Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Lamtumirë kallashnikov!”

Fragment

….Jo njëherë në analiza të ndryshme nga disa personazhe shqiptarë të së djathtës së vjetër përdoret formulimi politiko-etnik “sllavokomunistët”. Kjo do të thotë se në përfytyrimin e tyre më i keq se serbi dhe komunisti veç e veç është cilësuar sllavokomunisti, i cili ishte një mpleksje e një sllavi me ideologjinë radikale bolshevike. Kur në shtresa të tilla shqiptohet fjala sllavokomunist atëhere është emërtuar e treguar me gisht njeriu apo dukuria më e keqe e ndodhur në këtë faqe të dheut. Përcaktimi i një situate mjaft të rrezikshme për fatet e Shqipërisë edhe sot vijon në rrethet e mësipërme të vlerësohet se vjen vetëm nga përzjerja e një sllavi me ideologjinë komuniste.
Kjo ide fikse nuk bën asnjë lëshim para faktit se mes vendeve ish-komuniste shteti që zbatoi formën më të egër të stalinizmit ishte varianti shqiptar i tij, enverizmi, kurse në mjaft vende sllave, përfshi edhe vetë ish-Jugosllavinë, realkomunizmi ka patur forma represioni dhe antidemokracie më të zbutura.
Po ashtu nga këto qarqe tradicionalisht të djathta anashkalohet edhe fakti se kanosja Shqipërisë nuk i ka ardhur vetëm kur Jugosllavia mbante në ball yllin e kuq, por edhe kur vinte mbi kokë kurorën mbretërore. Madje revanshi i fqinjit të veriut i ka rrënjët që kur u pavarësua si shtet. Në një farë mënyre jo ylli i kuq apo kurora komuniste kërkonte të gëlltiste dhe zhdukte shqiptarët, por vetë Shqiponja e Bardhë, simboli i shtetit të tyre.
Për ta ka qënë ajo Shqiponjë e Bardhë që ka dashur të sulmojë e godasë për vdekje Shqiponjën e Zezë.
Po atëhere përse përzjerja e sllavit me komunizmin ka qënë një lendë shpërthyese antishqiptare më e madhe se sa ajo mes tij dhe monarkisë?
Tek e djathta jonë tradicionale ky opinion është rrënjosur sepse komunizmi gjykohej prej saj si e keqja e së keqes për një tipar që e karakterizonte agresivisht: zhveshjen totale të individit nga prona private.
Në këtë rast familja Llagami i ka të gjitha argumentat e nevojshme të besojë se në historinë e fisit të vet, por edhe të të gjithë Shqipërisë, sllavokomunizmi ka qënë kanosja më e madhe.
Në përvojën e këtij fisi me ideologjinë dhe sistemin shoqëror boshevik ka të paktën të gërvishura lendueshëm dy drama.

Njëra prej tyre ka qënë më e dhimbshmja.
Kur Ahmet Zogu hipi në pushtet dhe nga president u vetshpall Mbret i Shqiptarëve, mes disa emrave që u vuri rrugëve të kryeqytetit në rindërtim e zgjerim, ishte edhe ajo me emrin Myslim Llagami.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ndërsa në Shqipëri regjimi komunist konsolidohej, me të hyrë viti 1950 u propozua heqja e emrit të kësaj rruge. Në Tiranë ajo rrinte në mes të dy të tjerave që kishin emrat Tim Kolli dhe Hajdar Kiti. Propozuesit për heqjen e emrit të Myslim Llagamit paraqitën disa arsye, që të gjitha aspak të lidhura me vetë personalitetin e avokatit të njohur. Sipas tyre largimi i atij emri nga dukja publike në një kend rruge modeste në një nga lagjet e vjetra të Tiranës kishte të bënte me një Llagam tjetër, i cili quhej Avdulla. Në të vërtetë ishte një kushëri i largët i Samiut, djalit të Myslimit. Kishte qënë rrobaqepës në kohën e monarkisë dhe gjatë viteve të luftës, por pasi erdhën komunistët në pushtet gjeti një mënyrë dhe u arratis në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe më pas vdiq.
Në vitin 1950 ky i arratisur nuk zhvillonte asnjë aktivitet kundër rregjimit të fortë të Tiranës, por thjesht vijonte jetën e tij i harruar pas halleve të veta.
Nxitësit e propozimit për heqjen nga rruga të emrit Myslim bashkëgjitën me akuzën e parë dhe një të dytë, e cila kishte të bënte drejtpërsëdrejti me vetë familjen e avokatit. Djali i tij Fiqiri Llagami në materialin denoncues u paraqit si një ballist, pra më e pakta si një antikomunist. Në materialin, ku organeve të larta të rregjimit u kërkohej zhveshja e emrit të rrugës nga ai i avokat Myslimit, u përshkrua me theks të veçantë se i akuzuari jo vetëm kishte qënë një ithtar i Ballit Kombëtar, porse kishte shkuar shumë më tej se kaq. Denoncuesit pretendonin se kishin dëshminë e palekundshme të një emri shumë të lidhur me pushtetin komunist, partizan i njohur gjatë Luftës së Dytë, i cili konfirmonte në mënyrë të palëkundur se Fiqiriu kishte bashkëpunuar me kryeministrin kolaboracionist Rexhep Mitrovica. Kjo donte të thoshte se avokati kishte qënë aleat i vetëdijshëm dhe i zellshëm i pushtuesve gjermanë.
Në letrën denoncuese nuk harrohej të thuhej se i biri i emrit që akoma qëndronte në pllakën prej teneqeje të llakuar në mes të Tiranës, pikërisht se ishte provuar që përfaqësonte një kolaboracionist të gjermanëve dhe mik e aleat të Rexhep Mitrovicës, më 1945 nga pushteti i ri ishte burgosur.
Katet e larta të rregjimit komunist reaguan menjëherë, duke ja hequr emrin rrugës dhe në vend të rilindasit Myslim Llagami vendosën atë të një dëshmori komunist të Luftës Antifashiste, tiranasit Islam Alla.
Të goditur befasisht dhe pa asnjë arsye në familjet e fëmijëve të Myslimit e gjykuan të domosdoshme të mos bënin asnjë ankesë. Nuk bëzanë edhe Llagamë të tjerë që nuk ishin dakort me këtë akuzë politike. Koha ishte shumë e vështirë dhe vazhdonte akoma e ashpër inercia e ndëshkimeve dhe pastrimeve të mëdha të atyre që nuk pajtoheshin me ideologjinë që frymëzonte shtetin komunist. Do të ishte jo vetëm pa asnjë rezultat çdo akt mbrojtjeje e Fiqiri Llagamit, por kundërshtimi do ta rriste mërinë edhe ndaj të tjerëve.
Kështu heshtën, por nuk u pajtuan asnjëherë.
Fiqiriu ishte jo vetëm më i ndrituri mes fëmijëve të avokatit, por edhe ai që kishte trashëguar më fort se të tjerët pathosin për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Si edhe Myslimi ai ishte nga ata intelektualë që nuk ishin pajtuar asnjë grimë me përgjysmimin e trojeve të kombit të vet dhe ishin gati të sakrifikonin të gjitha energjitë, deri edhe jetën, për bashkimin e tyre. Megjithëse Balli Kombëtar ishte një organizatë e front politik nacionalist, deviza kryesore e të cilit përmbante për Fiqiriun atë që aq fort dëshironte, devizën “Shqipëria shqiptarëve”, ai nuk shkoi kurrë gjer në një pajtim të plotë me ta. Doemos që në krahun tjetër, te Partia Komuniste, ai e kishte akoma më të vështirë të përkushtonte idealin e tij kombëtar. Lufta që komunistët dhe repartet e tyre partizane bënin kundër pushtuesve e sugjestionin për t’i parë me dashamirësi, por gjithçka rënohej dhe bëhej e pabesueshme për të kur çdo ditë e më tepër gjente prova se ata kishin aleatë jugosllavët. Madje Fiqiriu për sa dinte ishte mjaft i sigurtë se komunistët shqiptarë ishin thjesht vasalë të bolshevikëve jugosllavë dhe kjo donte të thoshte se në rast të marrjes së pushtetit prej komunizmit çështja shqiptare jo vetëm nuk do të zgjidhej, por do të varrosej përfundimisht. Në një rast të tillë fatkeq ai e shihte edhe gjysmën e mbetur, shtetin amë, të pushtuar nga Beogradi.
Të gjitha këto arsye e detyruan Fiqiri Llagamin që të ishte i kujdesshëm në hapat që duhej të hidhte gjatë periudhës së ndërlikuar të pushtimit. Ai në Tiranë nuk ishte një kurrkush, por një emër shumë i ndjerë dhe me autoritet. Jo vetëm si bir i një rilindasi të njohur që mbreti Zog e kishte nderuar me emrin e një rruge, por edhe për cilësitë e veta intelektuale ai përbënte një model që jo pak të tjerë e merrnin si shembull. Pas do ta ndiqnin edhe sikur të bashkohej me Ballin Kombëtar. Po ashtu do t’i vinin nga pas edhe po të shtrengohej në rradhët e Partisë Komuniste. Mirëpo Fiqiriu, duke patur si kriter të palëkundshëm të ardhmen e çështjes shqiptare, pra bashkimin e trojeve kombëtare në një, nuk gjente arsye të mjaftueshme as në alternativën e parë dhe as në të dytën. Atij i dukej sikur prej një force të përdhunshme në momentin më të vështirë të mbijetimit kombëtar shumica e shqiptarëve më tepër se një objektiv atdhetar kishin zgjedhur alternativën e të qënit kundër njeri-tjetrit.
Për Fiqiri Llagamin si nacionalistët e Ballit Kombëtar ashtu dhe stalinistët e Partisë Komuniste kishin zgjedhur si tutorë dy ideologji dhe fuqi shtetare që nuk ja ofronin zgjidhjen e bashkimit. Në rast se bashkëpunimin e ngushtë me komunistët jugosllavë e gjykonte si fatkeqësi të rendë, nuk i dukej pa një fat të keq edhe besimi i tepruar tek fashistët italianë dhe më pas ata gjermanë, të cilët bënë një lloj bashkimi territorial të trojeve. Fiqiriu e dëshironte me zjarr një Shqipëri Etnike, por nuk ishte i njëmendjeje me ata bashkëkombas që e shihnin realizimin e kësaj ëndërre të vjetër nacionale nëpërmjet një pushtuesi.
Për birin e rilindasit Myslim Llagami edhe fashizmi edhe komunizmi nuk ishin mbartësit dhe realizuezit e çështjes gjithë-kombëtare.
Ai ishte demokrat dhe nuk besonte tek ideologjitë e forta, ca më shumë kur ato ishin të stilit diktatorial. Fiqiriu nuk besonte aspak se do të kishte jetë e perspektivë një Shqipëri Etnike e realizuar nëpërmjet ideologjive totalitare të fashizmit apo të komunizmit.
Për të ishte e sigurtë e kundërta. Për të ishte sistemi shoqëror demokratik që mund t’ja delte mbanë dhe jo diktaturat.
Ishte edhe dijetar Fiqiri Llagami, jo vetëm demokrat. Kur më 1945 e arrestuan dhe e flakën në burg nuk dëshironin ta kuptonin këtë gjë. Më 1945 për komunistët ishin të rrezikshëm edhe demokratët. Madje në rast se me të vërtetë para këtij viti, gjatë Luftës së Dytë, kishin konsideruar kanosës fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, tani më të rrezikshëm se të parët ishin bashkëkombasit me idetë liberale të perëndimit. Fiqiriu i përmbushte të gjitha kushtet për t’u parë me dyshim. Studimet e larta i kishte mbaruar për gazetari në universitetin e Sorbonës në Francë. Pasionin për fjalën e lirë e kishte mësuar atje, në qendër të Evropës dhe nuk ngurroi ta përdorte fort që ditët e para të prillit 1939, ndërsa përgatitej e ndodhi pushtimi fashist italian i Shqipërisë.
Kështu gjatë gjithë kohës së përplasjes së armatosur mes dy fronteve, atij komunist me atë nacionalist, duke mos qënë aspak dakort me pushtimin, ai zgjodhi botimin e një gazetë me tridhjetë e dy faqe, të cilën e quajti “Shqypnia”. Nuk ishte kjo një punë e lehtë. Gjithë kohën Fiqiriu pati mungesë mjetesh financiare dhe ishte mundimshëm pronar e drejtor i saj, redaktor e gazetar. Merrej deri edhe me shpërndarjen.
Në gazetën e Frontit Popullor të komunistëve, të përditshmen “Bashkimi”, ku edhe para se ta burgosnin ia kishin bërë akuzën e bashkëpunëtorit të kryeministrit kuisling Rexhep Mitrovica, nuk kishin shkruar asnjë rresht rreth faktit se nëpër faqet e gazetave të kohës Fiqiri Llagami kishte dalë kundër pushtimit fashist italian. As në vitin 1945 dhe as pesë vite më pas, kur nisi proçedura e heqjes së emrit të Myslim Llagamit nga rruga, nuk u shkrua asnjë fjalë për ndjenjën e lartë të atdhetarisë që publicisti kishte patur si motivin më kryesor të jetës së tij. Nuk u cilësua as “asnjanës” apo “i paangazhuar”. Nuk u emërtua as “indiferent” apo “mikroborgjez”. Ata që e cilësuan Fiqiriun si bashkëpunëtor të kuislingut Rexhep Mitrovica nuk u bindën kur në dhomën e hetimit, në një skaj nëntokë të burgut kryeqytetas, ai u mundua t’u shpjegonte me durim se me ish-kryeministrin emërkeq nuk kishte patur jo vetëm asnjë lidhje pune, por as bashkëpunimi të tërthortë. Me Rexhep Mitrovicën, u tha hetuesve sinqerisht, kishte patur vetëm lidhje intelektuale. Ishin miq vetëm për kaq dhe aspak për akuza të ndryshme shtetërore.
Nuk e besuan. Më saktë nuk deshën ta besonin.
Më 1945 Shqipëria i kishte jugosllavët të gjithfuqishëm në të gjitha strukturat e shtetit të porsadalë nga lufta. Kishte filluar nga brenda përpjekja e madhe diversive e titistëve për ta marrë Shqipërinë dhe futur në Federatën Jugosllave si republikë të shtatë. Një intelektual e fjalëlirë si Fiqiri Llagami që besonte e luftonte në një bashkim të trojeve shqiptare të ndarë padrejtësisht më 1913, ishte detyrimisht një kundërshtar i madh i këtij plani. Nuk përjashtohet asnjë dyshim se prangat e hedhura më 1945 në duart paqësore të Fiqiriut kanë qënë dëshirë e drejtpërdrejtë e Beogradit. Patjetër atje e dinin në mos që ishte pasardhësi i Moçit, të paktën djali i Myslimit. Në rast se nuk kishin depërtuar treqind vite kohë për t’u informuar se stërgjyshi i fisit të Llagamëve kishte vrarë një ushtarak serb dhe i kishte vënë zjarrin edhe postëkomandës, zotëronin të dhëna të plota mbi telashet që u kishte sjellë ndikimit të tyre në Tiranë e Shqipëri i jati i Fiqiriut.
Më 1950, kur u aktivizuan hartuesit e kërkesës denoncuese për heqjen e emrit të rrugës, çështja e gëlltitjes së Shqipërisë nga Federata Jugosllave kishte dështuar, por nuk ishin pakësuar aspak ata që tinëzisht i shërbenin Beogradit.

Pas burgut Fiqiri Llagami vazhdoi ta mbajë hartën e Shqipërisë Etnike në një nga dhomat e shtëpisë së tij.
Në vitin 1976 e arrestuan përsëri.
Atë kohë regjimi po bluante mes dhembëve të tij të përgjakshëm dishepujt e tij. Pasi kishte bërë kasaphanë mes “kundërshtarëve” të kulturës dhe të ekonomisë, po e bënte kërdinë mes ushtarakëve. Fiqiriu u prangos ndërsa akoma jehonte dënimi politik dhe burgosja e Ministrit të Mbrojtjes, komunistit Beqir Balluku.
Këtë regjimi e pushkatoi pa u vonuar, kurse publicisti që besonte në ditën e ardhme të bashkimit të trojeve shqiptare, vdiq në burg.

.....


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com