Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Hebreu dhe shqiptari Zino Matathia


Botuar në gazetën “Shqip” më 7 qershor 2009

“Tapeti fluturues”

Kështu u emërtua operacioni i mbartjes ajrore të rreth treqind ebrenjve nga Shqipëria për në Izrael. Ishte fillimi i prillit 1991. Një person i rëndësishëm i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësues mjaft i besuar i administratës së Uashingtonit dhe i qeverisë së Tel Avivit, vetëm pak kohë më parë kishte takuar “kokë më kokë” presidentin e kohës, Ramiz Alinë, dhe i pati parashtruar kërkesën e kthimit në atdheun e tyre historik të familjeve jehudie në Shqipëri. Gjeti mirëkuptim, por edhe një kusht. Për shkak të raporteve që Tirana zyrtare kishte edhe me vendet arabe, që ngjarja të mos kthehej në bumerang për politikën e jashtme shqiptare, operacioni nuk duhej të gjente pasqyrim në median vendasa. Nga i dërguari i rëndësishëm amerikan, i cili qe hebre, kushti u pranua.
Kështu menjëherë nisi “Tapeti fluturues”, emër i koduar vënë nga pala pritëse, Izraeli. Ai përfshinte grumbullimin e të gjithë ebrenjve që dëshironin të ktheheshin në tokën e tyre të vjetër jo vetëm nga territori i Shqipërisë, por edhe prej Greqisë. Pika e takimit të parë të hebrenjve shqiptarë u zgjodh Roma. Të treqind bashkëkombësit në kryeqytetin italian i sistemuan në hotelet në qendër të tij.
Zino Matathia dhe familja e tij, Hrisi e ëma, Irisi vajza dhe Iliri djali, u bashkuan me të shumtët. Ishte edhe i vëllai, Isaku, së bashku me familjen e vet. Pas katër ditësh qëndrimi në Romë, “Tapeti fluturues” kreu zbarkimin në aeroportin civil të Tel Avivit. Ishte 10 mars 1991. Të gjithë të ardhurve iu dha shtetësia izraelite që në aeroport.
Ndërkohë grumbullin e madh të shqiptarëve të riatdhesuar e mësynë gazetarët e vendit dhe të huaj. Ajo ardhje e re përbënte lajm të madh. Sepse qe tepër i veçantë për opinionin publik e dëshmon një ndër gazetat më të mëdha të botës, “New York Times”. Gazetari i saj Henry Kamm duke iu referuar shkrimit të Tel-Micha Bar-Am në të përditshmen “Jerusalem Journal” me titullin “Hebrenj të gëzuar që vijnë nga një planet tjetër, Shqipëria”, që në rreshtin e parë dëshmonte se kishte ndodhur tashmë prishja e besës së dhënë në Tiranë për ta anashkaluar median. Në parim ai udhëtim kishte qenë i fshehtë, por të treqind të ardhurit ishin zbuluar nga gazetarët dhe po flitnin. Sipas tij kurioziteti qe i madh sepse vinin prej “të vetmit popull që ka nxjerrë jashtë ligjit çdo fe”, “një vend që jetoi në pothuajse izolim total”, “ku hebrenjtë e Shqipërisë e kishin të ndaluar për t\\\\\\\'u organizuar si komunitet dhe nuk qenë në kontakt me organizatat ndërkombëtare të hebrenjve”. Sipas “New York Times” ata deklaronin se \\\\\\\"Ne gjithmonë u kemi thënë fëmijëve tanë se cili është flamuri ynë\\\\\\\".
Mes të pyeturve nga gazetarët vendin qendror e zë familja Matathia. Isaku, i përshkruar nga gazeta si inxhinier elektronik që kishte punuar në një laborator bërthamor kërkimor, pohon se flamurin izraelit e kanë mbajtur përherë në Shqipëri, madje në një vend nderi në dhomën e tyre.
Mirëpo mes hebrenjve shqiptarë të porsaardhur është pikërisht Zino që tërheq vëmendjen e gazetarëve. Ndërsa thotë se ka ardhur që të jetojë përfundimisht në Izrael, shton \\\\\\\"Ne shpresojmë që Shqipëria së shpejti do të bëhet demokraci...” Gazetari Henry Kamm i “New York Times”, gjithnjë duke iu referuar shkrimit të Tel-Micha Bar-Am në të përditshmen “Jerusalem Journal”, sa herë që e citon nënvizon se Zino Matathia është doktor. Pastaj i hap vend dukshëm fjalëve të tij se Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore ka marrë refugjatëve hebrenj nga Gjermania dhe Austria dhe i ka shpëtuar nga shfarosja fashiste. Këtë artikull “New York Times” e shoqëron me një foto, e cila ka në diçiturë fjalët “Dr. Zino Matathia, një kirurg që erdhi nga Shqipëria”.
Sepse me të vërtetë Zino në Shqipëri qe një mjek shumë i njohur, Doktor i Shkencave, folës i mjaft gjuhëve të huaja, i dekoruar dhe i inkurajuar deri në detyrën organizative të një drejtori spitali. Ai është njeri zemërmadh dhe shumë i sinqertë. Ndihet tepër i nderuar me çdo minutë jete dhe karriere profesionale në Shqipëri. Ndihet i zëmëruar që kanë hapur fjalë se në fillim të vitit 1991 kthimin e tyre në Izrael shteti i atëhershëm shqiptar gjoja e ka bërë kundrejt një pagese. “Nuk na shitën dhe nuk u shitëm”, shprehet fort ai. Pastaj shton se në letërnjoftimin-pasaportë të regjimit komunist, që ende e ruan, në shënimin “Kombësia” e ka të shkruar fjalën “Izraelite”. Madje shkon edhe më tej. Tregon se këtë kohë të vëllait të tij punonjësit e zyrës civile ja kishin shkruar “Shqiptare”, ndërsa ky donte t’i regjistrohej “Izraelite”. “Shko dhe thuaju!”, e nxiti Zino. Kur i vëllai ua tha merakun e vet njerëzve të zyrës civile ata kërkuan falje që e kishin shkruar pa vëmendje dhe menjëherë i mbushën një tjetër letërnjoftim, ashtu siç dëshironte.

Me dy atdhe të dashur

Ne shqiptarët, madje e gjithë bota, nuk do ta kuptonim dot tërësisht se një hebre ka dy atdhe. Nuk ka ngjarë kështu sepse i pëlqen të bëjë qengjin që pi në dy nëna. Që prej dëbimit të tyre afro dymijë vjet më parë, një nga eksodet më të dhimbshme të planetit, hebrenjtë nuk kishin troje të veta, pra atdhe. Kjo hapësirë toke që është themeli i identitetit të një populli (kombet formohen nga bashkimi i njerëzve në të njëjtin truall, që flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë zakone të përbashkëta), atyre iu krijua vetëm pesë dekada më parë. Kështu Izraeli i sotëm, shtatë milionë e gjysëm nënshtetas, përveç tetëqind mijë autoktonëve, gjithë të tjerët janë ardhës nga të pothuaj tetëdhjetë popuj. Ndihen homogjenë në fenë e tyre judai, fanatikë qofshin në të apo liberalë, por në çdo tjetër gjë janë heterogjenë maksimalisht. Madje një milion e gjysmë janë arabë, pra jo hebrenj, por myslimanë, pjesa më e madhe, si edhe të krishterë katolikë të tjerët. Një shtet i tillë, pra si ai funksionon, si bën jetë demokratike, si vazhdon të jetë i fortë dhe mban lidhje të shtrënguara me diasporën e vet nëpër glob, është nga më të veçantat. “Unë jam shqiptar”, shpjegon Zino Matathia. Pastaj saktëson “Atdheu im është Shqipëria, sepse këtu kam lindur e jam rritur. Kam gjuhën e shqiptarëve dhe të gjitha zakonet e tyre. I kam marrë në gjak. Ndërkohë Izraeli është atdheu im historik. Përherë jam ndjerë edhe pjesë e tij, se i përkas, i gëzohem shumë flamurit që ka”.
Është e çiltër ajo që thotë, por nuk mund gjithsesi ta kuptosh plotësisht këtë gjendje njeriu me dy kombe njëherësh. Është dhuntia e tyre si e kanë bërë pjesë të identitetit, kod të mbijetimit. Sepse janë njëherësh me dy atdhe e kombe ata janë të fortë. Gjenden në të njëjtën kohë në Izrael dhe në të gjithë botën. Janë vetëm një rrip toke në Mesdhe e po ashtu vetë globi.
Njëri prej dy nipërve të doktor Zinos e ka emrin e zgjedhur prej historisë biblike të hebrenjve, Juval, fjalë që në shqip përkthehet Përroi. Këto ditë që ka ardhur në Tiranë i mori pasaportën biometrike, duke i bërë nënshtetësinë shqiptare. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe me nipin tjetër. Ndërkohë që i biri, i martuar me një izraelite, emrin e ka Ilir. Kur pas dy vitesh në Izrael ndërsa ndodhi që Ilirit për t’u shplodhur si udhëtim i parë jashtë shtetit i vunë përpara pesë vende, mes tyre edhe Monako, ai “u hoqi vizë“ të gjithëve dhe tha “Do shkoj në Shqipëri”. Për të mos thënë për Irisin, të bijën, e cila jeton në Jeruzalem. Është “e papërmbajtur” në dashurinë e saj për Shqipërinë. Nuk i bën dot një vërejtje për të. Por a mund t’i bësh një qortim Shqipërisë dhe shqiptarëve edhe para Zino Matathia-sit. Impulsiv siç është rrudh menjëherë ballin dhe të sheh ngultas, gati për polemikë. Është Valentina, e shoqja, shqiptare ortodokse nga Kuçova, mjeke dentiste dhe shumë inteligjente kur futet në mes të bisedës. Fjalët e saj janë të qarta. Të tregon se në shtëpinë e tyre në qytetin Karmiel, në veri të Izraelit, televizionet e Tiranës i ndjekin me dy teknologji paralele. Një grup prej stacioneve i marrin me antenë nëpërmjet satelitit Eutelsat II dhe po ato kanale, plus dhe dhjetëra të tjerë, nëpërmjet Digitalb-it. Dhe nuk ndjekin vetëm lajmet, pra çfarë ndodh në Shqipëri, por sidomos emisionet e debateve. E bëjnë këtë posaçërisht, matin pulsin e zhvillimit. Duke mos qenë ithtarë të ndonjë partie në Tiranë, të dy nuk gjejnë fjalë të shprehin entuziazmin se dallojnë që niveli kulturor i njerëzve të thjeshtë e veçanërisht elitës është rritur shumë.
Kur thonë kështu në fillim i sheh të dy me një lloj dyshimi, por nuk të lënë asnjë shteg të mos u besosh. U përpoqa një çast t’u hamendësoja se ne shqiptarët ndjenjën e punës nuk e kemi aq të zhvilluar sa populli filan e filan, por u tërhoqa menjëherë. Më “sulmuan” duke ngulur këmbë se ndjenjën e punës shqiptarët e kanë shumë të madhe. Kanë qenë sistemet shoqërore që e kanë venitur. “Në asnjë vend të botës nuk njihen si të ngathët. Janë gjithë vitalitet dhe dëshirë për ta bërë jetën e tyre sa më të begatë”, thotë Zino. “Shihni edhe Tiranën”, hidhet Valentina, “Këtu njerëzit vrapojnë”.
Doktor Zino nuk ka një mbiemër të thjeshtë. Sipas hebrenjve, ndërsa themelet e kombësisë së tij vijnë nga dymbëdhjetë fise, Matathia është një nga grupet më aktivë të fisit të Makabejve. Kur perandoria romake bashkë me dënimin e vrasjen e Jezu Krishtit e shtypi protestën e popullit, më pas ndodhi një kryengritje e re kundër pushtetit të Romës. Kështu ebrenjtë i çliruan trojet e tyre dhe për pothuaj pesëmbëdhjetë vite jetuan të pavarur. Këtë periudhë u qeverisën nga fisi Matathia. Perandoria ridërgoi legjionet e saj të armatosura deri në dhembë dhe liria e hebrenjve u shtyp sërish me gjak. Të gjithë Matathiat që u kapën, i hipën në një anije të madhe dhe i nisën për në Romë, ku në një grumbullim të posaçëm të publikut perandorak do t’i poshtëronin. Gjatë udhëtimit në det filloi një furtunë e madhe dhe anija u mbyt. Një pjesë e të burgosurve arritën të dilnin në tokë. Qenë brigjet ilire, brezi i tokës që sot identifikohet me Prevezën, ku banojnë edhe sot bashkëkombës çamë. Të parët e Zinos jetuan këtu për shumë kohë, pastaj një pjesë u shpërnda në brendësi të Greqisë, kurse dega e tij u vendos fillimisht në Janinë dhe më pas në Vlorë. Ja pse e ka të fortë ndjenjën e shqiptarizmit Dr. Zino Matathia. Ajo ka të paktën njëmijë e tetëqind vite që ka hedhur rrënjë në këto troje.

Misioni për Kosovën


Ishte një pasdite e vonë e fundmarsit 1999 dhe Zino, pas një dite të ngarkuar me operacione në qendrën shëndetësore, ku punonte si kirurg, sapo ishte kthyer në shtëpi. Ndërsa nata kishte rënë me kohë dhe magazinat e qytetit mund të mbylleshin bashkë me Valentinën nxituan për të blerë disa veshje. Qe ende në oborr të shtëpisë kur tingëlloi celulari. Zëri i telefonuesit i tha se ishte një drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë dhe se donte të dinte nëse si mjek që ishte, siç u shpreh saktësisht, “mund të shkonte në Shqipëri vullnetar për të ndihmuar mijëra refugjatë kosovarë të dëbuar e të dhunuar nga paraushtarakët serbë”. Zino Matathia iu përgjigj menjëherë: “Jam gati”. Ndërsa bashkë me të shoqen kishin hipur në makinë për të dytën herë u dëgjua zilja. Qe një zë femre. Tha se merrte nga Ministria e Mbrojtjes dhe se po i jepte të dhënat e nevojshme për të shkuar vullnetar. Ajo tha se nisja do të bëhej të nesërmen në orën pesë të mëngjesit, nga aeroporti ushtarak i Tel Avivit. Nuk duhej të merrte asgjë me vete, përveç veglave të rojës. Atë mbrëmje të vonë pasi bënë blerjen u kthyen në shtëpi. Zilja e tretë ra në orën dhjetë të natës. Qe Rafael Fausti, konsulli i nderit i Shqipërisë. Ky shtoi se do t’i propozonte të vinte vullnetar edhe mjekut Bajram Bala, radiolog i emigruar në vitin 1991 bashkë me të treqindët. “Do të vij edhe unë”, iu lut këto çaste Valentina dhe Zino pyeti konsullin e nderit nëse kjo gjë qe e mundur. Ky iu përgjigj se do të pyeste dhe do ta informonte menjëherë. Pas disa minutash ritelefonoi dhe tha se në strukturën e spitalit që do të shkonte nuk ishte parashikuar repart stomatologjik.
Pak pas mesnatës Dr. Zino Matathia me në timon të makinës të birin, Ilirin, shkuan e morën në qytetin e tij Bajram Balën dhe pas një udhëtimi mbi dy orësh në kohën e caktuar mbërritën në hyrjen e aeroportit. Shqiptuan emrat dhe i futën menjëherë brenda. Pas pak hynë në një sallë të madhe, ku të veshur ushtarakë, rrinin dhjetëra vetë. Një orë më pas hyri një kolonel dhe u tha se qe komandanti i atij operacioni ndihme për popullin mik shqiptar të Kosovës. Pastaj në një ekran të madh u projektua një hartë, ku me një pikë të zjarrtë rezeje koloneli tregoi vendin ku do të vendosej spitali i tyre fushor. Ishte në Maqedoni, në kufirin e saj me Shqipërinë, qe fshat dhe quhej Brazdë. Gjendej vetëm pesë kilometra larg kufirit me Kosovën. Aty ishte edhe shtegu i hyrjes së fluksit të refugjatëve.
Në orën tetë Zinos dhe Bajramit filluan t’i bënin të gjitha vaksinat, më pas nisi kontrolli retnografik i dhëmbëve, retinave të syve, barkut...Qenë shtatë pjesë të trupit që zbuloheshin në kamera dhe regjistroheshin. Kur pyeti i thanë se rregulli e donte që në rast vdekjeje, përveç shtetit, rabinëve, pra priftërinjve hebre, duhej t’u paraqiteshin shtatë shenja të trupit që të mund të besonin se nuk jetonte më. Pas këtij kontrolli i bënë një të dytë. Verifikuan a kishin në arkiv të dhënat si oficerë në rezervë të dy mjekëve shqiptarë. Po atë ditë u dhanë uniformat ushtarake dhe gjitha ndërresat. Kur u duk sikur mbaruan i pajisën me pasaporta diplomatike dhe me një zarf të vogël me brenda një dokument. U thanë se këtë të fundit duhej ta mbanin në xhepin e majtë të xhaketës ushtarake. Ndërkohë u shpjeguan se po të ndodhte të binin rob tek serbët duhej të paraqitnin atë zarf të vogël me shkresën brenda.
Tashmë qe shumë e qartë se po shkonin në një luftë të vërtetë. Të nesërmen në orën pesë të mëngjesit, ende nëpër një qiell të mbushur me një natë që akoma nuk po zbardhylej, një avion Boing me shtatëdhjetë vetë të personelit të spitalit si edhe tre avionë të mëdhenj Herkules me pajisjet, autoambulancat dhe ilaçet, u nisën për t’u ulur dy orë më pas në aeroportin e Shkupit. Ndërsa ende ekipi mjekësor qe duke zbritur koloneli hipi në një autoambulancë dhe nxitoi drejt kufirit. Kur i gjithë personeli mbërriti në Brazdë, shumë orë larg Shkupit, i gjithë mjedisi i spitalit fushor, bashkë me aparaturat dhe ilaçet, ishte gati për punë. “Kur pashë këtë gjë”, pohon me emocion Dr. Zino Matathia, “u mbusha me krenari për shtetin tim”. Më pas do t’i shpjegonin se njësia e spitalit fushor, ku po bënte pjesë, qe një repart ndihmash urgjente që shkonte kudo në botë në raste katastrofash natyrore apo luftërash.
Këtë ditë, në orën pesë të pasdites, mjekët izraelitë të ardhur në ndihmë të popullit shqiptar të Kosovës, pritën lindjen e parë. Në mesnatë të porsalindurit u bënë pesë. Bënte shumë ftohtë, akullimë. Një gruaje e cila dridhej nga të ftohtit, Zino i dha menjëherë bluzën e tij golf të veshjes civile. Vetë tashmë qe me uniformë ushtarake.
Punonin katërmbëdhjetë orë në ditë dhe secili prej tetë reparteve, që nga obstetria e deri tek ai i traumave, kuronte përditë nga dyqind shqiptarë. Spitali i tyre në ndihmë të refugjatëve kishte qenë i pari. Më pas erdhën të tillë nga Italia,...Për t’i vlerësuar nga Maqedonia erdhën tre qeveritarë shqiptarë, zëvendëskryeministri dhe dy ministra. Pas tre javësh misioni humanitar i hebrenjve do të ndahej me Brazdën e shqiptarët dhe në aeroportin e Shkupit Boing-u me tre avionët Herkules do të merrnin rrugën e kthimit për në Tel Aviv.
Gjithçka më pas për Zino Matathian duket si rrëfenjë e lumtur. Në aeroport i pritën me duartrokitje, qe edhe vetë kryeministri. Kur u kthye në qytetin e tij me gjashtëdhjetë mijë banorë e shpallën qytetar i vyer. Në çertifikatën që i dhanë, është e shkruar se ishte shquar në ndihmën për popullin mik të Izraelit, shqiptarët.
Zino Matathia e dinte që hebrenjtë i donin shumë shqiptarët. Ndër pafundësisht mjaft provave ai ruan me emocion njërën. Qe bashkë me Valentinën në udhëtim e sipër në një qytet tjetër, të panjohur dhe në një udhëkryq nga hutimi bënë një gabim. Iu afrua menjëherë një makinë policie dhe u tha t’i ndiqnin nga pas. Në komisariat u shpjeguan se e kishin kaluar udhëkryqin kur ishte me të kuqe. Ky gabim dënohej me marrje të patentës. Në Izrael polici kur jep një masë është fuqiplotë. Mund tua heqë forcën e një mase ndëshkimore vetëm gjykata. Por megjithatë atë ditë ndodhi që oficeri i policisë rrugore, nisur nga marka e makinës së tyre, e pëlqyer ato kohë nga hebrenjtë e ardhur nga Rusia, i pyeti mos qenë rusë. “Jam shqiptar”, u përgjigj Zino Matathia. Dhe papritmas ndodhi çudia. Oficeri ra në mendime dhe pas pak shtoi “Po e shkruajmë se e kapërceve udhëkryqin kur semafori qe me portokalli. Do të paguash një gjobë”.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com