Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Ndarje me të shkuarën”


Fragment, faqet 44-53 të librit


Ndërsa në gusht 2002 kishte dalë artikulli “Padrinoja i Shqipërisë”, pas një viti e katër muaj, në fundshtator 2003 atij i qe afruar njeriu me emërmbiemrin që të kujtonte kërcitjen tinëzare të hapave mbi një gjethnajë të rënë apo mbi shkarpa të thara. I kishte zgjatur dorën topolake dhe bashkë me të edhe një breshëri të tërë fjalësh llastuese. Pa marrë frymë deri në fund i pati thënë se e donte shumë, e respektonte pa masë, e vlerësonte pa kufi, e kujtonte përherë, nuk e harronte kurrë, e kishte përmendur gjithnjë te miqtë e tij, ua kishte thënë pa pushim të njohurve të vet në partinë antikomuniste se, po të kishte patur diktatura kuadro si Shahu, do të kishim hyrë me kohë në kapitalizëm.
Pastaj e ftoi për një kafe.
U ulën në klubin më të parë që panë. Kur e kishin bërë porosinë dhe kamerieri ishte larguar drejt banakut njeriu me emërmbiemrin që kërciste shkarpat, pasi i fërkoi duart e tulta edhe disa herë të tjera, hyri drejtpërsëdrejti në temë. Tha se kishte një mikun e tij italian. Shpjegoi se me të qe njohur në disa kushte të caktuara që kishin të bënin me një ndërtesë, të cilën prej tij e pati marrë me qira. “Ky miku im, - vijoi të shpjegonte, - punon në një firmë të gazit të lëngshëm”. “Është përfaqësuesi në Shqipëri i kësaj firme, - sqaroi, - por në vendin e vet ka influencë edhe në disa sektorë të tjerë”. Pastaj, pasi me njërin sy bëri një lëvizje të përafërt me një shkelje rrufjane të tij, tha: “Ai dëshiron të bëjë ndonjë gjë më të madhe dhe më të rëndësishme dhe kërkon të njihet me të tillë shqiptarë seriozë e me peshë që janë gati për sipërmarrje të tilla”.
Mbërritën kafet dhe për dy-tri minuta emërmbiemri me tingëllimin e gjethnajës së thatë të shkelur tinëzisht e la Shahun ta rrufiste filxhanin në heshtje. Porse ky më shumë se propozimin që ende nuk ja kishin bërë të qartë, po sillte në kujtesë të njohurin e tij, i cili i ishte shfaqur për herë të parë më shumë se një dekadë shkuar. Pati qenë shefi i tij, atëherë sekretar i parë i një qyteti jugor me lumë në mes dhe një ditë, ndryshe nga opinioni pozitiv që kishte patur, i patën vënë mbi tavolinë një dosje jo të vogël me dëshmi të një korrupsioni të kryer prej vartësit. Kur e thirri dhe ia shtroi çfarë dinte, emërmbiemri i gjethnajës i u përbetua se asgjë nga ato për të cilën e akuzonin nuk qe e vërtetë. Të gjitha për të ishin shpifje. Këmbënguli se në çështjen delikate të shpërndarjes së disa furnizimeve ushqimore, ndërsa populli ishte ngushtë e një pjesë ndahej me racion, ai pati qenë treguar i drejtë dhe i barabartë, pa përfituar asgjë vetë.
Atë kohë Shahu i besoi çfarë i tha dhe mbi dosjen bëri shpejt e shpejt shënimin që të ndiqte rrugën e zakonshme të arkivimit.
Qe viti i fundit i diktaturës.
Kur pas heshtjes së shkurtër, të mbushur me rrufitje kafeje, të dy rinisën bisedën, emërmbiemri me tingëllimin e kërcitjes nën këmbë të shkarpave përsëriti se miku i tij italian interesohej të gjente në Tiranë partnerë seriozë në biznes dhe se projekti i tij ishte shumë fitimprurës. Këtë fjalë të fundit e theksoi posaçërisht. Pastaj shtoi se qe gati të organizonte një takim të tyre.
Shahu ra dakord.
Takimi u bë pas dy ditësh. Bashkë me italianin ishte edhe ish-vartësi i tij i kohës së diktaturës.
U prezantuan. Shahut i bëri përshtypje se emri i italianit jo vetëm niste me të njëjtën germë si ajo e emërmbiemrit gjethnajë, por në rrënjë ishte po e njëjta fjalë, veç e shqiptuar ndryshe nga fonetika italiane dhe ajo greke. Emri i përbashkët i të dyve të kujtonte një të shenjtë të krishterë.
U ulën në një bar komod në qendër të Tiranës dhe fjalët e para i shkëmbyen miqësisht. Italiani qe i gjatë dhe elegant. “Duhet të jetë një metër e tetëdhjetë e pesë centimetra”, - tha me vete Shahu, i njohur në rrethet e miqve të tij për një dhunti që i kishte dhënë pasioni i tij i sportdashjes, përcaktonte saktë peshën dhe përmasat fizike trupore të njerëzve.
Italiani fliste qetë dhe ndihej shumë i sigurt në ato që parashtronte. Tha se Shqipëria kishte një problem që e detyronte Bashkimin Evropian të ishte i frenuar në dhënien e fondeve të bollshme. “Nuk i jep, sepse nuk është i çliruar nga meraku se këto fonde i vjedhin vetë organizmat shtetërorë” - shpjegoi. Pastaj shtoi: “Ata duan të vijnë këtu, të ndihmojnë e investojnë, por dëshirojnë partnerë të besueshëm. Një i tillë do të qe një dhomë private tregtie, jo si ajo që ekziston e që komandohet nga qeveria. Për ta ngritur do të mjaftonin shtatë-tetë biznesmenë, njerëz seriozë. Mes tyre do të ishte mirë të kishte edhe figura të njohura publike, patjetër mes tyre edhe shkencëtarë”.
Tanimë Shahu kishte nisur ta hetonte.
“Kjo dhomë tregtie do të marrë iniciativa që me fondet e ardhura nga Bashkimi Evropian në Shqipëri të ndërtohen linja, fabrika, biznese të ndryshme” - vazhdoi italiani.
Shahu e ndjeu veten të rrëmbehej nga projekti. E kishte në gjak, të paktën që prej gjyshit të tij, instiktin e të marrit me biznes.
“Unë jam specializuar për menaxhim” - tha tjetri.
Ndërkohë Shahut në nënndërgjegje i mbërriti sinjali i parë i vlerësimit, italiani nuk po u pëlqente sensorëve të tij intuitivë. Ata reagonin me dyshim.
I njohuri i tij i vjetër, emërmbiemri me kërcitje shkarpash të shkelura, iu duk se ato çaste po kalonte një tension të brendshëm. Shahu mendoi se kjo mbase i vinte prej interesit të drejtpërdrejtë që kishte për të siguruar nga sipërmarrja e re pjesën e tij të fitimeve.
“A nuk është ide shumë e bukur”? - shqiptoi ky, dhe i drejtoi Shahut një vështrim lutës. Përse të mos e pranojmë?
Italiani ndërkohë po i fliste për jetën e tij. Toni i zërit po i bëhej përherë dhe më i ëmbël. Tha se qe napolitan, por që prej tre dekadash jetonte e punonte në qytetin e Bolonjës.
Shahu më në fund vendosi të fliste. E pyeti se me cilin institucion apo person me influencë do të kapeshin në Itali. Tjetri iu përgjigj me pak fjalë: institucioni me të cilin do të lidheshin në qytetin e Bolonjës ishte dhoma private e tregtisë me emrin Numizma. “Këtë model dhome tregtie do të ndërtojmë edhe këtu, në Tiranë”, - sqaroi. Pastaj bëri një pauzë dhe para se të vazhdonte të fliste i kërkoi sytë. Pasi e fiksoi vështrimin e tij në bebëzat e Shahut, shqiptoi pothuajse si një hipnotizues: “Personi ku do të kapemi, është vëllai i Romano Prodit. Numizmën e drejton ai”.
Shahut iu mbajt fryma. Romano Prodi ishte kryeministri i Evropës së Bashkuar. Pak vite më parë pati qenë edhe kryeministri i Italisë. Njihej si mik i Shqipërisë, njeri që e pati ndihmuar për të dalë nga gjendja e anarkisë së vitit 1997. Ishte edhe i majtë. Me siguri i majtë duhej të qe edhe i vëllai. Qeveria në Tiranë po ashtu ishte e krahut të majtë. Ishte një përputhje politike që mund ta favorizonte projektin e dhomës private të tregtisë.
Më pas bisedën e vijuan në gjendje entuziazmi dhe Shahu ra dakord se do të bënte gjithçka kishte në dorë për të dhënë kontributin e tij në realizimin e projektit.
Kur u ndanë, gati sa nuk u përqafuan.
Ndërsa kthehej në shtëpi dhe nëpër rrugë prej rrjedhës së madhe të makinave, priti gjatë nëpër semaforë, e shpërfilli sinjalin që iu përsërit nga sensorët intuitivë. Ata ende nuk ishin të bindur që italiani ishte qëllimmirë.
Një çast edhe ndërgjegjes së tij iu duk se duke mbetur entuziast nga takimi në të vërtetë nuk ishte i bindur. Që të bindej, bëri të nesërmen atë që ia këshilluan, nisi ta verifikonte në internet dhomën private të tregtisë me emrin Numizma. Ajo i kishte të gjitha të dhënat të qarta.
Kështu filloi zbatimi i projektit.
Në fillim u mblodhën pesë a gjashtë vetë, të cilët vendosën ta shtonin pjesëmarrjen edhe me shkencëtarë. Kështu bënë takime me disa pedagogë e profesorë të universiteteve të Tiranës. Njeriu me emërmbiemrin e gjethnajës shfaqej e gjendej kudo i palodhur. Bënte kudo ndërmjetësin. Përditë njoftonte për emra e takime të reja. Struktura e dhomës së ardhme të tregtisë po mbushej me pjesëmarrës. Të gjithë i plotësonin kushtet e anëtarësimit, kishin linja biznesi, qenë profesorë, përfaqësonin administratorë të mirë, zotëronin lidhje të forta me bankat.
Sensorët intuitivë i dërguan Shahut sinjalin e tretë: “Ji mosbesues”!
Pa kaluar një muaj nga kjo punë, që megjithatë për të gjithë pjesëmarrësit dukej e mbarë, italiani tha se do të kalonin në një fazë të dytë të realizimit të projektit. Kjo niste me një detyrim për të gjithë anëtarët, do të derdhnin për llogari të krijimit të fondit të dhomës private të tregtisë nga njëqind mijë euro gjithsecili. Shahu pa nga të tjerët. Lëvizja e italianit qe e papritur. Dikush pyeti nëse kjo shumë do të ishte e vetmja apo më pas do të detyroheshin për derdhje të tjera. “Tani për tani, në rast se të gjithë vendosim nga njëqind mijë, - shpjegoi me buzën në gaz italiani - dhoma e tregtisë do të zotërojë si garanci një fond të besueshëm për të komunikuar me kolegen në Bolonjë, dhe të dyja bashkë me zyrat përkatëse në Bashkimin Evropian”.
“Në cilën bankë do t’i depozitojmë”? - pyeti njëri nga pjesëtarët e dhomës së ardhshme. Italiani iu përgjigj butësisht se kontributi i tyre, pjesë gjithsesi i llogarisë personale dhe e fitimeve që do të kishin, qe mirë të derdhej në llogarinë e Numizmës. Fondi i të dy dhomave private të tregtisë do të ishte i përbashkët që të manifestonte forcë, operativitet dhe besueshmëri në institucionet qendrore evropiane.
Në ditët e mëpasshme nisi dhënia e kontributeve, dhe Shahu, mes një meraku se mos paratë e tij dilnin jashtë kufirit dhe më pas nuk kishte mundësi më t’i merrte, derdhi paraprakisht vetëm një të katërtën e shumës. Do t’i jepte edhe këstet e tjera, por vendosi që ca kohë të hetonte më thellë.
Ky veprim më shumë se italianin merakosi ish-vartësin e tij të qytetit me lumë në mes. Duket të dy me italianin patën rënë dakord që ndërmjetësi, pra ai, gjethnaja e thatë, pjesën e fitimit ta kishte në proporcion me shumat që do të derdhnin themeluesit e njëkohësisht pjesëtarët e dhomës së tregtisë.
Sensorët i dërguan Shahut edhe sinjalin e katërt, ishin të palëkundur në mosbesimin e tyre. Mirëpo tanimë edhe vetë ai po bëhej i ndërgjegjshëm të simulonte një qëndrim në distancë. Pozicionin e largësisë, më shumë se të largimit përfundimtar, do ta merrte për të parë pa u rrezikuar se çfarë do të ndodhte. Po të kuptonte se projekti i dhomës shqiptare të tregtisë, si partnere dhe jo vartëse e asaj të Bolonjës, do të merrte dritëzim të qartë e pozitiv, ai do të rikthehej. Mjaftonte të mos hiqte dy apo më shumë dhjetëmijshet e eurove që gjer ato çaste pati depozituar. Nëse do të ngjante e kundërta, pasojat e mashtrimit nuk do të binin mbi të.
Shokëve që kishte në grupin themelues të dhomës ua tha vendimin e tij. Këta nuk u habitën, por i shprehën mosmiratim. Për disa prej tyre kishte qenë pikërisht ai që i pati angazhuar në projekt, porse tani që po ikte mund të mos i shkonin e ndiqnin nga pas. Ata thanë se do të vazhdonin. “Ju ndiqeni rrugën tuaj!, - iu përgjigj Shahu, - nuk kam forcë t’u bind në idenë time të re. Me të mezi i mbusha mendjen vetes”.
Rezervat e tij për projektin ia tha në telefon edhe italianit dhe për t’i dëgjuar sy më sy ky mbërriti menjëherë në kafen ku e lanë të ritakoheshin.
Ishte fundtetor 2003. Që nga takimi i parë mes Shahut dhe italianit kishin kaluar diçka më tepër se tridhjetë ditë.
Ulur afër tij, biznesmeni i gazrave të lëngët e përmbante shqetësimin duke ruajtur formalisht qetësinë e pamjes dhe të të folurit. Ia dëgjoi Shahut të gjitha pakënaqësitë dhe u përpoq ta kundërshtonte në dyshimin përse për të krijuar fondin e dhomës së tyre të tregtisë shumën garantuese do ta derdhnim në Itali dhe jo pranë një banke shqiptare në Tiranë. “Unë këtë shumë e ruaj në llogarinë time, por me të drejtën që ajo të jetë në dispozicion të projektit të përbashkët që kemi” - shpjegoi Shahu. “Kështu ju mund ta merrni sa herë keni nevojë, por edhe unë në rast mosbesimi e mospëlqimi e bllokoj apo nuk e lë të ma shpërdorin”. Italiani iu përgjigj se një fond i shpërndarë në këtë lloj anarkie dhe i papërqendruar do ta bënte të paefektshme punën e dhomës, nuk do ta lejonte të aftësohej për të konkurruar. Në fund të fundit do ta katandiste në të pashpresë për të hyrë në treg me ambiciet e nevojshme. Pastaj, kur pa që tjetri tashmë e kishte vendosur, i shprehu miqësisht keqardhjen që nuk do të gjendeshin së bashku në atë sipërmarrje të bukur e për të cilën qe mjaft i bindur se do të korrte sukses të shpejtë.
Kafen e pinë pa larguar buzëqeshjet nga fytyrat e tyre dhe pa harruar herë pas here t’i lëshonin njëri-tjetrit komplimente. Të dy nuk dëshironin një ndarje nervoze dhe pa rikthim. Pasi u ngritën nga tavolina, në dalje të kafes pothuaj u përqafuan miqësisht. Italiani i premtoi se asnjëherë nuk do t’i këpuste shpresat e një kthimi të Shahut në projekt e, në shumë shpejt, dhomën e tregtisë në aktivitet të plotë. Ky iu përgjigj me një shtrëngim të fortë të dorës, më shumë edhe për t’i lënë përshtypjen se, ndërsa tani po ndahej, nesër mund t’i ndodhte vërtet një rikthim.
Emërmbiemri me zhurmën e gjethnajës së tharë iu shfaq të nesërmen. Tha se i vinte shumë keq që ishte larguar një nga themeluesit kryesorë të dhomës së ardhshme të tregtisë, një nga boshtet e saj. Shahu iu përgjigj se do të rrinte ca kohë larg, dhe për këtë gjë qe shumë i vendosur. Shumën, që si fond garancie pati dorëzuar deri ato çaste, nuk do ta tërhiqte. “Disa prej pjesëtarëve të tjerë, që janë shumë entuziastë për ta vazhduar projektin, ende nuk kanë derdhur asnjë euro” - i tha ish-vartësit të tij në kohën e komunizmit real.
Gjethnaja u skuq. Ai ishte njëri prej tyre që nuk kishte lënë garanci asnjë qindarkë, por priste kur projektit do t’i vinin fitimet e para. Porse Shahu në të vërtetë aluzionin nuk e kishte bërë për të. Në mendje ato çaste kishte emra të tjerë.
Sidoqoftë, të dy u ndanë me një dyshim të mbetur pezull.
Njeriu me emërmbiemrin e gjethnajës së tharë nuk vonoi as dy ditë kur iu shfaq sërish. E ftoi të pinin një kafe. Shahu e refuzoi butë, pothuaj ëmbëlsisht. E bënte këtë kur nuk kishte mëri, por thjesht nuk donte të rrinte me një njeri të caktuar. Jeta e kishte mësuar se bezdisësit hiqeshin qafe më lehtë me mirësjellje, madje edhe duke ua bërë qejfin.
Por ish-vartësi i doli përpara pas tri ditësh. U kujdes që t’i linte përshtypjen se takimi u kishte ngjarë fare rastësisht. Kësaj radhe Shahu pranoi të ulej në kafe. Ato çaste ndihej bosh, pa asnjë mendim në kokë. Gjethnaja mund t’ia mbushte zbrazësinë me çfarëdolloj thashethemesh.
Në të vërtetë ajo kafe kaloi e zvargur, hiq e mos e këput, pa asnjë fjalënajë interesante, por një çast ish-vartësi i tha se shumë shpejt i gjithë grupi themelues do të shkonte për një vizitë në Bolonjë.
Shahu nuk iu përgjigj, dhe pas kësaj gjethnaja heshti.
Në ditët që pasuan nga pjesëmarrësit e tjerë të projektit mori vesh se ata po hartonin vërtet një listë me emrat e atyre që lirisht dëshironin të shkonin tek dhoma kolege e tregtisë. Siç i shpjeguan, kjo listë do të dërgohej në Bolonjë dhe më pas prej andej emrat e regjistruar do të vinin në Tiranë mbi ftesa zyrtare për gjithsecilin. Kjo ftesë do të ishte edhe një nga dokumentet zyrtarë nëpërmjet të cilës secili mund të shkonte te Konsullata Italiane dhe të kërkonte pajisjen me vizë hyrëse. Ndërkohë dhoma e tregtisë, që në Bolonjë kishte emrin Numizma, do t’i drejtohej nga ana e saj edhe ajo vetë Konsullatës në Tiranë me listën e plotë të të ftuarve.
Këtë gjë Shahut ia përsëriti plot entuziazëm edhe gjethnaja e tharë kur u ripanë në një bar të kryeqytetit. Kësaj radhe ky iu lut të pranonte t’i vendosej edhe emri i tij në listë. “Mëkat të mos vish”! – këmbënguli. “Do të bëjmë takimin e parë me kolegët tanë, do të shkëmbejmë mendime. Ju keni eksperiencë”.
U larguan nga njeri-tjetri pa vendosur asgjë.
Kësaj radhe ishte italiani që e telefonoi dhe iu lut të vinte në Bolonjë. Shqiptoi “punë dy-tre ditësh”. Ngulmoi se ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe që do të vendoste fatin e projektit. Me praninë e tij mund t’u jepte ndihmë. E kishin shumë të dëshiruar dhe të nevojshme.
Në përgjigje Shahu lëshoi gjysmëfrazën “ta shohim”, por sapo e mbylli receptorin e telefonit e gjeti në tru të fiksuar mendimin se emrin do ta vendoste në listë. Siç duket koka kishte vendosur me “kokë” të vet. Sensorët e brendshëm nuk e kishin penguar.
Kishin sajuar një dinakëri, do të bënin një lojë.
Përse Shahu ta refuzonte regjistrimin e emrit të tij në listën që do të shkonte në Bolonjë? Po ta bënte emri, do t’i kthehej në krye të një ftese zyrtare e në të njëjtën kohë lista do të udhëtonte nga Italia drejt e në Konsullatën e saj në Tiranë. Kjo do të qe një matje pulsi e asaj që në të vërtetë, edhe pse nuk e kishte pohuar me zë të lartë, e kishte merak. Autoritetet italiane, në rast se kishin gjë me të, me një fjalë ndonjë pretendim nga ato që një vit e gjysmë më parë patën shkruar në artikullin e revistës “Espresso”, do të reagonin menjëherë. Nuk kishin për t’i dhënë vizë.
Kështu ai më në fund mund të kuptonte se deri ku i kishin shkuar rreziqet.
“Të hedh një ballon prove” - tha me vete një shprehje që kishte kohë pa e kujtuar.
Telefonoi dhe tha t’i vendosnin emrin në listën e përbashkët. Ftesa i mbërriti pas një jave. Iu duk sikur lista rrinte në Tiranë vetëm në pritje të pohimit të tij. E shpjegoi këtë vetëm me atë që i patën thënë, si njeri me përvojë qe mjaft i nevojshëm në dërgatën që po shkonte në takimin e parë me të sprovuarit e Numizmës.
Ftesa që doli, pasi hapi zarfin e ardhur nga Italia, ishte me letër të rëndë dhe germa autoritare. Tani ishte çasti kur ajo duhej të paraqitej në Konsullatë bashkë me kërkesën personale për vizë hyrëse. Do ta çonte apo jo atë ftesë, do të luante gjer në fund ballonprovën e tij apo do ta linte përgjysmë?
Gjykonte se në atë përfaqësi të huaj thjesht prej efektit që pati artikulli i “Espresso” jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri, nuk priste të kishin opinion mirëdashës.
Kështu vendosi të mos ngutej. Bisedoi me njerëzit e tij më të afërt. Bashkëshortja dhe dy fëmijët ishin të një mendjeje, nuk kishte përse merakosej. Për ta artikulli qe plot me të pavërteta dhe nuk kishte përse përbënte lëndë akuze për ndonjë gjykatë apo shkak për ndonjë polic kufitar të sillej keq me të. Edhe në rast se prej revistës me tirazh dhjetëra mijëra kopje, pas një viti e gjysmë dikujt në vendin përtej detit në kujtesë diçka mund t’i kishte mbetur, kjo gjë nuk përbënte asnjë motiv për t’i sjellë shqetësime.
Nuk ndihej i bindur e, megjithatë, i la ngjarjet të shkonin gjer në fund. Nuk kishte rast më të mirë për të ndjerë ndonjë prapamendim të keq se dërgimi i asaj ftese hijerëndë dhe kërkesa për vizë hyrëse.
Në Konsullatën Italiane shkoi bashkë me disa prej të ftuarve. I pritën tepër korrektësisht. U thanë se vizat do t’ua jepnin, madje shumë shpejt, pas pesë ditëve.
Shahu u qetësua menjëherë. Kishte patur shumë nevojë jo vetëm për atë garanci, por edhe për mirësinë e gjestit të mikpritjes. Nuk ishte ndjerë asnjëherë fajtor për ndonjë shkelje të ligjeve të Italisë.
Kur atë dhe gjithë të tjerët e njoftuan nga Konsullata se duhej të vinin e t’i merrnin vizat ishte pesëmbëdhjetë dhjetor. I kishin përgatitur jo në pesë, por në vetëm tri ditë. Të gjithë i përfshiu gëzimi.
Plot hare ishte edhe italiani, sjellje shumë e kuptueshme për mbështetësit e tij shqiptarë përderisa ishte sipërmarrësi i të gjithë projektit.
Entuziast qe edhe gjethnaja e tharë. Nuk bënte asnjë mundim të vetëpërmbahej.
Kështu u ripanë bashkë që të tre dhe pinë një “kafe të gjatë”, siç i thoshin në Tiranë me humor si shtesë edhe një gllënjke pijeje të lehtë alkoolike.
Shahut i ishte kthyer entuziazmi i ditëve të para. Fundi, përse, siç i shpëtoi një çast nga hareja e përgjithshme, të mos kishte dëshirë të rikthehej në grupin themelues të dhomës private të tregtisë.
Ndihej shumë i gëzuar që shteti fqinj kishte besim tek ai. Tashmë përfaqësia e lartë zyrtare e tij, me firmë dhe vulë, i kishte konfirmuar se si qytetar shqiptar qe i pajisur me të drejtë të plotë të hynte në territorin italian, të kryente punën për të cilën bënte të ditur ftesa dhe të kthehej lirisht në vendin e shtëpinë e vet. Nëpërmjet asaj vize hyrëse Shengen ai ndihej i mbrojtur nga të gjitha ligjet e vendit pritës dhe të të gjithë Bashkimit Evropian.









Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com