Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kadare, jo deri këtu!


Botuar në gazetën “Shqip” më 13 shtator 2008

Siç është e natyrshme në një shoqëri që kërkon ta përdorë lirinë, herë mjaft fisnikërisht dhe herë me pabesi, shumë ngulshëm për qëllime personale, por përherë e tepër në favor të interesit publik, prej dijetarit Rexhep Qosja u ringritën këto ditë një sërë kritikash ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Të dy këto personalitete janë të zotë të përballen në polemikën e tyre, ca më tepër kur bëhet fjala për momente kyçe të historisë sonë kombëtare dhe vetë profilin që ka realisht indentiteti shqiptar. Autori i këtyre rradhëve nuk dëshiron aspak t’u hyjë në mes jo vetëm sepse nuk e zotëron forcën e tyre mendore, por as çdo autoritet tjetër. Ndërkohë këto kohë lëvizin nëpër Tiranë shumë “çeta” me vullnetarë, të cilët të rreshtuara me këtë apo atë palë, hyjnë menjëherë në shkëmbim bataresh. Dhe me që nuk kanë nishan të mirë dhe në duar mbajnë “pushkë“ shumë të vjetra, po të kërkosh një lloj ekuilibri të merr edhe ty ndonjë plumb dum-dum.
Pikërisht dy ditë më parë një vajzë tiranase, Majlida Tafa quhet, e cila ka përfunduar studimet e larta në Gjermani mes të tjerash edhe për komunikim me mediat dhe letërsi të krahasuar, na thoshte se kishte shtangur nga debati që këtu u krye pas botimit të librit të Ben Blushit. Në vend të analizave të veprës pati ndodhur një rreshtim i menjëhershëm dhe i madh forcash pro e kundër. Pra bardh e zi. Ose me mua ose kundër meje.
Në analizën e Profesor Rexhep Qoses ka mjaft ide dhe argumenta, flitet për Kadarenë edhe për të si një mit i krijuar në diktaturë, siç shkruhet po ashtu që e ardhmja do të sjellë një ridimensionim të vlerës së tij artistike. Me këtë ka parasysh t’i ndodhë një rrudhje.
Secili ka mendimet e veta.
Por në mes qortimeve të dijetarit nga Kosova gjendet edhe një, sipas të cilit Ismail Kadare në mënyrë të qëllimshme i mëshon identitetit të krishterë të shqiptarëve dhe se këtë gjë e kryen për një mosdashje e në mos përbuzje të fshehtë për myslimanët. Këtë opinion të tij profesori e tha edhe një vit më parë, por tashmë e përsëriti, duke lënë të kuptohet se e ka bindje shumë të thellë. Në një rrethanë të tillë, sado modest të jesh në shtatin publik, është qytetare të prononcohesh.
Në hapësirën mes dy ndërhyrjeve të Profesor Qoses shkrimtari ynë ia bëri të ditur kritikuesit të tij si edhe opinionit se asnjëherë nuk ka patur ndërmend të fyente apo shpërfillte jo vetëm bashkëkombasit e tij myslimanë, por as të gjithë ata që besojnë lirisht dhe me shpirt tolerant në këtë fe. Mirëpo as pas kësaj ndërhyrjeje sqaruese nuk ndodhi që në rradhën e mospajtimeve të shkencëtarit të hiqej vetëm kjo kritikë.
Nëse më lejohet të shpreh mendimin tim para opinionit si edhe dy bashkëkombasve tanë mjaft të respektuar, unë nuk mendoj se Ismail Kadare ka realisht ndonjë ndjenjë nënvleftësuese për myslimanët dhe ca më pak të ketë një platformë të tillë. “Partia” e Kadaresë, pra krijimtaria e tij gjigande për nga llojet letrare, tirazhi, forca artistike dhe dimensionet e përhapjes në botë, ka patur të shenjtë vetëm lexuesin. Ai në këtë drejtim ka ditur përherë të grumbullojë sa më shumë numra dhe konsensus. Është një nga strategjitë e tij më të sofistikuara. Ca më shumë brenda kombit të vet ai ka shkruar për të gjithë dhe është i lexuar nga të gjithë.
Pra kritika e profesorit nuk qëndron. Për t’i shkuar më tej këtij mendimi më lejoni t’i nënvizoj lexuesit se në këtë rast kemi të bëjmë me një proçes demonizimi të Ismail Kadaresë. Për fat të keq edhe ky i fundit në polemikën e tij ndaj profesorit nuk e ka shmangur gjithnjë të njëjtën sjellje.
Mirëpo djallëzimi reciprok dëshmon se në mos për mëri të njëri-tjetrit polemika ka hyrë në fazën e ashpërsimit dhe të grumbullimit sa më të madh të konsensusit. Po kërkohet rreshtim, ndarje të “elektoratit”, grumbullim votash me çdo kusht. Por kjo mënyrë veprimi është teknikë e përdorur nga ushtruesit e politikës. Ata djallëzojnë gjer në sajime nga më të habitshmet dhe më të pabesueshmet. E megjithatë në të gjithë botën ua lejon këtë gjë profesioni.
Shkrimtarëve dhe shkencëtarëve jo. Ata nuk kanë nevojë për ndarje të elektoratit, ata duan të komunikojnë me të gjithë. Ata janë bashkuesit tanë të mëdhenj, jo ndarësit.
Djallëzimi i Ismail Kadaresë si një fanatik i Krishtërimit dhe për pasojë edhe një antimusliman nuk është vetëm një e pavërtetë, por nje veprim i padrejtë dhe punë tepër e rrezikshme. Ajo edhe pse pa vërtet këtë qëllim, synon të revoltojë besimtarët më dogmatikë. Nuk e kemi fjalën këtu për kërcënime fizike apo për ndonjë akt radikal ndaj ndonjë prej librave të shkrimtarit të njohur. Meraku është se Kadaresë synohet t’i hiqet lexuesi, pra bashkëkombasi. Kërkohet t’i hiqet atij forca e bashkimit kombëtar.
Mirëpo Ismail Kadare është një vlerë e madhe e etnisë sonë. Kudo nëpër botë po ashtu vepra e tij ka shkuar gjithnjë në dobi të shqiptarëve dhe të imazhit të tyre pozitiv. Kadare mund dhe ka luajtur me të gjithë, por me kombin jo.
Në rast se ndonjëherë i ka mëshuar më fort edhe atyre pjesëve të rrënjëve tona, të cilat janë të krishtera, këtë e ka bërë sepse kështu është e vërteta dhe se letërsinë e tij ai e shkruan më shpesh i gjendur në Evropë si edhe për atë lexues. Ai tani është shkrimtar botëror. Ne, edhe mosdashës personalë t’i jemi, duhet t’i gëzohemi kësaj përmase të tij, këtij lexuesi shumëgjuhësh. Kujt i bie të udhëtojë apo jetojë në kontinent e di shumë mirë se sa shkulmëzuese dhe agresive është përpjekja për ta konsideruar Shqipërisë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët si bartës të myslimanizmit radikal fondamentalist. Po ashtu nuk ndodh vetëm njëherë që jo për realizëm, por për manipulim e quajnë vendin tonë si vend musliman. Atje dhe atëhere kur Kadare ka mëshuar të kaluarën tonë historike të krishterë këtë gjë e ka bërë pikërisht për të neutralizuar këtë propogandë të skajshme dhe kështu ekuilibruar të vërtetën, faktin që jemi shtet laik e komb shumëfetar.
Shkrimtari ynë mjaft i njohur dhe jo pak i diskutueshëm, një nga bashkëkombasit tanë më të mëdhenj, por edhe nga më kontradiktorët, do të jetë jo vetëm një burim i vazhduar analizash, por edhe kritikash të rrepta. Pushtetet e mëdhenj (dhe Kadare është një i tillç) siç kanë nevojë të mbahen në respektin e vlerësimit, duhet të provojnë edhe mosfaljen e qortimit.
Ismail Kadare ndërkohë nuk është një prej atyre që traditën tonë të bukur të lidhjes me Krishtërimin e ka çuar gjer në ndonjë të pavërtetë të pahijshme. Në vendin tonë edhe pse hë për hë nuk ngjan mjaft agresive është shfaqur mes disa individëve në media apo në letra theksimi tendencioz dhe komercial, dukshëm përfitues, i traditës së lidhjes sonë me fenë e krishterë. Bëhet për gjoja na dëshmuar se feja muslimane, e cila erdhi bashkë me pushtimin osman, qe një tragjedi e madhe. Kërkojnë të ndihemi fajtorë e të turpëruar se shumica e besimtarëve shqiptarë janë të kësaj feje!
Një sjellje e tillë është për t’u përbuzur.
Në rast se lidhjet tona me fenë e krishterë janë një thesar i vërtetë, ajo e lidhjes me fenë muslimane, tashmë vepruese në trojet tona në përmbi shtatë-tetë shekuj, është një pasuri e vyer kombëtare. Në këtë botë në globalizim dhe kontinente me përherë e më tepër kombe shumetnike, pluraliste në mendimin politik e kulturor, nuk do të vonojë dita të kuptohet se prania mes nesh edhe e fesë myslimane do të cilësohet epërsi.
Madje fat jo vetëm gjeostrategjik, por edhe shpirtëror.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com