijimtarisë gojore shumëshekullore të shqiptarëve në Itali Gëzimi nuk është i vetëm. Në krah ai ka botuesin Livio Muçi. Këtë italian me vizion të gjerë e shkathtësi të mëdha editoriale, jashtë vendit frymëzuesi dhe pronari-drejtues i shtëpisë botuese më të angazhuar sinqerisht në promovimin e letërsisë shqiptare përtej kufijve tanë, “Besa”, me seli qendrore në Leçe, Gëzim Hajdari e ka entuziast dhe të palëkundur në sipërmarrjen e vet të pazakonshme. Madje sapo e vuri në dijeni për projektbotimin e ri dyvëllimësh, Livio e kërkoi ta kishte në dorë sa më urgjentisht.
Livio Muçi dhe “Besa” e tij, këto kohët e fundit dhe një shtëpi e dytë botuese e tij, mjaft e specializuar, “Controluce”, siç është publikuesi i mbi gjashtëdhjetë librave të autorëve shqiptarë, kryesisht atyre bashkëkohorë, është edhe botuesi ekskluziv i Gëzim Hajdarit.
Dhe Gëzim Hajdari nuk është një poet i zakonshëm, ose siç mund ta quajmë “njëri prej tyre”. Ai paraqet një fenomen, madje edhe vetë është një fenomen. Por këtë gjë do ta shpjegojmë sadopak më poshtë.

ooo

Vëllimi i parë “Këngët e nizamit” (“Canti dei nizam”, në italisht Gëzimi e ka ruajtur në formën origjinale fjalën turke “ushtar”) ka 250 faqe dhe në të gjenden më shumë se 120 krijime popullore. Përballë tekstit shqip është përkthimi në italisht. Për të gjithë këtë vepër ai ka punuar tre vite duke bërë ndërkohë një përzgjedhje mjaft shprehëse dhe artistikisht shumë tunduese për lexuesin. Në këto krijime të thurura plot dhimbje gjatë shekujve të gjatë të pushtimit otoman, përshkruhet nisja e nizamëve, vuajtjet e tyre nëpër luftra pa fund si edhe rikthimi në familje, kaq shpesh aq dramatik sa jo vetëm fëmija nuk njihte të atin, por e mëdyshtë nëse kishte përpara burrin e saj mbetej edhe gruaja.
Gëzim Hajdari ka bërë kujdes që në mbi njëqind e njëzetë këngët e zgjedhura të ketë nga jugu dhe veriu i Shqipërisë, nga hapësirat përreth mesit të saj si edhe nga Kosova. Po ashtu ato paraqesin periudha të ndryshme të pushtimit osman dhe për pasojë, të dukurisë plot vuajtje të nizamllëkut. Gëzimi nuk ka munguar ta ndjekë fatin e krijimeve të tilla dramatike edhe pasi shumë shqiptarë shekuj më parë emigruan në Itali, duke formuar këtu popullin e arbëreshëve. Me vete morën edhe fragmente të këngëve të nizamëve.
“Jemi i vetmi vend në Ballkan që e ka aq shumë të plotë këtë krijimtari”, thotë Gëzim Hajdari, “Nuk e gjen një pasuri të tillë as në Sërbi, as në Maqedoni, as në Kroaci, madje as në Bosnjë. Është një thesar i rrallë e kulturës tonë orale, sepse si krijimtari është edhe mjaft cilësore. Këngët e nizamit janë po ashtu edhe kronikë poetike”. “Në to”, shpjegon poeti, “gjen të gërshetuar fatet e popujve, raportet e lidhjes dhe të miqësive mes tyre. Ballkani me etnitë e tij të shumta jepte e merrte, njerëzit hynin dhe dilnin, bashkoheshin e bëheshin miq në skaje të largëta të Azisë, atje ku edhe i dërgonin ushtarë për Perandorinë Osmane”.
Pastaj Gëzim Hajdari ngulmon në kodin me të cilin iu vu kësaj pune të madhe, tek masazhet për shoqërinë e sotme. Ai thotë se Evropa e tanishme, pra ajo që po bashkohet përherë e më shumë dhe ku tepër shpejt me status të plotë do të jenë edhe shqiptarët, është një hapësirë dyerçelët. E hapët ajo është edhe me kontinentet e tjerë. Shkëmbimi është fat”, pohon ai, “dhe këngët shqiptare të nizamëve në Itali mbartin mesazhin e një Ballkani me shpirt kolektiv, ku popujt qëndrojnë afër njeri-tjetrit”. Në vijim Gëzimi arsyeton se këto këngë kanë fuqi të furishme të çarmatosin nacionalizmin e dhunshëm.


ooo

Identiteti i një populli nuk është thjesht ekzistenca e sotme e tij, fakti që përshëmbull ai ka bërë një shtet apo shoqërinë e ka të mbyllur a të hapur drejt lirisë. Identitet nuk është dita e sotme, por më shumë ajo e djeshme. Që të formohet një drejtëzë, thotë dituria e matematikës, duhen të paktën dy pika. E sotmja është njëra prej tyre, kurse në të shkuarën pika të tilla janë me dhjetëra. Në ditët që aktualisht jetojmë krijohet pa pushim, prodhohet kulturë intensivisht, por këtë gjë e kryejnë individët e veçantë a grupe të tyre, kryesisht profesionistë. Në këto kohë moderne ai që krijon folklor më pak, madje pothuaj nuk e bën më këtë gjë, është populli. Në rast se këtë të vërtetë e anashkalon dhe ndaj saj bëhesh indiferent, atëherë i rri ftohtë edhe krijimtarisë popullore të kryer nëpër shekujt e shkuar. Mirëpo në këtë dëshmi e arkivë të madhe ka qenë fiksuar identiteti ynë kombëtar, ruhen gjurmëthella karakteristikat tona si etni.
Këtë gjë Gëzim Hajdari jo vetëm e ka kuptuar, por edhe e ka vënë në jetë, duke u shndërruar në të njëjtën kohë në atdhetar i kombit të vet dhe në qytetar të botës. Patjetër edhe si krijues i dimensioneve të spikatura.
Me dyvëllimëshin me këngë të nizamëve dhe të kurbetit ai do të paraqesë në popullin fqinj, gjashtëdhjetë milionësh dhe bashkë me diasporën e tij të përhapur në të gjithë globin edhe njëzetë milionë të tjerë, pra tetëdhjetë, pasurinë e kujtesës kombëtare shqiptare, memorien, adn-në tonë. Me këtë mision që i ka dhënë vetes Gëzim Hajdari është bërë një albanolog. Të dy vëllimet të shoqëruara prej tij me parathënie të plota analitike parashtrojnë përfundime të thella për nga mendimi, kanë shprehje mjaft origjinale, përmbajnë opinione plot besueshmëri shkencore.
Gëzim Hajdari këtë sipërmarrje mund ta ndërmerrte edhe një dekadë më parë, përshëmbull, në vitin dymijë. Patjetër mund ta niste edhe në vitin 1991, kur krijimtaria e tij nisi të botohet për herë të parë në libra më vete. Pse jo edhe një dekadë tjetër më thellë shekullit të shkuar, kur poezitë i publikoheshin me cikle nga shtypi artistik i kohës dhe bënin pjesë në antologji të ndryshme. Mirëpo ai e sipërmori këtë mision të tij epror pas tridhjetë vitesh krijimtari artistike, sidomos jashtë vendit, në Itali, ku çdo muaj ftohet të paktën tre herë nga rrethe artistike apo fondacione letrare, prej konferencave nacionale apo katedrave të universiteteve, nga kuvende ku mbledhin krijuesit më të mirë nga shumë vende të botës. Gëzim Hajdari e nisi dhe tashmë njërin vëllim e ka dorëzuar tek art e shqiptardashësi Livio Muçi si edhe tjetrin në përfundim, kur botimet e tij në gjuhën italiane janë tashmë një bibliotekë më vete. “Erbamara” (“Barihidhur”), vëllim poetik me motive të vendlindjes, ndjenja të shprehura me shumë finesë metaforike ndërsa rrinte në kodrinën mbi fshatin e tij të lindjes në rrethinat e Lushnjës. Po ashtu “Maldiluna” (“Dhimbjehëne”, botuar së fundi edhe në gjermanisht “Mondkrank”), “Pietre al confine” (“Gurë kufitarë”), “Antologia della pioggia” (“Antologjia e shiut”), “Sassi centro vento” (“Gurë kundër erës”), “Ombra di cane” (“Hije qeni”), “Stigmate” (“Vragë”), “Peligorga”, “Spine nere” (“Gjemba të zinj”), “Corpo presente” (“Trup në kohën e tanishme”), “Poesie dell’esilio” (“Poema e mërgimit”), “San Pedro Cutud” (një kronikë udhëtimesh në Filipine, ku sipas autorit përjetohet një intensitet i lartë i prozës poetike), “Muzungu” (ditar i një udhëtimi tronditës në Uganda, ku Gëzim Hajdari kontribuon për ndërtimin e një shkolle), “Poesie scelte” 1990-2007 (“Poezi të zgjedhura”, ku që në kopertinë botuesi lajmëron se në atë vëllim me mbi dyqind fletë gjenden “faqet më të bukura të një poeti të madh të sotëm”, i cili u paraqitet lexuesve “më në fund në një libër unik”.
Janë shtatë shtëpi botuese që Gëzim Hajdarit ia publikojnë frymëzimin: “Besa”, “Fara Editore”, “Controluce”, “PopVerlag”...Tani pritet botimi në greqisht, ndërsa nëpërmjet cikleve të veçanta njihet tashmë në Francë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës...
Në ShBA Universiteti i Oregonit gjatë këtij viti akademik (2009-2010) do ketë si lëndë studimi dhe provimi veprat e tij \\\"Poesie scelte, 1990 - 2007\\\" dhe \\\"Poema dell\\\'esilio”. Ugo Frakasa, pedagog në universitetin “Roma 3” mbajti për Gëzim Hajdarin pak kohë më parë disa leksione në Universitetet e Bostonit, të Dakotës, të Nju Xhersit, në Filadelfia. Profesor Andrea Gazzoni ka përgatitur një vëllim me 14 ese të pabotuara mbi veprën e tij. Esete janë shkruar nga dhjetë profesorë të universiteteve të ndryshme të botës. Vëllimi pritet të botohet së shpejti në Itali. Nga 29 nëntori deri në 6 dhjetor të këtij viti Gëzim Hajdari është i ftuar për një cikël leksionesh si edhe për të promovuar krijimtarinë e tij në universitetin francez “Nancy 2” dhe në Istitutin Italian të Kulturës në Paris. Sapo do të hyjë viti i ri 2010 ai do të jetë i pranishëm në tre universitete të tjera, njëri prej të cilëve në Stokholm të Suedisë.
Dhe më befasuesja në arritjet e Gëzim Hajdarit: për më se katër muaj ai është zgjedhur President i Qendrës Ndërkombëtare Eugenio Montale (“Centro Internazionale Eugenio Montale”). Me emrin e poetit nobelist kjo qendër është një ndër më të rëndësishmet në Evropë.
Pikërisht kur tashmë është një autoritet ai krijoi dyvëllimëshin për thesarin artistik të popullit të vet, duke dëshmuar se është jo vetëm mjaft serioz me temat e mëdha, por edhe shumë premtues. Kështu Gëzim Hajdari provon se nuk është aspak egoist të krijojë e lëmojë gjithë kohën vetëm vargjet e tij. Ai ka përkthyer e publikuar në italisht edhe krijimtari të poetëve kolegë që jetojnë në Shqipëri, madje këto kohë qe protagonist edhe i një ngjarjeje të veçantë. Ishte i ftuar ne Festivalin Ndërkontinental të Mesdheut për Letërsisë dhe Artet, që mbahet në Romë dhe ku përherë është mysafir. Atje u vlerësua me çmim, për librin “Atje ku fjalët nuk copëtohen” të poetit më të rëndësishëm filipinas Gémino H. Abad. Pikërisht këtë vëllim e ka përgatitur e përkthyer nga anglishtja në italisht, bashkë me poeten italiane Amoà Fatuiva. Kur të nesërmen organizoi një takim ambasadori i Filipineve Dr. Philippe J. Lhuiller, Gëzim Hajdarit iu dha një diplomë mirënjohjeje. Bashkëkombësi ynë në Itali është i pari që ka përkthyer të plotë një autor të dëgjuar filipinas dhe këtë gjë e ka kryer shumë ndërgjegjshëm. E shpjegon me fjalët “Unë e promovoj poezinë filipine, sepse këtu ky popull i mençur njihet si vendi që në emigracion nxjerr vetëm kuzhinierë dhe kopshtarë, si edhe gra që bëjnë punë shtëpiake tek familjet italiane”.

ooo


Në datat 26, 27 dhe 28 janar të këtij viti Gëzim Hajdari qe i ftuar në qytetin e Milanos. Pasi në disa auditore prezantoi veprën e tij dhe dha intervista në kanalin e tretë të televizionit publik italian si edhe në Radion Popullore të Milanos, nuk u largua pa shkuar në burgun “Volate” të qytetit. Është i sigurisë së lartë dhe mes mbi tetëqindëve që vuanin dënimin, gjashtëdhjetë e ca prej tyre qenë shqiptarë.
Të pranishëm në skenën e takimit, nga mallëngjyeset, qe jo vetëm drejtoresha e burgut dhe bashkëpunëtorët e saj, por edhe një gazetare e të përditshmes së madhe “La Repubblica”. Bashkëkombësit kishin blerë libra të tij dhe i shtrëngonin nëpër duar me një emocion të veçantë. Gëzim Hajdari ndenji me ta dy orë. Të burgosurit kishin përgatitur për të jo vetëm shumë pyetje, por edhe një tortë të madhe. Pastaj bënë një foto të përbashkët.
Surpriza më e madhe ishte në fund, kur po ndaheshin. Poetit shqiptar ata i dhuruan një shqiponjë me dy krerë të gdhendur prej tyre në burg.


Ylli Polovina



































Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com