Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nga italiani De Matteis tek Ramiz Alia


Botuar në gazetën “Tirana Observer”, më 9 maj 2009

Sigurisht që isha tërë kërshëri ta njihja nga afër gazetarin Lino De Matteis. Di që edhe disa kolegë të shtypit, por edhe të jetës sonë publike, kanë të njëjtën dëshirë. Mirëpo De Matteis i ka kryer tepër të kursyera e të rralla ardhjet e tij në Shqipëri. Hera e parë nuk i ka rënë në sy shumëve, sepse ishte akoma diktaturë. Në të vërtetë dëshmitarët e saj duhet të jenë fare të paktë. Pas disa përpjekjesh kërkimi e ndërpreva gjetjen e gjurmëve të tij në këtë shteg. Kërkonte shumë kohë. E lashë ta zbuloja enigmën e asaj që ai ka bërë në Shqipëri diku nga viti 1988 apo 1989 kur të kisha rastin ta takoja fizikisht dhe kjo nuk mund të pritej kur ai të rivinte në Tiranë. Do të qe një pritje e gjatë dhe e pafund. Më mirë ishte t’i shkoja në “shtëpinë” e tij. Kjo do të thoshte të merrja rrugën për në Itali, në qytetin e Leçes. Kështu kjo donte të thoshte redaksia e gazetës “Nuovo Quatidiano di Puglia”, Piazza Sant’Oronzo.
Ndërsa ka nisur të publikojë që në vitin 1968 Lino De Matteis është një gazetar profesionist duke nisur nga 1976. Njihet si një nga njohësit më të mirë të mjeshtërisë së komunikimit masiv dhe me këtë temë jep leksione në disa universitete. Në “Nuovo Quatidiano di Puglia”, ku është njëri prej themeluesve të saj, gjendet në pozicionin e shefit të një zyre. De Matteis bashkëpunon me media të rëndësishme kombëtare italiane dhe ka statusin e nënpresidentit të Shoqatës së Gazetarëve të Pulies.
Kishim dy-tre muaj që nëpërmjet internetit shkëmbenim mesazhe dhe më në fund e koordinuam takimin. Që të mos mundohesha shumë nëpër rrugët e Leçes De Matteis më dha edhe disa hollësi të tjera të vendndodhjes së tij. Selia e gazetës gjendej në qendrën e pjesës historike të qytetit.
Kështu një pasdite e telefonova se kisha mbërritur dhe se po të qe edhe ai gati, do të vija menjëherë ta takoja. Ishte një kohë jo e përshtatshme për De Matteis-in sepse përgatitej lënda e gazetës për edicionin e të nesërmes dhe kështu kafja që do të pinim nuk mund t’i kapërcente pesëmbëdhjetë minutat. Porse mua kaq më mjaftonin, sepse nuk dëshiroja ta shtyja bisedën në gjëra të ndërlikuara. Doja vetëm ta shihja nga afër Linon dhe ndryshe nga herët e tjera që ja kisha shprehur me mesazhe e-mail, tani dëshiroja t’ia thosha në sy se ishte një mik i madh i shqiptarëve.
Kisha shumë arsye për ta bërë këtë gjë, gjithnjë me statusin tim personal, pra të vetëm një qytetari. Puna, por edhe pasionet e mia, më kanë lidhur fort me zhbirimin e të fshehtave ose të të pathënave të shumë momenteve të mprehta e të ndërlikuara të historisë së Shqipërisë dhe njëra nga këto ka qenë pa dyshim periudha e kalimit nga regjimi i ashpër i diktaturës në atë të shoqërisë së hapur me pluralizëm politik dhe ekonomi tregu. Tani këto çaste të fatit të një populli duken jo vetëm si kujtime të largëta, por edhe si gjëra fare të thjeshta. Pra për shumë nga ne do të thotë se qemë të mbyllur dhe u hapëm, nuk kishim çfarë të hanim dhe më në fund tregu u mbush, nuk dilnim dot jashtë vendit dhe ndodhi që për një dekadë të tërë me format klandestine nga më thjeshtat deri tek më të sofistikuara kapërcyem ujërat e deteve dhe brezat e piramidave kufitare dhe tashmë, në fund të dhjetëvjetëshit të dytë të lirisë tonë, e kemi të afërt ditën kur vizat Shengen do të liberalizohen fare.
Mirëpo nuk ka qenë kaq i thjeshtë ky transformim. Kalimi nga diktatura në një sistem politik të hapur për Shqipërinë nuk ka qenë asnjëherë gjë e lehtë. Duke ndodhur që diktatura komuniste shqiptare ishte më e ashpra e të gjithë eurolindjes, gjendja ekonomike e zhytur në një varfëri të tejskajshme, ndrydhja psikologjike nga mbyllja e rreptë brenda kufirit shtetëror tepër e shpërthyeshme, efekti shkatërrues dhe përçarës i të quajturës “luftë klase” shumë i ndezshëm për të shkaktuar një përplasje të brendshme civile, ndërsa në Ballkan lufta e fuqive të mëdha për rendin e ri të pas rënies së Murit të Berlinit qe aq fort i nxehtë sa e bënin shumë të brishtë dhe të rrezikuar hyrjen e Shqipërisë në kohën e re të saj. Demokracia do të na forconte dhe kishte rrotull nesh qarqe që pikërisht këtë gjë nuk dëshironin.
Me pak fjalë një pe i hollë e ndante kalimin e butë në atë të dhunshëm, revolucionin “e kadifenjtë“ nga ai i përgjakshëm. Armiqtë tanë historikë, veçanërisht shteti fqinj i drejtuar nga Sllobodan Millosheviçi, për hir të qetësisë brenda kufijtë e tij dhe përtypjes aty, nën nofulla, të fateve të bashkëkombasve tanë të Kosovës, e donin Shqipërinë terren të përshtatshëm plasdarmi dhune. Sidomos synonin të na përplasnin mes njeri-tjetrit.
Pikërisht në këtë kohë pata vëmendjen dhe vullnetin të ndiqja e shënoja gjithçka që kishte të bënte me këtë moment dramatik, ndoshta ndër më delikatët e shqiptarëve gjatë shekullit të shkuar. Ka patur ca zyra të liga këtë kohë, diku nëpër Ballkan, që kanë menduar se dalja jonë në liri ishte një rast i shkëlqyer të na hidhnin si lak të ri në fyt përleshjen civile, dobësimin total dhe më në fund copëtimin e vendit me një formulë të përafërt me atë të vitit 1913.
Siç dihet Shqipëria këtë provë të madhe, këtë supertest të qëndrueshmërisë kombëtare, morale, kulturore dhe psikologjike të saj, këtë dëshmi të ndjenjës së thellë të atdhedashurisë, të vetëdijës së lartë shoqërore dhe të një shpirti të dukshëm tolerant, e kapërceu me një sukses të mahnitshëm. Kanë meritë për këtë edhe mjaft demokraci të perëndimit, të cilët na ndihmuan. Patjetër edhe shumë politikanë të huaj, por jo pak edhe nga elita e bashkëkombasve tanë. Lëvizja e Dhjetorit ka qenë një revolucion shumë paqësor dhe largpamës, tepër i matur për të mos e thyer qëndrueshmërinë e vendit, por edhe shumë e vendosur që diktaturën ta thërrmonte. Në emër të paqes ajo duhej shkatërruar.
Në këtë kohë kishte edhe gazetarë dhe media të huaja që ndërhynë ta destabilizonin Shqipërinë, siç pati shumë prej tyre që bënë me shpirt të madh të kundërtën: na dolën në krah dhe na dhanë kurajë që ndryshimi i madh, në të vërtetë një përmbysje sociale, të mos kishte karakteristikat e revolucionit bolshevik të tetorit dhe as të asaj që u pleks me luftën antifashiste çlirimtare të shqiptarëve dhe e devijoi duke e shpërdorur të gjithë kontributin e saj për demokraci e liri të vërtetë. Përherë si një zgjedhje personale, në disa raste edhe si detyrë e mision i një nëpunësi të shtetit, më është dashur gjatë gjithë dekadës së parë të viteve nëntëdhjetë, po ashtu në fillimin e viteve dymijë, të kundëveproj ndaj destabilizuesve mediatikë. Ndërkohë kam kryer gjestin e falënderimit të drejtpërdrejtë, shpesh edhe publik, për ata kolegë të medias së huaj që na janë gjendur pranë. Në një nga librat e mi vetëm në gjuhën italiane, “Rai & Albania”, kam faqe të tëra për gazetarin e televizionit publik italian RAI, Gjon Kolndrekaj, për fat një bashkëkombës yni, i cili në ditët e muajt e parë të ndryshimit ka luajtur një rol të madh konstruktiv për të ndikuar në ruajtjen e frymës paqësore të rrëzimit të diktaturës.
Një i tillë ka qenë edhe Lino De Matteis. Nuk ishte më pak. Por në këtë rast ky qe një italian dhe merita e tij edhe më e spikatur. Megjithatë jam afër njohjes së një fakti nga jeta e tij që e lidh me shqiptarët, por nuk po e ngas më tej këtë temë.
Në ato pesëmbëdhjetë minuta të një kafeje të shpejtë, ku një pjesë e çmuar e saj u shpenzua me rrugën e vajtje-ardhjes nga redaksia deri tek bar-i, këtë opinion mirënjohjeje ia shpreha Linos. Sepse De Matteis, autor në vendin e vet i disa librave, është edhe i njërit që duhet të ketë mbetur të paktën në kujtesën e atyre që dinë t’i sistemojnë dhe ruajnë ato që nuk mund të harrohen.
Në mars 1992 ai botoi, me një format shumë të bukur, librin-intervistë me atë kohë Presidentin e Republikës, Ramiz Alinë. Titullohej “Albania ieri e oggi” (“Shqipëria dje dhe sot”). Për herë të parë para opinionit publik ndërkombëtar, në vitin real të funksionimit të pluralizmit shqiptar, kur ish-komunistët me zgjedhje të lira u larguan nga qeverisja e pushteti, pasonjësi i diktatorit dhe ultrastalinistit Enver Hoxha u shpreh se paraardhësi “Me “armiqtë” e tij qe i ashpër”, “...se autarkia ishte gabimi i tij më i madh”, “...personaliteti i tij qe i tillë që besoj se nuk i jepte hapësirë opozitës”. Po ashtu në atë libër Ramiz Alia pranoi se “Ishte një gabim, për shëmbëll, kufizimi i pronës së vogël private, dhe jo vetëm atë të fshatarëve, por edhe atë të artizanatit dhe të tregtisë”, se “Gabimi më i madh ishte në sistemin njëpartiak dhe në identifikimin e barazimin e partisë me shtetin”. Ndërkohë pasardhësi i Enver Hoxhës në intervistën me Lino De Matteis, veçon si të gabuar imitimin e revolucionit kulturor kinez dhe të sektarizmit të tij, mos hapjen ndaj qytetërimit perëndimor në vitin 1960, kur ndodhi prishja me sovjetikët, ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike me Kinën, tezën e mbështetjes tërësisht në forcat e veta, ndalimin e besimeve fetare. Në “Albania ieri e oggi” Alia tha se sistemi komunist i kohës “...pati demokraci të munguar”, se “ishin gabimet politike të regjimit që nuk lejonte ballafaqimin e ideve”. Në të ai doli kundër shumë tezave marksiste, siç ishte ai i rolit udhëheqës të klasës punëtore, u shpreh kundër diktaturës së proletariatit duke e konsideruar si model të gabuar sovjetik, u deklarua refuzues ndaj teorisë dhe praktikës së të ashtuquajturës “edukim i njeriut të ri”, doli kundër propagandës që u realizua nëpërmjet shpëlarjes së trurit. Në librin-intervistë, siç edhe e kam bërë të ditur në një shkrim të disa muajve më parë, Ramiz Alia ka shprehur edhe një opinion shumë të drejtpërdrejtë: “Enver Hoxha ishte një dogmatik. Për të mjaftonte të zbatoje pikë për pikë disa parime të Marksit, Leninit apo Stalinit, duke i nxjerrë nga konteksti...”. Në faqet e fundit të librit-intervistë “Shqipëria dje dhe sot” ai bën të ditur për italianët e botën perëndimore se “Socializmi realizohet nëpërmjet ligjeve të tregut” dhe pyetjes së gazetarit Lino De Matteis “Me pak fjalë President cila është receta juaj ekonomike?”, Alia i është përgjigjur fare qartë e prerë: “Kapitalizmi”. Duke e saktësuar: “Jo një kapitalizëm brutal, të egër, por një kapitalizëm që mund të kontrollohet nga shteti dhe sidomos që të jetë sa më shumë social”.
Në ato pak minuta që kisha përballë Lino De Matteis-in, duke e lënë të lirë të shprehej për çfarë gjykonte ai vetë më të arsyeshme, e dija se libri i tij intervistë mund të qe atë kohë edhe një përpjekje për t’i dhënë një imazh sa më demokratik Ramiz Alisë dhe për ta vërtetuar këtë dyshim pata ndjekur me sa munda ditët e tij në Tiranë, në fillim në pritje dhe pastaj në leje për t’i marrë intervistën presidentit shqiptar. Në disa pak takime, shumica me veprimtarë të Lëvizjes së Dhjetorit, pra ato ditë të fillimit të vitit 1992 me opozitën, gazetari italian në intimitet qe shprehur për dy gjëra mjaft të rëndësishme. Njërën nuk po e bëj publike dhe lashë larg tundimit për t’ja nxjerrë nga “arkiva” e tij duke ia bërë pyetje në atë kohë të kufizuar të pirjes së kafes. Nuk i bëra pyetje as për të dytën, sepse këtë e tha vetë. Duket e kishte si një peng që më shumë se një kolegu shqiptar donte t’ja rithoshte herë pas here edhe vetes.
Fjala ishte për një detaj: projektligji për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ramiz Alia gjatë njërës seancë të intervistës ia kishte treguar. E ruante në xhep. I pati pohuar Lino De Matteis-it se ja kishin dërguar atë projekt-dekret, por nuk kishte aspak ndërmend që ta firmoste. Me gjithë ndonjë gjendje të trazuar për nga rendi publik presidenti shqiptar i kishte deklaruar se zgjedhjet duhej të zhvilloheshin të pashtrënguara. Duhej të qenë të lira.
“Ma tregoi projektligjin”, përsëriti dy herë Lino De Matteis, “presidenti juaj e kishte në xhep”.
Duke menduar se mos e tepronte nga pak në theksimin e kësaj hollësie prita ta shtynte më tej shprehjen e asaj mbrese. “Kisha qenë njëherë më parë në Shqipëri. Ishte koha kur në ambasadën tonë ishin mbyllur pjesëtarët e familjes Popa. Ishte po Ramiz Alia në krye. Rrethimi i ambasadës tonë ishte aq i ashpër, tre mure me njerës ngritur përreth. Unë arrita ta fotografoj dhe ajo pamje regjimi të egër hyri në faqet e para jo vetëm të gazetave italiane”.
Kështu Lino De Matteis më la të kuptoja se nuk kishte bërë ndonjë solidaritet personal, politik apo ideologjik me Alinë apo rrethin e tij. Pyetjes time të vetme se nga çfarë ishin temat e një pjese të librave të tij të linte përshtypjen se qe afër të majtës italiane De Matteis iu përgjegj se ishte njeri i lirë dhe i paangazhuar politikisht. I mjaftonte statusi i gazetarit për të qenë opozitar me të padrejtën.
U ndamë, sigurisht për t’u takuar e ndenjur gjatë në një rast tjetër, por ia thashë se jo vetëm presidenti shqiptar i asaj kohe, Ramiz Alia, ka dëshmuar vullnet e vetëdijë të qartë që kalimi i vështirë i Shqipërisë nga komunizmi real në shoqërinë e hapur të bëhej pa dhunë, por edhe ai vetë, pra Lino De Matteis, me librin e tij intervistë kishte kontribuar për fatet e mbara të popullit tonë.
Libri i tij intervistë ishte në favor të kohës së re që po vinte për shqiptarët.
I thashë po ashtu se nga kërkimet e mia tashmë zotëroja dëshmi të sigurta se edhe opozita shqiptare dhe figura e parë e saj kishin bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që në ndryshimin e madh, ku tinëzisht disa po futnin duart e ndota për ta përgjakur, demokracia të vinte pa kaluar e shkelur mbi jetë njerëzish.
Ndërsa dëgjoi këto fjalë, një çast duke më parë me një gëzim të brendshëm, Lino De Matteis vuri buzën në gaz.
Prej shkëlqimit të madh të vështrimit të atij miku të mirë të shqiptarëve dallova vetëtimthi se sytë i kishte me një kaltërsi të bukur, të mbushur me dritë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com