Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Çfarë ka shtylla kombi i shqiptarëve, i gjen tek “Illyria”


Botuar në “Illyria”, Nju Jork, më 12 dhjetor 2008

Kësaj radhe disa nga të përditshmet e Tiranës lajmin e kishin nxjerrë në faqen e parë. Pak a shumë ai formulohej në një mënyrë të përafërt me thirrjen e gëzuar “Gazeta më e madhe në botë!” E kishin fjalën për botimin special të “Illyria”, atë për 28 Nëntorin 2008.
Patjetër ka edhe ca padije në këtë duartrokitje entuziazmi, sepse bota është tepër e madhe dhe një gazetë me 280 faqe, sa edhe “Illyria” kësaj here doli, për raste të veçanta patjetër do të jetë publikuar. Mirëpo nuk ishte ky mesazhi dhe meraku i parë që të përditshmet e Tiranës donin të transmentonin për opinionin publik vendas. Ato dëshironin të përhapnin ndjenjën e krenarisë, idenë se çfarë mund të bëjmë ne shqiptarët. Me siguri bashkëkombasit tanë në Amerikë e kanë dëgjuar humorin e vetemërtimit që ndonjëherë i kemi vënë ne këtej, nga viset tona, trojeve amtare. I kemi quajtur Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë.
Ky është i gjithë lezeti i vetthumbimit tonë gazmor, por edhe thelbi i të gjithave ç’janë karakteristika arbërore. Ne kemi diasporë numerike më të madhe në Greqi dhe në Itali, por në SHBA, në aleatin më të fortë, gjendet më e fuqishmja e saj. Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Ne shqiptarët kemi joshje për të qënë në qendër të vëmendjes, por jo përherë me punë të bëra lëmsh. Duam ta gëzojmë këtë vetpërkëdhelim edhe me gjëra të mira. Njëra prej tyre është dëshira për të qënë të fortë.
Dëshmitë e kësaj cilësie nuk kemi përse t’i numërojmë. Mjafton të citojmë vetëm “Illyria”. Ajo është gazetë e fortë.
E fortë jo se ka qindra faqe, por sepse në numrat e saj specialë të Ditës së Flamurit në çdo kend të saj mund të gjesh “adn”-në shqiptare. Është krejt e paprishur, madje e rigjeneruar.
I nderuar botues i “Illyria”, këtë kënaqësi të madhe, që të ndihemi të fortë e të përtërirë, me edicionin e 28 Nentorit 2008 na e dhatë dhe u jemi mirënjohës. Ismail Kadare në numrin special të një viti më parë, duke shkruar për librin “Shqiptarët e Amerikës” të Vehbi Barjamit, e cilësonte atë si “librin total”. “Gazetë totale” ishte edhe ai botim i “Illyria” për Ditën e Flamurit 2008.
Fjalë të gëzuara mund të përcjellim që nga Tirana edhe për redaksinë, edhe për bashkëpunëtorët që ka e vetë kolegjiumin, por për të gjithë simbolikisht po i dërgojmë një përqafim vëllazëror Dalip Grecës. Bashkë me botuesin ata përbëjnë një çift pune që nuk do të dalë i harruar nga historia moderne e arbërve.
Dy vite më parë me dyqind faqe dhe tashmë me dyqind e tetëdhjetë do të thotë se ke shumë për të thënë. “Illyria” edhe kësaj radhe për arsyen e saj më të denjë në botë, përvjetorin e pavarësimit të shtetit shqiptar, ka thënë shumë e megjithatë shumë i mbeten ende pa i shkruar. Kjo ndodh jo nga ideja e zbrazësisë dhe e mungesës, por e të kundërtës, mënçurisë për të komunikuar me lexuesin nëpërmjet diturisë. Vetëm dituria të jap ndjenjën e pafundësisë, përmasën e vërtetë të gjërave.
Pikërisht për këtë vetndjerje e vetprogramim kombëtar kemi urgjencë ne shqiptarët, kudo ku ndodhemi. Ne kemi nevojë të jemi të bashkuar dhe këtë vlerë që ka provuar sa largëpamëse është, nuk mund ta kryejë të plotë veç dituria, kultura, qytetërimi. Në një mesazh që i patëm dërguar redaksisë pak ditë më parë e cilësuam këtë botim si enciklopedi. Nuk e kërkova atë fjalë, më erdhi vetë. M’u imponua. Gjithë kohën që e shfletoja, më dukej se në duar nuk mbaja thjesht palët e një flamuri kuq e zi, por librat, fotot, dokumentat, dëshmitë e shkruara të një arkive e biblioteke të tërë.
“Illyria” me prirjen e saj për të kumtuar dituri po na ndihmon shumë të dalim nga modeli folklorik i festimit të jubileut të 28 Nentorit.
Vërtet që jemi ende shumë prapa popujve të tjerë të zhvilluar dhe këtë gjë më mirë se kushdo e dinë bashkëkombasit tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veç ja ku është edhe fuqia e tyre, tek kjo vetëdijë. Jo vetëm gjeneratat e mëparshme të mërgimtarëve kanë bërë aty emër dhe kanë kapur lartësi, por edhe në vetëm tetëmbëdhjetë vite brezi i ri i diasporës dëshmon se ka forcë vrullimi për të arritur akoma më shumë. Sa mirë bën “Illyria” që publikon rritje personalitesh shqiptare, shtrirje të tyre gjer në qëndrat e institucionet më prestigjoze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tituj shkencorë që marrin e botime librash! Gjer edhe krijimtari letrare kanë botuar edicionet impresionuese, mbi dyqindfaqëshe, të kësaj gazete kampione.
“Illyria” është komb më vete. Me kujdesin që tregon për historinë ajo nuk të bën të ndjehesh i paemocionuar me gjërat e reja nga Ismail Qemali, Faik Konica dhe Fan Noli, nga “Vatra” apo “Dielli”, nga vetë tradita ilire dhe zhvillimet më të fundit, nga Kosova dhe Çamëria. Në asnjë numër nuk të mungojnë kurrë Skënderbeu dhe Nënë Tereza. Çfarë ka shtylla kombi i shqiptarëve janë te “Illyria”.
Ka edhe një cilësi tjetër. Tek ky edicion marramëndës, të përshendetur në Shqipëri pothuaj “me të shtëna topi” (“Gazeta më e madhe në botë!”), gjen pothuaj të gjitha të dhënat e nevojshme për diasporën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka më të bukura se ato reklama bashkësish, bisnesesh, familjesh dhe individësh që urojnë për Ditën e Flamurit. Ato sigurisht që nuk janë e nuk mund të jenë gratis, por sa e bukur qënka që ashtu kanë gjetur rastin fisnik të japin të gjithë kontributin e tyre për ta nxjerrë këtë botim shumë i veçantë.
Sa janë të gjithë emrat që përmban ai botim? Disa qindra? Vetëm në redaksi mund t’i dinë, ndoshta, por ne besojmë se janë me mijra.
Kjo është ndjenja e fuqisë që të përcjell ky edicion special.
Kjo gazetë-Flamur.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com