Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Gjysma e harruar e Skënderbeut”


Vijim fragmentesh
Faqet 123-126 të librit

Ndërsa elita proevropiane bashkë me një pjesë të njerëzve të thje-shtë, luftëtarë e mbështetës të rezistencës kundërosmane kapërxente detin për t’u vendosur në tokën e krishterë në bregun tjetër, përkëtej Porta e Lartë kishte nisur me furi fushatën e deskënderbegëzimit. Ata që kanë parë apo përjetuar, përshembëll derepublikëzimin e Shqipërisë (shdërrimin e saj të sforcuar në mbretëri nga Ahmet Zogu), deborgjezimin e thellë nga regjimi i gjatë stalinist apo deko-munistizimin (operacion pothuaj ideologjik i kryer nga forcat politike të djathta pas hipjes në pushtet në mars 1992) mund ta marrin sadopak me mend se si ka funksionuar i njëjti proçes për shplarjen nga kujtesa e bashkëkombasve të prijësit të tyre të zëshëm.
Mirëpo Porta e Lartë e dinte se në këtë sipërmarrje do të mbetnin në sipërfaqe të misionit të tyre në rast se rrafshimin nuk do ta shoqëronin me deevropianizimin e shqiptarëve.
Madje fushata e stuhishme deskënderbegëzuese nuk ishte gjë tjetër, veç pjesë e hallkë e shfarrosjes nga kujtesa e mënyra e jetesës së shqiptarëve, nga zakonet e frymëzimet e tyre, nga ëndërrat dhe idetë, nga horizonti i të ardhmes dhe dëshira e brezave të rinj, e vetë imazhit të Evropës.
Ja përse zhdukja e çdo shenje e gjurme të veprës dhe emrit të princit shqiptar ishte ndërkohë edhe vetë shfarrosja e qytetërimit evropian. Për arsyen e thjeshtë se osmanët kishin objektiv strategjik antievropianizmin, prandaj edhe iu përveshën seriozisht rrafshimit të kujtimit të veprës së Gjergj Kastriotit.
E kishin luftuar egërsisht sa ishte gjallë. Pas vdekjes së tij, do ta luf-tonin edhe më ashpërsisht.
Katër dekada zgjati rezistenca me armë e princit Skënderbe dhe e pasuesve të tij, pesëdhjetë do të zgjatej ajo e qendresës së imazhit e shembullit të tij.
Katër dekada me radhë Perandoria Osmane do të hidhte në sulm të pandërprerë për ta mbytur në gjak rezistencën dhe likujduar prijësin, pesëdhjetë të tilla do të harxhonte, me synim për ta fshirë nga kujtesa e popujve që mbante nën kontroll e sundim.
Më shumë se gjatë periudhës së qëndresës, shqiptarët u bënë simbol i përkatësisë dhe simpatisë për Evropën, mbështetës të saj, kur Gjergj Kastrioti nuk jetonte më.
Në një farë mënyre, po të binte fjala për dashurinë për kontinentin, gjithsecili prej tyre u bë një Skënderbe i vogël.
Duke qënë se këtë balladë përkushtimi për Evropën nuk mund ta këndonin dot mes të tjerëve, hapët dhe pa frikë, e lanë ta ruanin fshehurazi. Ballada pro kontinentit amë kaloi në ilegalitet. Kështu shqiptarët ja kënduan atë vetes, rreptësisht vetëm vetvetes. Melodinë e saj e lanë t’u oshëtinte nëpër kafazin e krahërorit. Gjoksi i tyre, ato brinjë ku kishin ndryrë këngën e dashurisë për Evropën, nuk e linin të bëhej burgu i saj. Atje si hapësirë vërtet ishte shumë ngushtë, por vargjet e notat muzikore gjenin lirinë e një lëndine dhe ngrohtësinë e zemrës që rrihte si të hidhte valle.
Kjo periudhë mundimshëm gjatë ka qënë një epope, një epos sa edhe ai që kemi për kreshnikët.
Patjetër dashuria për Evropën, po të tolerohej jo shumë por edhe fare pak nga Perandoria Osmane, do ta përparonte vendin tonë. Patjetër do ta mbante në njëkohshmëri zhvillimin e tij me atë të qendrës së kontinentit.
Ndërkohë nuk e dimë nëse kjo fatmirësi nuk do të prodhonte, ashtu siç shohim në fillim të këtij mijëvjeçari, edhe ndopak euroskepticizëm. Kjo ndjenjë dhe kjo ide tek ne shqiptarët nuk është e pranishme dhe këtë mungesë jo pak analistë të shoqërisë sonë e shpjegojnë me
prapambetjen tonë relative, me ndonjë dhelpëri për të siguruar marrjen e vizave hyrëse në kontinent, me zhvillimin e vonë të qytetërimit tonë e kështu me radhë. Të gjitha këto nuk mund të shpërfillen e të mos konsiderohen të llogjikta, por ne do të shtonim, mes tyre, edhe një tjetër.
Perandoria Osmane pasi i mbylli shqiptarët në burgun e qytetërimit dhe të sistemit të saj administrativ, duke ua luftuar ashpërsisht dashurinë për Evropën, ua shndërroi atë në nostalgji.
Kështu ua bëri kult. Ua bëri mit.
Gjergj Kastrioti la si trashëgimi të madhe për popullin e vet jo vetëm aspiratën për liri e pavarësim, dëshirën për t’u bërë shtet i fortë dhe me jehonë e ndikim deri edhe përtej gadishullit, të drejtën sovrane për t’u vetqeverisur, por edhe përkatësinë në kontinentin amë. Lufta e tij përkushtuese për Evropën e shtoi dhe e pasuroi frymën proevropiane të bashkëkombasve të tij.
E vulosi me gjak.
Jo me dy pika gjaku, por që u derdh si lumë.
Porta e Lartë u gënjye duke kujtuar se me zhdukjen jo vetëm të rezistencës së Gjergj Kastriotit, por edhe të imazhit dhe çdo shënje të tij konkrete e kishte shkulur njëherë e përgjithmonë nga viset e shqiptarëve edhe vetë Evropën.
Ndodhi e kundërta: shqiptarët kuptuan dhe u bindën përfundimisht se tamam pa Evropën nuk mund të jetonin dot më.
Ajo ishte lindja, jeta dhe vetë vdekja e tyre.
Kalimi në ilegalitet e siguroi edhe më shumë mbijetimin e imazhit të Skënderbeut dhe të modelit të tij. Mirëpo në kushtet e fshehjes totale doemos gjithçka do të pësonte një ngushtim të madh, tejet drastik. Prej tyre do të mbetej më e rëndësishmja, më jetikja, më e domosdoshmja.
Kjo donte të thoshte se disa tipare të tjera të imazhit dhe të shembullit të veprës së Gjergj Kastriotit konsideroheshin “luks” i tepërt dhe prandaj duhej të hiqeshin. Madje të flakeshin sa më shpejt dhe pa u vonuar asnjë grimë. Kjo gjë mund të ishte e dhimbshme dhe e tillë ishte ta thjeshtëzoje atë harmoni të pasur karakteristikash, mbresash, ngjyrash, zërash, bëmash, ngjarjesh, emrash, datash. Veç nuk kishte rrugë tjetër. Duhej të sakrifikohej një pjesë që të shpëtonte tjetra.
Kjo që ndodhi nuk ishte sakatosje por gjymtim, mbetej patjetër.
Kur kishte ndërruar jetë brezi i parë i bashkëkohësve të asaj që në historinë tonë u quajt Moti i Madh, ndërsa ndërkohë ishte moshuar edhe gjenerata e dytë, prej pamjes princërore të Gjergj Kastriotit dhe historive të tij nga më të larmishmet, në kujtesën kombëtare mbeti vetëm pak. Nuk u muarr më njeri të përcillte gojë më gojë e fshehtas përgjimit osman se, përshembëll çfarë kënge pëlqente Skënderbeu, si vallzonte, ku pushonte (në bregdet apo në mal), kishte zë të ëmbël apo disi metalik, pëlqente ta hante mishin të pjekur apo përkundrazi, përtypte më lehtësisht zarzavate e fruta, shkonte mirë me të shoqen apo kjo e fundit ishte natyrë e përulët a posesive, kishte dashuruar më parë se të pranonte atë martesë pushteti me derën princërore të Gjergj Arianit Komnenit apo ishte natyrë e ftohtë ndaj femrave.
Në imazhin e ngushtuar të Gjergj Kastriotit nuk mbeti më asnjë hapësirë për të transmentuar nga brezi në brez se si punonte kanceleria e tij, si funksiononte shteti, si grumbulloheshin konkretisht paratë e si përdoreshin, çfarë bënë agjentët e Portës së Lartë dhe si manovronin ata të Republikës së Venedikut, kur dhe si u bënë atentatet për t’ia marrë jetën, u shpreh ndonjëherë me mosbindje ndaj Selisë së Shenjtë dhe çfarë opinioni të plotë e vetiak kishte për mbretin e Napolit Alfons e pasuesin e tij, të birin Ferdinand.
Në atë që mbeti prej Skënderbeut në Shqipëri në kushtet e trysnisë së madhe trushplarëse të Portës së Lartë, nuk u muarr më vesh gjer në imtësi si shkoi me princërit e tjerë, sa u deshën, u bindën apo u kundërshtuan. Në Shqipëri nuk mbeti asnjë fjalë e madje asnjë thashethem nëse përqendrimi i pushtetit dhe i trojeve të të tjerëve që ai në duart e tij bëri, ishte tërësisht mënyra e vetme e përballimit të sulmit osman apo edhe manovër e shpërdorim i detyrës, të cilën ia kishte dhënë Kuvendi i Lezhës më 1444. Atje e caktuan si komandant i përgjithshëm i ushtrisë, por nga titujt e fisnikërisë dhe të drejtat e tjera ishte i barabartë mes të barabartëve. Nuk mbeti më asnjë gjurmë mes shqiptarëve nëse ata këtë politikë ia pëlqyen apo ia refuzuan. Në tashmë mitin e thjeshtëzuar Gjergj Kastrioti nuk gjendej më asnjë e dhënë nëse pakënaqësia ndaj tij ekzistonte vetëm te dyert fisnike të Muzakajve a Dukagjinasve, tek Moisi Golemi apo Hamza Kastrioti, apo edhe në grupe të tjera mbështetësish të tyre. Nuk ka lënë gjurmë në kujtesën kombëtare meraku se mos rezistenca gjer në pikën e fundit të gjakut, që priu, e lodhi popullin e thjeshtë dhe e bëri një pjesë e tyre
ta linin atdheun për të kapërxyer detin vite të tëra para se Skënderbeu të ndërronte jetë. Mes kujtesës kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre nuk u gjet më asnjë dëshmi nëse pakënaqësia ndaj komandantit të përgjithshëm në ushtri apo te Garda e tij nxiti edhe dëshirën për ta rrëzuar apo mënjanuar.
Kështu ai imazh dhe ai model që në Shqipërinë e fillimshekullit të pesëmbëdhjetë mbetën përfundimisht të fiksuar në mendjet e zemrat e popullit nuk jepte asnjë mundësi për të analizuar, rrahur mendim e zhvilluar debat me ide ndryshe nga ato që tashmë kishin pranuar të gjithë. Përmasa e mbetur e veprës së Gjergj Kastriotit dhe deri edhe varianti i imagjinuar i pamjes së tij fizike u konsideruan të padiskutueshme.
Gjergj Kastriotit ngriu, u muros. Në të vërtetë, siç edhe jemi shprehur në kapituj më parë, ai kështu u balsamua.
Me këtë rast fjala që përcakton rezultatin e këtij proçesi nuk do të ishte veç “mumifikim”. Duke e konsideruar këtë cilësim disi të rëndë për veshët e ca më shumë zemrat tona, në kushtet e tiranisë së Perandorisë Osmane Skënderbeu sidoqoftë u bë trung i tharë.
Saktësisht që prej kësaj kohe në Shqipëri vijnë pa reshtur edhe pasojat: pamja e tij fizike u devijua nga e vërteta dhe u militarizua tërësisht. Po ashtu edhe shembulli i veprës së tij historike u ngushtua në dimensionin e vetëm një heroi të madh kombëtar.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com