Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një miqësi e përjetshme mes Qemal Ataturkut dhe shqiptarit Rushan Bej Iliris


Botuar në revistën “Shqip”, nëntor 2008

Një nga tre letrat e veçanta që kam përpara është shkruar me makinë daktilografimi në Stamboll, në 27 tetor 1935. Më pas ka nisur rrugën për në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Janë përshëndoshje dhe mall që i dërgohen Iliaz Likës. Gjithsej janë vetëm nëntë radhë letër, pothuaj një telegram. Me një bukurshkrim mjaft të hijshëm në letrën drejtuar xhaxhait të tyre në fund firmosin Myzejen Iliris, Muamar Iliris dhe Myzafer Iliris. I gjithë ky vëllim teksti ka zënë vetëm gjysmën e sipërme të kartës së bardhë. Mirëpo surpriza gjendet në gjysmën e poshtme të saj. Si të jenë përpjekur të shkruajnë një poezi me gërmat e rregullta të makinës daktilografike është shënuar:
Iliris-Ilirish,
Kjo fjalë është emri i sojit tonë këtu,
Që na e vuri Ataturku duke thirrur Babanë tonë një natë në pallatet, një muaj e gjysëm më parë.
Shkrojtën edhe Gazetat.
Iliris domethënë:
Diell,
Drit’ë e madhe,
Madhëri, Lumturi,
Soj i madh e i lumtur.
Pasi teksti-poezi këtu mbaron sërish në fund, me bukurshkrim, firmoset Muamar Iliris. Edhe pse për të mësuar hollësitë e tjera do të na duhet të na shpjegojë diçka Ahmet Lika, djali i Iljazit, personi që na ka vënë përpara tre letra të dërguara nga Stambolli si edhe mbi pesëdhjetë foto të shumë dekadave më parë, gjithçka është e qartë. Presidenti turk Qemal Ataturk në mes të shtatorit 1935 ka thirrur posaçërisht në selinë presidenciale (një kompleks pallatesh) dhe me anë të një ceremonie zyrtare një familjeje shqiptare që jeton e punon në Stamboll i ka vënë një mbiemër të ri mjaft simbolik e kuptimplotë. Bashkëkombasit tonë, i cili kishte titullin e lartë të beut dhe quhej Rushan Lika, që prej atij mes shtatori 1935 do të thirrej zyrtarisht me mbiemrin Iliris. Nga gjysma e dytë e shtatorit e deri atë njëzetë e shtatë tetor, kur shkruhej ajo letër malli për në Shqipëri, as Rushan beu dhe as dy djemtë e tij Muamar dhe Myzafer si edhe vajza Myzejen, nuk do ta kishin më mbiemrin Lika. Në të vërtetë ky qe mbiemri i tretë që merrnin. Për sa mbanin mend prej të parëve të tyre i pari mbiemër pati qënë Mullai. Kur fisi u shtua shumë dhe në të gjithë atë tufë qe e vështirë të fitoje një identitet të veçantë, familja e tyre vendosi ta ndërronte dhe e gjetën rrugëdaljen me përshtatjen e emrit të gjyshit të tyre. Ai quhej Iljaz, por shkurt e me përkëdheli e thërritnin Lika. Kështu zgjodhën këtë mbiemër të fundit. Kur Iljazi e dërgoi njërin djalë të tij, Rushanin, në kryeqytetin e perandorisë për të studime ushtarake, mbiemrin ai e kishte akoma Mullai. E mbajti atë për pak kohë dhe pikërisht kur hyri në të mesmen u ndërrua në Lika. Me këtë mbiemër Rushani shkoi në Shkollën e Oficerëve. Këtu u njoh dhe u bë shok shkolle me Qemal Ataturkun dhe miqësia e tyre u shndërrua edhe politike. E vazhduan dhe e forcuan këtë lidhje të sinqertë edhe në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke. Akademinë Rushani e përfundoi shkëlqyeshëm duke fituar gradën e Kapitenit të Shërbimit të Këmbësorisë. Më pas e ndoqi nga pas Ataturkun gjatë gjithë revolucionit qemalist për modernizimin e vendit. Me karierë të rregullt u bë gjeneral dhe me dekret të Presidentit Ataturk u shpall edhe Bej. Më pas do të ndodhte, siç cituam më sipër në këtë shkrim, që kryetari i Republikës Turke t’i jepte në një ceremoni publike mbiemrin Iliris, pra Shqiptari. Më vonë do të ndodhin edhe shumë ngjarje të tjera, të cilat japin një dëshmi të rrallë si mbetën miq e shokë mjaft të ngushtë presidenti dhe reformatori i madh Ataturk, udhëheqësi që edhe tani populli i vet e thërret me më të lartën konsideratë, Baba i Turqisë, me shqiptarin Rushan Bej Iliris. Eshtë një nga miqësitë më të bukura dhe nga më prekëset, e mbushur plot simbole dhe domethënie, një miqësi mesazh që u duhet përcjellë brez pas brezi kujtesës së të dy popujve tanë.

oooo

Para se të bëhej Iliris, pra para se këtë gjest të madh të dëshmisë së dashurisë së tij për shqiptarët presidenti Qemal Ataturk t’ja bënte të ditur të gjithë opinionit publik të atdheut të vet, Rushani kishte arritur karierën e gjeneralit dhe të funksionarit të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke. Shtat lartë dhe elegant, me gjoksin e mbushur me dekorata e shenja gradash, dhënës leksionesh të shkëlqyera edhe në akademi ushtarake jashtë Turqisë, deri edhe në vetë zemrën e traditës ushtarake të kontinentit, në Gjermani, Rushani çdo vit në verë kthehej për disa ditë me pushime në vendlindjen e tij, në Floq të Korçës. Janë provë fotografitë e gëzuara që ai bën me këtë rast dhe që ruhen nga nipi i tij Ahmet Lika. Rushani e donte shumë mëmëdheun e vet, qe njeri i lidhur me Frashëllinjtë. Ndihej patriot dhe e kishte për nder ta quanin të tillë. Gjeneral Rushani nuk mund të rrinte dot i qetë në Stamboll pa e parë me sytë e tij Shqipërinë. Sa herë që vinte në atdhe, në viset ku pati lindur, do të merrej me diçka që do të ishte e dobishme. Duke qënë edhe një liberal i madh, i mbushur me plot dashuri për njerëzit e ideve dhe besimeve të ndryshme, Rushan beu do të ndihmonte me të njëjtin pasion jo vetëm kur në Floq bëhej rruga nga qendra e qytezës deri tek xhamia, por edhe nga kjo qendër drejt kishës. Bashkëvendasit e tij e festonin sëbashku edhe Ramazanin edhe Krishtlindjet. Kur ndodhi njëherë që pa disa myslimanë. të cilët po pritnin dru në korijen e Kishës u tërhoqi veshin, duke u thënë se kishin boll pyll në korijen e xhamisë dhe se po të vazhdonin kështu do të ndikonte në Stamboll të delte një ferman për t’i ndëshkuar që nga shtëpia e parë e myslimanëve deri tek e fundit.
Ahmet Lika, pjesëtari i fisit që na ka vënë në duar dokumentat për ta provuar si të vërtetë miqësinë e ngushtë të shqiptarit Rushan me të madhin Qemal Ataturk, ka jetuar shumicën e jetës së tij në Tiranë, ku prej mësuesit të fiskulturës në Liceun “Jordan Misja” u bë deri edhe shef i fiskulturës së Kufirit. Duket që edhe ai ka gjak ushtaraku si Rushani, po ashtu edhe atdhetari. I jati i tij, Iljazi, prej arkivës personale të të cilit vijnë paketa e dokumentave që kemi në duar, është djalë xhaxhai me Rushanin. I lindur në 18 prill 1913 në fund të viteve njëzetë të shekullit të shkuar ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Ohio, ku në 18 qershor 1941 u bë edhe qytetar i saj. Në SHBA Iljazi, mik me Faik Konicën, drejtoi edhe një shoqatë atdhetare shqiptarësh dhe statusin e saj, Kanunoren siç e thërritnin me shqipen e kohës, ia ka formuluar vetë gjeneral Rushani nga Stambolli.
Shpirti i madh patriotik i Rushan Bej Ilirisit u çmua shumë edhe nga Ahmet Zogu, i cili në fillim të viteve tridhjetë i ofroi postin e ministrit të Luftës në një nga qeveritë e tij. Gjenerali shqiptar në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Turke këtë gjest e çmoi shumë, ia shprehu falenderimet, por edhe i shpjegoi maturisht se këtë detyrë të lartë në atdheun e tij nuk mund ta merrte jo se nuk dëshironte t’i vihej në shërbim Shqipërisë, por nuk gjente dot asnjë arsye të largohej nga të qëndruarit në krah mikut të tij të madh, Qemal Ataturkut. Sqaroi se largimin nuk do t’ja kuptonte dot edhe ky i fundit, i cili bënte çmos që shqiptarit të tij të dashur të mos i mungonte asgjë në Turqi.
Shpirti atdhetar i Rushan Bej Ilirisit ishte aq i madh, i sinqertë dhe i vërtetë, saqë do të shumohej natyrshëm tek tre fëmijtë e tij: Muamari, Myzejeni dhe më i vogli, Myzaferi. Do të rikthehemi në mbarim të këtij shkrimi tek ky i fundit, por për disa çaste do të kumtojmë një fakt interesant. Ndërsa Muamari përfundoi studimet dhe punoi gjithë jetën si inxhinier kimist dhe Myzejeni i doli mbanë me mjaft talent një Konservatori Muzikor për piano, Myzaferi zgjodhi profesionin e diplomatit. Nuk i kishte mbaruar të tridhjetat, kur i martuar me një turke do të emërohej për shumë kohë të punonte në ambasadën e Republikës Turke në Vjenë. Kur doli në pension e ftuan të jepte leksione në universitetin e famshëm të Gracit, ku pati studjuar edhe Aleksandër Moisiu. Kështu mbeti përfundimisht në Austri. Pasi në Shqipëri ra diktatura dhe rrugët u hapën, Ahmet Lika shkoi dhe e takoi kushëririn e tij. Nga takimi i parë u mahnit prej tre gjërave: të folurën e përsosur të shqipes, mallin e dashurinë e madhe që Myzafer Iliris kishte për të parë Shqipërinë dhe se ky i dëshmoi që pati dëgjuar me veshët e tij se si e jëma e Qemal Ataturkut shqiptonte fjalë nga gjuha jonë.
Profesori i universitetit të Gracit dhe diplomati i vjetër i karierës së Republikës Turke nuk është as përralltar dhe as thjesht mendje e rrëmbyer nga fantazia apo nga fabrikimi i sensasioneve. Ai edhe tani është gjallë dhe prej kujtdo mund të pyetet. I biri i Rushan beut është dëshmitar shumë i besueshëm. Qe dymbëdhjetë vjeç kur familjes së tij në ceremoninë e madhe publike iu dha mbiemri Iliris. Ishte i rritur, katërmbëdhjetë vjeç, kur ndodhi ngjarja që do të rrëfejmë më poshtë. Të dy familjet, e Ataturkut dhe e Rushanit, kishin një lidhje mjaft të ngushtë e shkonin shpesh për vizitë tek njëri-tjetri. Pikërisht në këto prani të familjes së tyre në rezidencën e presidentit turk Myzaferi ka dëgjuar mëse njëherë nënën e Ataturkut të fliste me ta edhe në shqip.
Por atë kohë, i ka pohuar në Grac Myzafer Iliris kushëririt të tij të parë Ahmet Lika, të gjithë e dinin që Qemal Ataturku i donte shumë shqiptarët. Në shërbim të tij, deri edhe në raporte tepër të afërta fizikisht, “brenda shtëpisë” ka nënvizuar profesori, jo pak nga personeli qenë njerëz të viseve tona. Themeluesi i shtetit modern turk i vlerësonte shumë shqiptarët për ndjenjën e besnikërisë.

ooo

Ngjarja që do të tregojmë tani është një dasmë e madhe në Stamboll, ku u martua vajza e Rushan beut, Myzejen Iliris. Kopja e letrës dëshmuese që ruan Ahmet Lika nga korespondenca e të jatit, shqiptaro-amerikanit Iljaz, daton 18 shtator 1937. I është drejtuar atij jo nga gjeneral Rushani, por nga dajua i tij, Selmani, vëllai i të shoqes, ardhur në Stamboll prej Shqipërisë për të marë pjesë në këtë gëzim. E hartuar në Stamboll katër ditë më pas nga dasma ajo u nis në tre drejtime: Goskovë, fshati i Selmanit, ku djemtë e tij sapo ta merrnin dhe lexonin duhej ta nisnin për në Floq. Kopja tjetër, duket qartë që është origjinal, vrapoi drejt Ohio në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu na ndihu fati të zotërojmë një dokument të rrallë të miqësisë së madhe të familjes bashkëkombase Iliris (Lika) me Qemal Ataturkun.
Nga që nuk mund ta përshkruajmë dot më bukur se vetë thurrësi shpirt poetik i kësaj letre në pesë faqe të daktilografuara, atmosferën e dëshmisë po ia lëmë disa fragmenteve të saj të drejtpërdrejta: “...Me këtë rast dua t’u tregoj si u bë dasma dhe ç’pashë. Ja unë po i them Muamarit dhe ai po shkruan me makinë. Juve dëgjoni! Bukurinë dhe madhërinë e dasmës nuku do t’ua tregonj dot të tëra, por sa më vinë ndërmend, të tjerat që kam harruar e nuku po ju shkruaj, ua tregoj me gojë kur të vinj.
Që kur kam ardhur këtu e gjer tani afër tre muaj tri çupa terzi kanë qepur në shtëpi përveç atyre të tjerave që ishin porositur të qëndisehin e të qepeshin jashtë në të tjerë terzinj. Kështu u bë hazër paj’ e Myzejenit....15 ditë para dasmës u bë niqahu i Myzejenit në shtëpi të dhëndërit. Vajtmë edhe ne me të afërmit e Rushan beut dhe atje gjetmë njerëzinë e tyre. Vajtmë më dy të ditës. U bë ceremonija që duhet, edhe u bë një zijafet i vogël. Përpara akshamit duallmë dhe gjezdismë bahçen dhe korijen plot me bredha. Kjo korije qe rrotull shtëpisë, jo shtëpi po saraje...Shtëpia ka qënë saraj’ e Nazime Sulltanit, një çupë pe mbreti ka qënë. Tani e kanë blerë dhendëri me dy vëllezërit. Kjo saraj ka 30 oda të mëdha dhe me sallone të mëdhenj...
Pas ca ditësh Rushan beu bëri ca dasma të vogla në shtëpi të tij për ca miq që nuk mund të vinin në dasmën e madhe dhe të fundit. Më 19/8/937, të hënën, u dërgua paja e Myzejenit, me dy kamion dhe me dy automobila.
Tani të nisim nga dasma e fundit.
Rushani kishte ftuar një shumicë të madhe nga parësi’ e Turqisë, veç si juve në Shqipëri edhe ca në Greqi, në Gjermani, në Misir, edhe djemtë në Amerikë.
Më 14/8/937, të shtunë, u bëmë hazër të gjithë, më gjashtë e gjysmë, hipmë të tërë nëpër otomobila, vajtmë në sqelët e Ysqydarit, me pampor duallmë në Istambull. Prej andej gjene hipmë otomobilat, me ora shtatë vajtmë në Tokatlijan Otel. Ky hotel për atë natë ishte paguar me qira (1400 lira tyrqe). Ndodhet në mes të Bejollit. M’i madh otel i Istambullit. Sallonet përposh ishin bashkuar dhe ishte bërë një mejdan i madh sa selishta që kemi neve. Llapste në katër anët.
...Më tetë e gjysmë, domethënë 20 e gjysmë allafranga, zunë të vinin mysafirët. Gjer më 22 allafranga u mbushnë sallonet me njerëzin’ e thirrur, gra, burra. Kishte afër 600 shpirt të ardhur. Në mest të këtyreve erdhi edhe çupa e Atatyrkut...Në orën 22 allafranga erdhi nuseja, domethënë Myzejeni bashkë me dhendërin...
Tamam në orën 24 njoftuan se do të vinte Atatyrku. Ai mezi erdhi në orën një të natës pasi ishte larg Istambullit një sahat me otomobil. Rushan beu, Mynirja, djemtë, nusja me dhenderin e pritën te porta e hotelit. Muzika i binte marshit dhe njerëzia duartrokiste. Sapo zuri vend në trapezë, Qemal Atatyrku mori në të djathtë të tij Rushan beun…Në të mëngjër mori Myzejenin, dhendërin dhe Myniren e pas saj ca ministra. Pasi ngriti një dolli dhe uroi çiftin Atatyrku dancoi me Myzejenë dhe ja dha Rushan beut, i cili pasi bëri danc me çupën e tij e çoi atë te dhendëri për të vazhduar dancin…Dasma u ndez . Të gjithë nisën të loznin danc. Atatyrku u ngrit disa herë e bëri dancim me të tjerët…Atatyrku ndenji deri në orën shtatë e gjysëm allafrënga, pastaj u largua. Sa ishte në dasmë shumë herë u përqafuan me Rushan beun. Ai foli në dasmë, uroi çiftin dhe miqtë, por foli edhe për dashurinë dhe miqësinë që paska patur ai për Rushan beun. Edhe Rushan beu iu përgjegj me një fjalim fort të bukur. Njerëzit që shoqëronin Atatyrkun ishin ministra, deputetë dhe gjeneralë. Atatyrku i dha 1000 lira turke Myzejenit për të blerë ndonjë gjë si dhuratë nga ay…….Llafi i shkurtë është ky: Myzejeni u martua si një bijë pe mbreti…”.

ooo

Tani, në nëntor 2008, në muajin ku gjendet festa e pavarësimit tonë, në Stamboll nuk jetojnë më as Rushan bej Iliris dhe as Muamar e Myzejen. Vitet e fundit të punës Rushani i kaloi në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Korporatës Elektroenergjetike Turke, pastaj një sëmundje e shpejtë e vuri poshtë atë trup të lartë, të drejtë e të fortë si prej një aristokrati ushtarak gjerman. Jeton në Grac vetëm Myzafer Iliris, tashmë tetëdhjetë e tre vjeç. Në Kosovë ia doli të shkonte para vitit nëntëdhjetë, por në atdheun e viset e tij jo. Edhe pse qe diplomat dhe në Stamboll e në Vjenë kishte raporte mjaft të mira me kolegët e tij të asaj kohe nga Shqipëria nuk mundi dot kurrë të marë një vizë hyrjeje. B.Z. që në fillim të viteve tetëdhjetë ka shërbyer në konsullatën tonë në Stamboll, banues në Tiranë, na thotë se Myzaferi u vinte shpesh me kërkesën për të parë atdheun e tij, ne ja përcillnim Ministrisë, por prej saj nuk vinte asnjëherë përgjigje pozitive. “Myzaferi ishte njeri shumë i përsosur”, këmbëngul, “E donte shumë atdheun e tij. Kur merrte përgjigjen mohuese na thoshte gjithë brengë “Pse të mos vij unë në Shqipëri? Unë shqiptar jam, nga ky vend jam”.
Në vitin 1960 iu dha leja për gjashtë muaj qëndrimi në atdheun e tij edhe Iljaz Likës, por pas një jave në vendlindje i dhanë njëzetë e katër kohë që ikte për në SHBA. Arsyeja që i nxorën: u kishte shpërndarë në publik karamele amerikane disa fëmijëve. “Ne kemi karamelet tona”!, e kishin akuzuar.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com