Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Ndarje me të shkuarën”


Fragment

“Ndërsa në gusht 2002 kishte dalë artikulli “Padrinoja i Shqipërisë”, pas një viti e katër muaj, në fundin e shtatorit 2003, atij i qe afruar njeriu me emërmbiemrin që të kujtonte kërcitjen tinëzare të hapave mbi një gjethnajë të rënë apo mbi shkarpa të thara. I kishte zgjatur dorën topolake dhe, bashkë me të, edhe një breshëri të tërë fjalësh llastuese. Pa marrë frymë deri në fund i pati thënë se e donte shumë, e respektonte pa masë, e vlerësonte pa kufi, e kujtonte përherë, nuk e harronte kurrë, e kishte përmendur gjithnjë te miqtë e tij, ua kishte thënë pa pushim të njohurve të vet në partinë antikomuniste se, po të kishte patur diktatura kuadro si Shahu, do të kishim hyrë me kohë në kapitalizëm.
Pastaj e ftoi për një kafe”.


Shahu e vuri shputën e këmbës në shkelëzën e parë të shkallës së avionit të linjës “Alitalia” si të ishte gjendur papritur në një hapësirë të zbrazur me shpejtësi nga ajri. Ato pak centimetra nga betoni i pistës deri te duralumini që do ta ngjiste drejt brendësisë së aeroplanit iu dukën sikur e kishin ndarë përfundimisht nga bota. Ndjeu edhe mushkëritë t’i boshatiseshin nga flluskat e fundit të ajrit si edhe trupin të braktisej nga lënda e mishit dhe e kockave.
U mpi. Pastaj iu duk vetja sikur u bë dru i tharë.
Si një gulçimë që vinte nga lart, kush e di prej ku, dëgjoi mbyturazi një uturimë të pandërprerë motorësh, gati si të qe një tufë kafshësh të egra që çirrnin njëra-tjetrën me thonjtë e putrave dhe në kacafytjen e tyre kuisnin pafund.
Hapin e dytë e hodhi pavullnetshëm, jashtë dëshirës së tij. Më shumë iu duk sikur ia tërhoqi me dhunë forca e madhe vakumit. Sendi i madh me ngjyrë të hirtë, tamam si qielli i asaj pasmesdite të 18 dhjetorit 2003, nuk ishte më avion, por një shpend i stërmadh që ishte ulur poshtë vetëm për ta rrëmbyer dhe mos e lënë kurrë të rikthehej në tokë.
Kur më në fund u ngjit në majë të shkallëve dhe dalloi si nëpër mjegull fytyrën e stjuardesës që po i buzëqeshte përzemërsisht, ishte i bindur se nuk kishte më fuqi të kthehej prapa. Tabani i tokës tashmë iu duk shumë i largët.
Poltronin ku do të ulej, nuk kishte për ta gjetur dot po të mos orientohej nga çfarë po bënin shokët e tij të udhëtimit. Të gjithë bashkë, me projektin e tyre, një Dhomë Tregtie me qendër në Tiranë, por që do të bashkëpunonte e binjakëzohej me një të tillë në qytetin e Bolonjës, bëheshin pesë vetë.
Kur u ul, ndjeu se nxori një ofshamë. Ishte një si lloj dufi. Çuditërisht ajri, që deri ato çaste i kishte munguar, kësaj here bëri rrugën e kundërt me atë që shkakton zakonisht një psherëtimë: nuk ia zbrazi, por ia mbushi mushkëritë. Pastaj iu duk sikur ajri mbushi edhe të gjithë ambientin përreth.
Shahut iu rikthye ndjenja e reales. Ashtu siç i pati ardhur ndjesia e ikjes nga bota, po aq papritur i qe shfaqur rikthimi.
Një çast mendoi se gjithçka që pati provuar duke ngritur shkallaren e lartë të avionit të “Alitalia”-s kishte qenë thjesht një parandjenjë. Ato i kishte patur të rralla në jetë, por të pagabueshme. Ishte kllapi që zgjaste për vetëm pak sekonda. Kësaj radhe i kishte vazhduar më tepër se zakonisht. I vinin si humbje ndërgjegjeje dhe çuditërisht subkonshienca qe më e kthjellët në mesazhet që i jepte.
Kësaj here çfarë i parathoshte?
Veshi i ndjeu muzikën e lehtë që transmetohej në bord. Pas pak çastesh melodia ia largoi ngulmimin për të hetuar atë që i pati ndodhur. Nisi gëzueshëm të shkëmbente humor me shokët e vet dhe, kur u lajmërua shtrëngimi i rripit sigurues, ndihej plotësisht i ngazëllyer.
Nën këtë qetësi shijoi ngjitjen e avionit, kapjen e lartësisë, marrjen e kursit të fluturimit drejt gadishullit Apenin. Kur u pa sipërfaqja në blu të errët e detit Adriatik kishte harruar fare se çfarë i kishte ndodhur tek vuri këmbën në shkelëzën e parë të shkallës së avionit.
Nga retë që u dendësuan shumë shpejt, cipa e ujtë e detit i humbi nga sytë, duke i krijuar dalëngadalë një ndjenjë brejtëse trishtimi. Kishte humbur kontaktin me tokën dhe vagëllimthi e mpiku edhe njëherë tjetër ajo vetëndjerje e humbellshme si në çastin kur bëri të shkëputej nga betoni i pistës në aeroportin e Rinasit.
Në aeroportin e Bolonjës, kur zbarkuan, qielli i pasdites ishte po ashtu si në Tiranë, i hirtë. I pangjyrë. I njëtrajtshëm. Si në një planet apo kozmos tjetër. Në autobusin e shërbimit aeroportual hipën pa u vonuar dhe ky, gjithashtu pa vonuar, mori rrugën drejt godinës së doganës.


Ky ishte udhëtimi i tretë i tij në Itali. Për herë të parë kishte qenë aty si specialist i uzinës mekanike më të madhe të Tiranës, atëherë e quajtur “Partizani”. Më pas qe si zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Të dyja herët kishin ndodhur në kohën e regjimit komunist, dekada shkuar.
Nga xhamat e mëdha të dritares së autobusit u përpoq të fiksonte pamjet. Ishte një zakon i tij i vjetër, sipas të cilit, kur një vend të huaj e donte e niste shprehjen e adhurimit që prej objekteve të para që ndeshte. Ritakimin me Italinë po e fillonte nga aeroporti i Bolonjës.
Kur qe nisur nga Tirana të vetëve u kishte premtuar se për atë udhëtim nuk kishte ndonjë pasion e, ca më pak, kërshëri të veçantë, prandaj edhe do të kthehej menjëherë pas dy apo e shumta tri ditësh. Mirëpo nga ajo që ato çaste po shihte, provonte joshje. Italia për të gjithnjë kishte qenë një vend tërheqës. Rënien në dashuri ia kishte shkaktuar radiotelevizioni publik RAI. Sinjali i tij depërtonte në të gjithë bregun perëndimor të Shqipërisë, duke hyrë lirisht edhe në Tiranë.
Por lidhjet e tij shpirtërore me vendin tundues të përtejdetit kishin qenë shumë më të hershme se transmetimet e radiotelevizionit italian, madje se edhe vetë pas Lufta e Dytë Botërore. Në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar i ati bënte tregti të shpeshtë duke kapërcyer herë brigjet e Jonit në Vlorë dhe herë ato të Adriatikut në Durrës. Vajza e tij e vetme pati studiuar dhe qe laureuar posaçërisht për gjuhën italiane.
Vetë Shahu diçka kuptonte nga gjuha e përtej detit, por nuk e fliste. Madje as e kishte marrë ndonjëherë mundimin. Në përgjithësi nuk kishte patur kurrë ndonjë tërheqje pas gjuhëve të huaja.
Pas pak autobusi aeroportual ndali dhe hapi njëherësh dyert e mëdha, duke futur brenda e lëshuar mbi njerëzit duhmën e ajrit të ftohtë të atij mesdhjetori. Si e çliruar nga një ankth, turma e udhëtarëve kërceu vrikthi nga shkallët dhe me nxitim hyri brenda portës së madhe të godinës së doganës. Shahut iu duk se njerëzit kishin një ngutje të pazakonshme. Në fillim mendoi se të gjitha ato këmbë që pothuaj vraponin, e bënin këtë për të mos mbetur në fund të radhës së gjatë të kontrollit hyrës. Pastaj e kuptoi se ajo ngutje e madhe e udhëtarëve shkaktohej edhe nga pasdita e vonë dhe afrimi i shpejtë i natës.
Nisi me një nga pjesëtarët e grupit të shkëmbente një bisedë rutinë. Tre kolegët e tjerë i lanë të kalonin përpara.
Kur erdhi çasti i paraqitjes së pasaportave, ndërsa shoku me të cilin po bisedonte e kaloi verifikimin e vizës hyrëse, italiani me uniformën elegante të policisë kufitare i kërkoi të vetën. Shahu e kishte bërë gati me kohë dhe ia zgjati qetësisht.
Brenda kabinës së tejdukshme, por që ato çaste të pragmbrëmjes atij iu duk se në brendësi të lëndës xhamore duhej të ishte tretur edhe një nuancë e butë gri, kompjuteri dhe pranë tij një termos i vogël i mbushur, ndoshta me çaj aromatik apo ndonjë lëng frutash, i lanë një mbresë të ëmbël.
Mbi syprinën e vogël të tavolinës Shahut i zuri syri profilin e pjerrët të një vule, lënë shkujdesshëm. Ishte ajo që pas pak do të kapej nga dora e kufitarit dhe do të bënte, me goditjen e fortë të pjesës fundore të saj mbi fletën përkatëse të pasaportës, zhurmën karakteristike të miratimit për të hyrë në territorin italian.
Mirëpo njeriu i kufirit nuk po bënte asnjë veprim të tillë. Shtypte pa pushim disa prekëla të tastierës së kompjuterit dhe ndiqte i përqendruar gjurmët që i dilnin në ekran.
Papritmas Shahut iu zgjua ajo ndjenja e humbellës, e përthithjes me shpejtësi nga hapësira e zbraztë, që e merrte me vete dhe e largonte me shpejtësi nga toka.
Polici kufitar vazhdonte shtypjen e tasteve dhe ngulimin e vështrimit mbi kompjuter. Pastaj i shkëputi sytë prej andej dhe me akoma në bebëz ndriçimin e kaltër të ekranit, i tha shkurt, por sjellshëm: “Zotëri, ju do të prisni pak!”
Shahut iu terratis gjithçka. Prej afro një dekade e gjysmë larguar nga detyra e njërit prej drejtuesve kryesorë të shërbimeve të fshehta shqiptare, instinkti i profesionit të vjetër iu ringjall i tëri. I brofi në ndihmë. Si në kohën e atëhershme, kur veprimi i saktë dhe gabimi gjendeshin frikshëm shumë afër njeri-tjetrit, e para gjë që Shahut i erdhi nga vatrat tashmë të rizgjuara të zanatit të dikurshëm qe një sharje e rëndë për veten. Fjala që i erdhi si vetëgjykim i pamëshirshëm ishte: “Idiot, të futën në grackë”!
Kishte rënë në kurth si të qe një fëmijë.
Reflekset e njeriut të zbulimit i sollën ndërmend rregullin e kryerjes së vetëtimtë të operacionit të parë të vetëmbrojtjes dhe përpjekjes për të dalë sa më shpejt nga kapja fatale e grackës: cili prej të vetëve e kishte tradhtuar!?
Pa rrufeshëm nga ata të katër. Njëri prej tyre duhej të ishte Juda.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com