Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu ka pasardhës të gjallë (Pjesa e parë)

Cikël me katër shkrime botuar nga “Gazeta Shqiptare”, 16 korrik 2008 dhe “Illyria”, Nju Jork, nr. 1766, 18-12 korrik 2008

Libri “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, të cilin para disa kohësh e promovova nën kujdesin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, arriti të bëhej modestisht lajm. Kjo bëri që shumë bashkëkombas të informohen jo vetëm për ç’ka synonte në evidentimin e gjysmës së harruar të Skënderbeut libri i parë, por edhe i gjithë projekti i triptikut, trevëllimëshit që po përgatis. Dhe duke qënë se deri sa të përfundojnë e dalin për publikun dy librat e tjerë një çast mendova se do të ishte e dobishme që këtë distancë ta bëja të ndjeshme për vëmendjen e lexuesit duke botuar në shtypin e përditshëm herë pas here një pjesë të vogël të temave që do të trajtoja në ta. Në një mënyrë të tillë pata vepruar edhe para publikimit të librit të parë. Duke nisur nga shkrimi i fillimit i botuar në 11 janar 2003 (e përditshmja “Korrieri”) dhe deri tek dy të fundit, viti 2008, “Pasardhësi i Skënderbeut që shmangu keqkuptimin me Leka Zogun” (revista “Shqip”, prill) dhe “Skënderbeu dhe njeriu që kafshoi qenin” (gazeta “Shqip”, 5 qershor) u bënë publike plot 18 artikuj. Të gjitha redaksitë i patën prezantuar me titujt në faqen e parë.
Kështu mendova një çast, por pastaj kjo dëshirë m’u zbeh. Deri ditën kur një miku im, autor shumë i dëgjuar librash, njohës zhbirues i historisë dhe në profilin e vet dijetar, tek u takuam një ditë rastësisht më tha se nuk ishte gjë ajo historia sipas të cilës Gjergj Kastrioti ka pasardhës të gjallë. Ai nuk ishte i pari që e thoshte këtë gjë. Ky opinion ka me dhjetra e dhjetra dekada që është akademik e zyrtar, i shumë pohuar dhe i patundur, aspak i vënë në dyshim. Mirëpo në rastin konkret kur për herë të parë ftuam së bashku me një botues italian dhe prezantuam në Shqipëri Alesandro, Paola e Xhulio Kastriotin miku im i mirë i pati pritur me respekt. Kjo nuk donte të thoshte patjetër se duke u treguar i sjellshëm edhe i njihte si trashëgues të besueshëm biologjikë të Skënderbeut. Në të vërtetë tre Kastriotët që jetojnë në Pulia të Italisë as që patën ardhur për të marë apo imponuar në Tiranë ndonjë konfirmim zyrtar. Ardhja e tyre ishte projektuar thjesht si fillimi i njohjes. Do ta vendoste të vërtetën koha e gjatë e kësaj njohjeje si edhe paraqitja korekte prej nesh e shumë dokumentave që bashkëkombasit, duke nisur nga njerëzit e thjeshtë e deri tek elita akademike dhe ajo politike, të bindeshin ose jo.
I ishim ruajtur spektaklit atë 27-28 nentor 2004, kur i sollëm në Shqipëri Kastriotët. Media u tregua e ngrohtë, njerëzit e thjeshtë po ashtu, e mënjanuar klasa politike dhe korektësisht në distancë profesorati. Por historia e kontaktit me Shqipërinë e italo-shqiptarëve me mbiemrin Kastrioti dhe e mirëbesimit të tyre prej opinionit është shumë e ndërlikuar dhe e gjatë, përmban mes tyre të vërtetë dhe falsë. Kur promovova “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, për ta bërë të qartë se ai botim dhe i gjithë triptiku ishte frut i një pune prej më shumë se dhjetë vitesh e jo pasion i disa muajve apo krijim publiçistik që do të shpërfillte rregullat e rrepta të dokumentacionit, tregova një episod.
Ishte 17 janar 1998, kur vetëm disa javë i ardhur për arsye pune në Romë, ndërsa mora pjesë në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, pashë për herë të parë në mbledhjen përkujtimore një njeri që drejtuesit e prezantuan si pasardhës të Skënderbeut. Ai në kuvend nuk foli. Kur pas mbledhjes i befasuar se ndryshe nga sa kishim mësuar në Shqipëri heroi ynë kombëtar paskej patur të gjallë trashëgimtarë biologjikë, kërkova ta takoj, pretenduesi u largua me shpejtësi.
Kështu nisi tundimi për të kërkuar të vërtetën dhe në verë të vitit 2003, kur botova shkrimin e parë, pata vëzhguar, takuar, kontaktuar, mbledhur prova dhe dokumenta të mjaftueshme për të bindur veten që Skënderbeu kishte pasardhës të gjallë. Ja përse nëpërmjet artikujve nisa “përpunimin” e butë të opinionit, me shpresë se ndërkohë do të vazhdoja të gjeja dëshmi të reja gjersa më në fund të kisha guximin, siç po bëj tani, të bindja të tjerët, veçanërisht botën akademike dhe studjuesit e thellë të Gjergj Kastriotit. Me historianët nuk bëhet shaka. Ata janë njerës të ditur që punët i kryejnë ngadalë, por në mënyrë të sigurtë.
Veç deri ato çaste nuk kisha qënë unë i vetmi që pata bërë të ditur praninë e pasardhësve të gjallë të Kastriotëve. Vetëm pak muaj më vonë nga episodi që përjetova në Romë, në prill 1998, kishin qënë gazetarët e Televizionit Shqiptar Engjëll Ndocaj dhe Namik Ajazi, të cilët bënë publik dokumentarin e tyre “Emër që nuk shuhet”. Në të përshkruhej me gjuhë të ngrohtë dhe me kujdes që të mos mungonin dëshmitë konkrete figura e Fra Xhorxho Maria Kastriotit, pasardhësit gjenealogjik të Skënderbeut në degën e Kastriotëve të Napolit. Dy telegazetarët tepër mënçurisht futën nën kamera edhe Xhorxho Maria Kastriotin, vazhduesin e tanishëm të dinastisë së tyre. Prej dy vitesh Fra Xhorxho nuk jeton më. Të regjistruar në atë dokumentar janë edhe pamjet e djemve të Xhorxhos, njëri prej të cilëve, më i madhi, Filipi, do të jetë nesër në degën e Napolit vazhduesi i “emrit që nuk shuhet”. Ajazi dhe Ndocaj atë titull dokumentarit të tyre që është transmentuar mbi dhjetë herë, ia gjetën në një kuptim të dyfishtë simbolik: Gjergj Kastriot Skënderbeut nuk do t’i shuhet jo vetëm vepra e tij në histori, por edhe trashëgimia në linjën mashkullore.
Në një sekuencë të reportazhit tregohet se si Fraxhorxho Maria u dëshmon dy gazetarëve të televizionit publik shqiptar pemën gjenealogjike të familjes së tij. Këtë dokument autentik unë e sigurova shumë kohë më pas dhe një fragment të tij po e bëj publike sot në “Gazetën Shqiptare”. Në kamera atëhere, thjesht për shkaqe teknike, nuk dallohej dot asnjë hollësi. Tani lexuesi bashkëkombas mund ta shohë fare të qartë se që në 3 shkurt 1910 autoriteti më i lartë i Konsultës Heraldike Italiane konfirmon se “Pema gjenealogjike e Skënderbeut e përbërë nga katërmbëdhjetë breza duke filluar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Princ i Shqipërisë, e mbështetur dokumentarisht me akte që ruhen në Arkivën e Konsultës Heraldike, deklarohet autentike”. Kjo vërtetësi miratohet edhe nga Kryeministri italian, nga Ministri i Brendshëm dhe nga Presidenti i Konsultës Heraldike.
Po mbushet një shekull nga ky çast e megjithatë historiografia që studjon jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit ngul kembë që një vijëmësi në linjë mashkullore të Skënderbeut nuk ka. Sipas saj ajo është ndërprerë shumë shpejt, që me nipin e tij, dukën Ferrante. Ky lindi vetëm dy fëmijë. Njëri ishte një djalë që pati fat të hidhur: vdiq dhjetë vjeç. Fëmija e dytë e nipit të Skënderbeut ishte vajza me emrin Erina. Duke qënë se pasardhësit në degë femërore sipas të gjitha rregullave të atëhereshme e të deritanishme nuk e fitojnë të drejtën e trashëgimisë së një dere është marë vendimi formalisht korekt që në brezin e katërtë është shuar përfundimisht familja e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Por a mund të ketë edhe një të vërtetë tjetër ose së paku një saktësim?

(Vijon)

Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com