Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Të bëhemi kalorës të thjeshtë të Skënderbeut të madh

Mbi librin e Ylli Polovinës “Gjysma e harruar e Skënderbeut”

Daut Gumeni

Botuar në 26 qershor 2008 në “Tirana Observer”, “Republika”,“Ndryshe” dhe në 6 korrik “Illyria” në New Jork.

Rastësisht kam lexuar përshtypjet e një autori europian për monumentin e Skënderbeut. Edhe pse nuk duken as të vërteta e as dashamirëse, më habit mëria e autorit në fjalë jo vetëm me shpatën e kordhëtarit tonë të lirisë, me mjekrën dhe me mustaqet e tij të tendosura, por edhe me vet kalin(!). Nuk mund të mos të shkojë mendia tek sheshet dhe qytetet e mëdha e të bukura të Evropës ku ka me shumicë statuja kalorësish me të gjitha armatimet e me të gjitha llojet e mjekrave dhe mustaqeve. Më vjen mirë që nuk kam dëgjuar deri më sot asnjë shqiptar të marrë inat me kukurat (armatimet) e hekurta apo me kuajt e monumenteve kalorsiake të Evropës. Sikurse më vjen mirë që asnjë shqiptar nuk është kujtuar t’i përgjigjet europianit në fjalë me të njëjtin mllef që mezi e mbante ai për monumentin e Skënderbeut. Sepse në traditën e vendit të Skënderbeut nuk fyhen as të vdekurit e zakonshëm e jo më heronjtë e popujve edhe kur të gjallët e të gjitha palëve të japin shkas për ndjenja jo shumë dashamirëse.
M’u kujtua kjo jo për t’i dhënë përgjigje zotërisë së nderuar nga Evropa, aq të inatosur edhe me statujën e Skënderbeut, por për të falenderuar publikisht autorin e librit “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, Ylli Polovinën, i cili na kujton se vërtet nuk duhet harruar nga të gjithë shqiptarët gjysma më e ndritur e më e pavdekshmë e Skënderbeut. Skënderbeun e njohim të gjithë që nga vegjëlia si kordhëtarin e madh që nuk pësoi humbje në beteja për lirinë e vendit të tij. E njohim të gjithë madhështinë e Skënderbeut luftëtar të lirisë, por duket sikur kemi harruar gjysmën tjetër të heroit tonë kombëtar: Skënderbeun iluminist e humanist, Skënderbeun si rilindës të madh europjan.
Ja përse në këto radhë nuk lodhem së falenderuari autorin, jo vetëm për nismën e tij që të ndriçojë plotësisht figurën njerëzore të Aleksandrit të Ri të Madh të kësaj toke. Dhe meriton më tepër se lavdërimet e mia autori Polovina sepse na kujton të mos shpërfytyrohemi nga harresa deri aty sa të harrojmë edhe mishërimin më të mirë e më të plotë të shpirtit të këtij populli, heroin kombëtar jo vetëm me shpatë të rëndë por edhe me zemër të madhe dhe me mendje të ndritur. Kjo është edhe arsyeja pse atë rendje të ngutur për t’u regjistruar si evropianë nuk arrij ta kuptoj, po qe se nuk i biem edhe asaj daulleje vetëm sa për t’u grindur me njeri-tjetrin. Ne jemi europianë, ne kemi qenë europianë, europianë “Bota që kur është zënë” dhe nuk na shkojnë fare ciatjet për t’u përshtatur me konjukturat politike të kohës, sepse na qeshin të gjallë e të vdekur brenda e jashtë kufijve, sepse i kemi dhënë kontinentit plak një Skëndërbe në kohët më të errëta të ekzistencës së qytetërimit të tij, i kemi dhënë një luftëtar të madh e të paepur të lirisë dhe një iluminist të madh të Rilindjes Europjane. E keqja është kur nisim ta harrojmë këtë gjë dhe për këtë nuk na ka faj bota më shumë se koka.
Që e kemi harruar Skënderbeun iluminist e jo vetëm çlirimtar e tregon shkoqur vetë historia e strapacuar e shtetit shqiptar dhe gatishmëria e pushtetarëve tanë në historinë e këtij shteti për të dëmtuar interesat kombëtare për hir të interesave të vockla vetjake.
Për të mos përmendur turpin e pranuar në heshtje edhe nga sferat tona akademike, kur nuk u dridhet as dora e jo më zemra, për t’i dhënë gradë shkencore një tautologjie bajate që përbalt me gëzim të lig edhe vetë Skënderbeun e Madh. Nuk është Skënderbeu fatkeqësia e këtij kombi dhe e këtij trualli. Fatkeqësia jonë e përbashkët është e do të jetë gjithmonë harresa për të ngritur zërin qytetar ndaj çitakëve të tillë me grada shkencore. Fatkeqësia jonë e përbashkët është e do të jetë gjithmonë harresa e vlerave të tilla mbarë njerëzore si Skënderbeu, që ky vend i vogël, tërë jetën i kafshuar dhe ky popull që nuk është shuar as kur janë shuar popuj që kanë pushtuar tre kontinente i ka dhënë kontinentit tonë plak të lirive dhe të vlerave të përjetshme njerëzore.
Libri i Ylli Polovinës për gjysmën e harruar të Skënderbeut më detyron ta falenderoj edhe një here autorin, sepse më kujton e na kujton të gjithëve moton e Nolit të Madh, që donte të vdiste si një Kalorës i Mirë i Skënderbeut. Peshkopi i shqiptarizmës ia doli mbanë ëndrrës që ushqeu një jetë, ne të tjerëve na bie detyra të përpiqemi për t’u bërë kalorës të thjeshtë të Skënderbeut të Madh.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com