Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Gjysma e harruar e Skënderbeut”


Vijim fragmentesh
Faqet 120-123 të librit

Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe veçanërisht pas thyerjes së rezistencës shqiptare, përtej detit, pra në brendësi të kontinentit nuk shkuan vetëm Donika me të birin, Gjonin, as dhjetë apo njëzetë gra të veja të fisnikëve a oficerëve të vrarë në luftë. Detin e kapërxyen jo vetëm me mijra refugjatë, popull i varfër apo edhe bashkëkombas të mirëqënë ekonomikisht, por edhe pothuaj e gjithë elita e tij.
Sot në kohët moderne flitet për “ikje të trurit” nga vendet e pazhvilluara apo më pak të zhvilluara drejt shteteve me ritme të larta progresi.
Shqipërisë kjo “ikje truri” më shumë se në çdo kapërxyell të historisë së saj, madje edhe pas rënies së diktaturës komuniste, i ka ndodhur atëhere, duke u mbyllur shekulli i katërmbëdhjetë.
Ajo elitë fisnikërie e ushtarake, teologë të krishtërimit apo kronikanë e shkrimtarë, poetë e muzikantë, e zgjodhi strehën në Evropë jo për arsye ekonomike, siç edhe ngjau tek ne pas vitit 1990, shpalljes së pluralizmit.
Ajo ishte një diasporë tërësisht politike.
Atëhere nuk kishte ideologji që të mund t’ja përkushtoje jetën, nuk kishte as koncept të plotë kombi, shteti po ashtu. Përkushtimi bëhej ose për besimin fetar ose për llojin e qytetërimit.
Shqiptarët i kishin të dy arsyet e fundit për të zgjedhur mërgimin politik në zemër të Evropës.
Patjetër kjo masë e madhe shpërngulëse mori me vete edhe imazhin e Skënderbeut. E mori atë jo vetëm kur ka qënë vizatuar në ndonjë pëlhurë apo gdhendur në dru e metal të butë, por mbi të gjitha si përfytyrim. Ose si imazh real në rastet kur vërtet princin e komandantin e kishin takuar e parë me sytë e tyre.
Ato çaste ajo pamje apo ai portret, të cilin po e mbartnin me vete me mendje e zemër, futur në baulet e tyre të vogla apo në trastat hedhur mbi shpinë, ruajtur nëpër vargjet e meloditë e këngëve, ishte ai i vërteti. Nuk mund të krijohej, përsa kohë Gjergj Kastrioti ishte gjallë, një pamje e pangjashme me të. As kënga foklorike apo ajo e kultivuar nuk mund të shkonte aq larg sa mitin për të ta realizonte duke e tjetërsuar.
Mërgimtarët me dhimbjen therrëse në zemër e kapërxyen detin bashkë me një imazh të mbrojtësit të tyre ashtu siç ishte fiksuar në kohën e tij: truplartë e i fuqishëm, me sy të thellë e të menduar, dukje atërore dhe hijerëndë, me hiret e një mbreti.
E morën me vete si udhëheqës.
Në të vërtetë atëhere as ekzistonte koncepti i Ballkanit. Gadishulli ynë nuk e kishte marrë ende këtë emër, kaq të ngarkuar tashmë me tingëllim të trazuar dhe mosbesues. Këtë emërtim gjeografik rajonit tonë ja vendosën osmanët.
Kur bashkëkombasit tanë, elita kryesisht dhe populli i thjeshtë, hodhën detin nuk kishin ndjesinë se po kalonin nga Ballkani në Evropë. Nuk ekzistonte kjo ndarje e distancë. Ata kishin qënë në Evropë, por tani për shkak të rrethanave politike po hynin më në brendësi të saj.
Ja përse ata bashkëkombas që pas vdekjes së Skënderbeut dhe shtypjes së rezistencës masivisht zbarkuan në brigjet e gadishullit Apenin, ishin të gjithë evropianë. Pastërtisht evropianë.
Edhe imazhi i prijësit të tyre duhej të ishte siç edhe gjendej në zemër të kontinentit. Shqiptarët jo vetëm nuk kishin asnjë arsye, por edhe nevojë të mbartnin në thellësi të eurokontinentit një imazh, të cilin popujt aty nuk e kuptonin.
Sa befasuese dhe e pavlerë do të ishte në rast se bashkëkombasit tanë të më shumë se pesë shekujve më parë do të sillnin me vete në brigjet jugore të Italisë, në ishullin e Siçilisë apo ujrat e Kalabrisë e deri lart, në gjirin e Venedikut, një imazh si ai, përkrenare, pancir e shpatë, të cilin kemi shumë dekada që pa pushim e qarkullojmë ku të mundim.
Nuk ishte vetëm zbatimi absolut i zakonit islam që çdo pamje individi mbi mure apo nëpër statuja shesheve, duke qënë se rivalizonte imazhin e Allahut duhej të rrafshohej. Ky rregull tiranik doemos që do të mjaftonte për ta shplarë territorin e shqipfolësve nga çdo pamje e Skënderbeut.
Por kësaj rradhe pas rezistencës pa kompromis që iu bë Portës së Lartë, ligji kuranik ishte ende pak. Ai mund të garantonte rrafshimin e të gjitha imazheve të kryerebelit shqiptar, por bëma e tij ishte aq shembull i rrezikshëm saqë duhej groposur mijra pashë nën dhe.
Ja përse Perandoria Osmane është marrë posaçërisht me shfarrosjen e plotë të Gjergj Kastriotit nga kujtesa e bashkëkombasve të tij. Zhdukja e pamjeve apo shkrimeve për të, ndalimi i këngëve, ishin fare pak. Duhej bërë shplarja e kujtesës.
Dhe mos kujtoni se këtë aksion sulltanët nuk e kanë kryer me inteligjencë e vendosmëri. Atë që nuk e bëri dot deri në fund shpata, turra e zjarrit, fermani nga Porta e Lartë, e përfundoi taborri i madh i kronikanëve osmanë. Ata në formacion luftimi kundër imazhit tashmë mit të Skënderbeut u ndanë në dy pjesë. Më e pakta e numrit të tyre e përdhosën kujtimin e shqiptarit kryeneç, që donte të pafetë e Evropës. E bënë lugat dhe bari dhish, njeri me sy të gjaktë hakmarrës, me karakter të hidhët e mosmirënjohës, njeri të pabesë pritash e plengrishës ndaj mirësisë së Sulltanit.
Këta kronistë që u morrën me likujdimin e kujtimit dhe të famës së mirë të Gjergj Kastriotit, nuk ishin të pazotë në profesionin e tyre. U përzgjodhën nga më të mirët. Përshkrimet e tyre për kohën të cilës iu drejtuan, ishin sugjestionuese.
Po të kemi parasysh Perandorinë Osmane, organizimin e saj admi-nistrativ dhe ligjet që e mbanin në këmbë, fuqinë e madhe ekonomike dhe ambicien agresive për të vënë nën sundim gjithë botën, mund edhe sadopak të përfytyrojmë edhe makinën e saj propogandistike. Evropa zotëronte përvojë dhe traditë më të madhe në përdorimin e luftës për të përpunuar opinionin publik, por ajo ishte e përçarë thellësisht. Makina manipuluese osmane ishte më pak e kualifikuar se ajo e eurokontinentit, por dora që e vinte në punë ishte e hekurt. Funksiononte një supershtet i tërë i përqendruar.
Të dy këto makina lufte u përfshinë në garë e kacafytje për imazhin e Skënderbeut. Njëra për ta shfarrosur dhe tjetra për ta mbajtur gjallë.
Ishte kjo një nga arsyet përse Porta e Lartë pjesën më të madhe të historishkruesve të saj, kronistëve të oborrit, pra të shtetit, e përdori jo për ta tjetërsuar e negativizuar Gjergj Kastriotin, por për ta harruar.
Ndoshta të dy formacionet e historiregjistruesve u hodhën në aktivitet ndaj shqiptarit proevropian në një harmoni të përsosur mes tyre. Mbase në këtë kombinacion nuk kishte ndonjë strategji të veçantë apo të paramenduar posaçërisht.
Nuk mund ta dimë në se ishte pjesë e dinakërisë përpjekja e atyre kronikanëve, të cilët negativizuan veprën e Skënderbeut me ata, më të shumtët, që kryen harrimin e tij. Sipas logjikës më të thjeshtë për ta bërë më të lehtë shplarjen e kujtesës së shqiptarëve, ballkanasve dhe të gjithë popujve të pushtuar nga perandoria, në fillim miti duhej shembur. Duhej përdhosur, duhej mpakur e zvogëluar, duhej patjetër nxirosur. Kështu gjurmëlënia e tij në memorien e përgjithshme do të ishte më e heqshme. Pas këtij çasti duhet të ketë nisur punën pasionante taborri i madh i kronikanëve që nuk e përmendën asnjëherë nëse kishte ekzistuar në historinë e shqiptarëve, ballkanasve apo të vetë Perandorisë ndonjë njeri me emrin Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Shumë shpejt kjo manovër e makinës propogandistike otomane u bë rregull, u kthye në natyrshmëri, në gjë të zakonshme.
Sot në Turqi e shumë më larg kufijve të saj lindorë gjithkush ngre supet po ta pyesësh nëse në mes të shekullit të katërmbëdhjetë në Ballkan ka qënë edhe një princ shqiptar që e shtrengoi sulltanin më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Mehmetin II, të thirrurin “Pushtuesi i botës”, të vinte personalisht jo vetëm njëherë para mureve të Krujës.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com