Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Albanologu i rremë i Skënderbeut


Botuar në gazetën “Tirana Observer”, 24 dhjetor 2008

Ngjarjet që më pas do të tregojmë nisin e mbyllen brenda një viti. Kanë janarin si fillim dhe vjeshtën e vonë si mbarim. Në të vërtetë ato shtrihen në kohë tepër më shumë se kaq, veç po të ndiqnim tragën e tyre jo vetëm do të zgjateshim, por edhe do ta mërzitnim lexuesin shumë.
Dy kufinjtë kohorë që i vumë ngjarjes në të vërtetë ngrihen si dy shtylla. Janë ndodhi historike zëmëdha. Njëra ka të bëjë me përkujtimin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe tjetra me agresionin e pushtimit të Çekosllovakisë nga armata sovjetike. Kaq është e qartë për të lokalizuar vitin e ngjarjes tonë: Është 1968-ta.
Këtë kohë në Budapest në një bibliotekë shtetërore, emrin e të cilës po e citojmë vetëm me gërmën e parë Z, punonte një njeri, i cili në ambasadën shqiptare aty, por edhe në Tiranë e Prishtinë, ishte paraqitur si albanolog. Kishte moshë të thyer dhe qe në prag të pensionit. Lexuesi më mirëkupton kur për të mos lënduar pasardhës të tij në një popull mik siç është ai hungarez, edhe në këtë rast po përdorim inicialet. Ai quhej D.G.
Pesëqindvjetori i përkujtimit të vdekjes së Skënderbeut u festua kudo, në shumë vende e qytete të botës. Organizatorë të tij nëpërmjet përfaqësive diplomatike qe shteti komunist i kohës, por edhe jo vetëm ai. Kudo në Evropë dhe kontinente të tjera shumë patriotë që ishin kundërshtarë politikë të regjimit të Tiranës, kryen veprimtari mjaft të bukura. Për nderimin e Gjergj Kastriotit në Paris, Bruksel apo Romë prej këtyre të fundit ka histori nga më mrekullueset, veç në në këtë shkrim nuk do të rrahim këtë shteg. Do të merremi me praninë e rolin e shtetit stalinist të kohës, i cili shumë gjëra i ka bërë stërprapthi, por jo vetëm njëherë njerëz të ndershëm e mëmëdhetarë në strukturat e tij kanë kryer punë të mira.
Pra, ky D.G., përherë me statusin e albanologut, kishte ardhur në Tiranë në punimet e Konferencës së Dytë Albanologjike, e cila u mbajt në datat 12-18 janar 1968. Siç dihet ajo pothuaj tërësisht u muar me studimin e figurës dhe të rolit të madh historik të Skënderbeut. Në ato seanca debatesh, plenare apo nëpër seksione, D.G. nuk kishte marë pjesë aktivisht, pra nuk kishte folur, megjithatë kjo mjaft pjesëmarrësve, por edhe kureshtarëve, nuk u ra shumë në sy. Nuk qe vetëm ai që nuk diskutoi. Për pasojë në të atë sjellje nuk kishte asgjë të panatyrshme.
Veç ngjarja jonë tani do të marë galopin dhe do të dalë se kishte diçka që nuk shkonte në këtë mosfolje të D.G.

ooo

Ndërkohë në vendet komuniste të eurolindjes bënte një mot politik shumë i trazuar. Hungarezët më shumë se një dekadë më parë e kishin provuar ta hiqnin qafe stalinizmin dhe nuk ja patën dalë dot. Kishin ndërhyrë tanket sovjetike. Një periudhë e mëpasshme “stabilizimi” me anë të modelit të qeverisjes totalitare nuk kishte mundur dot që prirjet liberale të vetë shoqërisë hungareze, të inteligjencës e madje edhe disa politikanëve vendas, të shtypeshin përfundimisht. Diskutohej kudo për nevojën e një zbutjeje të luftës së klasave si edhe për domosdoshmërinë e zhvillimit të marëdhënieve të bashkekzistencës paqësore midis komunizmit dhe kapitalizmit. Korente të zbutjes frynin edhe në Poloni, por vendi ku po merrte formën më të plotë liberalizimi qe Cekosllovakia me në krye Dubçekun. Tashmë nga shtypi perëndimor po shkruhej se atje kishte nisur “Pranvera e Pragës”.
Të gjitha këto zhvillime për Tiranën zyrtare nuk kishin kurfarë rëndësie dhe Shqipëria mbahej sa më larg. Ishte gjetur formula e shpalljes së tyre si “vende revizioniste”, ç’ka donte të thoshte shtete armiq. Siç me të gjithë edhe me Hungarinë raportet diplomatike mbaheshin të reduktuara, vetëm në rang të Ngarkuarish me Punë.
Pesëqindvjetori i vdekjes së Skënderbeut në këtë gjysmëkontinent u përkujtua në këtë atmosferë. Ky acar politik bëri që pjesëmarrja diplomatike në ceremonitë apo festimet përkatëse të qe e sakatuar. Përshembëll në të gjithë këtë vende ku për shekuj me radhë Gjergj Kastrioti ishte cituar e për të shkruar si një nga gjeneralët më të zotë, ambasadori i vetëm që vinte ishte ai bullgar. Gjithë të tjerët dërgonin diplomatë të nivelit të ulët. Po kështu edhe ministritë e ndryshme postonin për në ceremoninë e madhe të ambasadës shqiptare kryesisht nëpunës të zyrave të Protokollit. Në këtë këndvlerësim nuk ndryshoi asgjë edhe në aktivitetin diplomatik të ambasadës shqiptare në Budapest. Edhe këtu u shfaq dy herë filmi “Skënderbeu”, njëherë me diplomatët dhe njëherë të dytë me miqtë. U shtrua edhe një koktej.
E ndryshmja ndodhi në një prerje tjetër të pamjes së gjërave. Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit në Hungari botuan artikuj dy gazetat kryesore të vendit. Në 17 janar publikuan njëherësh organi qëndror i Partisë Punëtore (Komuniste) “Nep Sabadshag” dhe ai i Frontit “Magiar Nemzet”. Përmbajtja e artikullit të parë, duke u mbushur me data e fakte, qe një interpretim historik, ku nuk mungonte edhe një përshkrim i shkurtër nga jeta e Skënderbeut. Ai ngrihej lart në rolin e tij personal si ushtarak i talentuar dhe njeri me karakter trim. Në këtë shkrim nuk mungonte edhe fraza me kumt të qartë miqësor mes dy popujve dhe vendeve “Gjatë historisë së tyre të vjetër hungarezët nuk kanë patur shumë fat me aleatët e tyre…Skënderbeu e theu këtë praktikë …Për hungarezët dhe popujt e tjerë që luftonin kundër turqve Kastrioti ka qënë një aleat i mirë“.
Kjo nuk qe një shprehje letrare dhe as stil i zhdërvjellët publicistik. Ishte një mesazh diplomatik. Budapesti kërkonte raporte më të hapura e bashkëpunuese me Tiranën. E kishte për sinqeritet apo diversion, për llogari të Moskës apo manovër taktike në lojën e baraspeshimeve apo kundërbalancave me Federatën Jugosllave, me të cilën nuk shkonin aq fort mirë, kjo ka pak rëndësi për objektin që ka shkrimi ynë. Ajo që na lypet për të kumtuar atë që kemi marë përsipër ka të bëjë me rolin e personazhit tonë, hungarezit, shokut D.G.
Ishte ky që u vu menjëherë në lëvizje dhe në takimin e tij shumë të rregullt njëherë në muaj në ambasadën shqiptare në Budapest nguli këmbë se kishte shkruar një artikull për Skënderbeun dhe u qe drejtuar tre redaksive, por prej tyre pati marë përgjigje negative. “Veç më vonë”, kishte shtuar, “pashë se gazeta “Nep Sabadshag” e kishte botuar në mënyrë të përmbledhur artikullin tim”. Kjo sipas tij donte të thoshte se shkrimi redaksional i botuar nga e përditshmja e partisë komuniste kishte qënë krijesë e D.G. Ky në atë takim po ashtu pati ngulur këmbë se kishte pyetur kryeredaktorin e kësaj gazete, Gostonji Janosh, për të cilin deklaronte se e kishte mik, të dinte si pati ndodhur që gazeta e partisë publikoi për Skënderbeun dhe tre gazetat e tjera nuk u lejuan. Janosh i qe përgjigjur se kishte vepruar pa dijeninë e partisë dhe se për këtë gjë ishte kritikuar.
Po ashtu D.G. informoi diplomatët shqiptarë, madje vetë të Ngarkuarin me Punë, se në bazë të udhëzimeve të Bibliotekës Kombëtare të Hungarisë, strukturë e të cilës qe edhe ai, për 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit në të gjithë vendin qenë organizuan rreth 700 fotoekspozita dhe vitrina të vogla. Po ashtu mbështetur mbi një material bazë të dërguar nga po kjo Bibliotekë në të gjithë vendin ishin mbajtur në rrethe të ngushta me 20 deri 30 persona rreth 300 konferenca dhe leksione. Sipas njeriut që pëlqente të cilësohej albanolog në Hungari për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut ishin zhvilluar më shumë aktivitete se në çdo vend tjetër socialist. Tha se edhe e kujt qe merita: Ministria e Punëve të Jashtme. Ajo pati vepruar pa i thënë Komitetit Qëndror të Partisë. Shtoi se ditët e fundit ky Komitet e pati kritikuar këtë veprim të ministrisë së saj. Ndërkohë sipas D.G. partia nuk e kishte harruar edhe këtë të fundit: E pati kritikuar ashpër përse për festimet jubilare të Skënderbeut kishte shkuar në Shqipëri vetëm me lejen e marë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por pa njoftuar partinë.
Doemos në ambasadë mikut të vendit të tyre i besuan. Ca më shumë jo vetëm sepse kishte premtuar të shkruante një libër për Shqipërinë, madje siç të dëshironte e porosiste Tirana. D.G. thoshte se qe marksist-leninist, se revizionizmi ishte dekadencë, se sovjetikët qenë shtet agresor dhe se doemos Shqipëria ishte në udhë të drejtë.
Por do t’i besonin edhe për një fakt tjetër. Në fotografinë e madhe familjare të albanologëve pjesëmarrës në Konferencë e Dytë Albanologjike ai pati dalë bashkë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. Pasi qe kthyer nga Tirana në Budapest ia kishte thënë menjëherë këtë gjë diplomatëve shqiptarë. Me këtë rast u lutej të ndërhynin në Tiranë që t’i vinte një kopje. Në takimin e kryer pas kthimit nga Konferenca e Dytë Albanologjike D.G. pati folur edhe rreth përshtypjeve shumë të mira që kishte nga organizimi i mirë i saj dhe nga vetë Shqipëria. Pati thënë po ashtu se opera “Skënderbeu” nuk qe përpunuar mirë, ndërsa baleti “Halili dhe Hajria” i pati pëlqyer shumë. Në atë takim të kryer në ditën e fundit të janarit 1968 D.G. pati thënë po ashtu se kur qe në Tiranë i Ngarkuari me Punë i Hungarisë e pati pyetur nëse kishte ndonjë nevojë, por ky i kishte kthyer përgjigjen “Jo”. Ndërkohë shpjegoi se kur ishte kthyer në Budapest që të nesërmen i patën ardhur në shtëpi njerëz të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e kishin pyetur për ditëqëndrimin e tij në Shqipëri. Sipas tij ky u qe përgjigjur se çdo gjë pati kaluar mirë. Ndërkohë kishte theksuar se nga këto presione nuk tutej dhe se për vizitën e tij në Shqipëri do të mbante një konferencë shtypi në vetë ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

ooo

Muajt kalonin dhe përherë e më shumë po bëhej e qartë se D.G. përpos ndonjë mbivlerësimi të vetvetes mund të ishte një bashkëpunëtor aktiv i shërbimit të jashtëm hungarez. Një rast ai pati pohuar se për udhëtimin e tij për të marë pjesë në Konferencën e Dytë Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut kjo ministri i pati ofruar 400 dollarë. Gjithnjë sipas tij ai i kishte refuzuar me shprehjen “Unë jam mik i shqiptarëve”. Ministria e Punëve të Jashtme të Hungarisë i kishte bërë po ashtu edhe propozimin që me rastin e përurimit në Tiranë të monumentit të Skënderbeut në emër të Akademisë së Shkencave të Hungarisë të vendoste atje një kurorë, por edhe këtë e pati refuzuar. Sipas tij pas kthimit nga Shqipëria pati pranuar vetëm një propozim: atë të krijimit në Budapest, nën kujdesin e MPJ hungareze, të një instituti albanologjik. Sipas D.G. me këtë nismë të tyre do të qe dakort nëse ky institut do të merrej vetëm me kërkime shkencore dhe në përbërjen e tij do ta inkuadronte edhe atë.
Kishte edhe një hollësi tjetër: Në ministri atij i patën bërë pyetjen në se merrte përsipër të përfaqësonte Hungarinë në Shqipëri, domethënë të vinte me punë në ambasadën hungareze në Tiranë dhe atje të angazhohej në normalizimin e marëdhënieve mes Shqipërisë dhe Hungarisë. D.G. u qe përgjigjur se çdo njeri që të vejë në Tiranë nuk mund t’i normalizojë marrëdhëniet me Shqipërinë për arsyen e thjeshtë se në mes të dy vendeve ka kontradikta në parimet kryesore.
Kështu në Budapest për diplomatët shqiptarë të kohës ishte e qartë se hungarezët po bënin përçapje për afrim mes dy vendeve. Madje ata e informonin qëndrën se edhe ambasadori rumun në Hungari një ditë u qe drejtuar qëllimqartë me fjalët “Përse ju shqiptarët nuk e sillni ambasadorin në Hungari?”
Ditët e fundshkurtit, të marsit dhe të prillit në Budapest kaluan me tensione të brendshme. Ilegalisht shpërndaheshin shumë trakte kundër sovjetikëve, madje në njërin prej tyre thuhej se ishte koha për të përsëritur një kryengritje tjetër të armatosur. D.G. këto ngjarje në takimet e tij të përmuajshme në ambasadën shqiptare i interpretonte edhe si dyshime të Ministrisë së Punëve të Brendshme mos njëri prej drejtimeve të ndërhyrjes qe Shqipëria.
Në maj tha se kërkonte leje për të shkruar në hungarisht një artikull pozitiv për një libër letrar me autorë shqiptarë të botuar në Prishtinë. Kishte thënë po ashtu se një vizitë e Titos për në Budapest qe anulluar. Pati dhënë edhe opinionet e tij për zhvillimet më të fundit politike dhe ekonomike në Rumani e Bullgari.
D.G. po ashtu u kishte deklaruar diplomatëve shqiptarë se në qershor do të shkonte në Austri për t’u takuar me profesorin vendas T. Do të shkëmbente mendime për disa çështje të historisë së Shqipërisë, prandaj edhe kërkonte që në Vjenë të ndihmohej nga shokë kompetentë të ambasadës shqiptare të takonte atje sa më shumë miq. Pyetjes se për çfarë temash bisede kërkonte kontakte D.G. i qe përgjigjur se shumë nga problemet që kishte nuk mund t’i bisedonte aty. La të kuptohej se druhej mos nëpërmjet mikroaparaturave e regjistronte shërbimi i fshehtë hungarez.
Kjo sjellje e fundit ua rriti dyshimin diplomatëve të Tiranës në Budapest se mos i gjithë synimi i D.G, nëpërmjet gjoja bisedave të temave historike me austriakë miq të Shqipërisë ishte të identifikonte ata bashkëpunëtorë që kishte ambasada dhe që në Vjenë punonin në drejtim të Hungarisë.
Por edhe po të mos qe kështu ata nuk harronin një pohim të D.G, thënë para se të shkonte në Tiranë për të marë pjesë në Konferencën e Dytë Albanologjike për Gjergj Kastriot Skënderbeun, se në rast se këtu ndodhte që studjuesit gjermanë dhe austriakë do të lavdëronin Franc Baron von Nopçan ai do t’u thoshte me fakte shokëve shqiptarë se ky kishte qënë agjent hungarez në shërbim të perandorisë austriake dhe se në atë kohë pati ndihmuar në pushtimin austriak të Shqipërisë. Sipas tij do t’u deklaronte në Tiranë studjuesve se Nopça i nxiste malazezët kundër shqiptarëve duke i armatosur me pushkë dhe po në të njëjtën mënyrë vepronte edhe me shqiptarët kundër malazezëve.
Në rrethana të tilla nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ambasadës së saj në Vjenë me postë të mbyllur iu dërgua një shpjegim i shkurtërt rreth albanologut D.G. si edhe porosia që të pritej korektësisht, të dëgjohej, por të mos merrej përsipër asgjë. Kjo donte të thoshte të mos i jepej asnjë lidhje. Në ato pak radhë vihej në dukje se në Konferencën e Dytë Albanologjike për Skënderbeun ai nuk kishte marrë pjesë me ndonjë opinion. Mesazhi i mbyllur përfundonte me porosinë se “Po të vijë na informoni hollësisht!”.

ooo

Në gusht ndodhi agresion sovjetik kundër “pranverës së Pragës” dhe e gjithë bota u trondit. Mjaft parti komuniste dhe personalitete të majta në perëndim të Evropës nisën të ndaheshin përfundimisht me regjimin stalinist të Moskës. Tirana hyri në alarm mos një sulm i tillë do ta pësonte edhe ajo, gjë që nuk ndodhi sepse sovjetikët synonin të mbyllnin një pranverë demokratizimi dhe jo të prishnin një kala të vetë stalinizmit, siç atë kohë qe vendi ynë.
Në takimin e radhës D.G. tha se në Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit të tij kishin ardhur nga Jugosllavia materiale që flitnin për Shqipërinë. Vinte në dukje se ato qenë dhënë për t’u përkthyer dhe premtonte se pasi t’i shihte do t’i informonte se çfarë përmbanin.
Pas takimit të shtatorit njeriu që mbahej për albanolog, studjues i historisë shqiptare dhe i Gjergj Kastriotit, tha se kohët e fundit policia hungareze ishte në lëvizje të madhe për grumbullimin e një broshure në gjuhë të huaja të titulluar “Karnavalet e Budapestit”. Ajo qe shpërndarë ilegalisht në sasi mjaft të madhe. Sipas tij policia kishte pyetur edhe në bibliotekën ku ai punonte nëse kjo broshurë u qe postuar nga Shqipëria
D.G. u tha po ashtu se duke qënë se qe në punë e sipër për të shkruar një libër mbi historinë e Shqipërisë dhe kishte mjaft nevojë të konsultohej në Tiranë, do të rivinte aty sërish. Ndërkohë diplomatëve shqiptarë u pati thënë se në fillim të tetorit do të shkonte në Beograd për të mbajtur disa referate mbi veprimtarinë dhe kërkimet e bibliotekave hungareze në drejtim të kulturës serbe. Për këtë udhëtim, për të mos i ndodhur gjë, do të qe i pajisur me pasaportë diplomatike. Madje për sigurinë e tij ishte porositur edhe ambasada hungareze në Beograd, e cila do ta shoqëronte me diplomatë të saj kudo ku D.G. do të kërkonte të shkonte. Me një lloj vetmburrjeje pati pohuar se në Jugosllavi njihte shumë njerëz me pozitë të lartë, deri edhe inxhinierë që punonin në fabrikën e aeroplanëve reaktivë. Gjatë qëndrimit të tij në këtë vend, kishte thënë, mund të grumbullonte shumë të dhëna sekrete dhe se një shërbim të tillë për atdheun e tij do ta bënte me shumë dëshirë. Mjaftonte ta dëmtonte sa më shumë Titon.
Ndërkohë ishte mësuar se atë shtator D.G. fëmijën e tij të vetme, vajzë, e kishte regjistruar për të vazhduar studimet e larta në Leningrad. Kuriozëve u kishte dhënë shpjegimin se fakulteti që i kërkonte e bija, fotokimia, gjendej vetëm në Bashkimin Sovjetik dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja me D.G. vijon edhe më tej, por po të vazhdojmë, më shumë se çështje për të nxjerrë një mesazh ajo do të shndërrohet në temë kuriozësh apo edhe amatorësh subjektesh policeske. Duke e mbyllur këtu rëndësi ka që kushdo i interesuar për të mësuar në se personashi i shkrimit tonë ka qënë vërtet albanolog me objekt studimi historinë e Shqipërisë dhe asaj të Skënderbeut le ta verifikojë.
Do të mjaftonte një libër në skedarët e Bibliotekës Kombëtare apo emri i tij i cituar në veprat e ndryshme të albanologëve të vërtetë.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com