Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Intervistë e Arjan Konomit dhënë gazetës “Paloma”


Z. Konomi, së fundmi ju kemi parë si opinionist në “Big brother”. Si ndiheni në këtë rol?

Ndihem shumë i vlerësuar e do të thosha edhe i emocionuar. Duket sikur është një gjë e thjeshtë, por më besoni është shumë më e vështirë sesa të diskutosh për politikë. Aty ke të bësh me jetë normale, por edhe me probleme sociale që prekin shoqërinë tonë, si dhe me zbulimin e karaktereve të banorëve. Ndonjëherë gjërat që duken në pamje të parë të thjeshta janë më të vështira për t’u bërë. Për më tepër që roli im si opinionist nuk është për të komentuar bisedat e veprimet e tyre, por fenomenet shoqërore që dalin aty.

Përveç kësaj, ne dimë që jeni edhe drejtor i revistës “Shqip” dhe keni qenë këshilltar i presidentit Moisiu. Cili nga këto role ju shkon më së miri për shtat?

Janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, pavarësisht se lidhen me median. Të jesh këshilltar i Presidentit të Republikës është vlerësimi më i madh intelektual për një njeri në profesionin e tij, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Unë mbuloja jo vetëm mediat, por edhe marrëdhëniet me publikun të presidentit e për rrjedhojë isha personi më i afërt me të. Kuptohet që puna fillonte herët në mëngjes e përfundonte në darkë vonë e unë duhej të isha me presidentin jo vetëm në udhëtimet e tij, por edhe kur ai shkonte me pushime. Mbetet një periudhë e pakrahasuar për emocionet që të jepte, por një punë e tillë bëhet për njëfarë kohe sepse ka një intensitet që e bën të lodhshme. Ndërsa revista është hobi im. Ka qenë nga ëndrrat e hershme të miat, atëherë kur nuk e mendoja se do të isha gazetar, të drejtoja një revistë, ngaqë kisha shumë qejf t’i lexoja ato. Revista “Shqip” është një revistë komplekse, e cila përfshin nga politika e ekonomia deri te thashethemet e dieta. Kjo të bën të mendohesh mirë për të gjetur raportin e drejtë midis gjërave në mënyrë të tillë që të plotësojë kërkesat e lexuesve. Punën me revistën nuk do ta ndryshoja me asnjë gjë tjetër.

Ju gjithashtu shkruani për një revistë italiane “Limes” dhe ju kemi parë para disa vitesh edhe në ekranin e Rai-it

Unë kam “lindur” gazetar me revistën “Limes”, që është botimi më prestigjioz në Itali. Është, si e quajnë italianët, botimi intelektual i gazetës “La Repubblica” dhe revistës “L’Espresso”. Vazhdoj të shkruaj ende dhe të jem anëtar i bordit redaksional të saj.
Po ashtu edhe Rai ka qenë eksperienca ime e parë televizive në programin më të ndjekur politik të asaj kohe, “Pinnoçhio”, të drejtuar nga gazetari i famshëm italian Gad Lerner, që atëherë ishte edhe drejtori i lajmeve të Rai 1. Ka ndodhur para më shumë se dhjetë viteve dhe atëherë isha jo vetëm më i ri, por edhe pa eksperiencë e të ndodheshe në panel me personalitetet më të mëdha të politikës italiane, nga kryeministri italian e të tjerë, ishte një përgjegjësi e madhe, por të cilën besoj se e përballova mirë. Ka qenë periudha e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe unë isha aty si përfaqësues i revistës “Limes”. Është e çuditshme kur e kujtoj sot se sa shikueshmëri kishte kur gjithë Italia ishte përpara ekranit për të kuptuar pse po ndodhte kjo luftë në zemër të Evropës.

Para një viti është botuar një libër që flet edhe për kontributin tuaj për çështjen e Kosovës me titull “Lamtumirë kallashnikov”.

Është një libër i shkruar nga publicisti Ylli Polovina. Aktiviteti im në mbrojtje të çështjes së Kosovës ka qenë i tëri i zhvilluar në Itali dhe në disa vende perëndimore. Polovina ka qenë në atë kohë sekretar i shtypit në ambasadën tonë në Romë dhe jo vetëm detyra por edhe një pasion i madh e bënte të ndiqte me një përpikmëri të jashtëzakonshme aktivitetin tim atje jo vetëm në televizion dhe publikime, por edhe në konferenca të shumta në mbarë Italinë, ku unë ftohesha për të folur. Ai shumë histori të miat i dinte ngaqë flisnim shpesh bashkë, madje edhe debatonim. Ideja e librit të tij ishte për ta shkruar për një të ri tiranas që shkoi luftëtar në UÇK-në në Kosovë e pastaj në Maqedoni dhe u vra nga paramilitarët maqedonas. Mendoi që të bënte një paralelizëm midis dy moshatarëve që mbrojtën çështjen kombëtare, njeri me pushkë dhe tjetri me fjalë.

Ku konsiston ndihma juaj kryesore përveç artikujve dhe diskutimeve të televizione të huaja?

Në prill të vitit 1998, një muaj pas vrasjes së Adem Jasharit, unë ndërmora një udhëtim sekret në zonat e Drenicës dhe Deçanit për të marrë vesh se çfarë ishte UÇK-ja. Atëherë për të nuk dihej asnjë gjë. Nuk kishin dalë ende publikisht dhe nuk dihej saktësisht se çfarë ishin. Unë kam arritur të depërtoj deri në shtabin qendror të ushtrisë, të isha bashkë me komandantin e asaj zone, Sulejman Selimi, por pa i thënë asnjërit që isha një gazetar perëndimor. Pasi ndenja dy javë, shkrova një artikull që pati shumë jehonë dhe mor nga shumë media perëndimore. Ideja e tij ishte se UÇK-ja nuk ishte një organizim islamist, marksist dhe nuk do të vepronte me akte terrorizmi. Kjo e fundit ishte frika më e madhe që perëndimorët kishin. Në librin “Lamtumirë kallashnikov” udhëtimi dhe peripecitë e shumta në tokën kosovare përbëjnë pjesën kryesore të rrëfimit.

Po me televizionin çfarë marrëdhëniesh ke? E do ekranin?

Nuk kam shumë marrëdhënie të mira, edhe pse e dua shumë. Unë kam punuar shumë vjet në Itali me konferenca dhe jam mësuar të kem një publik përpara meje që më ndjek, kurse televizioni me telekamerën përpara dhe me ndriçimin e fuqishëm më sugjestionon. Por më pëlqen shumë, nuk mund ta fsheh.

Çfarë ju bën të fikni televizorin?

Unë shoh pak televizor. Gjërat e gjata dhe të mërzitshme.

Çfarë ju pëlqen të shikoni gjithmonë?

Dokumentarë, sidomos ata për artin dhe për natyrën.

Ju shikojmë gjithmonë me një look shumë të kuruar. Sa vëmendje i kushtoni atij?

Nuk i kushtoj shumë kohë, por nuk mund të them se jam indiferent. Mendoj vetëm në momentin para se të vishem dhe përpiqem t’i kombinoj veshjet. Kam harruar se si të vishem më sportiv. Aty ngec dhe kërkoj ndihmën e shokëve të mi më të rinj se çfarë më rekomandojnë ata.

Jeni perfeksionist për gjithçka?

Përpiqem të jem. Nuk jam, edhe pse dua gjithmonë ta arrij dhe kjo më kthehet në stres. Ndonjëherë them se nuk ia vlen të sforcohesh në maksimum se gjërat dalin ndonjëherë mirë edhe kur nuk e pret.

Po te vetja juaj çfarë nuk ju pëlqen?

Nga vetja ime nuk jam asnjëherë i kënaqur dhe kjo shpesh më bën të ndihem jo mirë. Gjëja që nuk më pëlqen më shumë është se jam dembel. I lë gjërat për në momentin e fundit dhe atëherë bëhem shumë nervoz. Them se do të ndryshoj, por përsëri bëj të njëjtën gjë. Edhe kur kam qenë student, për provime mësoja ditët e fundit pa ndërprerje dhe pa ngrënë. Nuk jam sistematik. Tani ndoshta është vonë për të ndryshuar.

Çfarë ju pëlqen shumë?

Më pëlqen më shumë te vetja pasioni që kam për librat dhe për udhëtimet. Për librat shpenzoj shumë, sidomos kur kam jetuar jashtë. Pas 12 viteve në perëndim jam kthyer vetëm me disa rroba dhe me një kamion me libra. Udhëtimet gjithashtu janë investimi im më i mirë. Unë nuk shkoj për pushime, të shtrihem plazheve dhe të rri në diell. Më pëlqen të udhëtoj e të njoh kulturën historike e të tanishme të botës. Di të udhëtoj edhe pa shpenzuar shumë dhe të mos kem pretendime për hotele apo restorante, por nuk lë muze apo site arkeologjikë e historikë pa vizituar sado të kushtojë bileta. Më kujtohet kur kam vizituar Egjiptin për herë të parë, isha student në Itali dhe për të hyrë te varri i faraones Neferti kam fjetur një natë në lulishte, duke llogaritur që me lekët e hotelit të paguaja biletën e hyrjes.
..........

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com