Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Xhind apo jo?


Botuar në gazetën “Shqip”, më 16 maj 2009

Tashmë Shqipëria i ka të gjitha parametrat të jetë e maturuar në çdo veprim të saj të rëndësishëm. Kjo është e dëshmuar. Po ashtu është e besueshme se e tillë, duke u bërë më e kujdesshme dhe më largpamëse, do të vijojë. Edhe shtetet, edhe kombet, edhe popujt, edhe elitat e tyre janë si vetë njerëzit: kanë një periudhë foshnjore. Pastaj pak nga pak hyjnë në adoleshencë dhe nisin të burrërohen.
Ky hap ndryshimi ka nisur. Është më i madhi në lirinë tonë të pas vitit 1990. Ka mjaft ngjarje që e provojnë. Shumica e tyre janë spikatur nga opinioni publik, nga studiuesit apo politologët, nga njerëzit e medies. Po t’i riktheheshim hyrjes në NATO, zgjerimit të fuqishëm të rrjetit rrugor, hapjes intensive me Ballkanin, liberalizimit të pritshëm të vizave me Bashkimin Evropian, progresit për të dalë nga varfërimi i dikurshëm, do të bënim për lexuesin të stërthënën, madje ndonjëherë edhe të tej përdorurën nga propaganda e ditës.
Prandaj për idenë tonë, pra që kemi hyrë të sigurt në një ndryshim progresiv të pakthyeshëm mbrapsht, po veçojmë një provë tjetër: deputetin Fatmir Xhindi. Ndjesë pastë!
Për një paradoks që nuk është vetëm i anëve shqiptare ai ra në sy vetëm kur e vranë. Në të vërtetë kështu ndodh edhe me disa nga ata që pas jetëhumbjes, për një apo shumë arsye, shpallen si heronj të kombit apo shndërrohen në idhuj të një grupi të caktuar njerëzish.
Siç po zhvillohen ngjarjet Fatmir Xhindi nuk do të jetë as hero dhe as idhull. Nuk do të jetë as dëshmor. Dhe këtu nuk e kemi fjalën konkretisht për mungesën e ndonjë dekreti presidencial, pra për dhënien e një titulli zyrtar. Ky qëndrim dhe kjo ide po ngulitet në opinion, po gjen strehë atje dhe si e tillë po kërkon të arkivohet. Çështja e tij dhe e zbulimit të shkaqeve përse ia morën jetën aq barbarisht dhe në mënyrë aq shumë të pashpjegueshme tashmë ka mbetur në skajet e kronikës, madje ka kohë që nuk përbën lajm.
Lajmet i bëjnë njerëzit e fortë dhe deputeti Fatmir Xhindi nuk qe prej të tillëve. Viset ku ai është rritur, hodhi shtat dhe krijoi familje, të tillë i kanë banorët. Myzeqari në jetë të jetëve nuk ka bërë dot lajm të dorës së parë edhe pse historia e tij është e mbushur me vepra të bukura, njëra më e mahnitshme se tjetra. Veç nuk dalin dot në sipërfaqe, atje ku pluskojnë të zëshmit, ata që dinë dhe këmbëngulin t’i evidentojnë vlerat dhe të tjerët, falsët, që na e kanë bërë historinë e djeshme një çorbë të lëtyrtë dhe se për fat të keq sot nuk gjen pak nga raca e tyre.
Ne shqiptarët jemi të prirë zakonisht nga gjesti i forcës, nga vlerësimi i individit për agresivitetin që imponon. Kemi edhe një folklor të tërë për njerëzit e pushkës, të cilët nuk kemi bërë keq që i kemi tej adhuruar. Kanë qenë të pazëvendësueshëm në momente shumë të vështira kombëtare. Mirëpo shumë pak vëmendje kemi për njerëzit e gojës dhe të penës, për ata që veprojnë si “pleq të urtë”. Ca më pak, në mos afër mospasjes, kemi vlerësim për njerëzit e artit dhe të dijes.
Rasti i Fatmir Xhindit provon shumë nga kjo mendësi e jona. Ai ishte i pafat edhe pse prindërit e tij, myzeqarë të urtë, ia kishin vënë emrin me aq shumë dëshirë e urim: të kishte fat të mirë. Por as mbiemri nuk qe domethënës për të, në mos ishte krejt e kundërta. Ai nuk ishte “xhind”. Po të qe xhind as do ta kishin vrarë dhe as do të mësoheshin me rutinën e kronikës se jetën ja kanë marrë, siç thuhet shpesh, “për arsye banale”. Nuk e dimë prej cilit fjalor profesional të kriminologjisë vjen ky term, por është për t’u mos anashkaluar. Deputetin Fatmir Xhindi nuk e vrau politika dhe asnjë lidhje e tërthortë me të. Mënyra se si kjo klasë dhe veçanërisht pakica reagoi ndaj ngjarjes u jep nder. Është një dëshmi tjetër e maturimit të saj, e ndryshimit real që ka ndodhur. Qytetari i Myzeqesë, pra i paharruari Fatmir Xhindi, (sepse Myzeqeja edhe fshatin e ka si qytet) u vra KOT.
Nuk e dimë sa i plotëson kriteret më elementare të kriminologjisë kjo fjalë, por është më e saktë dhe të paktën me e edukuar se ajo “banale”. Kjo e fundit duket krejt e pavend të paktën ndaj një deputeti.
Fatmir Xhindi është vrarë kot edhe për çdo arsye që do të zbulojnë hetuesit apo prokurorët e specialistët e Policisë së Shtetit. Madje vrasja e tij është më e dhimbshme dhe më alarmante sepse nuk ndodhi për shkaqe politike. Asnjë krim nuk mund të falet, por një motiv politik në fund të fundit për një të pazemër apo të porositur mund të përbëjë shkak dhe justifikim. Por një vrasje deputeti, pra politikani, pa asgjë arsye të rëndësishme, një e tillë si ato që ngjasin përse dikujt iu gërvish makina, është e patolerueshme. Kjo vrasje mund të shtyhet në periferi të kronikës, madje edhe të harrimit, po pikërisht sepse nuk ka arsye politike, është shumë e rëndë. Siç deri tani ka qenë mjaft solide për të mos lejuar manipulimin e saj elita partiake mund të bëhet edhe më e bashkuar dhe këmbëngulëse për të hedhur dritë të plotë, të shpejtë dhe përfundimtare në shpjegimin e krimit të ndodhur.
Është vrarë një DEPUTET. Ata vërtet janë si të gjithë, njerëz të zakonshëm, me të mirat e të metat e tyre, por gjithsecili nga ne duhet të mendohet mirë jo kur i qëllon me armë, por edhe kur u thotë një fjalë, bën një kërkesë apo protestë, citon diku për mirë apo keq, duartrokit apo refuzon. Deputetët mund të çlirohen nga të gjitha llojet e imuniteteve, por nga njeri nuk duhet të shkëputemi kurrë ne: që ata janë të zgjedhur me votë popullore dhe janë pasqyra më e madhe e demokracisë së vendit.
Nuk mund e nuk duhet të jetë aq e lehtë ngritja e dorës kundër tyre!
Në shumë vende edhe kur vritet një polic shokët e tij bëhen aq shumë të vendosur për të zbuluar vrasësin e kolegut sa që të entuziazmojnë. Një shtet ka disa kufij që nuk lë kurrkush t’i preken.
Xhindi që nuk ishte xhind dhe fatmiri që nuk pati fat, ky njeri i urtë jo për pazotësi të tij, por për identitet të krahinës ku jetoi, nuk ka për t’u harruar. Mungesa e poteres rreth çështjes së tij nuk do t’ia heqë dot këtë status. Si për të gjithë të pazhurrmshit do të duket sikur u shty në skajet e kronikës dhe të historisë sonë aktuale, por kjo do të jetë vetëm dukja.
I padukuri Fatmir Xhindi përfaqëson një urtësi e keqkuptuar.
Po të shtyhet pambarimisht zbardhja e shkaqeve të vrasjes së tij ajo do të depërtojë padrejtësisht në mes të fushatës zgjedhore dhe do të bëjë dëm.
Kjo do të qe jo vetëm e pavërtetë dhe e panevojshme, por do ta zvogëlonte dramën që i ka ndodhur familjes së tij, institucioneve të shtetit tonë dhe shoqërisë shqiptare. E gjitha, për fat, ka qenë jashtë politikës dhe duhet të mbesë deri në fund jashtë saj.
Duke mos u bërë dot as hero dhe as dëshmor jetëhumbja e deputetit Fatmir Xhindi nuk përse bëhet edhe ÇËSHTJE.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com