Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Arshi Pipa, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu


Botuar në gazetën “Shqip”, 15 gusht 2009

Pesëdhjetë vite çensurë janë tepër shumë për ata që krijojnë. Në kaq kohë, në pamundësi për të komunikuar, vepra zbeh misionin e saj, aktualitetin, dhuntinë e vet për të ndikuar e ndryshuar shoqërinë. I tretet ngadalë edhe tharmi artistik apo shkencor, sepse edhe ai ka vitet e veta dhe kërkon moshën e gjeneratën e tij. Pastaj shumica e krijuesve nuk janë nga lloji i gjenive, pra prej tyre që koha nuk u vë dot kufij. Ata kanë jetëgjatësinë e tyre relative dhe duke e humbur bashkëjetesën normale me kohën u ndodh njëlloj si me rrallimin e ajrit. Krijesa e tyre në përpjekjen e natyrshme për të mbijetuar sa më gjatë humbet pak nga pak lëngun jetësor dhe përthan në fillim një degë, pastaj nis e vyshk një tjetër, gjersa gjithçka më në fund nuk ka gjelbërimin e parë. Kështu humbasin në garën e padrejtë me ata që janë po aq të talentuar, por kanë mundësinë të komunikojnë me popullin e tyre. Të humburve të tillë tragjikë kësaj here si fati më i madh u avitet statusi i arkivës. Mirëpo arkivi dhe arkivoli shpesh gjenden shumë herë afër njëri-tjetrit.
Pas vitit 1991 për këta të ndaluar në kohën kur vepra e tyre kishte forcën maksimale janë ndërmarrë përpjekje rikontaktimi me opinionin. Në një farë mënyre duke i ribotuar është bërë një sprovë rikthimi të tyre në jetë, një lloj dhënie ndihme të shpejtë. Në një pjesë të rasteve këtë gjë e ka bërë shteti, po ashtu edhe organizata joqeveritare, fondacione të ndryshme. Nuk kanë munguar edhe vetë familjet apo të afërmit e mbetur.
Një bashkëkombës me fat të tillë është edhe Arshi Pipa. Madje në pasojat dramatike ai është ndër më të dhimbshmit. Me siguri kjo ishte arsyeja përse në qershor të këtij viti, edhe pse nuk përkonte me asnjë përvjetor, Qendra e Studimeve Albanologjike i kushtoi simpoziumin shkencor
“Arshi Pipa në letrat shqipe”.
Ndërkohë mund të thuhet se ka edhe një “Arshi Pipa në politikën shqiptare”. Kjo është edhe pamja më pak e vështruar, më e mbuluara nga terri i shumëfishtë i pesëdhjetë viteve.
Një vëzhgim i shpejtë ndër shqiptarët që nuk janë më në moshë të re dëshmon se masivisht ata kanë dëgjuar për Arshi Pipën vetëm në gjysmën e dytë të dhjetorit 1981. Gjer atë çast makineria propagandistike e diktaturës ia kishte dalë ta mbante atë emër në heshtje të plotë. Deri atë vit bashkëkombësi i dënuar me dhjetë vite burg dhe menjëherë më pas, në 1957, i arratisur nga Shqipëria, kishte realizuar pjesën më domethënëse të veprës së tij, kryesisht atë që lidhej me studime albanologjike dhe çështjen kombëtare. Me politikën që zhvillohej në vendin e tij qe marrë vazhdimisht, por më pak, më ftohtësisht. Papritmas në dhjetor 1981 emri iu shqiptua nga vetë diktatori. Ky e cilësoi si “kriminel lufte” dhe \\\"kreu i reaksionit dhe armik i popullit”. Një djallëzim i tillë nga Enver Hoxha, në thelb një kriminalizim maksimal, u krye jo vetëm sepse kjo kishte qenë gjithë jetën gjuha e tij, por edhe sepse në mes ishte Mehmet Shehu, pasardhësi më i madh rival. Vrasja me vetëvrasje e këtij të fundit në 17 dhjetor, pjesë shumë e ndërlikuar e luftës për pushtet në oligarkinë politike të kohës, e shtyu diktatorin ta bëjë sa më të zi edhe imazhin e Arshi Pipës. Një nga djemtë e Shehut në lidhje dashurore me vajzën e familjes Turdiu qe “pika e dobët”, për ta rrëzuar, që i kapën kryeministrit. Kështu u thur legjenda se ajo fejesë me në rrethin shoqëror Arshi Pipën ishte inskenuar për të bërë “kundërrevolucionin”, pra për ta ndryshuar sistemin shoqëror. E tëra u quajt sikur bënte pjesë në një komplot të sofistikuar të Perëndimit.
Për një dekadë të tërë, në rrethanat e një izolimi total, për shumicën e shqiptarëve ky opinion mbeti tërësisht i shtrembëruar përdhunshëm. Në vitin 1990, pikërisht në prag të rënies së diktaturës, imazhi i Arshi Pipës pësoi edhe një goditje të dytë, kësaj radhe nga libri “Një ftesë në studio” e Ismail Kadaresë. Do të duheshin disa vite që kjo rrethanë e re të sqarohej dhe të mbërrinte, pa u majisur, në një mirëkuptim, pra edhe të shmangej pa lënë ndonjë pasojë.
Nuk ndodhi kështu me sulmin ngulmues të Enver Hoxhës. Ai u krye në pikën më kulmore të diktaturës dhe për dhjetë vite me radhë gjurmët e manipulimit patën kohë të bollshme të shndërroheshin në gërvishje të majisura, të lëndueshme, të shërueshme mjaft ngadalë, në mos të mbetura përherë plagë. Shpifjet jo rrallë kanë fatin të ngulen si çibanë në mendësitë e njerëzve edhe shumë kohë më pas nga dalja e të vërtetës. Ato bëhen shprehi dhe ashtu si mikrobet ngjiten fort në mukozat e buta të ndjesive të njerëzve apo të opinioneve të grupeve të veçanta të tyre. Nuk ndesh edhe sot pak bashkëkombës që mendojnë për Arshi Pipën sipas parafabrikatit ideologjik të dhjetorit 1981.
Në skemën djallëzuese të Enver Hoxhës, siç rezulton tani edhe të një grupi politik të ndikuar nga bashkëshortja e tij, lob që synonte zënien sa më të shpejtë të vendit të pasuesit të regjimit, Arshi Pipa nuk u përdor vetëm në funksion të diabolizimit të Mehmet Shehut. Po zbulohen rrethana që dëshmojnë se njeriu i letrave shqip kishte hyrë nën shënjestrën e diktaturës për një arsye të mirëfilltë politike dhe gjeostrategjike që lidhej me qëndrimin ndaj Perëndimit. Kur për të thuhej se qe “kreu i reaksionit” nënkuptohej se neutralizimi i tij për Tiranën zyrtare kishte një rëndësi të dorës së parë. Arshi Pipa paraqiste kërcënim pikërisht se nuk vinte nga Lindja. Por nuk qe vetëm kjo rrethanë që e bënte aq shumë “i rrezikshëm”. Arsyet janë disa.
Në librin që në vitin 1999 për të ka botuar kunati i tij, i njohur si identitet politik tradicional i djathtë, Uran Kalakula, gjenden prova të qarta se Arshi Pipa kishte krijuar një vepër të plotë kombëtariste, në nivelin e diturisë gati enciklopedike. Sajesa se qe njeri i CIA-s dhe si i tillë bashkëpunoi tërthorazi apo drejtpërdrejtë me Mehmet Shehun është një truk. Sami Repishti, figurë emblemë e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëkohës i Pipës, garanton se miku i tij nuk qe i lidhur në raporte të ngushta me qeveritë e Uashingtonit. Po ashtu, dihet se kur ishte profesor në Berkley, Kaliforni, Arshi Pipa ka protestuar publikisht së bashku me studentët e inkuadruar në lëvizjen për fjalën e lirë ndaj luftës në Vietnam. Por edhe në qoftë pjesërisht i vërtetë një bashkëpunim me administratën e Shtëpisë së Bardhë për regjimin e Tiranës asnjëherë kjo nuk kishte rëndësinë e dorës së parë dhe të emergjencës për ta goditur. Ajo e kishte hallin tjetërkund. Diktatura pati shpallur monopolin e nacionalizmit, e atdhedashurisë totale, dhe nuk mund të toleronte të tjerë, jashtë ideologjisë së saj, të mund të qenë kombëtaristë.
Arshi Pipa duhej të goditej pikërisht se qe një “konkurrues” në atdhetarizëm. Në pjesën e parë të burgimit të tij për një dekadë të tërë, deri sa në 1956 u lirua, ai u godit si element antijugosllav, më saktë kundërserb. Në goditjen e dytë, atë të dhjetorit 1981, në prapaskenë ka vepruar po i njëjta skemë dhe kastë politike. Kësaj radhe shpifja ka qenë më e ligë. Mes bashkëkombësve simpatizantë në ShBA të regjimit të Tiranës, prej njerëzve të futur posaçërisht, që në fillim të vitit 1982 u përhapën fjalë, se Arshi Pipa kishte lidhje të mira me Beogradin dhe se qe vënë në lëvizje me detyrë të sabotonte protestën e njohur të studentëve të Prishtinës (!?).
Korpusi i botimeve të Arshi Pipës mes të tjerash përbëhet nga trilogjia “Albanica” (802 faqe), e publikuar në Mynih në vitet 1978-79. Qe kohë kur Shqipërinë e kishte përfshirë vala e madhe e spastrimeve të brendshme, periudha më e ashpër e terrorit ndaj vetë “bijve të revolucionit”. E botuar në anglisht vëllimi i parë është një studim për vargun popullor shqiptar, i cili është themeli i eposit tonë, pra edhe i identitetit kombëtar. Pjesa e dytë ka në qendër Jeronim De Radën, poetin që Pipa e gjykon si të nivelit evropian. Dihet se gjeni nxjerrin edhe popujt e vegjël, por duke qenë se ata shprehen e shkruajnë në një gjuhë më pak të përhapur, këtë status të tyre të merituar globalisht nuk e arrijnë dot. De Rada është një i tillë, talent botëror i pafat. Vëllimi i tretë i “Albanica” përbën një studim të plotë për letërsinë shqipe dhe metodat moderne të analizës.
Kështu trilogjia është një vepër mjaft solide, e cila po të qe botuar në Shqipëri në kohën e vet, do të shkaktonte një revolucion të vërtetë në fushën e kritikës letrare dhe me siguri do të formonte një shkollë të tërë, detyrimisht në mospajtim me opinionet e ngrira dhe shkollareske zyrtare. Pas atij botimi, po të ngjante, shumë gjëra do të qenë ndryshe.
Cikli i dytë i veprave të Arshi Pipës ka të bëjë me Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. \\\"Studies on Kosova\\\" (Columbia University Press, 1984) është një botim me analizat e katërmbëdhjetë profesorëve amerikanë dhe evropianë të mbajtura gjatë një konference ndërkombëtare, të cilën bashkë me Sami Repishtin do ta organizonte pranë City University of New York në 2 nëntor 1982. Kur gjendja në Kosovë u rindez përsëri, në janar 1989, Pipa dhe Repishti do të botonin studimin \\\"Reflections on Kosova\\\" dhe më vonë, pas përgatitjes së analizës “Thesis on Kosova\\\", një përmbledhje e tij u paraqit nga Arshi Pipa para Parlamentit Europian. Vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë në korrik 1997, u tregua optimist kur i thanë që pas konsumimit të mjeteve paqësore çështja e çlirimit të Kosovës po shkonte drejt përballjes përfundimtare, asaj me armë.
Cikli i tretë, që kishte zemëruar Tiranën zyrtare dhe e kishte ngritur Arshi Pipën në shkallën më të lartë të alarmit dhe të urgjencës për ta goditur, kishte të bënte jo vetëm me “Librin e burgut”, botuar në Romë në vitin 1958, një denoncim i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë, por edhe sepse Arshi Pipa qe realisht një simpatizant i ideve politike të majta. Ai pa qenë kurrë ndonjëherë në jetë anëtar i ndonjë partie politike shqiptare, qe një socialdemokrat, një i majtë evropianoperëndimor. Lexuesi ynë duhet të dijë se Arshi Pipa ishte një studiues pasionuar i Antonio Gramshit, qe një njeri i cili pas rikthimit në atdhe, ndërsa diktatura pati rënë, kurrë nuk u interesua për ndonjë pronë që i kishin lënë prindërit. Në dhjetë vitet e burgimit demonizimi iu krye nëpërmjet një falsifikimi të madh të identitetit të tij të vërtetë politik. U akuzua se qe mbështetës apo pjesëmarrës në “Grupin e Deputetëve”, kur nuk ishte dhe sepse qe anëtar i “Socialdemokrates”, kur as edhe kjo nuk përbënte të vërtetë. Arshi Pipa ishte një njeri i lirisë. Kjo qe “partia” e tij. Si i tillë ai ishte kundërshtar i madh i tiranisë. Mirëpo për regjimet dhe diktaturat armiku më i madh nuk është njeriu me bindje të kundërta ideologjike apo politike. Me të veçuar prej këtyre, pra me antikomunistë, ndodh që bën ndonjë kompromis. Ideologjitë ekstreme në jo pak raste përputhen. Asgjë të tillë nuk realizon dot dhe kurrë me antitiranët, këta mbrojtës universalë të të drejtave të njeriut.
Nuk qe i pari Enver Hoxha që Arshi Pipa pati kundërshtuar. E kishte bërë këtë gjë fillimisht me Ernest Koliqin, njeriun që i kishte afruar “kurorën e Skënderbeut” mbretit Viktor Emanueli. Koliqi i kishte gëzuar sulmit ushtarak të Shqipërisë nga fashistët dhe si ministër i arsimit i qeverisë bashkëpunuese pati kërkuar futjen e gjuhës së pushtuesit italian në shkollat e atdheut të tij. Dihet që Arshi Pipa gjatë kohës së qëndrimit në Romë iu përgjigj negativisht ofertës së bashkëkombësit për të shkruar në revistën e tij “Shejzat” duke i përmendur Koliqit bashkpunimin e tij me pushtuesit fashistë.
Ja pse në Tiranë kishin ndaj tij po aq mllef, edhe pse për arsye të tjera, sa edhe për Mehmet Shehun. Asgjë të përbashkët nuk kishte ai me kryeministrin, as para vrasjes me vetëvrasje, as pas saj. Enver Hoxha dhe në rrethin e tij pretenduesë për ta pasardhur, i kishin vënë të dy para skuadrës së pushkatimit mediatik thjesht për qëllime pragmatiste. Arshi Pipa qe një antistalinist shumë i bindur, pra nuk ja pati kursyer denoncimin si stalinist edhe kryeministrit Shehu, pa çka se diku, në fundverë të vitit 1981, kishte lëshuar opinionin se ky i fundit, po të qe pasardhësi i regjimit, mund të shihte më shumë nga Perëndimi.
Veç duhet thënë se kuptueshëm objekt i parë i tij për analizë politike qe vetë diktatori Hoxha. Këtë qëndrim e pati shpallur me kohë, para se të gjitha shkrimet kryesore politike të viteve 1958 deri më 1989 t’i përfshinte më 1990 në librin me 294 faqe “Stalinizmi shqiptar: aspekte ideo-politike”, publikuar nga Universiteti i Kolumbias, tashmë botuar edhe në shqip.
Nipi i tij, Plator Kalakula, punonjës i Shërbimit të Jashtëm Shqiptar me përvojë në sektorë të bashkëpunimit me NATO-n dhe Perëndimin, ndërsa bën një vështrim të shpejtë të veprës së dajës, thotë se familja dhe dashamirës të Arshi Pipës po bëjnë përpjekje për botimin e veprës së kompletuar të njeriut të lirisë. Janë gjithsej dhjetë libra. Mision i bukur, por shumë i mundimshëm po iu la vetëm një familjeje. Shteti nuk mund të mbesë duarjashtë nga kjo inisiativë. Vërtet humnera pesëdhjetë vjeçare e njohjes së plotë të vlerave kombëtare ka krijuar një listë të gjatë emergjencash dhe “në radhë“ nuk është vetëm Arshi Pipa.
Megjithatë në rastin e tij rivendosja e drejtësisë, për të gjitha padrejtësitë e rënda falsifikuese rënë mbi të, ka marrë vlerën e një simboli.
Siç qe simbol kuptimplotë gjesti dhe dëshira e tij e fundit. Bashkëkombësit të ditur e të papajtueshëm me tiraninë, të akuzuar se qe një armik i Shqipërisë kur ishte një atdhetar i madh, të quajtur kriminel, kur qe vetëm njeri i penës dhe i auditorëve universitare, se qe një çifligar pasanik e se kishte shtatë vila, kur rronte me vetëm rrogën e tij, pothuaj si një murg, pa komoditet dhe çdo kursim e harxhonte për të botuar veprën e tij në shërbim vetmohues ndaj atdheut, i akuzuar si kreu i reaksionit kur në të vërtetë gjithë jetën u përshfaq ndritshëm si meteor i progresit, pas vdekjes trupi iu krematorua dhe hiri iu hodh në det.
Në gjirin e Durrësit ndodhi akti i fundit i blatimit, i tretjes përfundimtare, i bërjes një, të Arshi Pipës me tokën e dheut mëmë.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com