Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pesë heronjtë e Vigut nuk na ndajnë


Botuar në gazetën “Shqip” më 5 shkurt 2009

Nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e opinionit publik heqja nga qendra e qytetit të Shkodrës e monumentit të pesë heronjve të Vigut si edhe zhvendosja e tij për t’u ringritur në periferi të qytetit, pranë varrezave të dëshmorëve, të cilat, për një befasi të madhe, qenë fare pranë një fushe ku hidheshin e digjeshin mbeturinat urbane. Edhe të dëshiroje ta dëshmoje posaçërisht dhe fare hapët një qëndrim politik nuk do të gjeje aq fantazi për t’i bërë bashkë kaq shumë elementë kuptimplotë.
Kur ndaj një simboli vepron simbolikisht ai shndërrohet dy herë më shumë simbol e mesazh. Dhe lufta me simbole është më e vështira dhe më e humbura për atë që e nget pa qënë inteligjent në atë punë. Duke u zhvilluar ashtu siç edhe ndodhi, ngjarja u rivesh me imunitet të madh. U bë e paharrueshme. Në të vërtetë deri tani qe lënë pothuaj mënjanë.
Përveç një pjese të nostalgjikëve apo ende bashkëkombasve me mbetje doktrinare nga ideologjia e vjetër, përgjithësisht ka një mirëkuptim kombëtar për të vendosur më shumë rregull dhe harmoni në historinë tonë. E tejfryrë për arsye ngushtësisht përfitimi politik lufta çlirimtare kundër pushtimit fashist pati zënë hapësira totalitare. Tashmë po mbushen dy dekada që prurja e mohuar e kontributit atdhetar e shtresave dhe e pjesëve të tjera të kombit e ka thyer këtë ish-diktaturë statujash, monumentesh, emra rrugësh, shkollash...Do të duhet edhe më kohë që gjërat të zënë vendin e tyre, por është ditë që nuk do të vonojë shumë.
Ngjarja me Heronjtë e Vigut ndodhi kur monopoli i simboleve të vëna nga periudha e gjatë realkomuniste nuk ekzistonte më si kanosje. Madje në harmonizmin e përgjithshëm ka gjasa të krijohet shqetësimi se mos po hedh rrënjë një totalitarizëm tjetër: ai i disa simboleve dikur të mohuara. Por për këtë alarm është ende shpejt. Të gjitha shenjat janë se megjithë ndonjë tejkalim pluralizmi shqiptar me ambicien e tij për t’iu afruar portave të Bashkimit Evropian një diktaturë tjetër imazhezh nuk do ta lejojë.
Sepse besojmë në këtë gjë edhe iu drejtuam për një koment mesazheve që për shqiptarët shpërndau zhvendosja e monumentit të pesë heronjve të Vigut.
Në të vërtetë Shkodra ka lindur për të dhënë mesazhe. E gjithë historia e saj është e mbushur me të tillë. Doemos shumica e tyre kanë qënë shkëlqimtarë dhe çliruesë. Dhe Shkodra në historinë kombëtare do të mbesë për këtë meritë. Ndërkohë vitet e fundit i ka ndodhur të regëtijë edhe zbehtësirë me polemika simbolesh fetare apo me mospagesë korrekte të energjisë elektrike, por gjithsesi është qytet me fat. Në Shqipëri ka edhe qytete të tjera që nuk bëjnë dot jo vetëm mesazh, por edhe thjesht lajm.
Këshilli bashkiak i Shkodrës apo shumica e tij bëri shumë mirë që e hoqi atë monument nga ai pozicion sundues. I vendosur aty në vitin 1982 ajo vepër e realizuar mjaft mirë artistikisht ka patur synime të caktuara politike. Kur u ngrit në ballë të qytetit ajo qe e ngarkuar me këtë mision. Ai monument i pesë heronjve të Vigut nuk u ngul atje sepse qe thjesht një vepër artistike. U betonua si mbartëse e përcjellëse e një mesazhi politik. Pa qënë nevoja e zbatimit të një projekti për zgjerimin e sheshit dhe të rrethores për lehtësimin e kalimit të makinave apo të ngritjes aty të një shatërvani, Shkodra e të gjithëve, Shkodra pluraliste dhe me një të kaluar të shndritshme në të gjitha fushat e kulturës, në rast se në ballë të hyrjes dhe prezantimit të saj do të zgjidhte një simbol vepre artistike, përshembëll një monument, ai që kishte deri tani qe ndër më të papërshtatshmit. Nëse do të ishte për një vend tjetër, shesh pushimi apo kend parku, pra hapësirë e bollshme dhe plot dritë, e rrahur përditë nga ec e jaket e njerëzve, ai monument i pesë heronjve të Vigut do të qe në vendin e tij të merituar.
Duke e çuar tek varrezat e dëshmorëve i është bërë jo vetëm një padrejtësi por edhe e kanë fyer. Më së pari si vepër artistike ajo nuk është projektuar e punuar nga autori të qëndrojë aty. Ai e ka kompozuar të shihet nga të gjitha anët. Sigurisht edhe nga shumë njerës. Të dyja këto nuk do t’i ketë më, për pasojë asaj vepre artistike i kanë bërë pritë dhe e kanë vrarë. Iu përsërit fati i personazheve që mbart.
Në rast se do të shkojmë në vlerën e mesazhit të saj historik punët vërtet ngatërrohen ca dhe kjo lyp gjakftohtësi e njëkohësisht tolerancë të thellë. Mbi ngjarjen e pesë partizanëve që ranë në një pritë të njerëzve të Gjon Markagjonit dhe të rrethuar nga pesëdhjetë herë më shumë njerës të armatosur e dhanë jetën pa u dorëzuar, ka ende shumë smërç manipulimi politik nga diktatura. Ata në të vërtetë qenë thjeshtësisht vetëm pesë partizanë dhe partizan në të gjithë Evropën, në perëndim dhe në lindje të saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore thirreshin luftëtarët e rezistencës kundër fashizmit. Nuk ka patur atë kohë emër më të bukur dhe nuk ka më të nderuar tani. Në të gjithë kontinentin kur këta luftëtarë qenë të ndikuar, të mobilizuar apo të udhëhequr nga komunistët, quheshin Partizanë të Kuq. Në rastet që ndikoheshin dhe drejtoheshin prej jokomunistëve, madje edhe antikomunistëve, janë thirrur Partizanë të Bardhë. Sipas këtij rregulli të pjesës më të madhe dhe më të zhvilluar të Evropës një pjesë e bashkëkombasve tanë të armatosur këtë kohë nuk mund ta merrnin këtë titull. Do t’u takonte atyre që nuk bashkëpunuan me pushtuesin, kurse të tjerët e kanë tashmë emrin: janë kolaboracionistë.
Mirëpo pasi u bëri pritën një bajraktar antikomunist i Mirditës (atëhere për fat të keq për arsye ideologjike punët deri këtu patën shkuar), atentatin tjetër ua kreu diktatura. Jo vetëm me regjimin që vendosi dhe devijimin e ëndërrës së vërtetë të luftëtarëve antifashistë, por edhe me falsifikimin historik që u bëri. Të pesë ata partizanë një poemë e doktrinuar e kohës dhe pastaj një makinë e tërë propogande i paraqiti si komunistë të mirëfilltë, të doktrinuar nga maja e kokës deri në kembë, me tesera partie në xhep dhe librat e Lenin-Stalinit në mendje. Kjo i duhej luftës së klasave, famëkeqes që ndau popullin dhe dobësoi Shqipërinë. Gjërat kur u zhvilluan atëhere nuk qenë aq bardh e zi sa u vizatuan dhe u bënë më pas. Gjon Markagjoni është ai që është, që prej raporteve të ngushta me serbët, fryma e separatizmit të shtetit unik e deri tek jo pak dëshmi të tjera që provojnë edhe të kundërtën. Autori i këtyre radhëve ka mbledhur mjaft të dhëna nga qëndrimi i tij në emigracion, ka takuar edhe dy prej djemve të tij dhe duke qënë se nuk është vendi në këtë shkrim për hollësi, siguron sinqerisht lexuesin se ka parë edhe një pamje atdhetare të kësaj dere. Vetëm ditët e fundit ndeshi edhe në një rast tjetër. Afërsisht në kohën kur ndodhi rrethimi dhe vrasja e partizanëve të shpallur më pas si pesë heronjtë e Vigut, në ilegalitet në Shkodër ka qënë edhe familja e Haxhi Lleshit. Ky ishte në mal dhe dihej që printe batalione të tëra në luftë kundër gjermanëve, por edhe kundër bashkëpunëtorëve të tyre. Pikërisht në një rrethanë të tillë Gjon Markagjoni u dërgoi njerëzve të fshehur Haxhi Lleshit një njeri shumë të besuar të tij me dy oferta: t’u jepte ndihmë financiare si edhe për t’i marë në përkujdesje, sa të mbaronte lufta, në kullën e tij. Madje i dërguari ofertën e bëri saktësisht “Do të qëndroni ku të dëshironi, në kullën që bajraktari ka në Shkodër apo në atë të Oroshit”. Përfaqësuesi e Lleshëve, që ishte një grua, e falenderoi, por nuk pranoi as njërën dhe as tjetrën. U ndanë miqësisht dhe ....familjes së njërit prej luftëtarëve më të vendosur kundër gjermanëve nuk u ndodhi asgjë. Gjon Markagjoni nuk i denoncoi tek nazistët.
Pluralizmi është hapësirë e madhe dhe magjia e tij është se ka vend për të tërë. Në të ridimensionohemi të gjithë si shqiptarë, po ashtu edhe historia jonë, kultura, vlerat. Akti i zhvendosjes së monumentit në hyrje të Shkodrës do të kryhej i përfunduar si akt emancipues vetëm duke u lartuar në një vend tjetër publik të brendaqytetit. Është rënqethëse që varrezat e dëshmorëve gjenden tek fusha e plehrave. Kjo nuk ka qënë kurrë as në dinjitetin e atij qyteti dhe as në kulturën e tij.
Dhe në më lejon lexuesi do ta mbyll këtë shkrim me një gjë të veçantë që ka qyteti i pazhurrmshëm i Beratit. Edhe ai ka një varrezë dëshmorësh. Gjendet në mes të qytetit. Që kur shumë dekada më parë u projektua pati dy opinione, shumica për ta lënë në periferi, si çdo varrezë, që është gjë intime. Megjithatë fitoi alternativa e vendosjes brenda, në një vend shumë të përshtatshëm, disi të veçuar, në kapërcyell të takimit të dy pjesëve të qytetit. Kështu u bë si një mauzole, si një shtëpi e madhe, e mbuluar dhe e mbushur plot me drita dhe lule. Atje flenë përjetësisht të rënët për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë, por edhe dëshmorët e pas vitit 1944. Një pjesë e këtyre të fundit e dha jetën për tashmë një regjim. Atje janë edhe dëshmorë të pas vitit 1990. Ka edhe tre të tjerë që janë të pushkatuar nga diktatura në vitin 1947. U vendosën aty, në një parcelë më vete, në mes të vitit 1993.
Për vite me radhë të tre varret mbetën pothuaj të harruar dhe qe pikëlluese t’i shihje. Qe një padrejtësi e madhe që dyqind e ca të rënë të ishin në mermer, madje edhe me yllin e kuq në ballë dhe ata tre, asnjëri kolaboracionist, madje njëri i lidhur fort me luftën çlirimtare, të rrinin ashtu. Më në fund në dhjetor të vitit të shkuar bashkia e qytetit, e cila ka për kompetenmcë vetëm mirëmbajtjen e tyre (varreza ka roje me turne, burra të urtë e gojëëmbël) financoi veshjen e tyre me mermer. Qenë bërë shumë të bukur.
Aty duhet të rrinë, krenarë e të qetë sepse nuk i ranë më qafë atdheut të tyre. Përkundrazi i dhanë jetën.
Sepse në fund të fundit nuk është aspak e drejtë që varrezat e dëshmorëve të vijojnë të jenë vetëm për ish-partizanët apo ish-të kuqtë. Ato duhet të jenë vend i prehjes së të gjithë dëshmorëve. Të bjerë njëherë e mirë ky monopol, kjo “diktaturë“!
Punë në fillim pak e vështirë sepse edhe në Berat, ku ka bulëzuar kjo traditë e re, turma e madhe e përkujtuesve ende nuk i ka kthyer këmbët për një çast e të nderojë tre bashkëqytetësit e saj, por ka shkuar vetëm tek të “vetët”.
Ca e ndërlikuar kultura shumëngjyrëshe e pluralizmit për këdo që i sheh gjërat vetëm bardhë e zi.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com