Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Osman Gazepi, çfarë the për Beratin?


Botuar në gazetën “Tirana Observer” më 20 maj 2009

Thonë se historia është shumë duarshtrënguar për ata që vendos t’i regjistrojë në faqet e saj, por jo tepër e rreptë në kriteret që përdor. Në standartet që ajo kërkon nuk ka asnjë rregull (përshembëll) të kesh arsimim të lartë, të bësh vetëm mirë apo të jesh mjaft i matur dhe i ditur. Mund të jesh edhe fare shpirtkatran. Ndodh kështu sepse historia ruan ata që i lënë gjurmë. Kështu shenjë në histori mund të lësh edhe si Osman Gazepi. Sepse ky bashkëkombas, vetëm një nga tre adjutantët e Ahmet Zogut, madje në radhë hierarkike i treti i tyre, kapiten i parë, ndërsa shefi i truprojes personale qe një major, mbeti i shumëcituar në historinë e shqiptarëve më tepër se mjaft e mjaft politikanë të kohës.
Dhe mbeti për dy thënie të tij. Njëra përflitet se ka të bëjë me një opinion për qytetarët e Beratit dhe tjera se si ia paska dalë, që nëpërmjet një loje plot humor, ta detyronte shefin e tij, mbretin Zog, t’ia ngrinte gradën.
Ndërkohë asnjë gjurmë tjetër e tij nuk është fiksuar në historinë tonë. Gjendet në formë boje shkrimi nëpër dokumente, mirëpo jo patjetër kush mbush faqe letrash nëpër arkiva ka gërvishur me këtë rast edhe emrin e tij në histori. Osman Gazepi ka marrë pjesë, si një ndër komandantët kryesorë, në ushtrinë që, duke ardhur nga Jugosllavia, hyri në Tiranë dhe rrëzoi qeverinë e Fan Nolit. Ai ka qenë pjesëmarrës në shtypjen e rebelimit të Et’hem Totos në Gjirokastër, e cila donte të rrëzonte Ahmet Zogun. Këtë kohë disa dokumente dhe dëshmi e paraqitin jo si kapiten i parë, por si nënkolonel. Osman Gazepi shfaqet në Tiranë në fund të vitit 1944 duke u përpjekur që një operacion ndëshkues nazist i trupave gjermane, me të cilët bashkëpunonte, të delte me sa më pak dëm ndaj disa bashkëkombasve të vet. Këtu paska qenë veshur, bashkë me pasonjësit e tij, tebtil si gjerman dhe për këtë veprim të tij qenka shpjeguar “U vesha kështu pse prej gjermanëve, kur i shohin , dridhen ata të kuqtë“.Pastaj më pas ka shqiptuar fjalët “Unë po iki, mbeçi me shëndet! Të rrojë Mbreti dhe Shqipëria!” Në këtë episod dëshmohet se ka patur gradën e kolonelit.
Gazepi Osman është shumë i ndodhur në 25 nëntor të këtij viti në Shkodër, ku ballistë dhe legalistë bashkë bëjnë përpjekje të largohen në mënyrë të organizuar një pjesë drejt Italisë dhe tjetra drejt Evropës Qendrore. Kësaj radhe ai ngul këmbë dhe u bën thirrje të gjithëve që dëshirojnë të arratisen, të qëndrojnë në qytet e të luftojnë deri në vdekje kundër ushtrisë partizane të Partisë Komuniste. Sërish dokumentet thonë se është kolonel.
Gjurma tjetër e tij mban datën 23 qershor 1945. Janë dosje gjyqësore. Pushteti komunist e kishte arrestuar sipas “ordinancës së Komisionit Hetimor për zbulimin e krimeve e të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit për Qarkun e Tiranës”. Akuza është e formuluar “Si oficer i naltë në qeveritë kuislinge dhe si simpatizant i organizatës tradhtare mercenare të Legalitetit ka penguar e tradhtuar luftën e popullit shqiptar. Ka tradhtuar gjithashtu luftën për çlirimin e atdheut, duke marrë pjesë krah për krah me gjermanët kundra partizanëve në luftën për çlirimin e Tiranës dhe të Shkodrës”. Prandaj gjykata “Mbasi shqyrtoi proçesverbalin e Komisionit Hetimor; mbasi dëgjoi apologjinë e të pandehurit, mbasi dëgjoi dëshmitarët e akuzës dhe të mbrojtjes; mbasi dëgjoi pretencën e prokurorit, mbrojtjen e asistuesit av. A. Totozani si dhe fjalën e fundit të të pandehurit...”, observoi se “Osman Gazepi...më datën 7 prill 1939 jo vetëm që nuk ka luftuar kundër invadorëve, por edhe ka ndjekur në ikje mbretin tiran, duke u rikthyer disa ditë më vonë në Shqipëri nën fashizmin, për t’u dukur me uniformën e tij në rrugët e kryeqytetit. Prej formimit të organizatës tradhtare të Legalitetit, i pandehuri bën pjesë në të si besnik i Zogut, siç deklaroi dhe para gjyqit, duke pasur dhe korrespondencë me kriminelin Abaz Kupi. Kur forcat partizane nacionalçlirimtare kanë filluar sulmin kundra Tiranës, i pandehuri jo vetëm që ka rezistuar bashkë me gjermanët dhe ka ofenduar partizanët, por edhe është larguar bashkë me gjermanët dhe tradhtarët e tjerë për në Shkodër, ku ka bashkëpunuar me Gjon Marka Gjonin, Kol Bibën, Halil Alinë etj, tradhtarë e kriminelë. Me qenë se aktiviteti i tij e cilëson të pandehurin si armik të popullit, konform nenit 15 të ligjit mbi organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake,….vendosi ndëshkimin e Osman Gazepit me 3 vjet burgim, humbjen e të drejtave civile e politike për aq kohë dhe me konfiskimin e pasurisë”.
Sikur të kishte mbetur në jetë vetëm me këto ngjarje ose edhe me të tilla si këto, që sidoqoftë janë të veçanta, Osman Gazepi nuk do të kishte mbetur fare në histori. Mirëpo ja që mbeti. I mjaftuan dy ndodhi të tjera, madje dy gjysmëshaka, më saktë dy barsoleta. Sepse që të dyja nuk dëshmohen se kanë ndodhur.
E para pak a shumë ka marrë këtë formë rrëfimi: Me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë Mbreti Zog gradoi një tog ushtarakësh të dalluar dhe me atë rast organizoi një ceremoni madhështore në Pallat, të shoqëruar me banket të pasur. Fytyrat e oficereve të graduar shkëlqenin nga hareja më shumë së vezullimet e spaletave mbi supet e tyre. Nxinte vetëm fytyra e togerit Osman Gazepi, adjutant i Mbretit Zog, të cilin Madhëria e tij nuk e kishte graduar meqë ishte i pashkolluar dhe me zor shkruante emrin kur hidhte firmën në bordero. Të nesërmen, togeri Osman Gazepi, si fshatar i zgjuar dhe gaztor, vë mbi supe spaletat e majorit dhe hyn serbes në zyrën e Naltmadhërisë së tij. Zogu e sheh në sy adjutantin duke pritur çfarë kishte për të raportuar. Osman Gazepi i tha: “Naltmadhëri, kam ardhur t’ju pyes, a më rrinë mirë gradat që kam vënë mbi supe?”. Zogu u mendua vetëm një çast, pastaj i zgjati dorën, duke e uruar: “I gëzofsh!”. Vetëgradimi i Osman Gazepit kishte patur sukses të plotë…”.
E gjithë kjo rrëfenjë është një përrallë, e cila nuk i qëndron as logjikës më të thjeshtë. Adjutanti i Ahmet Zogut ishte një ushtarak karriere dhe gradat i ka marrë në përputhje me të. Nga toger askush nuk të kapërcen në major dhe në ditën e 25-vjetorit të pavarësimit Osman Gazepi qe kapiten i parë dhe jo toger.
Megjithatë kjo gënjeshtër e madhe apo profkë jo vetëm e ndihmoi të fiksohet në histori, por edhe të përpunohet si dukuri, pra si fenomenologji. Disa studiues tashmë kanë formuluar “Kompleksin Gazepi”, pra vetshpalljen ose ngjitjen në karrierë pa meritë. Ndërkohë shkrimtari i njohur Naum Prifti, prej shumë vitesh me jetë dhe veprimtari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka botuar një shkrim që ka bërë jehonë. E ka titulluar “Gazepomania”.
(Diaspora është shumë interesante. Në Turqi, në qytetin Bursa, me emrin e Osman Gazepit ka një ansambël artistik shqiptar).
Barsoleta tjetër, pra e pavërteta e dytë, ka të bëjë me gjoja një thënie të tij në një miting në Berat në vitet e monarkisë. Sipas saj ai u qenka drejtuar banorëve të atij qyteti me fjalët “popull i urtë dhe mistrec i Beratit”. Shtatëdhjetë e kusur vite shkuar nga kjo hamendje jo pak nga shqiptarët, kur duan të shprehen me gjysmë shaka dhe gjysmë të vërtetë për beratasit, i drejtohen pjesës së dytë të “postulatit” gazepian: etiketimit mistrec.
Mirëpo as ky episod, pra fjala e tij në qytetin e njohur, siç edhe vetëvënia e gradave, nuk ka ngjarë. Të merakosur se nofka e mistrecit tashmë ishte bërë zakon dhe nuk kishte për t’u hequr në ditët e para të shtatorit 1952 katër kursantë beratas që vazhdonin në Tiranë Shkollën e Bashkuar të Oficerave, mes tyre edhe studiuesi dhe autori i shumë librave Vangjel Kasapi, mblodhën të dhënat e para se ku mund ta gjenin Osman Gazepin. Atëhere ky kishte dalë nga burgu dhe kafen e pinte tek “Donika”, restorant shumë komod në qendër të kryeqytetit, në rrugën që para çlirimit, por edhe tani, mban emrin e Ahmet Zogut.
Qe e diel pasdite, për kursantët kohë liridaljeje, kur e gjetën të ulur vetëm në një tavolinë. Qenë me uniforma dhe iu paraqitën miqësisht. Nuk i thanë se prej cilit qytet ishin dhe në çastet e para, tashmë të ulur në tavolinë me Osman Gazepin, ky u shpreh “Sa mirë bëtë që erdhët bijtë e mi, sepse do të delni oficerë, ushtarakë! Oh, sa kënaqësi kam, sa më është bërë qejfi!” Më pas i kishte pyetur përse kishin ardhur. Katër kursantët beratas ia treguan emrin e vendlindjes së tyre dhe fare miqësisht i bënë të ditur edhe merakun që kishin: “Thonë se atë nofkë të beratasit si njeri i urtë, por edhe mistrec, e keni thënë ju. Ose të paktën ka mbetur sikur e keni bërë ju”.
Osman Gazepi qe përgjigjur “Edhe unë e kam dëgjuar sikur e kam thënë unë“. Pastaj pati dhënë argumentat e tij: “Unë ditë natë nuk shkëputesha nga madhëria, ku shkonte madhëria atje veja edhe unë, roje trup më trup. E mbronin njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, deri edhe brenda në zyrë“. Në vijim kishte thënë “Madhëria nuk bënte asnjë miting siç bën sot Enver Hoxha. Ku do ta thosha unë atë që paskam thënë! Unë ditë natë pas madhërisë. Si mund të flisja para tij, kur unë kisha rregull që edhe ato që dëgjoja t’i groposja të gjitha”.
“Por si shpjegohet” e patën pyetur kursantët. “Si të shpjegohet?!”, qe përgjegjur i trishtuar, “Edhe labit ka që kanë qejf t’i thonë hajdut, kur nuk është kështu, atyre të malësisë t’u thonë malokër, kur janë si të gjithë ne, këtyre të Tiranës.....Të gjithë e kemi nga një bisht mbrapa”. Në fund pati shtuar “Por të jeni të sigurt se kjo as është e vërtetë si nofkë dhe as e kam thënë unë. Mbroheni qytetin tuaj të mirë!”
Kështu edhe u ndanë. Katër beratasit qenë të bindur se Osman Gazepi nuk i kishte gënjyer. Dihej nga historia që Ahmet Zogu nuk kishte ardhur asnjëherë në Berat. Ai nuk lëvizi përveç se në tre vende: në vendlindje, Burgajet, në Tiranë, në Durrës tek vila dhe në Elbasan njëherë kur tentoi të bënte bëri krushqi me Biçakçinjtë. Ishin rregulla e probleme të sigurisë së tij fizike.
Por ja që për ta futur në histori Osman Gazepin nuk iu desh e vërteta e jetës së tij, por e gënjeshtërta, ajo që ai nuk e pati bërë kurrë. Ka një përfaqësues të një familjeje të njohur të viteve tridhjetë, i cili ka pohuar se “Gazepi” nuk është mbiemër real, por thjesht një nofkë. “Ia ka ngjitur im at”, deklaron ai, “kur në vitin 1921 Osmani drejtonte operacionet për vendosjen e rendit dhe centralizimin e shtetit në Shqipërinë e Mesme”. Dhe deklaron se emër mbiemri i vërtetë i ish-ushtarakut që pati fatin të mbesë në histori me gjëra që nuk i ka bërë kurrë, është Osman Leskoviku.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com