Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Ndarje me të shkuarën”


Libri më i ri i publicistit Ylli Polovina

Botuar në gazetën “Shqip” më 16 prill 2009

Nga Zylyftar Hoxha

Afro 20 libra të shkruar për një Shqipëri në një periudhë plot transformime të mëdha si dhe prania gati çdo javë në faqet e shtypit të shkruar, dëshmojnë jo vetëm për një punë gati titanike të publicistit dhe studiuesit Ylli Polovina, por edhe për një angazhim serioz qytetar për fatet dhe të vërtetat historike (në këndin dhe gjetjen e tij), të analizave politike dhe sociale të kohës, të shqetësimeve të përditshme dhe dhimbjeve njerëzore jo të pakta të shoqërisë sonë.
Me këtë seriozitet dhe impenjim krijues vjen Ylli edhe me librin e fundit të dalë në qarkullim këto ditë me titullin “Ndarje me të shkuarën” dhe nëntitull “Një jetë njeriu para dhe pas vitit 1990”.
Libri më i ri i tij bazohet në ngjarje reale, por të cilat i nënshtrohen një edhe një trilli mjeshtëror letrar, duke e bërë vërtet një krijim artistik interesant, tërheqës dhe të bukur. Ndërkohë ai të bën të mendosh se midis kohëve, sistemeve, formave të qeverisjes, shteteve dhe pushteteve, labirinthet burokratike dhe autokratike jo rallë janë të njëjta ose me pamje të përafërta.
Libri ka në qëndër proçesin e ndërlikuar të ndarjes nga e shkuara të një ish-zëvendësministri të Punëve të Brendshme të periudhës 1982-1989, i cili nuk mbulonte Sigurimin e Shtetit, por në mungesë të ministrit, Drejtorinë e Zbulimit, pra atë grup personash që të kamufluar si diplomatë punonin për shërbimin e fshehtë shqiptar në ambasadat jashtë vendit. Shahu, personazhi kryesor i librit, i përket asaj shtrese intelektuale liberale të viteve të fundit të diktaturës komuniste, që e shihte se gjithçka rreth e rreth po kalbej dhe po thërrmohej, ndaj brenda hapësirave ligjore, si një zyrtar i instancave të larta të shtetit, gjente të çara për të vepruar mirësisht, por më tepër për t’u bërë i ndërgjegjshëm se ideologjitë fanatike, regjimet politike pa liri duheshin refuzuar dhe braktisur.
Përpjekja për t’u ndarë me sistemin e kaluar politik, çështja e pendesës dhe përfshirja në shoqërinë e hapur të pasvitit 1990, është vetëm njëra pjesë e asaj që dëshiron të thotë libri, por të mpleksura me të janë edhe shumë ngjarje që lidhen me mjaft të fshehta tronditëse që nga Ylli Polovina zbulohen për herë të parë, veçanërisht intriga, të cilat, për fat të keq, i zgjasin kthetrat deri në vitin 2005.
Libri i “Ndarje me të shkuarën”, siç ka edhe titullin, përshkruan dy kohë, atë që iku dhe atë që erdhi pas ‘90-ës. Si në një pemë ku degët hapen njëra pas tjetrës, me linja, me detaje, me shembuj nga jeta shqiptare apo e vendit fqinj, Italisë, me personazhe këtej dhe andej detit, me raste apo pa raste, Polovina na jep një pasqyrë reale të kohës në të cilën veprohet, ku gjithkund nuk harrohet e kaluara. Se vërtet mulliri s’është më, por era fryn akoma, kështu që personazhit kryesor jo vetëm disa në vendin e tij i kujtojnë të shkuarën, por edhe të tjerë prej vendit fqinj i rikujtojnë një kohë të ikur kur prej detyrës së zëvëndëministrit të Punëve të Brendshme ishte i ngarkuar të mbulonte edhe një nga ngjarjet më misterioze të diktaturës, atë të tranzitimit të fshehtë të duhanit nga brigjet shqiptare drejt bregdetit dhe brendatokës italiane. Përpos shumë shkrimeve të botuara deri tani për këtë enigmë në librin e Ylli Polovinës më në fund do të mësojmë të vërtetën. Madje ai dëshmon me fakte të pathëna edhe periudhën e pasvitit 1990, kur kjo kontrabandë, pasi u ndërpre nga Shqipëria, vijoi për më shumë se një dekadë nga Mali i Zi.
Ndërkaq libri “Ndarje me të shkuarën” është një “grataçiel” i tërë. Ky “gërvishës” në 456 faqe, botim impresionues i EMAL dhe me çmim vetëm tetëqind lekë, nuk e bën ngasjen me qiellin, por me figura të para të jetës politike shqiptare. Që në fillim e në tërë sfondin e tij libri zbulon pak nga pak çfarë fshihej në të vërtetë pas shkrimit “Padrinoja e Shqipërisë”, botuar në Tiranë në korrik 2002 dhe i marrë prej revistës italiane “Espresso”, artikull që kishte patur shenjim kryesor vetë kryeministrin e Shqipërisë të asaj kohe.
Nëpërmjet një operacioni të kombinuar policesk, por edhe një veprimi të padrejtë, në dhjetor 2003 ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë në periudhën 1982-1989 arrestohet në aeroportin e Bolonjës dhe për këtë ngjarje në Tiranë mbahet heshtje e plotë.
Që këtu fillojnë peripecitë e Shahut, një personazh mjaft i veçantë. Për trembëdhjetë muaj, deri sa të shpallet krejtësisht i pafajshëm, ai do të provojë katër burgje italiane, pesë gjyqe për verifikimin e masës së arrestit, tre seanca të tjera të shkallës së parë si edhe një ballafaqim të madh e të ndërlikuar në Milano, ku i duhej në masa të mëdha shtrënguese të dëshmonte në një proçes ku kryeministri shqiptar i kohës kishte paditur për shpifje redaksinë e revistës që pati publikuar shkrimin “Padrinoja i Shqipërisë“.
Nga autori në mënyrë mjeshtërore portretizohen individualitete shqiptarësh të burgosur, të gjithë tipa interesantë dhe piktoreskë, si një djalë që as vetë s’e dinte pse ishte kallur aty brenda, dhe që Shahu e quajti që në herën e parë Sa Miri; nëpër faqet e librit ka mafiozë të çuditshëm dhe gardianë të liq, por edhe plotë të tjerë përfaqësues të popullit e shtetit italian që janë “shpirt njeriu”.
Pena e Ylli Polovinës ka skalitur zëvendësprokororen Trungu, e cila në gjoja betejën e saj të drejtësisë ka vënë në themel një interes cinik: të bëjë famë dhe karrierë personale duke goditur një politikan të lartë të Tiranës. Ajo nuk ka asnjë vetëpërmbajtje në zellin për të përbaltur imazhin e vendit përballë, ku jeton një popull mik e që në shekuj e ka çmuar dhe dashur sinqerisht Italinë. Përballë saj qëndron figura tjetër, ajo e gjykatëses Ana, e cila në fakt u bë engjëlli mbrojtës i Shahut dhe i vendit të tij. Ajo përshkruhet nga autori si një grua të cilën natyra e kishte pajisur me aftësi të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale, një përkëdheltare shpirtrash, grua me një bukuri të rrallë, me një gjuhë-muzikë, fjalë që ngjanin me lëng dhe aromë lulesh. Gjyqtarja Ana përfaqëson atë shtresë të kulturuar dhe të perfeksionuar të botës perëndimore që ne shpesh e ëndërrojmë ta kemi në institucionet tona.
E gjithë fabula e librit ka një ndërthurje me plot të papritura, që s’të lë ta lëshosh nga dora pa e përfunduar dhe pa mësuar se ç’ndodh më tej. Por ajo që të jep më tepër kënaqësi estetike dhe intelektuale është stili elokuent dhe i rrjedhshëm i autorit, përdorimi i metaforave dhe figurave letrare, si dhe leksiku i pasur, por edhe i pasuruar me fjalëformime nga vetë autori. Do të jepja këtu vetëm një shembull. Një nga personazhet ai e quan “Njeriu me emërmbiemrin që të kujtonte kërcitjen tinëzare të hapave mbi një gjethnajë të rënë apo mbi shkarpa të thara”. Pastaj pasi njihesh me këtë personazh, emri i tij shkurtohet në “Njeriu me emërmbiemrin e gjethnajës së tharë”. Dhe më në fund në “Njeriu i gjethnajës”.
“Ndarje me të shkuarën” është një libër që nuk ka për të zhgënjyer asnjë që do ta lexojë.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com