|
Foto: Kopertina e librit | Së afërmi del nga shtypi “NDARJE ME TË SHKUARËN”
Me nëntitullin “Një jetë njeriu para dhe pas vitit 1990” libri im i ri, krijimtari artistike mbi një të vërtetë historike, ka në qëndër proçesin e ndarjes nga e shkuara të një ish-zëvendësministri të Punëve të Brendshme të periudhës 1982-1989, i cili nuk mbulonte Sigurimin e Shtetit, por në mungesë të ministrit Drejtorinë e Zbulimit, pra atë grup personash që të kamufluar si diplomatë punonin për shërbimin e fshehtë shqiptar në ambasadat jashtë vendit.
Por kjo, pra përpjekja për t’u ndarë me sistemin e kaluar politik, çështja e pendesës dhe përshirja në shoqërinë e hapur të pasvitit 1990, është vetëm njëra pjesë e asaj që dëshiron të thotë libri.
Të mpleksura me të janë edhe shumë ngjarje që lidhen me mjaft të fshehta tronditëse që zbulohen për herë të parë, veçanërisht intriga. Për fat të keq ato i zgjasin kthetrat deri edhe në vitin 2005....
Fragment nga libri
Në Romë ndërsa nisën të bënin kërkimin për dhuratat që do të merrnin me vete në kthim, kishin kohë vetëm tri net.
Doemos që e para gjë që bënë, në ngutjen për t’i blerë, qe aparati televiziv. Ky sigurisht duhej të ishte i përdorur, sepse të ri as që u shkonte ndërmend.
Dyqanin e shumëdëshiruar e gjetën afër hotelit ku i kishte sistemuar ambasada. Ai kishte emrin në greqisht të perëndisë së diellit dhe, duke qenë se ndodhej fare afër godinës së përfaqësisë, përherë qe edhe vendi më i pëlqyer për të vendosur të dërguarit që vinin nga Tirana.
Të katër bashkë me të ngarkuarin për çështjet tregtare iu shfaqën pronarit të dyqanit sapo vajti ora tetë e mëngjesit. Nga vitrina kishin parë që ai jo vetëm kryente riparime aparatesh televizivë, por edhe shiste të përdorur prej tyre. Italiani, të huajt që e kishin me aq shumë dëshirë dhe ngut të blinin nga një televizor, i priti qetësisht dhe u tha të zgjidhnin prej atyre që kishte në raftet e dyqanit. Ata treguan menjëherë me gisht aparatet dhe italiani bëri një pyetje të fundit: “Kur do të ikni nga Roma”? I dhanë përgjigjen: “Pasnesër”. “Atëherë do të vini nesër në orën dy pasdite” - preu tjetri.
Pasi dolën prej andej, iu drejtuan tezgave të mbushura me veshje të lira.
Shahu e nisi pazarin prej sendeve të djalit. Ai atëherë ishte vetëm dy vjeç. Pastaj u vu në lëvizje të mos i shpëtonte asgjë që mund t’i pëlqente të shoqes. E kishte ëndërr t’i gjente një kostum trikotazhi me ngjyrën blu. Ende pa gjetur një të tillë, pikasi ato me të cilat do të gëzonte prindërit. Të atit i bleu një palë këpucë me qafa, nënës një palë sandale dhe një palë pantofla, nga një çantë e një palë çorape motrave. Vëllezërve u siguroi këmisha, nipërve bluza golf. Dhurata bëri edhe për dy kunatat, nuset e të dy vëllezërve.
Më pas për bashkëshorten e tij gjeti sandalet. Kur i preku me dorë, për t’i parë e pastaj paguar, mollëzat e gishtave i sëmbuan nga mornica. Që kur ishin të fejuar, asaj i pëlqenin shumë sandalet e lehta. Thoshte se kur qenë të tilla, i vinte të fluturonte.
Kostumin blu për të birin e gjeti kur mbrëmja po i hapte udhë natës dhe njëri pas tjetrit dyqanet e vogla, por edhe magazinat e mëdha, po mbylleshin.
Në hotel gjumin e bëri duke parë në ëndërr televizorin që kishte porositur për ta marrë të nesërmen. Në mëngjes kur të tre të shoqëruar nga i ngarkuari në ambasadë për çështjet tregtare vajtën në orën dy pasdite tek dyqani i televizorëve, pronari u tha se kishte mundur të bënte gati vetëm dy prej aparateve. Mes tyre nuk qe ai i zgjedhur nga Shahu.
Ky u ligështua. Në orën shtatëmbëdhjetë të gjitha dyqanet që merreshin me riparimin e televizorëve mbylleshin. Kishte vetëm tri orë kohë. Për aq iu duk se nuk do ta blinte kurrë “kutinë e çuditshme të ëndrrave”. Të kthehej në Tiranë pa të, qe si të ishte duarbosh.
Pronari i dyqanit e dalloi menjëherë trishtimin e madh të shqiptarit dhe e siguroi se po t’i linte aty shpenzimet për transportimin ajror do t’ia dërgonte në Tiranë në mënyrën më të sigurt. Në fillim Shahu ra dakord, por pastaj mendoi që nëpër dogana mund të ndodhte çdo ngatërresë. Televizori ishte një mall shumë i lakmuar dhe një “humbje” mund të sajohej fare lehtë.
U tha shokëve që bashkë me aparatet e blera të ktheheshin në hotel dhe i qetësoi me sigurinë që u dha, se pa u larguar shumë nga vendndodhja, do të kërkonte e gjente një dyqan tjetër. Në të vërtetë nëpër gjatësinë e rrugës së madhe iku shumë larg dhe për shumë kohë nuk gjeti asnjë të tillë. I frikësuar se mund të humbte, u ndal një çast. Fiksoi në kujtesë emrin e saj. Quhej “Nomentana”. Risolli nëpër mend të gjitha objektet kryesore të rrugëkalimit të tij dhe bëri më përpara.
Një dyqan të riparimit të televizorëve e gjeti shumë shpejt. Sapo hyri, italianin që rrinte pas banakut e pyeti me një frymë: “A keni një televizor të përdorur për të shitur”?
Ky ia nguli sytë pa thënë asgjë. Dukej sikur po e hetonte në ishte mirë nga mendtë apo jo. Kur dalloi që tjetri qe fare normal, iu përgjigj shkurt: “Patjetër”.
Italiani nuk mundi të hapë gojën për të bërë ofertën, kur Shahu tregoi me dorë një aparat “Telefunken”. Ishte model i ri, me gyp të gjerë, me dizenjo të bukur. Pyetjes për çmimin i erdhi edhe përgjigja: “Tridhjetë e pesë mijë lireta”. “A mund të t’i japë në dollarë”? - kundërpyeti Shahu. Italiani shqiptoi një “patjetër” të dytë, dhe më në fund gjithçka u mbyll, kur ia numëroi në dorë të gjithë shumën me paranë e gjelbër USA. Kursi i këmbimit qe një dollar me gjashtëqind lireta.
Kur e mori në krahë, me kujdes si ta kishte një fëmijë të porsalindur, e ndjeu veten të lumturuar. Italiani e pa sërish me ngulmim vështrimi, por në çast vuri buzën në gaz dhe i tha se po të priste edhe një gjysmë ore, sa të mbyllte dyqanin, do ta ndihmonte me makinën e tij për ta çuar deri tek hoteli.
Kështu edhe u bë.
Të nesërmen të tre erdhi para hotelit dhe i mori makina me targën diplomatike të përfaqësisë së tyre në Romë. U rikthyen një çast në ambasadë dhe u takuan me të gjithë. Njëri prej personelit, ndoshta zëvendësi i ambasadorit, u tha se në kthim për në Tiranë nuk do të qenë vetëm. Me po atë fluturim do të udhëtonin drejt Rinasit edhe dy oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Janë shokë të zbulimit - u tha në konfidencë - dhe është mirë t’i mbulojmë që të mos bien shumë në sy.
Kur këta u afruan, nuk qenë me uniforma ushtarake, por të futur tërë elegancë në kostume civile të blera aty.
“Kemi nevojë që njërën nga këto valixhe ta mbajë dikush prej jush” - vijoi njeriu dy i ambasadës dhe vështrimin e ndali te Shahu. Ky dukej që ishte më i riu.
“Sa ngarkesë ke”? - e pyeti.
“Këtë televizor dhe këtë çantë”!
“Atëherë mund të mbash edhe njërën nga valixhet e shokëve të zbulimit. Se cilën, e dinë këta.
Diplomati, që Shahut i dukej si zëvendësambasador, të jepte përshtypjen e një njeriu të butë. Ngjante me një qejfmosprishës.
“Po qe se kjo punë i shërben shtetit - u përgjigj pothuaj solemnisht - unë do ta bëj pa asnjë mëdyshje.
Pa folur njëri nga oficerët e zbulimit i zgjati valixhen. Pastaj bëri një mimikë të fytyrës si të linte nënkuptimin e gjysmëfrazës: “Jeni duke i shërbyer shtetit”.
Gjatë gjithë udhëtimit drejt aeroportit fantazia e Shahut kishte fluturuar e lirë duke hamendësuar se çfarë gjëje me rëndësi të veçantë shtetërore ishte futur brenda në atë valixhe, dhe se më në fund po kryente një punë të fshehtë në shërbim të atdheut. Në të vërtetë kishte dëgjuar i mahnitur për ato që quheshin “valixhet diplomatike”.
Në kontrollin doganor të aeroportit të Fiumiçinos Shahu e mbajti një çast frymën, por çdo gjë kaloi pa asnjë problem. Policët italianë u treguan të qetë e jo ngulmues për të parë se ç’mund të kishte brenda çantave dhe valixheve të pesë shqiptarëve.
Kur më në fund avioni me pak vende i “Alitalia”-s u ngrit në ajër, Shahu mori frymë i lehtësuar. Nuk kishte ndodhur asgjë dhe materiali i rëndësishëm për shtetin e tij kishte kaluar pa u diktuar. Në zbritje do të ishte në tokën e tij dhe doganierët, me të marrë vesh se dy civilët me valixhet e tyre misterioze qenë njërës specialë të Zbulimit Ushtarak të vendit, menjëherë do t’i nderonin dhe linin të kalonin.
Në pikën doganore të Rinasit, njeriu që nisi të bënte veprimet e kontrollit dy ushtarakët civilë çuditërisht i mbajti gjatë. Të linte përshtypjen se i njihte mirë dhe nuk i honepste dot. Këta, të nemitur, nuk shqiptuan asnjëherë fjalinë e autoritetshme: “Jemi të Zbulimit Ushtarak”.
Kur doganieri shqiptar më në fund u tha me ton të prerë: “Hapni valixhet”! Këta u zbehën, Shahu kuptoi se ky u ishte qepur. Një çast kontrollori për të mos penguar kalimin e udhëtarëve të tjerë u bëri shenjë dy oficerëve civilë që valixhet e tyre t’i hapnin pak më tej.
Pastaj u kthye nga ata tre.
“Jeni nga uzina “Partizani”, e di. Ju kaloni”!
“Kemi me vete edhe nga një televizor” - thanë të tre, gati duke penguar njëri-tjetrin kush e kush të vetërrëfehej i pari.
“Nuk ka problem -u përgjigj ai - bëni dokumentet! Do të paguani nga një gjë të vogël dhe t’i gëzoni”!
Pasi dolën nga pika e kontrollit dhe u nisën drejt daljes, Shahu i hodhi sytë nga dy zbuluesit ushtarakë për t’u lënë të kuptonin se valixhen e kishte ai me vete dhe se ajo, duke qenë se kaloi pa asnjë problem, do të ishte gati menjëherë për t’iu dorëzuar sapo ta kërkonin. Mirëpo këta nuk reaguan. Dukeshin shumë të turbulluar.
Në sheshin para aeroportit i priste makina e uzinës dhe, pasi hipën me gëzim në të, vrapuan që të tre drejt Tiranës.
Në shtëpi ardhjes së Shahut nga dy muaj jashtë shtetit, një fat që e kishin shumë rrallë të tjerët, iu bë festë. Dhuratat u quajtën të gjitha të bukura, por ato u lanë menjëherë pas dore para aparatit të televizorit. Këtij menjëherë iu hap vendi në krye të një tavoline që dukej enkas e blerë për një rast kaq shumë të pritur. Me një antenë të thjeshtë, të nderur menjëherë në ballkon, u kap sinjali i fortë i televizionit shtetëror, hyri dukshëm figura e kanalit të Beogradit dhe la konturet e një siluete pamjesh të mjegullta RAI-t. U kuptua se që të merrej mirë ky sinjal, antena duhej të vendosej lart, mbi tarracë dhe të drejtohej e gjitha nga maja e malit të Dajtit, atje ku ishte vendosur edhe përsëritësi.
Kjo punë e bë të nesërmen, dhe prej këtij çasti shtëpia e tyre u bë sallë kinemaje. Çdo mbrëmje nuk mungonin të paktën dhjetë shikues, numër që disafishohej kur shfaqeshin spektaklet italiane të fundjavës apo transmetohej ndonjë ndeshje ndërkombëtare futbolli.
Kurse valixhen e zbuluesve ushtarakë, pasi e la në një skaj të zyrës, pothuaj e harroi. U kujtua për të nga që nuk bëzan dy bashkudhëtarët e fluturimit nëpër linjën Romë-Tiranë.
Kur kjo pritje u bë e pashpjegueshme, por edhe e padurueshme, i telefonoi kryetarit të zyrës së vizave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilin e njihte. Ia shpjegoi të gjithë historinë dhe ky nuk vonoi t’i thoshte se doganieri i rreptë i aeroportit të Rinasit i kishte gjetur dy zbuluesit ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes me sende të fshehura në valixhe e deri edhe në trup dhe pasi ua kishte sekuestruar, i pati denoncuar në udhëheqjen e dikasterit. Tani që Shahu po e vinte në dijeni për një valixhe të tyre, për të cilën ata nuk po kujtoheshin, punët bëheshin më të ngatërruara. Nëse Shahu donte që ato të kthjelloheshin, do të bënte mirë ta ngarkonte atë valixhe në makinë dhe të vinte në zyrën e tij.
Sapo ia lëshoi në mes të dhomës, kryetari i zyrës së vizave në Ministrinë e Punëve të Brendshme me një shkathtësi të habitshme, pa përdorur asnjë lloj vegle, arriti ta zbërthejë çelësin e ta hapë valixhen. Sapo kapaku i saj ra poshtë me krismë, me një rropamë edhe më të madhe, si të rrokullisej me potere një majë e tërë mali, mbi dysheme kërcitën pjesë këmbimi për televizorë.
Shahut iu përzje. Iu lut të njohurit të tij të mos ia linte edhe më barrën e asaj valixheje. Le ta çonte vetë deri në fund fijen e atij trafiku. Tjetri shkundi krahët i zënë ngushtë. Qe i detyruar ta çonte problemin të paktën deri në ministrinë kolege. E Punëve të Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes ndaheshin prej njëra-tjetrës nga vetëm gjerësia e një shëtitoreje.
Pas pesë vitesh, kur tashmë Shahu ishte drejtuesi kryesor i rajonit Nr. 3 të kryeqytetit, iu bë e ditur se me grupin armiqësor të ekonomisë, të cilin ato muaj kishte vënë në shenjë diktatori, gjendej edhe doganieri i Rinasit. Akuzohej mes të tjerash edhe për servilizëm. Të tjerat fajësime dukeshin akoma më shumë të pabesueshme: “Ka bërë një sy qorr dhe ka lejuar që funksionarëve të lartë të ekonomisë t’u bëheshin favore në kalimin pa zhdoganim të sendeve të sjella prej udhëtimeve të tyre nga jashtë vendit”.
Për të gjitha këto ngojime propozohej të përjashtohej nga partia. Kjo do të thoshte se i hapej rrugë një rrokullime masash të rënda ndëshkimore, pse jo edhe burgimit.
Para se të bëhej mbledhja, Shahu e thirri në zyrë doganierin. Ky nuk dukej i trembur, por i shqetësuar ndihej jo pak. E pyeti nëse e mbante mend. Ky iu përgjigj i hutuar me një “jo”. “Ca më mirë që nuk më mban mend” - pothuaj pati brofur nga gëzimi Shahu. “Me këta persona që më akuzojnë nuk kam bërë asnjë shkelje” - psherëtiu doganieri. Shahu tundi kokën pa folur dhe e la të ikte.
Ditën që u bë mbledhja, ndërsa i propozuari për përjashtim nga partia priste jashtë sallës, akoma pa nisur diskutimi, Shahu u tregoi pjesëtarëve të forumit partiak tërë historinë e ndodhur pesë vite të shkuara. Kur më në fund mbledhja nisi dhe erdhi radha e diskutimit për doganierin, të gjithë anëtarët e forumit nuk ranë dakord me propozimin e përjashtimit nga partia, por u mjaftuan me dhënien e masës së një vërejtjeje të rëndë.
Kështu sipas rregullave të kohës doganieri ishte akoma i garantuar që mbi të të mos vërsuleshin prokurorët dhe gjykatësit, pré e të cilëve kishin rënë tashmë me dhjetëra “sabotues” të ekonomisë, përfshi vetë ministrin dhe zëvendësin e tij.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|