Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Flamur kombëtar e lotë malli në Trieste


Botuar në gazetën “Shqip” më 28 nëntor 2008

Të takohesh për herë të parë me Triesten është njëlloj si të ngjasë kjo me një ëndërr që edhe kur të bëhet realitet të duket se sërish është thjesht një vegim. Në stacionin e trenit të qytetit, ku sapo kemi zbarkuar, tek sa shoh brenda tij bustin e inxhinierit të talentuar me origjinë shqiptare Karl Gega, më trazojnë emocionet. Në vetëdijen time Trieste ka qënë përfytyruar, po të thuhet më e pakta, si qyteti më i madh i huaj në Adriatik që ka patur banorë të vet më shumë nga bashkëkombasit tanë. Po ashtu edhe si baza më e madhe mbështetëse jashtë vendit për aktin e pavarësimit të Shqipërisë. Koha dhe mënyra se si ecim pa parë mirë as prapa dhe as para ka bërë që në kujtesën tonë kombëtare dhe në librat ku orientohet gjenerata e shqiptarëve të vitit dymijë të zvenitet kjo e vërtetë e madhe historike. Kur ndodhi ndërhyrja e NATO-s për Kosovën gazeta e atij qyteti, por që në Itali ka shtrirje kombëtare, “Il Piccolo”, si edhe disa intelektualë të dëgjuar të saj, na u gjendën aq shumë afër sa që është vështirë t’ua përcjellim të plotë e të vetndjerë këtë opinion edhe lexuesve. Duhej të ishe jashtë vendit ta kuptoje.
Pastaj, për të thënë edhe një lidhje pothuaj intime, në atë rëmbushje emocionesh në stacionin e trenit në Trieste kisha edhe një arsye tjetër: në vetëdijen e shumë të moshuarve të qytetit tim të Beratit Triestja mbetet emri urban më i cituar.
Me dy motrat Stefa, Elda dhe Parashqevia, të cilat jetojnë këtu prej shumë vitesh e patëm lënë të takoheshim në sheshin e vogël para stacionit. Kur më në fund ato u shfaqën përtej rrugës së gjërë dhe përshendetën hareshëm me dorë, doemos Triestja na u bë edhe më e bukur. Për të ardhur deri tek ne dy motrave Stefa u duhej të kalonin një nëntokësore, prandaj i pritëm edhe dy-tre minuta të tjera. Elda është shtatë dekadëshe, por mbahet mirë. Parashqevia ose siç në Berat përherë e kemi thirrur Tina, shumë më e vogël, një ish-basketbolliste elegante. Janë gra me kurajë dhe natyra të gëzueshme.
Të parën gjë që motrat Stefa thanë sapo u takuam ishte “Do të të çojmë të shohësh edhe rrugën “Karl Riter von Gega”. Projektuesi i korridorit tunelor të famshëm të Semeringut (41 km e gjatë, 15 tunele, 17 ura), është këtu “pasaporta” e shqiptarëve. Me talentin e tij ai realizoi daljen e Perandorisë Austro-Hungareze në detin Adriatik. Kështu ajo u bë fuqi e madhe e perëndimore. Kjo rezultoi edhe fat për ne, sidomos në momentet e tona më të vështira, ato të mëvetësimit si shtet i pavarur.

ooo

Arkeologu Sali Hidri ka botuar sëfundi një libër për Aleksandër Moisiun dhe dëshmon se aktori i shquar, edhe pse ka kaluar disa vite të fëminisë në Shqipëri (në Durrës), ka lindur në Trieste. Studjuesi Hidri provat i ka si çdo shkencëtar në profesionin e vet: paraqet aktin e pagëzimit të Aleksandër Moisiut të kryer nga Kisha Ortodokse Greko-Lindore e këtij qyteti. Pastaj dëshmon një për një edhe të dhjetë shtëpitë ku familja Moisiu ka jetuar me qera. Kështu Triestja është edhe vendlindja e bashkëkombasit tonë me famë botërore, atij që deklaroi në mënyrë lapidare se nuk qe triestin, por “Në dejet e mia rrjedh gjak shqiptari”.
Në këtë libër rinovues intelektuali Sali Hidri ka publikuar edhe një fragment nga gazeta “Il Piccolo” e vitit 1904. Në të thuhet “Ka disa vite që nuk po shohim më, më mirë të themi se nuk po shohim më kostumin e pasur e të bukur kombëtar. Të moshuarit e kujtojnë mirë, por edhe ata që janë më të rinj e ruajnë të gjallë në kujtesë përshtypjen ende të afërt për ata shqiptarë aq të pashëm, të dalluar si për forcë fizike dhe për shkëlqimin karakteristik të veshjes. Ata vinin këtu deri në fundin e shekullit të kaluar për të bërë tregëti...dhe dukeshin si monumente të gjalla të atij tregu kozmopolit, siç ishte Triestja në shekuj”.
Midis tyre kanë qënë edhe vëllezërit Gjergj e Kozma Stefa. Në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë në sanxhakun e Beratit qenë ndër patriotët më në zë, veçanërisht Gjergji. Figura e tij e veçantë nuk i shpëtoi edhe nënkonsullit francez Ners në qendrën e sanxhakut, në Janinë. Më 1878 ai i raportonte shefave të tij në Paris se “Shqiptarët e Beratit duan ndarje nga Turqia…Një rol drejtues dhe komandues luan dhe kapedani trim Gjergj Stefa”. Më 23 qershor 1880, tashmë në cilësinë e kryetarit të degës së Lidhjes së Prizrenit për qytetin, ai dhe bashkëluftëtarë të tij i dërguan Berlinit një telegram proteste kundër ndarjes së tokave shqiptare shteteve fqinjë. Për këtë ndjenjë të thellë patriotizmi në 5 qershor 1978 ai u dekorua nga atëhere Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas njëqind vitesh të shihje se si valët e jetës, aspak për të bërë tregëti, por thjesht për të jetuar pak më mirë, e hodhën familjen Stefa në Trieste, nuk duket aq fort rastësi. Është një traditë, e cila edhe pse tani nuk dallohet e në mos është harruar, vepron vetë në shtysat që u jep njerëzve. Kur Gjergj Stefa për të bërë tregëti në Trieste merrte në Durrës vaporin e pasagjerëve të agjensisë austriake “Lloyd”, e cila ndalonte në atë port vetëm njëherë në pesëmbëdhjetë ditë, ajo qe qendra më e mëdha adriatikase proshqiptare. Kjo ishte edhe një nga arsyet përse ai shkonte atje i veshur me kostum kombëtar. Kjo donte të thoshte në trup jo frak e kapele borselinë, por fustanellë, opinga me xhufkë të kuqe, festën e bardhë përmbi flokë dhe në brez të ngjeshur një jatagan.
Kur Elda Stefa pati rastin të takohej me një funksionar të lartë të qytetit të Triestes dhe ia tha se aty me kostum kombëtar me dhjetra herë kishte ardhur edhe stërgjyshi i saj, ai në fillim, nga mrekullimi, nuk e besoi dot. I pohoi menjëherë se në kujtesën historike të qytetit qenë fiksuar pikërisht ashtu. Prej banorëve apo frekuentuesve shumëkombësh të Triestes këtë gjë e bënin vetëm shqiptarët. Më 1850 studjuesi gjerman Georg fon Han kishte shkruar “Tregëtarët beratas e durrsakë kanë magazinat në Durrës, ndërsa në Trieste kanë nga një agjent që blen dhe shet me shumicë. Edhe në Berat kanë nga një degë të tyre, e cila shet me pakicë dhe blen prodhimet e vendit”. Më pas në bisedë me triestinin e lartë Elda e pati çuar edhe më tej mendimin duke i thënë se kjo qe meritë edhe e vetë qytetit. Ishte ai që i donte shqiptarët ashtu, me në trup veshjen e tyre kombëtare.

ooo

Triestja në historinë tonë është një lloj Vlore. Këtu Ismail Qemali më 20 nëntor 1912, edhe pse qendroi vetëm dy orë, i dha një intervistë gazetës “Il Piccolo”. Ishte më e rëndësishmja që kishte dhënë deri atëhere. Kishte kërkuar që kjo të ndodhte, sepse sa më shpejt duhej të bëhej publik vendimi për të shpallur mëvetësimin e Shqipërisë. Jo çdo orë, por tashmë çdo minutë ishte e vendimtare. Vendi i gjithë po pushtohej nga fqinjët shovenë dhe hapësira e lirë, atje ku të paktën mund të ngrije një flamur e bëje publikisht shpalljen e pavarësimit, ishte ngushtuar gjer në marrje fryme.
“Il Piccolo” për këtë arsye edhe e titulloi intervistën me të “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është e pashmangshme”. Në të vërtetë ajo fjalë që në italisht redaksia ka përdorur për “e pashmangshme”, shumë lehtë mund të kuptohet edhe si “e pashtyeshme më”.
Ja edhe pjesa më e madhe e tekstit të saj prekës:
“Intervista jonë me Ismail Qemalin.
Dje në mëngjez mbërriti në qyteti tonë direkt nga Vjena kryetari i partisë indipendentiste shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora. Bashkë me të udhëtonin edhe katërmbëdhjetë fisnikë të shquar shqiptarë. Ai u prit në stacionin e trenit nga i riu Marko Kakariqi, drejtues këtu i shqiptarëve, i njohur për studimet e tij për çështjen shqiptare dhe nga më të spikaturit e “kolonisë”. Ismail Qemali zbriti nga “Excelsior Palace-Hotel” për të bërë një qëndrim vetëm disa orësh dhe në dy të pasdites u nis me piroskafin “Brûnn” drejt për së drejti në Shqipëri. Redaktori ynë, i ndërmjetësuar mirësjellshëm nga zoti Marko Kakariqi, pati me Ismail Qemalin një bisedë të shkurtër”.
Në vijim pyetjeve të gazetarit bashkëkombasi që ato çaste po bënte historinë, iu përgjegj se në Trieste “do të rrinte vetëm dy orë sa për të takuar ndonjë mik dhe ngrënë pak bukë” dhe se “Piroskafi për ku po udhëtoj sipas regullave të tij nuk bën ndalesë në portin ku unë dua të zbres, prandaj duam me mirësjellje t’i kërkojmë drejtuesve të “Lloyd” lejen për një ndalim të jashtzakonshëm. Po shkoj në Durrës”.
Pyetjes se ky port tashmë qe rrethuar nga serbët Ismail Qemali i dha përgjigjen e vendosur “Nuk besoj se serbët do të mbërrijnë para meje”. Pastaj menjëherë “Në Durrës po më presin me ankth”.
Ndërsa gazetari triestin ngulmon të dijë se pas mbërritjes së tij çfarë do të ndodhte në Shqipëri, ky i tha vullnetfortë “Një gjë e thjeshtë, por prej nesh me shumë zjarr e pritur si “Shpallja e pavarësisë” së atdheut tonë”. Rrufeshëm më pas “Ne duhet t’i përgatisim Evropës faktin e kryer. Do të ngrihet një qeveri e përkohshme dhe mbase atë do ta drejtoj unë”.
Pyetjes së gazetarit të “Il Piccolo” “Janë dakort edhe të tjerët, malësorët, mirditorët?” Ismail Qemali i vuri përballë përgjigjen “Ju siguroj se të gjithë për idenë e pavarësisë jemi të një mendjeje”.
Intervista mbyllej me opinionin e gazetarit triestin se “kishte folur me një njeri me mendje të kthjellët, energjik dhe apostull i zjarrtë i kauzës së tij”.
Pasi kishte përfunduar takimet në Budapest dhe në Vjenë e pati siguruar përveç Italisë edhe mbështetjen e akoma fuqisë së madhe të kohës, Perandorisë Austro-Hungareze, Ismail Qemali deklaratën e parë për fillimin e aktit madhor të shqiptarëve të shpalljes së pavarësisë së tyre e bëri në Trieste. Ja përse ky qytet nuk mund të jetë në hartën e Evropës një si gjithë të tjerët. Ajo është Vlora jonë e parë.
Dhe nuk do të qe vetëm kaq. Në një deri katër mars 1913 në këtë qytet u mbajt edhe Kongresi i Triestes. Ishte një tubim i madh shqiptarësh të ardhur nga të gjitha anët e vendit. Mes gjithë qyteteve të huaja nga bashkëkombasit tanë të kohës Triestja u zgjodh edhe sepse ishte porti më i rrahur nga shqiptarët si edhe qe jashtë ndikimeve të korenteve politike. Ishte i pari manifestim i madh ndërkombëtar i mbajtur pas 28 nëntorit 1912. Qenë momente shumë të vështira, jetike për fatin e shtetit tonë të porsalindur. Atij po i ngushtohej teritori gjer në një të pestën e asaj hapësire që ka sot Shqipëria. Qeveria e Përkohshme po mbytej. Të 130 delegatët që u mblodhën në orën 10.30 në sallën me flamuj shqiptarë, austriakë dhe italianë të sallonit “Tina di Lorenzo” në pallatin “Dreher”, i kërkuan fuqive të mëdha dhe opinionit ndërkombëtar t’i lejonin të ngrinin shtetin e tyre të pavarur politikisht dhe ekonomikisht duke bashkuar të gjitha trojet e shqiptarëve.
Figura një e atij kongresi qe Faik Konica.
Edhe kësaj radhe “Il Piccolo” bëri sa mundi që alarmi dhe kushtrimi për të shpëtuar Shqipërinë të shpërndahej në të gjithë kontinentin e të shkonte gjer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ooo

Mësuesja e Popullit Eleni Stefa, e shpallur si e tillë vetëm pas rënies së diktaturës, jeton edhe ajo në Trieste. I ka kapërxyer të nëntëdhjetat e megjithatë mbahet. Përherë ka patur këtë pamje e sjellje dinjitareje. Enver Hoxhën do ta shihte në jetën e saj vetëm njëherë, para lufte, në qytetin e Barit. Nga jashtë i kishte bërë përshtypje të mirë edukata e tij dhe hijeshia fizike. “Takimi” i dytë me të do të ishte krejt e kundërta. Natën e 8 shtatorit 1946 të shoqin e saj Kostaq Stefa të dërguar të pushtetit komunist lokal e morën nga shtëpia dhe nuk e sollën më. Më 3 mars 1948, që dramatikisht ishte edhe viti i parë i lindjes së Parashqevisë, u pushkatua dhe u varros në një vend që nuk u bë i ditur kurrë. Ai u zbulua vetëm në janar 1993. Ishte në periferinë lindore të Beratit, vetë i katërtë. Qenë eshtrat e një baba Teqeje, të një avokati ish-deputet, të një nëpunësi bashkie dhe ai, Kostaqi, siç atë kohë e thërritnin “profesori”. Kockat e gjetura tregonin se para se ta vrisnin e kishte patur krahun të thyer. Dëshmitari i vetëm i atyre çasteve, i cili më në fund pas rënies së diktaturës foli, pohoi: “Ndërsa të katër trupat kishin rënë përtokë të pa jetë policët që shtinë mbi ta nisën të luanin me çallmën e babait të Teqesë si të qe top futbolli”.
Të gjithë Stefat janë në Trieste, përveç Alfredit, mësuesit të mënçur e aq shumë komunikues, i cili para vitit nëntëdhjetë përfundoi në prerës faturash të shërbimit të atëhershëm komunal. Ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur pesë vite pasi iku regjimi që e mundoi. Qe burrë i bukur dhe shpirtbutë, i edukuar si të kishte lindur në zemër të Evropës. Në Trieste është edhe Vangjeli, djali tjetër, njeri që e jetoi hallin e vet të të persekutuarit politik i pafjalë, duke e ndrydhur vuajtjen brenda krahërorit. Triestine tashmë është edhe Vitorja, motra e tretë, një grua e fortë dhe me një mall të patreguar për Shqipërinë, kaq shumë e lidhur me luftën që u bë për çlirimin e Kosovës. Kështu Stefa nuk ka më në qytetin e tyre të lindjes.
Kur rri mes tyre dhe shfleton kujtimet apo ndonjë album familjar të kapit mendimi se si në këtë botë ka ideologji që ta marrin jetën në emër të Flamurit Kombëtar, kur ti në të vërtetë gjithë jetën ke luftuar për të. Stefat kanë qënë e janë flamurmbajtës të Shqipërisë e megjithatë Kostaqin e vranë se na paskej tradhëtuar atdheun!? Kishte mbaruar studimet në Shkollën Teknike Amerikane të Fullcit dhe doemos i donte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty u bë mësues dhe nxënës të tij qenë edhe piktori i mirënjohur Ibrahim Kodra, edhe kryeministri komunist Mehmet Shehu. Në vitin 1927 u zgjodh kryetar i organizatës së parë të boy scouts në Shqipëri. I kthyer në vendlindje, mësues në Berat dhe anëtar i këshillit nacional-çlirimtar të lagjes (më pas do të bëhej kryetar i saj), në mes të vitit 1942 në shtëpinë e Stefajve erdhi ilegalisht Mehmet Shehu. Qëndroi dy ditë e dy netë. Kur u ndanë komunisti i njohur anglofon i tha Kostaqit: “Mos harro, se ne jemi në anën e aleatëve!”
Në librin “Ikja nga Shqipëria” të Agnes J. Mangerich-ut tregohet se si në 8 nëntor të vitit 1943 aeroplani i transportit C-53 me në bord tridhjetë amerikanë, prej tyre trembëdhjetë infermiere lufte, nuk mundi dot të arrinte në Bari, por u ul në periferi të qytetit të Beratit. E kishte detyruar një stuhi e fuqishme dhe ndjekja nga avionët gjuajtës gjermanë Messerschmitt.
Partizanët shqiptarë i ndihmuan amerikanët e humbur, por për këtë u desh një udhëtim i gjatë dhe i rrezikshëm drejt bregdetit. Në male shpërthenin stuhi të forta bore, mitralonin aeroplanë gjermanë dhe bënin prita kolaboracionistët. Gjer sa dolën në bregdet dhe më në fund gjetën një Mision të Inteligjencës Angleze ata i priu Kostaq Stefa. U rikthye në shtëpi vetëm në pasditen e 30 janarit 1944, ndaj të ngrysur. I shtrenguar nga krahët e përmallur të Elenit dhe të fëmijëve tha se qe i lumtur që i kishte shpëtuar amerikanët dhe se për këtë gjë pati marë falenderime jo vetëm nga ata, por edhe prej Mehmet Shehut. Këtij i kishte falur një palë dylbi.
Gjer në orën kur e morën dhe nuk e kthyen në shtëpi Kostaq Stefa nuk kishte kryer asgjë që mund të meritonte qoftë edhe një qortim. I zhgënjyer nga paslufta për çlirim thjesht rikujtoi ëndërrën se patën sakrifikuar për një Shqipëri me të vërtetë të lirë. Simpatia e palëkundur për amerikanët atij i kishte lindur dhe i jetonte për hir të atdheut dhe flamurit të tij kuq e zi. Mirëpo edhe mëmëdheun, tokën e të gjithëve, ka individë dhe ideologji që e pronësojnë sikur është vetëm i tyre. Zhgënjim të madh më parë kishte pësuar edhe i vëllai i tij, Telemak Stefa. Qenë vitet njëzetë të shekullit të shkuar kur ai bashkë me të vëllanë tjetër, Gjergjin, ikën për në Amerikë. Vite të vështira mërgimi: bojaxhi, kamarier. Në kohën e lirë Telemaku ushtroi pasionin e tij të gazetarit. Referoi në Kishën e Shën Pjetrit dhe të Shën Pavlit, qendra patriotike të shqiptarëve të Amerikës në Boston. Të dy vëllezërit u bënë anëtarë të përhershëm të kolegjiumit të gazetës “Liria” si edhe anëtarë të shoqatës “Vatra”. Telemak Stefa qe edhe sekretar pranë Fan Nolit. Nga malli i madh për të afërmit dhe atdheun e tij në vitin 1936 u kthye për të qëndruar në Shqipëri. Sepse ishte fanolist u arrestua nga Ahmet Zogu dhe u internua në Gramsh të Elbasanit. Pas internimit u detyrua të marrë përsëri rrugën e mërgimit për të mos u kthyer më kurrë. Në artikullin e tij “Flamuri” kishte shkruar “Shenja e lirisë, Shenjë që na bashkon kur Atdheu është në rrezik, Shenjë që na dallon në botë si Komb....Të qofsha falë, o Flamur!”
Triestja dikur port i madh i Perandorisë Austro-Hungareze, tani është qytet italian. E megjithatë tek sheh Parashqevinë që në çastin e përcjelljes të përqafon dhe ndërsa makina të largon në qelqin e xhamave të saj dallon lotët e nxehtë të mallit për Shqipërinë të Vitores Stefës, të bëhet se ndërsa kthehesh në Tiranë ke për detyrë t’ua shpërndash bashkëkombasve këtë mesazh: Mos e harroni kurrë që Triestja është qytet i flamurit shqiptar!

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com