|
Të lindësh në komunizëm
Botuar në gazetën “Shqip” më 14 dhe 15 gusht 2008
(Falenderoj me këtë rast kryeredaktorin e “Shqip”, të mirin Urim Barjami, si edhe kolegët e tij të cilët edhe pse nuk e dinin që ky shkrim po botohej me rastin e 60-vjetorit tim, më ndihmuan të bëhej publik pikërisht me 15 gusht).
Mes qindra librave për historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës disa prej tyre nuk lënë pa treguar një episod. Sipas kësaj ndodhie Allen Dallesi, drejtori i njohur i CIA-as gjatë presidencës Ajzenauer, në vitin 1917, pra kur ishte fare i ri, njëzetë e katër vjeç, punonte si diplomat në ambasadën amerikane në Zvicër, në kryeqytetin e saj Bernë. Ndërkohë SHBA kishte edhe një rezidencë shërbimi diplomatik në Zyrih. Jo në qendër, pra në Bernë, por në Zyrih, me konsullin e parë McNally kishte lidhje një njeri, i cili do të qe shumë shpejt realizuesi i parë i komunizmit real: Vladimir Iliç Lenini. Sipas historisë së ndodhur realisht Lenini i jepte informacion diplomatit amerikan dhe ky, duke ditur rëndësinë e personit, ia niste menjëherë Uashtingtonit me besimin se të dhënat do të shkonin deri te presidenti Uillson. Në të vërtetë shumë pak nga këto raporte, edhe pse përmbanin informacion rreth zhvillimeve më të fundit në Rusinë e paqëndrueshme, shkuan deri tek kryetari i shtetit amerikan. Arsyeja e shpërfilljes (fatale) ishte se këto të dhëna shiheshin me rezervë duke arsyetuar se Vladimir Iliç Lenini për shkak të deformimit ideologjik si komunist nuk mund të qe i besueshëm. Ndërkohë (këtë episod e përshkruan bukur në një libër të saj shkrimtarja shqiptaro-amerikane A. Lifschin) edhe vetë konsulli McNally shihej me dyshim nga eprorët e vet. Shkak qe martesa e të bijës me një gjerman. Madje në fillim të vitin 1917 në Uashington nëpunësin e tyre që nuk u jepte garanci të plotë, patën vendosur ta rikthenin në atdhe.
Në pasditen e vonë të 11 prillit 1917 në zyrën e Allen Dallesit ra telefoni dhe ky, ato çaste në ikje e sipër sepse me kohë pati mbaruar orari ditor i punës, ngriti dorezën. Zëri që u dëgjua nga poret e vogla të receptorit kishte një theks të rëndë gjerman dhe të folurën e një të huaji. U prezantua. Quhej Vladimir Iliç Lenin. Ndihej i emocionuar ndërsa thoshte se atë pasdite do të ndodhej aty shumë shpejt për të biseduar një çështje tepër të rëndësishme. Diplomati i ri amerikan, i cili vetëm në moshë të thyer dhe pas përvojës në CIA do ta pohonte këtë fakt, iu përgjegj Leninit se që atë çast orari i punës pati mbaruar, kurse kur premtonte të vinte ishte shumë vonë. Besonte se nuk do të humbitnin gjë po se atë takim do ta shtynin vetëm disa orë të tjera, duke e bërë të nesërmen në mëngjez, rreth orës dhjetë. Me një fjalë sapo të hapeshin zyrat. “Nesër do të jetë shumë vonë”, iu përgjegj Lenini në përpjekje ta bindëte bashkëfolësin për ta pritur para se të binte për të ajo natë jo e zakonshme e 11 prillit 1917. “Unë duhet të vij sonte”, këmbënguli, “Duhet të bisedoj sonte, patjetër…me dikë..”. Dallesi shkoi menjëherë nëpër mend se çfarë lajmi do të qe ai që nuk priste deri nesër. Me siguri nuk ishte asgjë urgjente e çështje orësh përderisa të gjitha gazetat informonin se cari kishte rënë dhe se pushtetin po e merrnin revolucionarët rusë. Pastaj, siç e vetrrëfen këtë ish-shefi i CIA-s, për Uashingtonin nuk kishte shumë rëndësi se cili do ta merrte pushtetin kur qenë të sigurtë se aleanca atë kohë e Rusisë me SHBA-në kundër gjermanëve ishte çështje e palëkundur. Dallesi i ri nuk mendonte se njeriu me theksin e rëndë të një të huaji, për të cilin nuk e dinte se bashkëpunonte me kolegun e tij në Zyrih, kishte ndonjë peshë të posaçme në ngjarjet që po zhvilloheshin nga Shën Petersburgu deri në Moskë. Kështu nguli këmbë ta shtynin takimin deri të nesërmen në mëngjez.
Pastaj iku atje ku e kishte planifikuar: takimin me një të dashur.
Vazhdimi i kësaj historie thotë se të nesërmen, 12 prill 1917, në orën dhjetë Vladimir Iliç Lenini, hipur në një tren të shpejtë, e kishte lënë pas Zvicrën dhe po hynte në kufirin rus. Po e ndihmonin kundërshtarët e amerikanëve, gjermanët. Shërbimi i tyre i fshehtë, pasi kishte bërë një marrëveshje me të, e pati futur komunistin agresiv dhe inteligjent rus në një vagon të blinduar. Me të mbërritur në vendin e vet Lenini urdhëroi menjëherë të fillonin bisedimet e paqes me Gjermaninë. Bolsheviku që me revolucionin e tetorit 1917 tronditi botën dhe devijoi historinë e saj për më shumë se shtatë dekada (dhe akoma modeli i tij mbahet në jetë në disa shtete) mbrëmjen e telefonatës kishte patur një nevojë shumë urgjente: nën mbrojtje të sigurtë për jetën ta dërgonin prej aty deri në Shën Petërsburg. Me atë shtet që do ta ndihmonte do të bënte edhe paktin e duhur. E vërteta është se Lenini kishte një adhurim të mbajtur fshehur për Amerikën dhe donte që në bëmën historike, të cilën pati ndërmarë, ta kishte aleate. Po të qenë SHBA ato çaste vendi që do t’i gjendej afër dhe do të sipërmerrte këtë transportim urgjent për tek të tijtë atëhere kur të hynte në tokën e vet jo do të bënte paqe, por do të shtonte luftën kundër Gjermanisë e kryente me siguri ndonjë veprim tjetër, i cili mund të shkaktonte në Rusi dhe më pas në botë një rrjedhë tjetër të ngjarjeve.
ooo
Revolucioni i Tetorit do të ishte për botën më shumë se një kataklizmë globale. Filmat më të guximshëm të fantashkencës përshkruajnë atë goditje katastrofike të një meteori të madh që dhjetra mijëvjeçarë të kaluar ngriti mbi tokë një re të rëndë pluhuri, e cila duke e pllakosur për të paktën dy vite me rradhë, prej ngricës e akullnajës që ra mbi dhe, zhduku të gjithë gjallesat e mëdha të kohës, mes tyre edhe dinosaurët. Ajo që nisi në Rusi në 7 nëntor 1917 (sipas kalendarit tonë) ishte pothuaj e njëjta gjë, vetëm se kataklizma nuk ishte fizike, por sociale. Madje ajo do të qe vetëm gjysma e qametit, sepse menjëherë do të shkaktonte supertërmetin e pjesës tjetër. Komunizmi real do të provokonte lindjen e fashizmit.
Komunizmi u përpoq disa herë të triumfonte në vendet e zhvilluara të europerëndimit, por dështoi. Bolshevizmi dhe zhvillimi ekonomik përjashtonin njëri-tjetrin. Komunizmi ose ëndërra ireale për një shoqëri të ardhme, ku do të hahej me lugë të florinjtë, për të mbirë e hedhur rrënjë e ka jetike varfërinë. Vetëm ata që marksizmi i përcaktonte si “që nuk kanë çfarë humbasin veç krahëve të tyre të xhveshur”, mund ta besonin një projekt të tillë.
Kombinacioni fatal i varfërisë në një nga shtetet më të mëdhenj të botës me një mediokër të ashpër e humbës si Car Nikolla i Dytë dhe rusin dinak fitimtar Vladimir Iliç Lenin bënë që në Perëndimin e zhvilluar të funksiononte kundërveprimi, të kërkohej forca që komunizmit do t’i vihej përballë. Ofroi garancinë për t’ja dalë mbanë këtij misioni vetëm fashizmi.
Kështu ndodhi që ndërsa në Rusinë e vitit 1917 triumfoi projekti komunist, ai fashist nuk vonoi shumë. Ngadhënjeu pas shtatë vitesh, në 1924. Ndodhi në Itali. Tashmë nga gjysma tjetër e kataklizmës globale shqiptarët i ndante vetëm një rrip i hollë ujrash detare. Më afër se kaq një krateri të frikshëm vetëm një dorë e mbrapësht fati gjeografik mund të të sillte.
ooo
Kur në zemër të Evropës dhe më pas në hapësirën e madhe e të largët kontinentale të rusëve u bënë përpjekje të viheshin në praktikë disa ide të Marksit dhe të Engelsit për të quajturën diktaturë të proletariatit, Shqipëria ishte vend por nuk qe ende shtet. Aty nuk mund të eksperimentohej asgjë përveç kaosit dhe anarkisë. Pikërisht kur po niste të bëhej sadopak shtet dhe në krye të kësaj fillese qenë në garë të ashpër Fan Noli dhe Ahmet Zogu, u afruan sovjetikët, vendi i vetëm në glob që kishte shtatë vite komunizëm real.
Këtë kohë arkivat dhe historianët që merren me to, dëshmojnë se frymë komunisti nuk gjendej në anët tona, përveç ndonjë emigranti me në gojë një apo dy fraza trockiste. Si të kishte komunizëm në një vend ku industria më e madhe ishin nja dy punishte akulli dhe një dekadë më vonë na u bë një fabrikë e vogël birre?! Pa të quajturën klasë punëtore, siç thoshte edhe vetë teoria e tyre, nuk kishte se si të krijohej në Shqipëri një mëndësi komuniste, pastaj një parti e saj dhe bashkë me të një program politik për vënie në jetë.
Kështu ndodhi që kjo ideologji në viset tona nuk u përkrah nga zhvillime të brendshme, por thjesht u eksportua. Komunizmi mes gjyshërve tanë u fut posaçërisht. Me të u bë diversion sipas një strategjie të Internacionales së tyre me qendër në Moskë. Ajo ishte një ideologji me emisarë shumë ngulëkëmbës e vetsakrifikues. Me bolshevikët e bindur nuk bëhej shaka. Deviza kryesore e misionit të jetës së tyre ishte “Nuk ka kala që nuk e marin komunistët”.
Në të gjithë vitet tridhjetë Moska staliniste si mbi gjithë kontinentin e globin, bëri trysni edhe mbi trojet e shqiptarëve. Kërkoi edhe këtu plastdarmë, prej ku parashikonte të shtrihej në të gjithë vendin. Pas vendosjes së Ahmet Zogut në pushtet i miri dhe gjeniu i mëndjes Fan Noli në mërgimin e tij në Zvicër u lidh fort me sovjetikët, madje bëri edhe një vizitë entuziaste në kryeqytetin e tyre. Dokumentat thonë që organizata e tij politike në Gjenevë financohej me paratë e shtetit të Stalinit. Po ato dëshmojnë se pas deziluzionit prej kësaj përvoje u lidh me amerikanët (kësaj radhe për fat të mirë), edhe sepse këta mes të tjerash e trajtonin më mirë financiarisht.
Duke humbur ndikimin mbi Fan Nolin dhe intelektualë të ngjashëm me të sovjetikët përdorën si emisar për eksportimin e komunizmit në Shqipëri Ali Kelmendin. Ky ishte një person fare i rëndomtë. Asnjë gjumë të rëndësishme nuk la në kohën kur jetoi.
Po njëlloj nuk ja dolën dot të krijojnë autoritet publik në Shqipëri edhe komunistët që mbërritën prej Evropës perëndimore.
ooo
Gjer në 7 prill 1939, për pesëmbëdhjetë vite rresht, ndryshe nga shumë vende të tjera fqinje apo në zemër të kontinentit, as komunizmi dhe as fazhizmi nuk arritën dot të qenë një projekt politik joshës për shqiptarët. Madje u përjashtuan njëherësh të dyja alternativat, duke mbetur në jetën e vendit vetëm në një periferi të largët e aspak kanosëse. Ka shumë arsye për të shpjeguar këtë bukuri, sepse çudi nuk ishte aspak. Kjo ngjarje për të cilën përse të mos krenohemi ishte frut i dy faktorëve: identitetit karakteristik të shqiptarëve dhe politikanit të fuqishëm të kohës Ahmet Zogu.
Revolucionet sociale shpërthejnë atje ku forcat e mëparshme politike nuk kanë autoritet të qeverisin më dhe forcat e reja udhëheqëse ende nuk janë shfaqur. Në agun e vitit 1925, pas një paqëndrueshmërie të gjatë e krize të vazhduar politike, pushtetin e administrimit publik të Shqipërisë e vuri nën dorë të hekurt politikani që nuk kishte as një të njëqindën e shkollës dhe të diturisë së rivalit të tij. Veç pati një dhunti, mbase të lindur. Kishte zgjuarsinë të kuptonte përmasën e atij raporti pushteti që duhet të vendosë një sundimtar me popullin e vet. Sepse Ahmet Zogu ishte një politikan totalitar e aspak liberal apo gjysmë i tillë, siç e teprojmë jo rrallë për t’ja bërë qejfin. Zogu dhe Hoxha në historinë tonë janë mirëfilli sundimtarë. Po të kishim patur pas vitit 1944 një zgjidhje politike pluraliste të modelit demokratik europerëndimor mbase historia jonë nuk do t’i ngarkonte Ahmet Zogut mbi shpinë termin “diktator” (është pak i rëndë në rastin e tij), por do ta përcaktonte si person mirëfilli totalitar. Ndodhi që komunizmi dhe pasonjësi i tij shqiptar Hoxha të instalonte në vendin e vet jo vetëm diktaturën e tipit stalinist, por ta kishte edhe më të ashpërën e të gjithë diktaturave të tjera të eurolindjes, prandaj dhe ndodhi që para një tirani siç ishte ky i fundit paraardhësi i tij dukej ëngjëll fare.
Në dinakërinë e Zogut për të sunduar popullin e vet në masën që i dukej se ishte më e përshtatshmja e kohës ndodhet edhe sekreti përse nuk gjetën mbështetje, për sa kohë qeverisi personalisht ai, as komunizmi dhe as fazhizmi. Matjani energjik bëri të funksionojë shteti i tij, shteti ynë i parë modern, ku për korrupsion kishte plot hapësirë, por për dhunë të tepruar asnjëherë. Ahmet Zogu ishte shumë selektiv e racional. Eliminoi fizikisht nga kundërshtarët e tij sa më pak të qe e mundur. Shumicën e kompromentoi apo i afroi pakt mossulmimi të ndërsjelltë. Enver Hoxha kundërshtarëve të vet u dha si alternativë vetëm dhunë në rritje, përherë në shumim e zgjerim te brezi i dytë dhe i tretë dhe nuk dihej, po të sundonte akoma modeli i tij i qeverisjes, a do ta frenonte dorën e rëndë në gjeneratën e dhjetë. Ai ngriti një sistem politik që e prodhonte dhunën si “perpetum mobile”, gjithnjë në lëvizje, përherë mbi të gjithë e për të gjithë. Kur e përgjoi dhe më në fund e arrestoi një grup komunistësh, mes tyre edhe Qemal Stafën, disa me një veprimtari diversive jo të vogël, në gjyq, në burg apo në ndonjë kamp pune si në Paftal të Beratit, Zogu i trajtoi ata me standarte të civilizuara. Një lloj tolerance të vonë që monarku ua bëri strukturave të partisë fashiste italiane për t’u vendosur e vepruar në disa qytete kryesorë shqiptare apo që t’u aviteshin shkollave, i erdhi jo nga vullneti i tij, por prej forcës së shtrëngimit ekonomik dhe arrogancës ushtarake të përdorur nga Musolini. Ndërkohë Ahmet Zogut në qëndrimin frenues e kufizues ndaj modelit komunist dhe atij fashist i erdhi në ndihmë edhe natyra individualiste e bashkëkombasve të tij. Duke mos gjetur solidaritet ideologjia kolektiviste e ardhur nga Moska, nuk hapi dot vend edhe ajo e fashizmit e parfumuar me këngë pllakash gramafoni nga Roma apo me dhuratë personale një veturë lluksoze që i erdhi Zogut nga Berlini. Të dy ideologjitë ishin si dy enë komunikuese. Kur nuk mbushej njëra çfarë të shkonte për të dërdëngur tjetrën?
Pushtimi italian i 7 prillit 1939 ishte për shqiptarët fatkeqësia më e madhe e atij shekulli. Qe ai dhe kryesisht ai që do të favorizonte pllakosjen e fatkeqësisë së dytë, asaj më të madhes, diktaturës staliniste. Ai robërim musolinian ndërpreu dhunshëm zhvillimin normal të Shqipërisë për të filluar më pas një cikël të tërë anormaliteti, i cili do të zgjaste pa mundur dot të ndërpritej, për plot pesëdhjetë e një vite. Periudha pothuaj dy dekadëshe pas Kongresit të Lushnjës e deri në pushtimin fashist është ajo pjesë e historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të shkuar që mund të quhet më e natyrshmja. Nuk kishte më shqiptare, pra më të vetvetishme me karakteristikat e nivelit tonë të qytetërimit, se sa qeverisja zogiste. Nuk qe aspak e përkryer, por për kohën ishte saktësisht e tipit tonë, maksimalja që mund të arrinim. Shumë gjëra të saj janë të kritikueshme, por ndërkohë qe mjaft e denjë për të na përfaqësuar si një shoqëri e vonë në zhvillim, si një popull që alfabetin e kishim bërë vetëm katër vite para se të shpallnim pavarësinë, që librat e para për të ngritur një bibliotekë kombëtare kishim nisur t’i mblidhnim vetëm më 1920 apo që nuk kishim asnjë kilometër jo vetëm rrugë hekurudhore, por as dekovili të thjeshtë.
ooo
Në mes të majit të këtij viti im at mbushi tetëdhjetë e pesë vite. Me këtë rast gazeta “Kushtrim brezash” botoi një shkrim të shkurtër, të titulluar “Mosha ia fisnikëron dinjitetin”. Atje në pesëdhjetë rradhë sekretari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it për rrethin e Beratit përshkruante ngrohtësisht jetën e tij. Im at ka qënë i ri antifashist mjaft aktiv, nga pushtuesit italianë dy herë i arrestuar dhe për gjashtë muaj i mbajtur në burg në qytetin e tij, në Tiranë dhe më pas në Elbasan. Më vonë doli partizan. Anëtar i Partisë Komuniste u bë më 1945, por ishte simpatizant i komunizmit që në orët e para të aktivitetit të tij antifashist. I gëzuar nga fjalët e mira që pati shkruar “Kushtrim brezash” një ditë ma shprehu këtë ndjenjë. Ishte i bindur se pas tetëdhjetë e pesë viteve jetë të bërë ndershëm ato fjalë mirësie i meritonte. Unë iu përgjigja: Je më i mirë se aq! Ai u emocionua shumë, por unë i kisha thënë të vërtetën time. Ndërkohë pati ndodhur një ngjarje ende e pasqaruar përfundimisht mes nesh. Katër vite më parë ai i pati bërë letër një nëpunësi ministrie që merrej me partizanët invalidë dhe i lutej ta njihnin si të tillë. Sillte edhe dy dëshmi me shkrim. Im at njërin krah, të majtin, e ka pothuaj të paralizuar. Kështu e ka patur që para se të lindnim ne, fëmijët e tij. Duke qënë se për atë atrofizim nuk fliste kurrë u mësuam të besonim se ashtu kishte lindur. Duke qënë se gjendja e invaliditetit nga lufta e çlirimit kishte edhe një ndihmë financiare modeste, duke qënë se është vetëm me pension, bëri atë kërkesë. Mua që më ra letra në dorë para se të merrte rrugën drejt komisionit përkatës, e grisa menjëherë. Ia gjykova si gjest përfitimi të pamerituar. Atëhere ai më shpjegoi një ethe të gjatë të tij në burgun e Elbasanit, ku krahu vërtet i lindur jo i zhvilluar sa tjetri hapi një plagë e nisi të rridhte...I tronditur gjeta në arkivën time elektronike fotot e tij të burgut dhe ja ku është, në anë të grupit, i mbështjellë fort me një pallto të madhe e me fytyrë të prishur nga ethet, ndërsa të tjerët janë në xhaketa e vetëm këmisha.
Për këtë arsye, pra për këtë gabim timin, e për shumë të tjera i thashë se ishte më i mirë nga sa me mirësi e sinqeritet patën shkruar në gazetën e veteranëve të LANÇ-it. Mbi të gjitha i thashë ashtu sepse vetëm shumë vonë, pas vitit dymijë, duke mbajtur shënime për jetën e tij e nënën tonë të paharruar, kërkova dhe mësova të vërtetën e lidhjes me idetë komuniste. Berati është një qytet, i cili lëvizjen antifashiste, përfshi atë komuniste dhe balliste, e ka një nga faqet e tij më shkëlqyese. Duket si një qytet i ngritur në zemër të Europës.
E vërteta e lidhjes së parë të babait tim me idetë komuniste pati nisur nga një trakt. Ishte djalë shtatëmbëdhjetë vjeçar kur tek një ditë ecte në ullishtat e kodrinave mbi qytet një aeroplan italian hodhi nga ajri një tufë traktesh. Disa i ranë afër. Mori njërin dhe në të pa që shkruhej me gërma të mëdha italisht “Komunizmi është e keqja e botës”. Të njëjtën gjë thoshin edhe traktet e tjerë. Dhe befas babait tim të ardhshëm i ndodhi përmbysja e opinionit të tij politik. Familja dhe pothuaj i gjithë fisi ishin simpatizantë të Zogut. Që prej atij çasti ai u shndërrua në “delja e zezë” e fisit dhe shqetësimi i shtëpisë. U bë menjëherë komunist. Pyetjes se si kjo ndodhi iu përgjegj fare thjesht: përderisa fashistët italianë, të cilët kishin pushtuar vendin tonë, nuk i donin komunistët atëhere këta automatikisht duhej të qenë të mirë. Për pasojë, sipas arsyetimit shtatëmbëdhjetëvjeçar, për të luftuar pushtimin nuk kishte rrugë më të mirë se të bashkohej me komunizmin.
Kështu zbulova që kishte qënë atdheu ai që e lidhi im at me ideologjinë e njohur si të kuqe. Historia e doktrinimit të tij të mëpasshëm si militues në ndërtimin e të quajturës shoqëri socialiste, si edhe për qindra mijra të tjerë, është histori më vete, shpesh mjaft e ndërlikuar. Atë mund ta dinë mirë vetëm ata që e kanë jetuar sistemin, i cili në historinë e botës njihet si propogandistikisht më i sofistikuari.
Komunizmi e vërtetoi që ishte një armik i tmerrshëm i fashizmit dhe me meritë luajti rol të madh në shkatërrimin e tij. Shpëtimi i atdheut nga robëria ishte ajo shtysë që i lidhi shumë shqiptarë të viteve dyzetë me Partinë Komuniste. Pothuaj asnjë nuk u lidh me luftën çlirimtare të saj për hir të marksizëm-leninizmit apo të të quajturit Baba Stalini. Njerëzit nuk njihnin Enver Hoxhën, jo më teoritë e Karl Marksit. Madje jemi të detyruar t’i kujtojmë opinionit se PKSH nuk ishte vetëm gjatë luftës parti ilegale, por organizatë e fshehtë mbeti gjer në vitin 1948. Ishte pikërisht kjo periudhë, çlirimi i atdheut dhe mobilizimi entuziast për rindërtimin i tij, ringritja e urave të shkatërruara, rihapja e shkollave apo tharja e kënetave ato që ndihmuan maskimin e totalitarizmit të ri. Në ato tetë vite shpirtrat entuziastë e të dëshiruar të shqiptarëve për një jetë të re u kapën si në grackë. Ata nuk e dinin se ai sistem në fillim të jepte diçka dhe pastaj t’i merrte të gjitha një për një.
Ja përse në rastin e komunizmit tonë ka shumë fatalitet dhe aspak aq shumë pasion ideologjik për të, sa edhe vazhdon të bymehet. Po të mos kishte ndodhur ai pushtim i zi dhe për pasojë vendi të mos qe në rrezik teritorial, stalinizmi nuk do të gjente asnjë përkrahje të rëndësishme në Shqipëri. Lufta për çlirim u dha stalinistëve shpresën dhe mundësinë e vetme që të vinin në pushtet.
Por atdhedashuria gjithnjë është ajo ndjenjë e sinqertë që mund të manipulohet më lehtë. Vetë pushtuesit, fashistët italianë dhe gjermanë, me realizimin e bashkimit të trojeve të përgjysmuara padrejtësisht, pra me përmbushjen e brengës së madhe të shqiptarëve, intriguan demagogji për të siguruar bashkëpunimin e shumë nacionalistëve me pikëpamje të djathta. Në goditjet që regjimi komunist i dha kësaj shtrese të vyer asnjëherë nuk bëri përpjekje ta arsyetojë këtë pamje të së vërtetës, të paktën për një lehtësim moral. Nëse një veprim e ke bërë se ke kujtuar sinqerisht që ashtu i bëhej më mirë mëmëdheut tend atëhere gabim mund të jetë, por faj jo. Në dokumenta zyrtare të viteve të diktaturës, nga ato që ndodhen në arkiva, për të djathtë të arratisur akuza kryesore është jo se janë antikomunistë, por sepse konsiderohen tradhëtarë të vendit. Por cilin vend patën tradhëtuar, përveç regjimin politik të kohës? Mjaft prej këtyre të arratisurve tashmë nuk jetojnë më. Kanë mbetur nëpër botë vetëm pak mbi tetëdhjetëvjeçarë. Disave u kemi shkuar edhe në shtëpi. Është tronditëse: po i kalojnë ditët e tyre të fundit të jetës të rrethuar vetëm nga flamuj të kuq me shqiponjën në mes. Mbajnë flamuj të të gjitha dimensioneve. I kanë kudo: në sallon, në dhomën e ndënies, në korridor, mbi komodinë në dhomën e gjumit, por edhe mbi krye të shtratit, atje ku zakonisht rri fotografia e jetës, ajo e çiftit bashkëshortor.
Kadri Beqiri, i biri i Kujtim Beqirit, inxhinierit që pati mbaruar shkëlqyeshëm studimet në Vjenë dhe që u var bashkë me grupin e quajtur si sabotator të tharjes së kënetës së Maliqit, na ka treguar këtë episod. Ishte fundqershori i vitit 1959. Daut Runa, i afërm i tij, sapo kishte mbaruar 15 vite burg dhe i erdhën për ta uruar Sadik Bora, Halo Kuçi, Abdulla Ramizi, edhe këta me fat të njëjtë. Kur bashkëvuajtësve u shtroi drekën dhe u ofroi të uleshin në tavolinë, të gjithë në fillim u ngritën në këmbë dhe nisën të këndonin Himnin e Flamurit. Rrëfyesi, i cili atëhere ishte vetëm një fëmijë, e ka të ngulitur këtë ngjarje edhe sepse ata ish të dënuar (për ndonjërin pati më pas edhe riburgosje) nuk kënduan vetëm një strofë dhe refrenin, por të gjithë himnin, varg për varg, fjalë për fjalë, notë për notë. Para se të futet në gojë kafshata e parë bukës shumë fe me autoritet në botë kanë rregullin që t’i bëhet lutje Zotit. Ata bashkëkombas të persekutuar në atë fundqershor 1959 ia drejtonin lutjen Flamurit dhe atdheut të tyre. Verifikimi nëse ishin mpleksur me gjermanët në veprimtari dukshëm kolaboracioniste na rezultoi me një “jo”. Dhe a dini përse? Për një arsye mjaft të thjeshtë. Ishin ballistë të korentit filo angloamerikan. Qenë të alternativës se të ardhmen e Shqipërisë e zgjidhte vetëm ardhja e tyre. Ata kurrsesi nuk mund të bashkëpunonin me nazistët, sepse vendet që adhuronin qenë në luftë botërore kundër tyre. Mirëpo kjo pjesë e të vërtetës u mbajt e fshehur atëhere dhe mezi po merr dritë tani.
Sapo mbarova së lexuari një libër kujtimesh (“Albania, 1943”) të një prifti italian, Xhovani Bonomi, i cili gjatë luftës ishte kapelan regjimenti në Gjirokastër. Është botim i vitit 1966, libër mjaft i rrallë për disa gjëra që pohon, sidomos përgjatë periudhës së kapitullimit të Italisë fashiste. Atje mund të shohësh të provuar me të dhëna të plota se si lëvizja partizane qe mjaft e disiplinuar dhe e sakrificës, mjaft zemërëgjërë dhe largpamëse me italianët e mbetur tashmë pa mbrojtje, shumë e lidhur me anglezët, siç ke rastin të marrësh dëshmi se si edhe ballistët, edhe pse pa disiplinë, janë të shumtë numerikisht dhe kanë bërë në disa raste luftë të armatosur kundër pushtuesve italianë. Në rast se pas sabotimit të Mukjes, me ardhjen e gjermanëve, u shtuan politikanët apo njësitë balliste në marrëveshje me ta, kjo nuk do të thotë se mund t’u mohohet, për aq sa është bërë, lufta e tyre për liri, të paktën në periudhën e para vjeshtës së vitit 1944. Meritës së madhe dhe historike, të pamohueshme dot, të rezistencës së madhe antifashiste të komunistëve nuk do t’i pakësohej asgjë në rast se merr ndriçim të plotë kjo vlerë e mohuar për një gjysëm shekulli.
ooo
E di që është mjaft e diskutueshme dhe le të jetë kështu e unë të mos kem aspak të drejtë, por po e shkruaj publikisht atë që prej vitesh mendoj, jo pa parë, lexuar e analizuar shumë. Autorit të këtyre rradhëve i është krijuar ideja se socialkomunizmi ishte një sistem shumë i keq, por me njerëz relativisht të mirë.
Kjo nuk do të thotë se atëhere nuk kishte njerëz shpirkëqinj, madje vetë ai sistem u çelte udhë të tillëve. Kjo nuk do të thotë po ashtu se pas vitit 1990 jetojmë në një sistem politik të mirë, por me njerëz të këqinj. Shoqëria e hapët e inkurajon njeriun me vlera dhe atë me shpirt human, edhe pse akoma, duke përjetuar tranzicionin të egër, ka tepër shumë të pangopur, egoistë të pafre dhe veçanërisht hajdutë.
Gjatë diktaturës, po të rilexosh udhëzimet që vinin apo veprimet të cilat urdhëroheshin të kryheshin në terren, dallon që janë më të ashpëra nga lart, se sa kur zbatoheshin në bazë. Ndonjërit lexues mund t’i duket se duhet të ketë qënë e kundërta, pra që uji turbullohej sa më larg nga burimi rridhte. Mendoj se kataklizma e stalinizmit kishte shkaktuar të kundërtën, pamjen apoliptike të gjërave: burimi nxirrte ujë të turbullt dhe ai kullohej sado pak vetëm udhës. Në provincë apo qyteza të largëta nga Tirana zyrtare mund të kishte raste ku tregoheshin “më katolikë se Papa”, por masivisht kudo ashpërsia e regjimit të nxitur nga qendra zbutej. Një gjë e tillë ndodhte për shumë arsye, mes tyre edhe për faktin se njeriu i thjeshtë mbetet ruajtësi i vërtetë i identitetit të një populli. Ai nuk mund të fanatizohet apo doktrinohet në përmasa denatyrimi. Kjo mund t’i ndodhë vetëm një pakice, por edhe kësaj jo për shumë kohë. Shqiptari i thjeshtë për shkak të identitetit të tij indidivualist dhe anarkist nuk e ka dashur fare komunizmin. Ai më shumë është konformuar me të dhe ndërkohë e ka sabotuar në heshtje, me dhe pa vetëdijë. Me këdo popull nuk shkon komunizmi, por me shqiptarin, për shkak të karakterit të tij, është totalisht i papajtueshëm. Ai i ka bërë qendresë në heshtje. Kur nga të gjithë atëhere thuhej se njerëzit bënin sikur punonin dhe qeveria sikur i paguante do të thoshte se padëshira për ta vënë në jetë projektin “e shoqërisë së re” ishte shndërruar tashmë në sabotim masiv. Nuk mund të ndodhte ndryshe kur pas viteve pesëdhjetë shqiptarit filluan t’i hiqnin të drejtën e pronës së tokës apo të një dyqani privat. Ai ka qënë shpirtërisht mospranues i komunizmit real kur në vitet gjashtëdhjetë i hoqën të drejtën e besimit të lirë në një fe. Ka mbetur i dëshpëruar kur në vitet shtatëdhjetë lufta e klasave u shndërrua në një kërbaç që nuk pushonte dhe godiste sa djathtas majtas, tashmë pa kursyer edhe ata që i patën shërbyer. Shqiptarin e kapi zëmërimi kur në vitet tetëdhjetë i zbrazën në fshat katoin dhe në qytet qymezin dhe nuk gjente dot, përveçse me tullon, një litër qumësht dhe pesë kokra vezë. Dhjetori 1990 ishte korrja e një furtune të mbjellë.
Komunizmi ishte utopi dhe dihet që edhe utopitë përgjakin. Mirëpo mes besuesve të saj ka patur edhe mjaft idealistë. Kur atë kohë betoheshin me shprehjen “për ideal” për disa mund të qe hipokrizi, por për shumë ishte sinqeritet. Pasoja e parë dhe e dhimbshme gjer në kockë e diktaturës mbetet ajo e të persekutuarve politikë. Njëmijë herë ndjesë t’u kërkohet nuk vihet dot në vend dëmi që u është shkaktuar. Pasoja e dytë mbetet ajo e popullit, i cili pranoi të hynte në shoqërinë e re me triska (sepse ishte edhe pasluftë), dhe pas plot dyzetë e gjashtë vitesh (dymbëdhjetë legjislatura), kohë e mjaftueshme për të vënë në jetë edhe programin më ambicioz të zhvillimit, e lanë me tollona. Duke mos qënë pasoja e tretë, as e katërta, por po të doni edhe as e dhjeta, një prej tyre mbetet edhe drama e komunistëve të ndershëm. Ata patën kujtuar se vepruan drejt. Dhimbja e tyre pas mashtrimit që u bënë nuk do të ketë ngushëllim. Pas më shumë se tre dekadash, dy vite më parë, pashë në një udhëkryq të Tiranës një ish-komunist moshëthyer, të cilin e njihja që kur isha mësues në një fshat të largët dhe ku, në fillim të viteve tetëdhjetë, në rrethana që i gjykova të nevojshme, hyra edhe unë në Partinë e Punës. Për fat të keq (por ndihem edhe me turp) isha një nga ata që i besova me gjithë shpirt asaj alternative.
Pra atë çast në udhëkryq u gëzova që e pashë gjallë plakun e mirë me mbiemrin e bukur Lila, i cili ishte aq shumë i devotshëm dhe në fshat, “duke zbatuar mësimet e partisë e të shokut Enver”, shkonte të punonte në sektorin më të vështirë. E thirra me mall, por në fillim, nuk më njohu. Duhej ta kishte vështrimin mjaft të dobësuar. Përsërita “Nuk po më njeh, xha…”. “Ah!”, thirri më në fund, “Ti je….” Dhe shqiptoi emër-mbiemrin tim. “Të njoha nga zëri”, vazhdoi. Sytë iu mbushën me lotë dhe nuk bëri asnjë veprim tjetër veç hapi krahët e tij të mplakur, i shtriu sa mundi dhe shqiptoi me dhimbje fjalët “Ne të shkretët për mirë u munduam!” E përsëriti edhe njëherë dhe nuk tha më asnjë fjalë. Nuk mund të thoshte gjë tjetër. E kishte brengë të të gjithë jetës dhe nuk qetësohej dot.
Diçka më shumë se një vit më parë rashë në dijeni të një fakti befasues. Në fillim të vitit dymijë një ish-sekretar i parë i një rrethi të veriut në regjimin komunist, me votim unanim të të gjithë këshilltarëve të partive të ndryshme, ishte shpallur qytetar nderi i qytetit. Vendosa që për këtë ndodhi të bëja një shkrim dhe telefonova në familje. Atë çast një pjesëtar ra dakort të bisedonim për të marë të dhënat konkrete, por dy-tre orë më pas, të tjerë që kishin ardhur me urgjencë më përcollën refuzimin. Sigurisht druheshin se mos pas botimit të shkrimit nga ndonjë drejtim binte mbi ta ndonjë dallgë moskuptimi dhe ca më shumë mërie.
Megjithatë fakti i bukur kishte ndodhur. Ishte një mirëkuptim i madh partish demokratike për ta dënuar diktaturën duke u sjellë ndryshe nga ajo.
ooo
Enver Hoxha ishte një fatalitet tjetër, për mos t’i hyrë Jaltës dhe përse në tryezën e bisedimeve të tre më të fuqishmëve të botës u shpërfill dhe u harrua fati i Shqipërisë. Ishte fatale ato çaste edhe pesha e vogël gjeostrategjike e trojeve tona. Luftohej për të kontrolluar superstrategjiket hapësira të Jugosllavisë dhe Greqisë.
Të vjen keq kur sheh se vazhdohet akoma të ushqehet lexuesi me botime proçesverbalesh të mbledhjeve të grupit udhëheqës komunist të diktaturës. Ato qenë të nevojshme një kohë, por jemi shumë vonë në analizën e jo në rrëfimin e asaj që ndodhi. Na mungon depërtimi i thellë jo vetëm brenda sistemit dhe mekanizmave të regjimit, por nuk ka asnjë hap të rëndësishëm edhe brenda fenomenit të quajtur Enver Hoxha. Sharjet dhe mllefi i derdhur kundër tij, shumë i kuptueshëm dhe i pranueshëm për ata që persekutoi, po e largojnë vëmendjen nga analiza. Ndërkohë historianët, të cilët janë më profesionistët e kësaj pune, kërkojnë dokumenta më shumë dhe ankohen se arkivat për një pjesë të asaj periudhe qëndrojnë akoma të mbyllura. Ajo që bëjnë disa kineastë, shkrimtarë apo publicistë, është e dobishme, shpesh e pazëvëndësueshme, me ndikim mjaft të madh emocional në vetëdijën e shoqërisë, por rigjenerimi i shëndoshë i saj nis përherë nga analiza dhe logjika.
Tek misteri dhe kllapia Enver Hoxha nuk hyhet me hokën Dulla. Hoxha mbetet një gjeni i së keqes.
Është gjetur një pohim i Dushan Mugoshës, sipas të cilit të dërguarin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë në themelimin e PKSH-së Josif Broz Tito e ka porositur që kryetari i komunistëve shqiptarë jo vetëm të zgjidhej një nga ata që nuk drejtonin grupet e mëparshme, të ishte me idetë e Stalinit, por edhe të qe i pashëm. Ndër ata që morën pjesë në themelim Enver Hoxha ishte më i bukuri. Mund të bëjmë shaka apo ironi me këto që tani po shkruajmë, por dihet se sa peshë të cilësisë hipnotizuese të karizmës ka pamshmëria e një politikani. Dhe ne shqiptarët dukjen, pamjen, e kemi kult. Që prej vitit 1912 ata që na kanë drejtuar më gjatë ka qënë burra të pashëm. Të pabukurit kanë humbur të gjithë apo kanë qeverisur fare pak, në kalim e sipër.
Disa mund ta kenë aq të shtuar inatin kundër Enver Hoxhës sa t’i thonë që ishte një pederast. Nuk qe i tillë. Se ishte kurvar. Sapo u martua i qendroi besnik moralit të familjes. Se ishte hajdut. Personalisht nuk vodhi kurrë. A nuk e shtonin këto karizmën e tij dhe për pasojë rritnin shkallën e rrezikshmërisë publike?
Diktatori nuk ishte as belbacuk, as gafaxhi, as fytyrëzymtë, as i trashë. Qe orator i nivelit të lartë, mbase ja ka kaluar pak vetëm Fan Noli. Por edhe ky gojtarinë e kishte për elitat, kurse kryekomunisti shqiptar mjaft joshëse për turmat. Ka një histori të fisme që e bëjnë elitat, por ka edhe një tjetër që e kryejnë tufat njerëzore. Komunizmin Enver Hoxha e pati zgjedhur sepse nuk ka ideologji më të përkryer për ta mbajtur një popull sa të jetë e mundur më gjatë në gjendje kopeje. Oratoria e tij ishte një nga mjetet e tij kryesore. Diktatori në realizimin e sistemit, i cili ishte mirëfilli një gafë, nuk gaboi kurrë. E çoi atë gjer në fund me një stil metodik shembullor, si të qe një harmoni. Enver Hoxhës nuk i dridhej zemra kurrë nëse bashkëluftëtarët e tij përfundonin të zhdukur e pa varr, por ndodhte që përlotej nga ndonjë këngë popullore. Zëmërimi i tij ka qënë i tmerrshëm, por në të njëjtën kohë buzëqeshja dhe tundja përshëndetëse e dorës plot magji. Mund të kenë qejf ta quajnë të paditur, por ai kishte bibliotekën jo vetëm më modernen, por edhe më pluralisten në Shqipëri, madje lexonte e shkruante pa pushim. Për të Italia ishte “aeroplanmbartësja e imperializmit amerikan”, por kur shkonte për pushim në Vlorë apo në Pogradec një ditë para mbërritjes së tij antena të posaçme në pika të larta të relievit fillonin të transmentonin televizionin italian. Kur ikte sigurisht antena mbyllej, por banorët e qytetit ndërkohë patën shijuar ca kohë nga “kapitalizmi i urryer”. Eleganca e veshjeve të Enver Hoxhës, por jo lluksi, e mbanin përherë ashtu siç kishte qënë në të ri: shqiptar që pati shijuar me shpirt jetën e Perëndimit. Sot mund të bësh sikur nuk e di që diktatori në qytetin e vet rridhte nga një familje me emër publik, kur ishte pikërisht kështu. Mund të ripërsëritet se marksizmi i tij vinte nga zgëqet e Uraleve, por në të vërtetë pati ardhur nga zemra e kontinentit, nga vetë Franca. Madje pothuaj e gjithë grupi që e mbështeti vinin nga Perëndimi, jo nga lindja.
Enver Hoxhës mund t’i thuhet po ashtu se nuk e donte Kosovën, kur me siguri e ka dashur. Ndërkohë sepse donte mbi të gjitha pushtetin e vet i solli çështjes kombëtare dhe vetë Kosovës dëme mjaft të mëdha. Hoxhës mund t’i përplaset në fytyrë edhe akuza se nuk e donte as Shqipërinë, kur në të vërtetë mendonte se e donte. Veç nuk gjendet tjetër si ai në historinë tonë që i dobësoi burimet njerëzore dhe ekonomike të saj gjer në shkatërrim.
Metoda e inateve, pra e thjeshtëzimit të Enver Hoxhës, mund të çlirojë përkohësisht nga dhimbja apo të lehtësojë dufe, veç nuk zgjidh asgjë. Është i njëjti stil si ai i komunistëve, të cilët për të poshtërruar kundërshtarët e tyre ballistë i bënin frikacakë. Enver Hoxha, po ta krahasosh me liderët e tjerë komunistë të Lindjes, përfshi edhe vetë Stalinin, ka qënë më i bukuri i tyre, më inteligjenti, më dinaku, më radikali, më joreformatori, më servili, më mosmirënjohësi, më i eturi për pushtet personal, më i pashpirti. Patëm regjimin më të ashpër të ish-lindjes komuniste, por ndërkohë udhëheqësin më të përsosur për këtë mashtrim.
Ja përse ishte një dramë të lindje në sistemin politik që sajoi ai. Gjithçka qe ndërtuar me një talent diabolik. Të imunizuar të sigurtë ishin vetëm ata që nuk e donin atë sepse qenë kundërshtarë politikë të tij. Gjithë të tjerët ishin të rrezikuar të binin në narkozë. “Shqipëria kështjellë”, “i vetmi fanar ndriçues i socialismit në botë”, në kushtet kur nuk kishe jetuar, parë apo lexuar për vende dhe sisteme të tjera politike dhe nuk të linin rreptësisht ta bëjë këtë, ka qënë gracka ku ramë. Gjithçka për të mbetur aty, të kapur kokë e këmbë në rrjetë, ishte përpunuar gjer në hollësi. Unë e kam lexuar Marksin që kur isha në vitet e para të gjimnazit. Dhe a e dini përse? Jo vetëm se në këtë laborator të frikshëm po shndërrohesha pak nga pak në një qenie eksperimentale të “njeriut të ri”, por edhe sepse botimet e Marksit dhe të Engelsit qenë më të bukurat, më luksozet. Ato binin aromë dhe mua tërë jetën aromat e librave më kanë tunduar.
ooo
Në një radiogram sekret që në fillim të viteve gjashtëdhjetë nga një kryeqytet i rëndësishëm i Evropës perëndimore mbërrinte në Tiranë informohej qendra rreth një ngjarjeje, e cila pati sjellë alarm. Një mik i njohur i vendit tonë dhe i vetë komunizmit, madje edhe i Enver Hoxhës, në një artikull e kishte cilësuar këtë të fundit diktator. U dha menjëherë urdhëri kategorik që me personin në fjalë të bisedohej e mbahej qëndrim shumë i ashpër. Kur u thirr në ambasadë miku i sinqertë e Shqipërisë, por edhe i Hoxhës, nisi t’u shpjegojë përfaqësuesve të Tiranës se gjithçka e pati bërë me drejtësi dhe dashuri. “Me dashuri?!” shtangën diplomatët e kohës. “Po”, shtoi tjetri. “Unë jam vetë simpatizant i komunizmit dhe siç e kemi në programin tonë, projekti ynë politik është ngritja e diktaturës së proletariatit. Udhëheqësi i këtij sistemi, po të jemi shkencërisht korrektë, nuk është tjetër veç diktator. Për rrjedhojë shoku Enver është diktatori i diktaturës së proletariatit në Shqipëri”.
Të dërguarit e shtetit të atëhershëm në atë vend të Perëndimit ia raportuan kështu qendrës, duke e justifikuar me sa mundën mikun e huaj, por mbetën të pagojë. Vendi i tyre e kishte të shkruar në programin politik dhe në kushtetutë që ishte diktaturë. Të hipnotizuar nga propoganda se ishin një “demokraci popullore”, ata nuk e patën vënë re se ligjërisht dhe realisht jetonin në një diktaturë. Ishte dyzim? Qe thjesht mashtrim, fasadë parajsëndjellëse dhe brendësi e ferrtë.
Kur një prej mjekëve francezë që e kuronin me shumë vëmendje dhe të cilët kurrë nuk morën ndonjë porosi nga struktura të hapëta dhe të fshehta të shtetit të tyre që të mund t’i shkaktonin artificialisht diktatorit shqiptar pasoja negative në shëndet, tregon se si në intimitet me Enver Hoxhën, në një bisedë-shëtitje, kishte përfituar nga rasti dhe i pati bërë propozimin që ta lironte fare pak shtrëngesën që i bënte popullit të vet. Ishte fjala për fare pak “lirim burmash”, ç’ka nuk donte të thoshte aspak të hapej rruga për pluralizmin politik apo të hiqej ndonjë nen nga kushtetuta e tmerrshme e 1976-ës. “Fare pak lirim” donte të thoshte dy herë më pak të përndjekur politikë, dhjetë viza më shumë për të dalë jashtë, flokë që gjithësecili mund t’i mbante si të dëshironte, ndonjë palë pantallona xhinsi, ca çimçakizë...Në këtë kohë në Moskë, në qendrën e komunizmit botëror, kishte dy dekada që kërciste minifundi. Sipas mjekut francez Hoxha pati ndalur hapat dhe qe kthyer nga ai. Arsyetimi që i dha mbrojtësit të tij të jetës, pra një miku tërësisht besnik, ishte pak a shumë ky: Shqiptarët nuk janë francezë, nuk kanë atë kulturë të lartë; po nuk i mbajte në dorë të shtrënguar...
Ka një mijë arsye dhe prova për të pohuar se Enver Hoxhën nuk e bëri diktator ideologjia marksiste-leniniste dhe programi politik i komunizmit botëror për ngritjen e shoqërive të diktaturave të proletariatit. Ai ishte vetë një diktator i lindur. Ai edhe shoqërinë e hapur, po ta nxirrnin rrethanat historike në krye të vendit, do ta shndërronte dinakërisht në diktaturë. Marksist-leninist qe edhe Sejfulla Malëshova, madje njëqind karatësh, por individualisht nuk pati karakter diktatori. Enver Hoxha komunizmin, për aq sa ishte i tillë dhe kjo temë nuk do të rreshtë së diskutuari e dyshuari, e përqafoi si mënyrën më të favorshme për të realizuar ambicien e tij personale për sundim. Enveri e kishte shumë të qartë që gjatë luftës se do të vendoste në Shqipëri një diktaturë. Ka një deklaratë të tij në vitin 1947 ku pohon se Partinë Komuniste e mbajti për disa vite në ilegalitet edhe pas çlirimit, sepse dëshironte t’u hiqte justifikimin krijimit të partive të tjera. Fronti Demokratik Nacionalçlirimtar gjatë luftës, pa ia mohuar kontributin e luftës kundër pushtimit, qe një gjetje dhelparake për të bllokuar pluralizmin. Kjo u duk më qartas kur ky Front në zgjedhjet e para të pasçlirimit (dhe vendimtare për vendosjen e sistemit politik) u përdor e luajti hapët për mospranimin e partive të reja.
Ana Lalaj, një nga studjueset tona më të reformuara në interpretimin e historisë së luftës antifashiste dhe veçanërisht të viteve të diktaturës, në një shkrim të saj ende të pabotuar provon se ngjarja e Konferencës së Tiranës e ndodhur në klimën e përgjithshme të “shkrijes së akujve” në lindjen komuniste, nuk ka qënë aspak vepër subversive, pra e organizuar nga jashtë. Askush nga kritikuesit nuk kërkonte ardhjen e demokracive të modelit europerëndimor, por thjesht një lirim të shtrëngimit të madh nga lart. Të gjithë vendet komuniste të kontinentit e kishin nisur dhe e bënë këtë, pa përjashtim. Dhe mbetën sërish këmbëngultësisht të tilla, komuniste. Por Enver Hoxha nuk e kreu “shkrirjen e akujve” jo vetëm sepse mund të rrezikonte vendin e të parit dhe ta pasonte një tjetër, ndërrim që ngjau pas destalinizimit kudo në vendet e tjera, por edhe sepse ai nuk mund të jetonte dot pa i patur të gjithë njerëzit rreptësisht në dorën e tij. Kur rasti i zbutjes pa prishur shtyllat e regjimit, ai liberalizimit të viteve 1971-73, i erdhi për ta gjykuar, Hoxha veproi me të njëjtën mënyrë, drejt shtrëngimit të hekurt. Kësaj rradhe nuk i kanosej as vendi i të parit. Kjo provoi se ai kishte prirjen e pandalur të frenonte çdo liri. Ky është edhe thelbi i një diktatori patologjik.
Tashmë edhe pse kanë kaluar tetëmbëdhjetë vite nga mbyllja e historisë së modelit të regjimit të tij ndihet sa e rëndë është ajo trashëgimi. Jo në ekonominë e tregut, ku shqiptari gjeti shumë shpejt identitetin e mohuar nga diktatura dhe po shkëlqen, as në jetën e brendshme partiake, sepse pluralizmi sidoqoftë po përparon, por mbi të gjitha në kujtesën kombëtare. Nga ai laborator përpunimi mendor të njeriut manipulimi më i madh ka qënë në memorien e tij. Për dyzetë e gjashtë vite është devijuar mjaft nga e vërteta. Pa çliruar, plotësuar dhe demokratizuar plotësisht kujtesën shoqëria jonë nuk mund të bëjë hapa energjikë drejt Perëndimit dhe Bashkimit Evropian. Kujtesa kombëtare është institucioni më i madh që ka një popull si edhe stimuli më i madh për zhvillim që ai zotëron natyrshëm. Kujtesa është edhe roja më vigjilente për t’u mbrojtur nga përsëritja e gabimeve.
ooo
Duket sikur është fatalitet, por duke mos qënë i tillë, i ngjan mjaft. Njeriu në këtë botë kur lind nuk ka mundësi të zgjedhë jo vetëm prindërit e tij, por as vendin e kombin, as shekullin, vitin e ditën, as nëse do të jetë djalë apo vajzë, me trashëgimi genetike të shëndetshme apo të kompromentuar e kështu me rradhë. Por ky është rregulli i jetës së njerëzimit, fatalitet të mirëfilltë përse lindim nuk ka. Veç mund të ketë në një pamje tjetër të gjërave. Njeriu kur lind nuk mund të zgjedhë dot as nivelin e qytetërimit të shoqërisë, të cilës tashmë i përket, as sistemin politik të saj. Kështu një shqiptar që lindi në vitin 1945 apo më pas, deri në fund të 1990-tës, pra kohë sa për dy gjenerata të plota njerëzore, nuk mund ta dinte se e kishte nisur jetën në një regjim, i cili quhej komunizëm.
Kur Helmut Kohl bëri vizitën e tij të parë në Izrael dhe në emër të popullit gjerman u kërkoi hebrenjve të falur për krimet që nazizmi pati shkaktuar ndaj tyre, shqiptoi edhe këtë frazë: “Nuk e patëm fatin të lindnim më vonë”.
Sepse as ai nuk e kishte në dorë këtë gjë.
Ylli Polovina
Tiranë, më 11 gusht 2008
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|