Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Gjysma e harruar e Skënderbeut”


Vijim fragmentesh.
Faqet 107-110 të librit

Portreti i Skënderbeut në pallatin e Kastriotëve në Napoli paraqet një burrë shumë truplidhur e shtatlartë, me krahëror të gjërë e fytyrë të plotë, me plot mendim në vështrim dhe natyrë të vendosur, me ndjenjë autoriteti dhe tërësisht princëror. Tiparet e tij janë të rregullta dhe në harmoni. Hundën e ka me një kurriz të lehtë, mjaft elegante megjithatë.
Në këtë pamje ai zbulon një tipar të fytyrës, i cili nuk u ka rënë në sy studjuesve të tij. Ose të paktën nuk e kanë shprehur atë as piktorët dhe skulptorët, profesioni i të cilëve është sendërtimi i imazheve.
Bëhet fjalë për mollzat e fytyrës, zigomat.
Ato janë të ngritura.
Kështu i kanë zakonisht shqiptarët e veriut, jo pak edhe malësorët nga krahina e Dibrës, prej ku sipas historianëve anon përfundimisht dhe është vërtetuar vendlindja e Kastriotëve.
Zigomat e ngritura dallohen fare qartë edhe te portreti i Skënderbeut i ruajtur mbi portikun e ish-bujtinës së Epirotit në Romë si edhe në siluetën e tij te libri i Marin Barletit.
Ato mollëza të ngritura i ndesh edhe te fytyra e dy pasardhësve të tij. Më lehtësisht te Alesandro Kastriota Skanderbeg dhe shumë më dukshëm te Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg.
Nuk e kemi fjalën këtu për ta trajtuar zigomën si provë “të fortë” që të gjitha këto vizatime të princit shqiptar bashkohen nga e vërteta e pamjes së tij reale. As për ta konsideruar si firmë vërtetimi që genetikisht të dy familjet në Leçe dhe Napoli janë pjesë e të njëjtës pemë gjenealogjike me në krye të njëjtin stërgjysh. As nuk dëshirojmë t’u sugjerojmë artistëve të pikturës apo skulpturës që bashkë me, siç thotë mjeshtri Odise Paskali, shtatin e lartë, ashtin e fortë, hundën kërrute dhe kokën e rruar, të kenë parasysh edhe një tipar tjetër identifikues.
Ato mollëza e bëjnë burrë të bukur Gjergj Kastriotin. Këtu e kemi fjalën.
Megjithëse i moshuar, Evropa e pranoi, e pëlqeu dhe e përhapi imazhin e tij kështu: princ të pashëm.

Por a do të kishte rëndësi të ngulej këmbë në bukurinë mashkullore të Gjergj Kastriotit si një vlerë e tij?
Siç vërtetohet nëpërmjet pamjes së fiksuar e të përhapur nëpër Evropë edhe populli shqiptar në trojet e tij, në mënyrë të pavarur nga çfarë shihte kontinenti, e ka ruajtur në kujtesë si burrë të hijshëm. Nisur nga kriteret e thjeshtëzuara të foklorit, sipas të cilave bukuria fizike është shprehëse edhe e përsosmërisë shpirtërore, bashkëkombasve të tij u ka shkuar më mbarë që Skënderbeu të ishte i tillë. Po të mos ishte tamam kështu nuk besohet se në kontinent profesionistët dhe në trojet shqiptare arti popullor nuk do të ndërhynin për ta bërë estetikisht të këndshëm. Të dy palët patën mjaft nevojë ta shndërronin Gjergj Kastriotin në mit dhe për këtë qëllim të mirë do t’ja kishin lejuar vetes ndonjë “hile” të vogël në imazh. Patjetër do t’ja bënin një “operacion plastik”.
Por për fat nuk u është dashur. Skënderbeu ka qënë burrë shumë simpatik.
Duke mos gënjyer për portretin fizik të Gjergj Kastriotit, deri ku e pati kufirin e interpretimit mitizues dëshira popullore mes shqiptarëve?
Nga kjo krijimtari për t’i dhënë përherë sfond imazhit të tij estetikisht simpatik, nuk u muar vesh kurrë nëse Skënderbeu kishte patur ndonjëherë një hall a mërzi të madhe, ishte inatosur apo pati qeshur me zë të lartë, kishte ngrënë shumë në një darkë apo pati puthur ndonjëherë Donikën, ishte lodhur mjaft apo pati patur disa ditë temperaturë, fliste shumë apo qe fjalëpakë, kë nga vartësit e tij donte dhe cilin nga bashkëpunëtorët e nënvleftësonte apo nuk i zinte besë, vishej gjithë kohën ushtarak apo pëlqente të rrinte me rroba civile, kishte dëshirë të vishej apo ishte i shkujdesur ndaj rrobës në trup, kërkonte komoditet për fjetje apo e zinte gjumi dhe zgjohej nëpër fusha betejash, bënte pushime, shkonte në bregdet, delte për gjah apo pati qënë tërësisht asket.
Shqiptarët e mitizuan, pra e konservuan kryeheroin e tyre, duke e “tharë” pothuaj krejtësisht. Ajo pamje fizike dhe shpirtërore që mbeti ishte jo vetëm e një mbinjeriu, por edhe e një panjeriu.
Gjergj Kastrioti në këngët e legjendat e popullit të vet nuk ishte vetëm i bukur (gjer në ftohtësi), por edhe moralisht mjaft human. E megjithatë nuk ishte njeri i plotë. I mungonin shumë ndjenja.
Ai ishte mjaft i mençur, por duke mos bërë asnjë gabim, kishte humbur tiparet më thelbësore të një qënieje njerëzore. Ishte tepër i përsosur për t’u besuar në të gjitha.
Ai ishte mjaft trim, por na ka lënë përshtypjen se nuk iu dhimbs asnjëherë jeta, thua nuk qe prej mishi dhe gjaku.
Skënderbeu ishte burrë i bukur fizikisht dhe tashmë nuk mund të dyshohet. As në vendin e vet nuk kishin nevojë ta zbukuronin, as në kontinentin amë. I tillë lind, nuk bëhesh dot. Porse të jesh i bukur shpirtërisht nuk lind, behesh.
Patjetër në këtë përshkrim të fundit të Gjergj Kastriotit ka patur zbukurim.
Mund të duket se një skajim i tillë i mitizimit të tij ka qënë kryer i nisur nga shumë arsye dhe në parim mund të justifikohet. Më së pari se vetë proçesi e ka të vetën teknikën e thjeshtëzimit. Përsosja e një njeriu nuk është gjë tjetër, veç thjeshtëzim. Mit do të thotë të krijosh një mbinjeri.
Po ashtu në rastin e Skënderbeut populli dhe kujtesa e tij për pesëqind vite me radhë është gjendur nën një agresion të papushuar për ta likujduar. Perandoria Osmane dhe administrata e saj kanë fshirë çdo gjurmë, shenjë e kujtim të tij. Ata që për një gjysëm shekulli përjetuan në Shqipëri diktaturën komuniste dhe panë me sytë e tyre se çfarë do të thoshte zhdukje e shfarrosje publike e një emri apo figure historike të padëshiruar nga regjimi, mund ta marrin sadopak me mend efektet e kësaj përpjekjeje për një kohë dhjetëfish më të madhe. Madje duke pranuar se Perandoria Osmane ishte shumë më tolerante se një diktaturë staliniste, ndaj armiqve të saj më të betuar ajo ishte mjaft selektive dhe shumë më e egër.
Dhe në Shqipëri, për pesë shekuj, ndërsa e bëri atë vend mik dhe shumë nga elita e saj kryen karrierë të hovshme në piramidën turke të pushtetit, dy gjëra kishin shpallur të papajtueshme: Skënderbeun dhe gjuhen shqipe. Këto të dyja Porta e Lartë nuk i fali asnjëherë. Këto ishin dy simbolet më të mëdhenj të pavarësimit të shqiptarëve dhe Perandoria Osmane i kishte pushtuar që të mos i lëshonte kurrë në mëvetësi.
Në kushtet kur mbifuqia perandorake shfrynte si stuhi dhe shkulte nga rrënjët çdo syth kënge e varg legjende për Gjergj Kastriotin, mbrojtja më e mirë e tij ishte të idealizohej maksimalisht, të shndërrohej në një mbinjeri. Duhej patjetër të bëhej gur, shkëmb, mermer, bronz, hekur
Kjo donte të thoshte se që të mos lëndohej nga plagët e sulmit të Portës së Lartë, Skënderbeut i duhej hequr mishi dhe gjaku.
Kështu u bashkuan në një, për fat të mirë atëhere, ne shekujt e shkuar, dhe për fat shumë të keq tani, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, një portret primitiv fizik dhe një botë shpirtërore e thatë.
Pesë, katër, tre, dy, mbase edhe një shekull më parë, kjo tregonte forcë. Madje ishte për kohën edhe një lloj inteligjence. Tani shpreh dobësi.
Ajo që dje dukej si mal, sot nuk paraqet vetëm rrafshirë, por edhe greminë. Është humnerë jo vetëm për emrin e Gjergj Kastriotit, por për të gjithë kujtesën kombëtare. Kjo nuk mund ta lejojë vetvarfërimin e saj, kur në të vërtetë duhet të ndodhë e kundërta. Kujtesa kombëtare duhet të rikthejë në vendin e vet të gjithë pasurinë e humbur. Jo vetëm shumë nga të mohuarit prej regjimeve që sunduan në Tiranë, por edhe për të admiruarit. Edhe adhurimi dhunon.
Një portret fizik i primitivizuar i Skënderbeut bashkë me një botë shpirtërore e tejtharë përbën humbellë të madhe për urgjencën që kemi: ringjalljen e vlerave tona evropiane, të lënduara e mpakura jo vetëm nga pesëqind vite pushtim osman e gjysmëshekulli stalinizëm, por edhe nga pakëmbëngulja jonë për të rimëkembur sa më shpejt këtë lidhje të vjetër shpirtërore me kontinentin amë.
Tani që në ripërtëritjen e vlerave tona evropiane duhet patjetër të reabilitojmë edhe një nga lapidarët e frymës proevropiane, Gjergj Kastriotin, kjo që ka ndodhur është greminë, humnerë e humbellë njëherësh.
Ringritja është punë e mundimshme, sigurisht.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com