Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Fragment i dytë nga libri”Gjysma e harruar e Skënderbeut”


Faqet 96-107

Sipas një modeli përfytyrimi të përhapur mes historianëve ”Skënderbeu kishte shtat të lartë, ishte tërë muskuj dhe me krahë të fuqishëm, me hundë të bukur të spikatur dhe pak kërrute (kurrizore)...”.
Është provuar se ka qënë pak a shumë kështu.
Gjergj Kastrioti ishte shtatlartë dhe kjo i dëshmohet edhe nëpërmjet përmasës së një cohe të veshjes së tij zyrtare (ceremoniale), e cila porositej dhe i vinte nga Republika e Venedikut. Po ashtu detyrimisht ka qënë muskulor, sepse ishte një ushtarak profesionist. Skënderbeu nuk vinte nga shkolla të politikës apo të ushtrimit në punët e administratës. Të tilla në epokën e tij as që merreshin me mend e jo më të ekzistonin. Ai ishte përgatitur, siç pjesa dërmuese e oficerëve turq, në shkollat ushtarake, një prej të cilave ishte edhe ajo Ic-ogllanëve në Edrene. Në historinë e Perandorisë Osmane dihet që kjo shkollë, një Akademi e vërtetë, ishte fidanishtja e të gjithë klasës udhëheqëse të saj. Atëhere jo vetëm komandanti i njësive luftarake, por edhe drejtuesit e vilajeteve apo të ndarjeve të tjera administrative, deri edhe kryeministri, vinin përgjithësisht nga kjo shkollë.
Atëhere më parë se të ishte kohë e mendjes, ishte edhe e muskujve.
Gara, konkurenca, rivaliteti, ngjitja në pushtet, ruajtja apo marrja e tij, kryhej edhe nëpëmjet përgatitjes dhe aftësisë fizike.
Por shkollën e Ic-ogllanëve e përfundonin edhe nga ata me shtat jo të lartë. Nga kronikat osmane si edhe vetë historianët e perandorisë, madje nga ata që ishin të mobilizuar kundër tij, për Gjergj Kastriotin dëshmohet si për një ushtarak shumë pak të përballueshëm në duel. Kjo nuk mund të arrihej pa një trup të fortë e të lartë. Skënderbeu ishte një luftëtar me të dhëna e përmasa modele. Ekzistenca e krahut të tij shumë të fuqishëm gjithashtu nuk mund kurrsesi të kundërshtohet. Konfirmohet nga dhjetra e dhjetra burime.
Mirëpo kur shkojmë pas arsyetimit se mitizimi, pra ruajtja popullore e Gjergj Kastriotit në kujtesën shekullore të shqiptarëve, e ka larguar pamjen fizike të tij nga e vërteta, nuk kemi patur parasysh se shtrembërimi apo “manipulimi” i ka ndodhur në elementët e mësipërm.
Nuk e dimë çfarë do të ndodhte me paraardhësit tanë që kryen “balsamimin” e Skënderbeut, në rast se ai do të kishte qënë një shtatvogël. Vallë a do të përpunohej aq fort imazhi i tij sa të dukej për pasardhësit njeri i gjatë? Kur ka qënë fjala për Ballaban Pashën, shqiptarin që ishte armiku më i madh i Gjergj Kastriotit, populli ynë me kujtesën e tij nuk ja fsheh, por ja vë në dukje trupin e shkurtër. Kjo mund të thotë se ai në kulturën e vet dimensionin e shtatit nuk e fuste në tiparet që patjetër duhej të përpunoheshin. Siç edhe mund të dëshmojë për një qëndrim shumë të qartë: që përmasat e shtatit kishin shumë rëndësi për t’u përcjellë brezave të ardhshëm dhe historisë vetë kuptimin e dëshiruar të një imazhi.
Po të ishte truplartë cilësohej estetikisht i bukur, po të ndodhte e kundërta quhej i shëmtuar apo zemërkeq. Në të gjithë krijimtarinë popullore kjo mënyrë interpretimi në parim është pothuaj kategorike. Në folklor tiparet fizike lidhen drejtpërsëdrejti me ato shpirtërore. Sipas logjikës së saj, doemos edhe primitive, nuk mund të ishte njeri i mirë një i shkurtër dhe nuk mund të quhej zemërlig një me fytyrë të bukur.
Teknikat e mitizimit të Skënderbeut nga shqiptarët janë pak a shumë po ato që përdor çdo popull. Përgjithësisht të thjeshta, të qarta e menjëherë të dallueshme nga kushdo, veçanërisht prej shtresave të pakultivuara. Për fat Gjergj Kastrioti ka qënë shtatlartë dhe kështu nuk ka mbartur më vete tundimin për idealizimin fizik, pra për zbukurimin e tij trupor. Po të ndodhte kjo do të pasonte një akuzë për mashtrim. Në mënyrë të vetëdijshme apo edhe për shkak të vetëm një dëshire të mirë, silueta e Gjergj Kastriotit është transmentuar deri në ditët tona si e një burri të gjatë mjaftueshëm për të patur hijeshi autoriteti.
Veç kronikat dokumentare këtë gjë e konfirmuan besueshëm vetëm disa dekada më parë. Rëndësi ka që populli, duke e mitizuar në masën e vet Skënderbeun, nuk ka gënjyer.
Ndërkohë përse na duhet të përjashtojmë hipotezën se edhe po të ishte me trup modest kjo gjë gjatë proçesit të ruajtjes do të hynte në një nga karakteristikat që do të minimizohej e në mos fshihej? Një dukuri e tillë ka ndodhur me kujtesat kombëtare të shumë popujve jo vetëm në Ballkan, ku mitet janë më të dendur e më shumë të ngarkuar me pasion historik.
Nuk e dimë po ashtu se në çfarë përmasash do të vepronte idealizim-mitizimi i Gjergj Kastriotit po qe se ai do të ishte vërtet shtatlartë, muskuloz dhe me krahë të fuqishëm, por fytyrën nuk do ta kishte aspak simpatike. Madje fare natyrshëm ai tiparet mund t’i kishte edhe të shëmtuara ose të paktën të vrazhda.
Mirëpo jo vetëm gojëdhëna popullore, por edhe e gjithë letërsia e krijuar për të në Evropë, nuk ka asnjë dyshim se ai ka qënë një burrë i hijshëm. Ka edhe historianë, siç vumë në dukje diku më lart, që edhe hundën me kurriz ia përcaktojnë të pashme.
Ka qënë apo jo i bukur Skënderbeu, ishte thjesht simpatik dhe me tipare fare normale, nuk ka për t’u marrë vesh kurrë. Kjo më së pari sepse nuk ekzistojnë dokumenta për ta provuar. Kur ambasadorë të huaj e kanë parë atë në Romë në dhjetor 1466, tek vinte për të kërkuar ndihmë te Papa, shënuan në raportet e tyre se ishte i moshuar dhe me pamje imponuese. Në fytyrë u kishte bërë përshtypje hijeshia e mjekrës së gjatë e të bardhë.
Atë kohë sipas disa burimeve Gjergj Kastrioti 61 vjeçar dhe flokët i kishte të prerë shkurt.
Kjo vizitë e qëndrim tremujor në qendrën e Krishtërimit ka ndihmuar që ai më në fund të fiksohet të paktën në një portret. Atëhere nuk kishte aparate fotografikë nga ata që sot me blicet e tyre u hedhin shkëlqime drite shtetarëve apo protagonistëve të mëdhenj. Përdorej peneli i piktorit.
Odise Paskali në librin e tij “Gjurmë jete” të botuar në vitin 1986 pranon se në krijimin e tij skulturor të Skënderbeut është mbështetur shumë te vizatimi që ndodhet në librin e Marin Barletit “Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Princi i Epirit”. Ai shkruan se “Këtu spikatin disa të dhëna që ruhen, sado të ndryshuara, në pjesën më të madhe të portreteve të mëvonshëm, siç janë paraqitja në profilin e djathtë, prerja gjysmë bust, forma e qylafit, e hundës, e mustaqeve, e mjekrës, e pjesëve të veshjes. Nuk është e mundur të dokumentohe deri ku i përgjigjen këto të dhëna origjinalit, mbasi nuk njihet ndonjë portret i punuar më të gjallë të heroit, por mund të konstatohet se dy karakteristika: ajo e trupit të madh dhe e ashtit
të fortë, janë të dhëna të sigurta për fizikun e Gjergj Kastriotit, të dhëna që përkojnë si me dëshmitë e historisë, ashtu edhe me ato të legjendës”.
Në Romë, vizitë që Skënderbeu e kreu nga dhjetori 1466 deri në shkurt 1467, u prit nga Selia e Shenjtë dhe Papa me ceremonialin e një kryetari shteti. Ajo ardhje ishte një kryelajm për qytetin që ishte kryeqendra jo vetëm e shtetit të Vatikanit, por edhe e të gjithë krishtërimit. Në ato mbi dy muaj qëndrimi Gjergj Kastrioti pati shumë punë intensive, u takua nga disa herë me mjaft ambasadorë dhe mori pjesë në mbledhjet e Kurisë, forumit më të lartë të Selisë së Shenjtë.
Dhe e gjithë kjo të mos i bjerë në sy një piktori?
Roma ishte qendra e madhe e artistëve dhe për ta hedhur në cohë portretin e njeriut-legjendë të ardhur nga përtej deti, atje ku po zhvillohej lufta e përgjakshme e mbrojtjes së vetë Italisë dhe Vatikanit, do të mjaftonin edhe vetëm dy-tre javë, jo më muaj. Patjetër Skënderbeu është vizatuar e pikturuar në Romë. Tjetër gjë që nuk kemi dokumenta, të cilat e dëshmojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi. Na mungon edhe vetë prova kryesore, piktura. Mirëpo kjo nuk na e heq të drejtën të besojmë.
Kemi në dorë mundësinë për të bërë një arsyetim logjik: në duart tona portreti i publikuar te libri i Marin Barletit, pamje me të cilën e njeh edhe Evropa, është imazhi më i afërt ndaj të vërtetës. Ajo siluetë është më e pajtueshme me përshkrimet që i kanë bërë Gjergj Kastriotit disa ambasadorë në Romë në kapërcyell të viteve 1466-1467.
E vetmja gjë që na kufizon në përmasën e ngjashmërisë është vetë arti, i cili e përpunon realitetin, metoda e pikturimit të asaj kohe dhe shkalla e subjektivitetit të autorit.
Kur Skënderbeu kaloi muajt e tij në kryeqendrën e Vatikanit ishte në prag të saj epoka e Rilindjes. Artistët e kësaj kohe, përfshi piktorët dhe skulptorët, ndiqnin shtatë apo tetë parime neoklasike. Një pjesë e tyre kishin të bënin me formën e portretit, raportet e tipareve, mënyrën e pozimit dhe shkallën e lejueshme të shprehjes së botës së brendshme.
Të gjitha këto megjithatë janë shumë pak për t’i hequr portretit të tij te libri i Barletit të drejtën për të qënë pamja më reale e Gjergj Kastriotit. Duke e bërë kështu hipotezën tonë nuk dëshirojmë të pohojmë se pikërisht ajo siluetë grafike përfaqëson një vizatim të drejtpërdrejtë. Silueta mendojmë se është krijuar mbi një pikturë të mëparshme të tij. Kur u bë botimi princi shqiptar kishte katër dekada që nuk jetonte më.
Vetë Odise Paskali në librin e kujtimeve, edhe pse shkruan se nuk njihet deri tani ndonjë portret i punuar përsëgjalli, i referohet me besim tipareve të gravurës në veprën e Marin Barletit. Përse e ka bërë të besueshëm atë vizatim, kur nuk ka patur para këtij çasti asnjë imazh tjetër? Ajo pamje mund të jetë false njëlloj sa edhe e vërtetë.
Mirëpo skulptori Artist i Popullit në orientimin e vet mbështetet jo vetëm në përshkrimet që fizikisht nëpër dokumenta historikë i janë bërë Skënderbeut, por në një logjikë shumë të hekurt. Odise Paskali shkruan se besimin e tij e ka krijuar nga përputhja që kanë silueta e dalë nga dokumentat e shkruar dhe ajo e formuar nga legjendat popullore.
Kjo është një mënyrë e pakundërshtueshme për të provuar se me gravurën e publikuar në librin e Marin Barletit kujtesa kombëtare e shqiptarëve ka mundur të ruajë imazhin më afër të vërtetës. Ndërkohë nëpërmjet kësaj pajtueshmërie del e qartë një provë rreth karakteristikës së mitizimit të Gjergj Kastriotit nga populli ynë.
Ai nuk ka qënë i shtrembëruar, as i manipuluar. Mitizimi është kryer brenda shtratit të pamjes dhe vlerave reale.
Në rastin kur arsyetojmë se para vizatimit të Skënderbeut te “De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis” nuk ka ekzistuar asnjë pikturë e tij hipotezës i çelet një shteg tjetër.
Duke mos patur gjer në vitin 1508 asnjë imazh të fiksuar të Gjergj Kastriotit nipi i tij, Ferdinandi (ose Ferrante), i cili është edhe shtytësi kryesor i shkrimit dhe i botimit të librit të Marin Barletit, mund të ketë propozuar krijimin e një siluete të gjyshit sipas të dhënave gojore që për të ruheshin nga bashkëluftëtarët e tij, ndonjë ende gjallë, si edhe sidomos prej asaj që gjendej në kujtesën e familjes Kastrioti.
Nuk mund të përjashtohet mundësia që, siç krijohet sot një identikit personi vetëm mbi bazë të të dhënave të dëshmitarëve në vendngjarje, të jetë krijuar ajo siluetë që ka libri i Barletit.
Rezultati i një pune të tillë varet nga shumë faktorë, por edhe varianti më i mirë dhe më i ngjashëm me të vërtetën është jo pak larg nga ai imazh që krijohet prej kontaktit të drejtpërdrejtë.
Në ndodhtë që besojmë se pamja e Skënderbeut te libri i Marin Barletit është një identikit, atëhere kemi të drejtë të themi se çdo imazh tjetër i tij i mëpasshëm mbështetur mbi të është gjysmërealitet dhe gjysmëfantazi. Madje ka më shumë të pavërtetë.
Kjo do të thotë po ashtu se pamja e princit shqiptar e shpërndarë dhe e njohur nëpër Evropë i ngjan shumë pak Gjergj Kastriotit.
Odise Paskali në kujtimet e tij beson se imazhi i siluetës te libri i Barletit i avitet më shumë të vërtetës. Këtë të fundit ai e përcakton me ekzistencën e dy karakteristikave fizike të Skënderbeut: trup i madh e asht i fortë.
Të tjera veçansi që mund ta ndihmonin çdo krijues të arteve figurative për të bërë pamjen e Skënderbeut nuk ka. E megjithatë Odise Paskali dhe shumë artistë të tjerë i kanë dhënë formë.
Si ishte balli i Gjergjit, si i kishte mollëzat e faqeve, vetullat, buzët, mjekrën, anëtemthin, pjerrësinë e veshëve, fikthin në grykë? Asgjë nuk dihet. Si e kishte të gjithë siluetën e fytyrës apo formën e kokës? Nuk dihet asgjë edhe për këto. Si e kishte vështrimin, ngjyrën e syve? Zero të dhëna. Si e ka patur buzëgazin, të qeshurën, përlotjen e dhimbjen, shprehjen e dashurisë e të gëzimit? Asgjë nuk ka mbetur, fshirë gjithçka.
Po a mund të krijohet një imazh i vërtetë vetëm me të dhënat se Skënderbeu e kishte trupin të madh, ashtin të fortë dhe hundën kërrute? A mund të krijohet mbi këtë bazë një prototip?
Vetë Odise Paskali në “Gjurmë jete” shkruan se “Në pjesën më të madhe të portreteve që rrjedhin nga ky prototip ruhen, ose më mirë duket se merren parasysh, këto karakteristika themelore. Veçse një hollësi është, për mendimin tim, e një rëndësie kapitale për ikonografinë e Skënderbeut dhe duhet patur parasysh: portreti në Historinë e Barletit e paraqet Skënderbenë me vetitë kryesore që përmendëm më lart dhe me një veçanti të tillë: është me flokë fare të shkurtër, kokërruar. Kjo veçanti figurative, pranë përshkrimit dhe botimit gati bashkëkohës me ngjarjet historike, ka rëndësi të madhe për të caktuar ikonografinë e Skënderbeut dhe jo vetëm për anën e saj fizionomike, por edhe për pasurimin e personalitetit të tij historik”.
Nuk mund të pretendojmë të hyjmë në të fshehtat e mëdha të zanatit kur një skulptor a piktor e konsideron thelbësore të dhënën se Gjergj
Kastrioti është i qethur shkurt. Sigurisht një hollësi e tillë e ndihmon për të vënë themelin, konturet e një ikonografie për një individ shumë të njohur. Por a mundet me katër të dhëna (trup i madh, asht i fortë, hundë kërrutë dhe kokërruar) të sigurohet një portret i vërtetë i çdo njeriu, mes tyre edhe i Skënderbeut, ikonës kryesore që kanë shqiptarët?
Në kujtimet e tij Odise Paskali shënon se “Të gjitha portretet e tjera që s’kanë lidhje me këtë prototip, nuk janë fryt studimi, por rutine nga ana e ilustratorëve. Ndeshemi disa herë me interpretime pa farë baze, si në rastet kur e paraqesin Skënderbeun të shkurtër, të dobët, hundështypur, stolisur me kurorë dafine ose me tipare të një sulltani ose të një jeniçeri, a të një konti faqebutë, duke arritur gjer në personifikimin e Lekës së Madh në mjedisin e oborrit të Babilonisë”.
Më pas Paskali shton: “Nëse Barleti me veprën e tij monumentale kontribuoi shumë për përhapjen e emrit dhe të epopesë së Skënderbeut dhe të popullit shqiptar, duhet pohuar se ana figurative nuk veproi po ashtu pozitivisht e deri në atë shkallë. Në atë kohë Shqipërisë i mungonte artisti që paralel me historinë monumentale të Barletit, të na kishte lënë në trashëgim të çmuar veprën e artit, që të na jepte idenë e Skënderbeut të vërtetë”.
Skulptori që ka meritën të jetë gjer tani më i miri në mishërimin artistik të Gjergj Kastriotit nuk gabon kur e ndjen si mungesë një Marin Barlet të profesionit të tij. Odise Paskali shkruan i bindur që në vitin 1508, kur u botua libri i famshëm i humanistit shqiptar, nuk ka ekzistuar një pikturë e Skënderbeut.
Gravura e botuar i duket pak, edhe pse vërtet nuk është shumë.
Megjithatë duke e publikuar librin “De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis” bashkë me vizatimin e portretit të Gjergj Kastriotit Barleti ka kryer një shërbim shumë të madh. Këto përmasa i kemi të vështira t’i kuptojmë tani, në këtë shekull tërësisht mediatik, ku gjithçka duket. Në një tjetër kohë, ku edhe korieri më i shpejtë një lajm nuk mund ta trasmentonte dot më shpejt se vrapi i një kali, Marin Barleti bashkë me veprën historike përhapi nëpër Evropë imazhin më të vërtetë të mundshëm të ikonës tonë kombëtare.
Dhe më të mirin e atëhershëm, më të pranueshmin, më të dëshiruarin, më dinjitozin.
Me teknogjinë e kohës, kur proçesi i shtypshkrimit sapo kishte filluar, as që mund të mendohej publikimi i një pikture. Bashkë me Ferdinandin, pra me familjen Kastrioti, Barleti arriti të përhapë në kontinent një Skënderbe harmonik, joshës, sugjestionues e të besu-eshëm, të identifikueshëm vizualisht dhe të prekshëm nga shqisat. Do të ishte krijuar një humbellë e madhe në rast se librin e tij ai historinë nuk do ta kishte shoqëruar edhe me pamjen e vetë Gjergj Kastriotit.
Më e pakta pasojë e kësaj mungese do të kishte qënë efekti i përgjysmuar i tekstit të librit, i vetë veprës skënderbejane. Pse jo edhe i vetë shqiptarëve, sepse dihet që Gjergj Kastrioti me bëmën e tij i bëri shumë të njohur pozitivisht shqiptarët në Evropë dhe më tej, kurse Barleti popullarizoi maksimalisht vetë Skënderbeun.
Në të vërtetë ishte një dhënie e marrje vlerash nga më intensivet.
Mjeshtri Odise Paskali duke pranuar që paralelisht me librin barletian nuk ndodhi të ekzistonte një piktor a skulptor i përmasave të tij nxjerr në mënyrë të tërthortë përfundimin se shqiptarëve u mungon pamja e vërtetë e Skënderbeut.
Sinqeriteti i artistit të madh e shtyn ngasjen me tej. Kur ai gjykon se kishte mjaft pak pjesë të realitetit silueta e botuar te Marin Barleti, atëhere gjithçka tjetër më pas, detyrimisht e mbështetur mbi atë imazh dhe ndonjë hollësi dokumentare që ridëshmonte vetëm trupin e madh, ashtin e fortë, hundën kërrutë dhe kokën e rruar, kanë devijuar edhe më shumë nga e vërteta.
Në pak fjalë janë të gjitha gjasat që kjo pamje e Gjergj Kastriotit që njohim e kemi shumuar gjithkund, pothuaj nuk ka fare të bëjë me të. Është prodhim i një fantazie dashamirëse.
Ky është një problem për kujtesën tonë kombëtare si edhe një qortim për të. Nuk kemi ditur ta ruajmë apo me dhe pa dashje e kemi krijuar vetë këtë problem?
Por përse Skulptori i Popullit Odise Paskali nuk beson se libri i Marin Barletit ka dhënë edhe imazhin më real ato kohë të Skënderbeut? Me çfarë prove argumentohet se gjer në vitin 1508 nuk ishte krijuar, as në Shqipëri dhe as në Itali, ndonjë portret i tij?
Në rast se ai portret nuk u bë në Shqipëri, nuk na duket se kaq mjafton për të pohuar se ai ndërkohë nuk u krye dot as në Romë apo në Napoli, ku Skënderbeu qëndroi për motive pune.


Ne besojmë se ka patur një pikturë të para botimit të librit të Marin Barletit. Përse nuk gjendet më, është tjetër punë. Përse nuk citohet apo referohet, po ashtu nuk rëndon shumë në të drejtën tonë për çuar më tej këtë arsyetim. Nuk është i pari dokument që nuk ruhet. Mosgjetja apo mosdokumentimi disa shekuj më pas nuk është patjetër mosekzistencë.
Përse të shkojmë më tej me mendjen se familja Kastrioti, tashmë tre breza vendosur në Itali, në Mbretërinë e Napolit, por që shpesh gjendej në Romë dhe në Republikën e Venedikut, nuk ka patur asnjë pikturë të gjyshit të saj të famshëm.
Kur Donika bashkë me të birin dhe disa vejusha një muaj pas vdekjes së të shoqit i hipi në portin e Durrësit galerës së dërguar posaçërisht nga mbreti Ferdinand për të shkuar në Napoli, me vete medoemos që pati marrë disa kujtime të familjes. Askush nuk e di se çfarë konkretisht, sepse asnjë dokument nuk ka mbetur. Por logjika vepron sipas rregullit “nuk ka asnjë fakt, por ka siguri si ka ndodhur”. Gjer tani flitet se që nga pasvdekja e Skënderbeut kanë mbetur e janë ruajtur dy libra të tij si edhe armët e luftës. Herë pas here të dyshuara se edhe përkrenarja e dy shpatat që ruhen në Muzeun e Historisë së Artit të Vjenës nuk janë origjinale, i njëjti mosbesim nuk ka rënë mbi të quajturin Libër të Lutjeve, të supozuar se ka qënë dhuratë nga mbreti i Napolit. Midis pohimit dhe mospranimit, në mënyrë të sigurtë ka qënë edhe ai i librit të Artit Ushtarak. Qoftë edhe këto dy sende të fundit dëshmojnë që nënë e bir, Donika dhe Gjoni, me vete për në Gadishullin Apenin kanë marrë objektet më simbolike të Gjergj Kastriotit.
Do të ishte e pakuptimtë e kundërta. Ata po largoheshin pa ditur se një ditë do të riktheheshin, edhe pse një shpresë e madhe të ndodhte kjo e fundit i mbajti të gjallë deri sa ndërruan jetë përtej brigjeve. Medoemos që Donika në shpërnguljen e saj, qoftë edhe të supozuar kohëshkurtër, ka qënë e shoqëruar nga kujtimet më të shtrenjta të burrit të vet. Patjetër ajo ka marrë me vete jo vetëm disa kujtime intime, por edhe shenjat kryesore të shkallës fisnike që ruante. Skënderbeu ishte një princ që prej shqiptarëve njihej dhe respektohej me autoritetin e një mbreti. I tillë njihej edhe përtej detit.
Në ka patur edhe një pikturë të tij, me siguri Donika e ka mbartur atë si ndër më të shtrenjtat sende dhe e ka sjellë në Itali.
Në humbje të tilla dramatike dhe të papritura (kur Skënderbeu u sëmur nga ethet e brenda pak muajve vdiq ishte ende i fuqishëm dhe rrinte për ditë të tëra mbi kal e në operativitet luftarak) një imazh i njeriut tend të dashur është më i pazëvendësueshëm se çdo objekt tjetër. Në rrugëtimin për të kapërxyer detin bashkë me gratë e disa oficerëve të tjerë të rënë në luftë, Donika për shumë arsye nuk mund të merrte me vete një sasi të madhe sendesh, por megjithatë e mbartura nuk mund të ketë qënë një strajcë apo baule e vogël. Në rast se në folenë e tyre bashkëshortore në kalanë e Petrelës apo edhe në rezidencën princërore në kështjellën e Krujës ka patur një portret të pikturuar të Gjergj Kastriotit, atëhere ai është marrë me vete dhe në mars 1468 ka zbarkuar në Itali.
Veç të orientuar nga veprimi i disa rrethanave të kohës, Donika dhe i biri, kur kapërxyen Adriatikun, nuk ka shumë të ngjarë të kenë patur me vete ndonjë pikturë të të paharruarit të tyre.
Po të kishte ndodhur kjo, ai krijim do të bëhej fillesa artistike e shumimit në Itali të vizatimeve të tjera të pamjes së Gjergj Kastriotit. Kur krahasojmë portretet e tij të qarkulluara në gadishullin Apenin që prej të paktën vitit 1508, nga stili i krijimit e veçanërisht nga pamja e Skënderbeut të krijohet përshtypja se ato janë punë të kryera jo në Shqipëri, por në Itali. Madje sa ai ishte gjallë.
Gjithnjë mundësia më e madhe e realizimit mbeten ditët e udhëtimit e të qëndrimit të tij në Napoli e në Romë. Konkretisht në këtë qytet të fundit.
Në emigrim Donika shkoi kur ishte dyzetë vjeçe dhe aty jetoi gjatë. Në Mbretërinë e Napolit ajo qëndroi pranë Oborrit dhe kishte ndikim të madh. Thua nuk sipërmori apo nxiti ndonjëherë bërjen e një portreti të të shoqit, atëhere akoma në kulm të famës? Shpresojmë ta ketë tentuar ndonjë përpjekje, sepse pak e besojmë të ketë ngjarë një veprim i tillë nga i biri, Gjoni, njeri që për vlerat personale nuk i ngjante të gjyshit. Por ishte këmbëngulës pikërisht i nipi i Gjergj Kastriotit, njëri nga tre djemtë e Gjonit, Ferdinandi, i cili i ngjante shumë gjyshit të vet, jo vetëm në pamje, por edhe në disa karakteristika të tjera. Të paktën në ambicien për ta bërë sa më popullor.
Në historitë e breznive të njerëzve të shquar kjo ngjashmëri e shkathësi e nipave ndodh shpesh herë.
Pra ky Ferdinand që për shumë arsye, mes të cilave edhe thjesht personale, kërkonte rritjen e famës të gjyshit nuk paska kryer asnjë përpjekje për t’i bërë një portret? Duket e pabesueshme. Madje në ka ndodhur që piktori i ngarkuar apo i porositur i ka thënë se si mund ta vizatonte Skënderbeun kur nuk e kishte parë asnjëherë, atëhere përse të mos hamendësojmë se i zhdërvjellti Ferdinand të mos i ketë thënë “Ja, më shih mua, ngjajme si dy pika uji!”
Pak çaste para se të botohej libri i Marin Barletit i nipi i shkathët i Gjergj Kastriotit ishte pothuaj në moshën pesëdhjetë e pesë vjeçare, të afërt me atë ku gjejmë në Itali të pikturuar Skënderbeun.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com