Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu ka pasardhës të gjallë (Pjesa e katërt)

Pjesa e katërt

Botuar në “Gazeta Shqiptare”, 16-17 korrik 2008

Ndërsa e kishte djalin si trashëgimtar dhe po ashtu një vajzë mjaft të bukur, Erinën, e cila do të bëhej edhe shumë e mënçur, nipi i Skënderbeut, Ferrante, lindi fëmijën e tretë. Është djalë. I vë emrin Federiko. Ndodhemi në 1519, pra një vit më pas nga lindja e Erinës. E papritura: Ferrante këtë djalë nuk e ka me gruan e tij të ligjshme, dukeshën Adriana Akuaviva, por me një tjetër. Ajo quhet Pacienca Polastra (Pazienza Pollastra), bijë e një qytetari të thjeshtë.
Me Federikon nis cikli i fëmijëve natyralë të nipit të vetëm të Skënderbeut dhe po ashtu mbyllet lindja e fëmijëve të ligjshëm. Ferrante dhe Adriana jetuan bashkë normalisht, duke bërë 46 vite martuar. I nipi i Skënderbeut ndërroi jetë në 27 dhjetor 1561 dhe bashkshortja e tij në 10 dhjetor 1568. Pra të dy i ndau vetëm vdekja. Atëhere përse ndodhi që Adriana Akuaviva, me sa duket një grua shumë e urtë përballë të shoqit tepër të trazuar nga pasionet dhe protagonizmi, nuk bëri më fëmijë? Pikëpamja ime, të cilën nuk e kam dëgjuar nga asnjë tjetër edhe përmatanë brigjeve, është se ajo nuk ka mundur dot të lindë më. Patjetër Ferrante ishte i ndërgjegjshëm dhe i vendosur që trashëgimtarin e dinastisë Gjergj Kastriot Skënderbeu ta vijonte nga martesa me Adrianën. Doemos edhe vetë Adriana këtë gjë e dëshironte shumë, ca më tepër që ashtu pasonte edhe emrin e derës së saj prej dukeshe nga Akuavivat. Si grua, deri edhe për sfidë ndaj flirteve të tij dhe grave rivale, ajo do t’ja kishte “rrëmbyer” Ferrantes të paktën një djalë. Kastriotët prodhonin djem. Për Adrianën zemërbutë shtysa e rënies shtatzanë për trashëgimtarin e ligjshëm do të ketë qënë jo vetëm e vazhduar, por edhe tepër turturonjëse po të tregojmë se djali i saj i vetëm vdiq papritur në moshën dhjetëvjeçare. Kësaj krijese të pafajshme nuk i gjendet emri, por sipas studjuesit italian Alessandro Laporta jeta e tij e shkurtër u harkua mes viteve 1516 dhe 1528. Këtë çast tragjik nipi i Skënderbeut kishte edhe një djalë natyror, Federikon, por kjo nuk e zgjidhte lehtësisht vijimin ligjor të dinastisë. Adriana Akuaviva donte të lindëte fëmijë me të shoqin, por patjetër nuk ka mundur dot biologjikisht. Për fat të trishtë ajo grua e mirë duhet të jetë shterpuar,ndoshta nga ndonjë sëmundje.
Krijesa e katërt e Ferrantes është vajzë, sërish frut dashurie jashtëmartesore. Quhet Lukrecia (Lucrezia). Nëna nuk është saktësuar dot. Fëmija vijues quhet Alfons. Nipi i Skënderbeut e ka me Pacienca Polastrën, me atë që pati lindur Federikon. Tashmë ajo është rreth të tridhjetave. Pra Ferrante për më shumë se pesëmbëdhjetë vite nuk e ka braktisur.
Krijesat e tjera të nipit të Skënderbeut janë djem. Njërit iu vu emri Pardo dhe nëna e tij quhej Porcia de Urizio (Porzia de Urrisio), nga një familje e njohur e dukatit të Galatinës. Tjetri u pagëzua me emrin Akile (Achile) dhe për nënë kishte Dianora Koronitën (Dianora Coronita), një skllave, të cilën Ferrante ia kishte blerë një anijeje greke apo venedikase dhe e pati shpallur të lirë. Djali pasonjës quhet Çezare (Cesare). Nëna e tij mbetet e paidentifikuar. Djali i gjashtë Annibale, pagëzuar më 3 shtator 1552, pa të dhëna për nënën. Më 7 gusht 1554 lindi vajza me emrin Porcia (Porzia), frut i lidhjes jashtëmartesore të Ferrantes me Maria Vilamarin (Maria Villamari). Një vajzë tjetër, emri i të cilës do të ngjallë gjyshen Donika (Adronica) do të ishte krijesa e re. Ajo ka nënë Porcia de Urrizion, me të cilin nipi i Skënderbeut pati edhe djalin Pardo. Më vonë një vajzë e katërtë jashtë martese do të marë emrin e gjyshit Gjon (Giovanna). Më 3 maj 1562 u pagëzua i shtati djalë. U quajt Ferrante, në kujtim të të jatit, sepse tashmë i nipi i vetëm i Skënderbeut kishte disa muaj që pati ndërruar jetë.
Shtatë djem, katër vajza, katër gra jashtëmartese dhe dy të tjera akoma anonime, janë bilanci (ndoshta i përkohshëm) i jetës intime të dukës Ferrante. Këtu ka nisur pështjellimi, pse jo edhe shumë dëshirë që historia e pasardhësve të Skënderbeut të mbyllet njëherë e mirë. Mirëpo pikërisht këtu, në këtë rrëmujë me pasion të tepruar (pse jo edhe të intriguar), gjendet fare mirë edhe hapësira për qartësim, shpjegim dhe mirëkuptim.
Të lëmë mënjanë qejfet e Ferrantes,atë kohë gjë rutinë, por krahas dramës që pati bashkshortja e tij fisnike Adriana Akuaviva, ka mjaft prova që na bëjnë të mendojmë se nipi i Skënderbeut dhe trashëguesi i atij emri shumë të famshëm në Itali dhe Evropë, është më pak mëkatar dhe përgjegjës nga sa duket me shikim të parë. Ferrante i trajtoi dukshëm të gjithë fëmijët e vet natyralë si t’i kishte të ligjshëm. Këtë gjë e bëri jo vetëm me vetëdijë, por edhe me pëlqimin e gruas së tij Adriana. Më së pari u dha mbiemrin e tij, pra përkatësinë e dinastisë. Ata ishin të gjithë Kastriotë Skënderbej. Profesor Xhankarlo Valone ka gjetur një dokument të 12 majit 1566 kur thuhet se në Galatinë në martesën e dy shqiptarëve (Kirenti me Korinën) janë të pranishëm bashkë “zoti Don Achile, zoti don Pardo dhe zoti don Cesare, djemtë e të nderuarit Zotit Dukës sonë”.
I nipi i Skënderbeut u dha emrat më të shtrenjtë të Kastriotëve: Donika dhe Gjon. Po ashtu siç edhe e kishin vënë rregull pas ikjes në Itali u vunë edhe emrat e dy monarkëve të Mbretërisë së Napolit, at e bir, Alfons dhe Federik. Ferrante u dha pasuri. Federikos, djalit të parë natyral, i dhuroi për martesë 6000 dukate, një shifër shumë hutuese. Andronikës i bëri pajë 1400 dukate, Pardos një shtëpi të madhe me oborr në qendër të qytetit. Lukrecias po ashtu i dha pajë 545 dukate në dorë dhe 600 të tjerë në pasuri të paluajtshme.
I nipi i Skënderbeut pothuaj të gjithë fëmijëve të tij natyralë u kujdes t’u jepte tituj fisnikërie, kompetencë që e kishte vetëm mbreti. Federikon më 26 gusht 1548 e martoi me Aurelia de Nohan, të motrën e Vinçenso Marias (Vincenzo Maria), baron i Nohës. Djali i tij trashëgimtar Gjoni (Giovanni) u bë baron i Galianos. Akili mori grua Izabela Sanseverinon (Isabella Sanseverino), derë princërore dhe pasardhësit e tij u bënë baronë. Pardo lidhi jetën me Antonela Stafanjolin (Antonella Stefagnoli) nga një familje fisnike vendase. Çezare më 2 gusht 1587 është baron i Bakaricos (Baccarizzo) dhe i Santo Xhorxhos (Santo Giorgio). Lukrecia u martua me Çezare Baronin (Cesare Baroni), feudal i Disos. Xhovana u martua me Mario Kavacën (Mario Cavazza) nga një familje baroni me origjinë nga Taranto.
Ferrante bëri gjithçka që djemtë e tij natyralë të kishin autoritetin e të ligjshmëve. U dha gjakun e tij. Kështu, me sa mundi, e zgjidhi vazhdimësinë e dinastisë dhe në atë jetën tjetër me siguri është i qetë dhe pa brengën e tmerrshme se mbylli derën e zëshme të gjyshit të tij. Kur e mendon se tek emri i Gjergj Kastriotit ne shqiptarët ruajmë një simbol të madh a nuk është pak si tepër ngurtësi që nuk pranojmë se Skënderbeu nuk e ka shuar vazhdimësinë në linjën mashkullore, por e ka vijuar deri sot. Konkretisht si? Kjo është temë tjetër. Me këtë cikël bëmë vetëm një përpjekje të zhbllokojmë brezin e akuzuar, atë të nipit të tij të vetëm Ferrante.
Pastaj në shpjegimin degë pas dege të pemës gjenealogjike të heroit tonë kombëtar (sepse pasardhësit e tij janë sot të gjallë) do të jemi më të qetë. Në të gjithë këtë histori të gjysmës së harruar të Skënderbeut nuk lypen as tituj fisnikërie e ca më pak ndonjë fron apo kurorë. Thjesht kërkohet njohja sa më e plotë e rrënjëve tona, e identitetit që kemi.


Ylli Polovina

Tiranë, më 14 korrik 2008





















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com