|
Fjalë që nuk i thashë dot në promovim
Nga Shpresa Vreto
Dje në këtë orë unë i kisha dhënë fund leximit të librit tënd edhe po shikoja rrjeshtat e nënvizuar me laps gjatë leximit, për t`u përqëndruar në ato gjëra që do të thoja në promovim. Ndodhi ajo që kisha “frikë”, mbeta pa e thënë përshtypjen time për librin tuaj. Më mbajtën peng ato rrjeshta të nënvizuar, dhe harrova gjënë më kryesore: falenderimin për ty , autorin, dhe urimin e sinqertë për krijesën tënde më të re, këtë libër të vyer, - që do të ketë jetën e tij.
(Nuk u bë; momenti iku, e humba rastin).
Por libri është aty. Eshtë bërë për t`u lexuar nga të gjithë, duke filluar nga nxënësit e deri te më të moshuarit. Eshtë i shkruar me mjeshtëri , ka një informacion shumë të pasur dhe stil konçiz. Rrezaton kulturë. Lexohet me një frymë. E kërkon koha.
Janë vite pune të palodhur, për të zbuluar fakte, - këto krijesa kokforte, që u bënë aleatët e tu dhe i dhanë më shumë vlerë dhe vërtetësi librit.
Nuk mbaron me kaq: përpara janë dy libra, për të përfunduar triptikun.
Që do të thotë një jetë aktive, profesjonalizëm dhe pasion i thellë për kulturën e historinë e vendit tonë të nëpërkëmbur.
“U hesht për librin?” Të duket ty, Ylli, sepse ke vite që punon për të. Kurse ai doli në dritë vetëm para dy muajsh. Muaj që s`kanë qenë “dhe aq të qetë” për ne shqiptarët.
Libri ka fat; dy ngacmime, me pole të kundërt, i pari nga I. Kadare dhe i dyti nga njerëz që s`e kanë për gjë të denigrojnë deri edhe heronjtë e vet kombëtarë, - e bëjnë “Gjysmën e panjohur të Skënderbeut” një pikë të nxehtë debatesh.
Falemnderit Ylli; të falemnderit shumë që na e dhe këtë libër të vyer. Ai do ta pasurojë “Shtëpinë e librit për fëmijë dhe të rinj”, ku punoj.
Me respekt dhe dashuri,
Shpresa Vreto
PS
Ylli, vihet re gjatë gjithë librit ideja se Skënderbeu i përket Europës, po aq sa edhe vendit te vet.
Ky fakt përsëritet në çdo “kapitull” , dhe lexuesin e ve në mendime. Unë e përligj sipas mënyrës sime: Libri yt është një përrua i rrëmbyeshëm e rrezëllitës, që rend e rend drejt detit, për t`u bashkuar me të tjerë. Aty, brigjeve te tij, pashë imazhin e një “fëmije”, që i kanë fyer stërgjyshin, paraardhësin, krenarinë e vet. Dhe pena nuk ndalet; ajo nuk mer përsipër të tregojë historinë, në radhë të parë kërkon mbrojtjen e të vërtetave të kësaj historije, identitetin e vet, si shqiptar, pasardhës të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut; shembullin e rrallë, të kryetrimit dhe diplomatit të shquar të vendit të vet.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|