Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ramiz Alia, përballë apo pas Enver Hoxhës?


Botuar në gazetën “Shqip”, më 2 nëntor 2008

Ishte mars 1992 kur u bë e ditur se atë kohë Presidenti i Republikës, Ramiz Alia, kishte botuar në gjuhën italiane një libër. Titullohej “Shqipëria dje dhe sot” (“Albania ieri e oggi”). Në të vërtetë qe një intervistë e gjatë që i kishte bërë gazetari Lino de Matteis. Atje njeriu, i cili pati parë nga shumë afër një gjysëm shekulli të historisë së trazuar shqiptare, duke nisur nga ditët e para të rezistencës së armatosur kundër pushtimit fashist, gjithë humbellën e regjimit komunist dhe vetë fillimin e shoqërisë së hapur e të pluralizmit politik, jep në mënyrë shumë të qartë edhe opinionin e tij për të gjithë këtë periudhë. Mes të tjerash, si pasojë edhe e kembënguljes së gazetarit italian, Ramiz Alia shpreh gjykime të tij edhe për Enver Hoxhën. Madje në libër për këtë gjë ka një kapitull të veçantë.
Ishte 12 tetor 2008 kur në një sallë të Prishtinës, mes festuesve të njëqindvjetorit të diktatorit, Ramiz Alia bëri sërish publike analizën që i ka bërë pasojës së rolit të Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë.
Mes të dy ngjarjeve kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vite.
Është një kohë e mjaftueshme për të parë çfarë ka ndryshuar apo ka mbetur e pa lëvizur në gjykimin personal të njërit prej protagonistëve më të mëdhenj politikë të vendit. Të gjithë kemi ritme të ndryshme lëvizjeje e ndryshimi, ecjeje përpara apo mbetjeje prapa. Ramiz Alia ka qënë një prej pak drejtuesve komunistë që në vitet tetëdhjetë fliste për ritmin e madh të grumbullimit të informacionit e dijes në botë dhe se ne, atëhere konsumatorët e doktrinuar të kohës, duhej të studjonin e ecnim sa më shpejt. Po ku të ecnim? E gjithë shoqëria që vendosur shtrembër. Për hir të sistemit politik të zgjedhur gabimisht e padrejtësisht ndodheshim në rripat metalikë të një shkalle lëvizëse që bënte vetëm mbrapsht.

ooo

Në Prishtinë, në Kosovën tashmë shtet i pavarur, në një nga kryeqytetet më të hapura të Ballkanit dhe ku gjithçka është nën sytë e ndërkombëtarëve, para akoma besuesve të Enver Hoxhës, ish-Presidenti i momentit të parë të kalimit nga diktatura në shoqërinë e hapur shqiptoi në fjalimin e tij diçka më tepër se dy mijë fjalë. Është një sasi e mjaftueshme për të komunikuar gjithçka thelbësore që kërkon ta bësh publike.
Kështu Ramiz Alia tha para të gjithëve se “E. Hoxha të gjithë jetën e tij ia kushtoi Shqipërisë, lirisë, pavarësisë e përparimit të saj”, se “Gjatë një gjysmë shekulli ai udhëhoqi popullin shqiptar në betejat e mëdha për çlirimin kombëtar e progresin shoqëror”, se “E. Hoxha përfaqëson një personalitet madhor të historisë sonë kombëtare”.
Në fraza të tjera u rreshtuan edhe gjykimet e tij se “qëndresa ndaj diktateve e politikave social-imperialiste përbën një nga faqet e ndritura të pavarësisë dhe integritetit tonë kombëtar”, “Asnjëherë Shqipëria nuk e gëzoi dhe përjetoi realisht pavarësinë e saj sa në epokën që mban emrin e Enver Hoxhës”, “Ngriti dhe forcoi si asnjëherë, në shkallën më të lartë, ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare, besimin në forcat e veta, në vazhdën e mësimeve të Rilindësve”, “Idealin e tij komunist për një botë të re dhe për një shoqëri humane e vuri në shërbim të interesave të popullit shqiptar, të emancipimit e të progresit të gjithanshëm të tij, duke e shpëtuar nga shtypja dhe shfrytëzimi i regjimeve të kaluara”, “Ai kreu një akt të madh patriotik e demokratik me politikën e filozofinë e tij revolucionare për t’i kthyer punëtorët e fshatarët e Shqipërisë në forcën lëvizëse të jetës shqiptare. Me ta dhe për ta, ai realizoi reformat e thella ekonomike e politike, sociale e kulturore, që duke kapërcyer prapambetjen dhe padijen shekullore, i dhanë Shqipërisë fizionominë e një vendi të përparuar”, “E.Hoxha krijoi një shtet të vërtetë, në të gjitha parametrat me standardet bashkëkohore, një shtet të popullit që siguroi qetësi dhe stabilitet që s’i kish njohur kurrë Shqipëria”, “...në historinë shqiptare krijoi shëmbëlltyrën e një udhëheqësi me integritet të lartë patriotik, moral e intelektual që u shqua për urtësi e largpamësi, që nuk u pajtua asnjëherë me padrejtësinë dhe gënjeshtrën, me kompromisin dhe amoralitetin”...
Ish-presidenti i Shqipërisë në periudhën delikate të kalimit nga mbyllja hermetike në liri tha po ashtu në Prishtinë se “E. Hoxha ishte një intelektual i një stature të lartë, njeri erudit, me interesa të gjëra dhe kulturë solide. Ai ndiqte me vëmendje dhe dinte të përfitonte nga proçeset dhe dukuritë progresiste të fushës së dijes dhe të arteve që zhvilloheshin në botë”.
Po ashtu njeriu që ka parë shumë dhe po aq shumë mbledhur përvojë nuk shmangu pa shqiptuar edhe opinionin e tij se “E.Hoxha doli në krye të vendit si rezultat i një revolucioni të madh, që përfshinte Luftën Antifashiste NÇL dhe periudhën e ndërtimit socialist. Ai është produkt i kësaj epoke historike dhe, natyrshëm, ka vendin kryesor në zhvillimin e Shqipërisë, në vlerat e saj, por edhe në dobësitë e saj”. Ndërkohë ja edhe ai që mund të quhet edhe konkluzioni kryesor i Ramiz Alisë: “Duke e vështruar Shqipërinë e kohës së E.Hoxhës nga kuota e lartë e historisë nuk mund të mos konstatohet, se pavarësisht nga baticat e zbaticat, gabimet dhe fajet njerëzore, teprimet dhe subjektivizmat, rezultantja e përgjithshme që mund të hiqet është pozitive”. Më në fund, sikur të mos mjaftonin të gjitha vlerësimet e mëparshme, ja edhe një finale e fjalës së mbajtur në Prishtinë: “E. Hoxha do të kujtohet me respekt nga të gjithë njerëzit e ndershëm...”.
Kur e mbyll kështu një gjykim e analizë, pra i ndan njerëzit në të ndershëm e të pandershëm vetëm se janë dakort apo jo me bëmën politike të një personi ndihesh ligsht. Mirë ata që mbushën sallën dhe e dëgjuan, si edhe të tjerët e ngjashëm kudo ku gjenden, janë të sigurtë se e fituan statusin e njeriut të ndershëm, a nuk është pak si tepër që kush nuk e ka besuar kurrë Enver Hoxhën tërthorazi të etiketohet i pandershëm? A nuk mund të ndihet i mospërfillur ai bashkëkombas, i cili pas vitit nëntëdhjetë duke përfituar nga liria e fjalës dhe e informacionit koregjoi apo ndryshoi tërësisht mendimin e mëparshëm, duke gjykuar tashmë se diktatori meriton mossimpatinë e tij?
Duke i kërkuar ndjesë lexuesit deri edhe politikisht që për arsye të qëllimit të këtij shkrimi i përsëritëm prej fjalimit të ish-Presidentit fraza të një propogande tepër të shkuar, madje kulturalisht edhe jo të shëndetshme, rikthehemi gjashtëmbëdhjetë vite më pas, tek libri-intervistë “Shqipëria dje dhe sot”.
Nuk kemi rrugë tjetër për të kuptuar sadopak ku ndodhet Ramiz Alia: përballë, në krahë apo pas Enver Hoxhës?
Kjo nuk është çështje kurioziteti, as edhe një temë që nuk e vlen. Politikani komunist që ndikoi në hapjen e Shqipërisë për aq sa diti, deshi dhe u detyrua është një personalitet, figurë tepër interesante dhe e veçantë në historinë tonë moderne, intelektual me mendje të qartë dhe që di çfarë bën e thotë, dëshmitar plot pasion për të treguar apo interpretuar gjysmëshekullin stalinist, politikan i dalë në pension me maturi e në kohën e duhur, i pangatërruar më pas me ushtrim aktiv të profesionit të mëparshëm, individ akoma me një fuqi të caktuar ndikimi në opinionin publik dhe tek një grup njerëzish.
Në sistemin shoqëror që i dha fund diktaturës, ndryshe nga ajo, secili është i lirë të jetë si të dojë e të mendojë si të dojë. Po ashtu të veprojë si e gjykon më të arsyeshme. Demokracitë kufizojnë vetëm tentativat dhe veprat për destabilizim dhe prishje të rendit kushtetues. Me këtë rast duhet thënë se jo vetëm ish-Presidenti, por edhe enveristët shqiptarë, ata që nga një sondazh dolën se në nostalgjinë për diktaturën përbënin vetëm dy përqind të popullsisë, deri tani nuk kanë menduar, projektuar e vepruar për të thyer shtetin, siç thotë realisht doktrina e tyre.
E megjithatë pikërisht këtu një merak nuk mund ta fshehim dot. Në rast se mbajmë të gjallë jo frymën e analizës, drejtpeshimit dhe të kritikës ndaj Enver Hoxhës dhe diktaturës, arkitekt i të cilës ai ishte, por nostalgjinë e zgjatur për të rrezikojmë që idetë e shprehura sot paqësisht nesër të bëhen platforma veprimi për fanatikët. Sepse të tillë, pasonjës të diktatorit, duam apo nuk duam ne, nesër do të ketë. Nuk do të jenë prej ish-partizanëve të dikurshëm, sepse jo vetëm ligjet e jetës dhe mosha do të bëjnë të tyren. Ata janë një shtresë sociale që ka dhënë një kontribut të çmuar në dashurinë për atdheun dhe komunizmi në jetën e tyre ishte më shumë një doktrinim i imponuar se sa bindje e natyrshme. Pasonjësit e ardhshëm dhe më të vendosur të Enver Hoxhës nuk do të jenë as nga reshtat e ish-komunistëve të viteve pesëdhjetë e të dekadave të mëpasshme, sepse këta e panë me sytë e tyre se si sakrifica dhe mundimi për një jetë më të mirë u përfundoi në dyqane të boshatisura e në ushqime me triska. Ndjekësit e nesërmë të diktatorit, edhe pse patjetër do të jenë të paktë, do të vijnë prej atyre që nuk e kanë parë kurrë regjimin realkomunist. Me jetë të mirëqënë, me para të bollshme xhepi sa për të mbushur nga mengjezi deri në darkë kafenetë, përfshi edhe ato të ish-Bllokut në Tiranë, me liri për të udhëtuar ku të duan dhe jo pak me vetura personale, ata as do t’ja kenë haberin fare se ishte një kohë e gjyshërve të tyre kur ai që mendonte ndryshe nga një person e parti e vetme politike burgosej dhe internohej, jo pak linin edhe jetën. Këtyre të rinjve të nginjur as do t’u shkojë mendja se vetëm për një litër qumësht do të të duhej të zije rradhën në orën tre apo katër të mëngjezit. Duke mos ditur asgjë ata do të jenë të gatshëm të gënjehen lehtësisht, në rast se atë që ndodhi për pesë dekada e zbukurojmë apo e mbajmë në vlerësimin se ishte më tepër e pozitive se negative. Ky do të ishte një gabim shumë i rëndë.
Për të kaluarën diktatoriale ka nevojë të thuhet me maturi dhe argumenta e vërteta. Ja pse na duket se ish-Presidenti në fjalën e tij në Prishtinë, ku shfaqi tërësisht një qendrim politik, duhej të konfigurohej disi më ndryshe. Të paktën të bënte portretin e tij të shkurtit 1992, kur në Itali nxori librin e tij të dytë, “Shqipëria dje dhe sot”. Libri i tij i parë kishte qënë “Enveri ynë”, botuar më pak se katër vite të shkuara, në shtator 1988.

ooo

Në librin elegant dhe shumë profesional të gazetarit italian Lino De Matteis, autor deri atëhere edhe i botimeve të tjera, në vendin e vet shumë aktiv e jo pak i suksesshëm edhe sot, Ramiz Alia jep mjaft konsiderata për çfarë po ndodhte ato çaste, për historinë kombëtare dhe atë komuniste në Shqipëri, për ekonominë dhe socializmin real, për politikën e jashtme. Ka edhe një kapitull për Enver Hoxhën, ndërkohë që opinionin për të e ka të përhapur pothuaj në të gjithë librin.
Posaçërisht për këtë të fundit po reshtojmë disa prej tyre: “Mendoj se ishte një politikan inteligjent....qe një intelektual dhe pati një kulturë të madhe. Kishte shumë intuitë politike. Natyrisht ka bërë edhe gabime në jetën e tij...Për shembëll në rast se flasim për luftën e çlirimit unë mendoj se, përgjithësisht, në 90 përqind linja e tij ishte e drejtë dhe drejtimi i saj qe i përshtatshëm. Pastaj pas çlirimit të vendit, sipas fazave të historisë së Shqipërisë, pati suksese, por edhe gabime, për të cilat ai është përgjegjësi kryesor”, “Mendoj se ishte një person kontradiktor. Në disa momente ishte, mbase, pak ekstremist, por ndërkohë kishte një vizion më të hapët. Përshkruhet si një njeri shumë i sertë, por në të vërtetë qe një njeri me ndjenja dhe që kishte dobësitë e tij”, “Me “armiqtë” e tij qe i ashpër”, “...mendoj se autarkia ishte gabimi i tij më i madh”, “...personaliteti i tij qe i tillë që besoj se nuk i jepte hapësirë opozitës”, “Ishte një gabim, për shembëll, kufizimi i pronës së vogël private, dhe jo vetëm atë të fshatarëve, por edhe atë të artizanatit dhe të tregëtisë”, “Gabimi më i madh ishte në sistemin njëpartiak dhe në identifikimin e barazimin e partisë me shtetin. Për këtë arsye, në bazë të ligjeve në fuqi, çdo aksion kritik ndaj partisë, çdo përpjekje për të devijuar nga direktivat, bëhej automatikisht edhe një krim kundër shtetit. Një i trajtuar në këtë mënyrë si krim bënte të vepronte sistemi shtypës”, “Hoxha zbatonte ashpërsisht mekanizmat ku bazohej sistemi, për të cilin ai vetë kishte kontribuar të ngrihej, sepse besonte se ndoshta kështu ishte në interes të popullit”.
Po ashtu në opinionet e tij Ramiz Alia si të gabuara veçon imitimin e revolucionit kulturor kinez dhe të sektarizmit të tij, moshapjen ndaj perëndimit në vitin 1960, kur ndodhi prishja me sovjetikët, ndërprerjen e marëdhënieve ekonomike me Kinën, tezën e mbështetjes tërërisht në forcat e veta, ndalimin e besimeve fetare. Thotë se sistemi komunist i kohës “...pati demokraci të munguar”, se “ishin gabimet politike të regjimit që nuk lejonte ballafaqimin e ideve”. Ramiz Alia në librin e tij intervistë “Shqipëria dje dhe sot” del kundër shumë tezave marksiste, siç ishte ai i rolit udhëheqës të klasës punëtore, shprehet kundër diktaturës së proletariatit duke e konsideruar si model të gabuar sovjetik, deklarohet refuzues ndaj teorisë dhe praktikës së të ashtuquajturës “edukim i njeriut të ri”, del kundër propogandës që u realizua nëpërmjet shplarjes së trurit.
Dhe ja opinioni i tij më i drejtpërdrejtë: “Enver Hoxha ishte një dogmatik. Për të mjaftonte të zbatoje pikë për pikë disa parime të Marksit, Leninit apo Stalinit, duke i nxjerrë nga konteksti...”. Në faqet e fundit të librit-intervistë “Shqipëria dje dhe sot” Ramiz Alia nuk mungon të bëjë të ditur për italianët e botën perëndimore se “Socializmi realizohet nëpërmjet ligjeve të tregut” dhe pyetjes së gazetarit Lino De Matteis “Me pak fjalë President cila është receta juaj ekonomike?”, ai i është përgjigjur fare qartë e prerë: “Kapitalizmi”. Duke saktësuar “Jo një kapitalizëm brutal, të egër, por një kapitalizëm që mund të kontrollohet nga shteti dhe sidomos që të jetë sa më shumë social”.
Duke e cilësuar dogmatik dhe preferuar sistemin që komunizmi enverist e kishte shpallur armik, megjithë konsideratat se diktatori qe një politikan inteligjent dhe me intuitë, Ramiz Alia në vitin 1992 ia ka hedhur në erë të gjithë thelbin trashëgimisë së tij.

ooo

Në librin-intervistë “Shqipëria dje dhe sot” ish-Presidenti, por ca më shumë një nga drejtuesit kryesorë të diktaturës, thotë se “Nuk mund të them se ajo që do të pohoj është e vërteta. Është vetëm mendimi im. Vetë unë nuk mund të jap një gjykim përfundimtar mbi të shkuarën, sepse duke qënë për një kohë të gjatë në drejtimin e partisë komuniste nga një anë është epërsi, por nga ana tjetër mund të jetë edhe një dizavantazh. Për të gjykuar të kaluarën në fakt është e nevojshme të dish ta shohësh me një distancë sa më të madhe të mundshme, me një ndjenjë të madhe kritike dhe autokritike”.
Në 12 tetor 2008 koha i kishte dhënë edhe gjashtëmbëdhjetë vite të tjera më shumë.
Prej kësaj logjike rezulton se opinioni i tij më i vërtetë për Enver Hoxhën duhet të jetë ai i deklaruar në fjalën e tij në Prishtinë.
Nuk po e shtyjmë më tej këtë artikull, sepse edhe kaq u bë i gjatë.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com