Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Duke lexuar një libër që zbulon të vërtetat e diktaturës


Artan Bizhga

Botuar në gazetën “Libertas” më 10 prill 2009

Pak njohje me të shkuarën…, duke lexuar një libër që zbulon të vërtetat e diktaturës. Kur Shqipëria e Enver Hoxhës furnizohej me armë nga SHBA. Rrëfimi i plotë i Hysen Shahut, ish-drejtor i Drejtorisë së Dytë në Sigurimin e Shtetit: Trafik cigaresh me Camorrën italiane, por edhe armë amerikane për Kosovën, në vitin 1981. “Një jetë para dhe pas vitit 1990”, libër i Ylli Polovinës që sjell dëshminë e protagonistëve. Për brezin e 30-40-vjeçarëve njohja me historinë politike, njerëzore, marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë së viteve 70, deri në vitin 1992, por, pse jo, edhe vitet që vijnë më pas, në mjaft raste mbetet në nivelet fillestare. Ende nuk dimë mjaft gjëra që, ose mbeten të fshehta fare rastësisht, ose fshihen prej vitesh. Fshihen me qëllim. Me qëllime të mbrapshta e fort të errëta. Nuk dimë realisht sa ishte revolucion demokratik ai i fillimit të viteve 90, por dimë se, në mjaft pjesë, ai ishte një Lëvizje e Vjedhur. E vjedhur dhe e helmuar dinakërisht, nga pjesa më e degraduar e asaj që njihej si Sigurimi i Shtetit, duke infiltruar pjesën më të ndyrë të vetën. Rezultatet i kemi sot para syve tanë. Por ne kemi nevojë të dimë…
Do të mjaftojnë vetëm pak minuta së lexuari librin e sapobotuar të Ylli Polovines, “Një jetë para dhe pas vitit 90”, që nuk është gjë tjetër, veçse një rrëfenjë e fortë e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë për një prej figurave-kyç të harkut kohor të viteve 80, Hysen Shahut. Pjesë në libër zë beteja ligjore me gjykatat italiane, lidhur me akuzat, si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të trafikut të duhanit me Camorrën napolitane, dhe si një nga njerëzit e kryeministrit të asaj kohe në këtë aferë. Gjithçka u mbyll me seancën e fundjanarit 2005, kur Shahu, nga Gjykata e Napolit, u shpall “I çliruar nga të gjitha akuzat”.
Hysen Shahu, nga viti 1982 deri në vitin 1989 u caktua me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Dytë, e cila merrej me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave me “karakter armiqësor ndaj udhëheqësve të Partisë”. Pas vitit 1984, atij iu dha një detyrë tjetër, drejtimi i Drejtorisë Ekonomike. Për vetë Shahun, është befasi fakti që në sektorin ekonomik kishte edhe një veprimtari sekrete, që lidhej me transitin e cigareve në Itali. Polovina na jep të dhëna se ky aktivitet sekret ka nisur që në vitet 1962-1963. Baza e saj, fillimisht ishte e vendosur në Karavasta, për të kaluar më pas në portin e Shëngjinit e për të përfunduar në Rrashbull, në mesin e viteve 70. Në faqe të tëra jepen me detaje lëvizja transit e TIR-eve, malli i të cilave ngarkohej në anije, që më pas merrnin rrugën e Italisë. Karvanët e TIR-eve, të nisura nga Belgjika, Holanda e Gjermania, kishin përshkuar tërë Evropën. Shqipëria ishte zgjedhur si transit, për arsyen se, duke qenë jashtë strukturave ekonomike të Evropës Perëndimore, kishte kushte tejet favorizuese që kjo tregti të kushtonte shumë më pak. Por informacionet kanë rrjedhur edhe në atë kohë, pavarësisht disiplinës së Sigurimit.
Shtator 1984. Në edicionin kryesor të lajmeve të orës 20.00, të TG 1, një reportazh i shkurtër tregon pamje anijesh në portin e Durrësit, të cilat niseshin drejt brigjeve italiane, duke kryer kështu kontrabandë cigaresh. Televizioni italian e kishte shpjeguar transitin si një bashkëpunim të mirëfilltë të shtetit komunist shqiptar e mafies italiane. Një akuzë publike shumë e fortë, që u pasua me reagime nga Tirana.
“Erdhi urdhri nga lart, - kujton Shahu. - Baza duhej të mbyllej menjëherë!” Kjo mbyllje e përkohshme duket të ketë qenë e koordinuar politikisht me bregun perëndimor. Vetëm pak ditë më vonë, po në TG1, saktësisht në orën 20.15, një oficer i lartë, kolonel i Guardia di Finanza, bëri një deklaratë shfajësuese. “Gabimisht dhe në formë autokritike, në emër te rojeve të financës italiane, kemi përgojuar Republikën Socialiste të Shqipërisë për përfshirje në kontrabandën e cigareve, në një kohë kur Shqipëria është vend transit totalisht, në kushte të ligjshme”. Por ky transit do të këputej dikur. Pas vitit 1991, shumëkombëshet e duhanit zgjodhën Malin e Zi, si vend kalimi.
Pranvera kosovare e 1981-shit dhe armatimi amerikan i Shqipërisë.
Rrëfimi përcjell edhe disa episode që u ngjajnë situatave në romanet policeske. Pas ngjarjeve të pranverës 1981 në Kosovë, armata jugosllave përgatiste një sulm të rrufeshëm, përmes Dibrës, për ta ndalur vrullin e saj në Tirane. “Do të përdoreshin shumë tanke, - e vazhdon rrëfimin e tij Shahu. - Jo vetëm për të siguruar shpejtësi maksimale në lëvizje, por edhe për të pasur sa më pak dëme.”
“Fushëbeteja e nëndheshme ishte Kosova. Qe bërë e ferrshme, herë me fitore, herë me dhimbje e humbje e që, jo rrallë fijet e dështimit e të dekonspirimit të çonin deri në strukturat e larta të Tiranës zyrtare. Raketat antitank duheshin blerë sa më shpejt që të ishte e mundur. Dhe, në ndihmë, si ndërmjetës, vjen vetë përfaqësuesi i Shumëkombësheve”. Kaloi një muaj dhe në Durrës zbarkuan 250 raketa të prodhimit amerikano-izraelit. Shifra që u pagua, Shahun e la pa mend, sa një hamendje e mbrapshtë i futi në kokë dyshimin se ajo blerje ishte kryer nga duar kontrabandistësh apo të mafies së raketave. Por përgjigjja qetësuese, që i erdhi nga Lugano, Zvicër, e habiti edhe më shumë.
“Raketat me atë çmim simbolik patën ardhur nga miq; le t’i kuptonte këta si individë apo shtete që donin që pavarësia e Shqipërisë të mos cenohej nga Jugosllavia.” Në fakt, raketat antitanke ishin marrë nga një bazë ushtarake amerikane në afërsi të Napolit”. Miq amerikanë, pra të regjimit komunist të Tiranës. Heshtja e veprimeve të tilla, që diktohej nga interesa madhore, e bën edhe më të qartë atë se çfarë është në gjendje të fshehë propaganda zyrtare.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com