Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Opinion i autorit në promovimin e librit “Gjysma e harruar e Skënderbeut”

Organizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” më 25 qershor 2008

Libri “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, realisht pjesa e parë e një triptiku, nuk është një krijim historiografik, sepse unë, autori i tij, jam thjesht një publicist. Detyra ime është që duke studjuar të tjerët, mes tyre edhe historianët, duke i respektuar e cituar kontributet e tyre, të hulumtoj e gjej edhe vetë fakte të reja, por në fund të fundit gjykoj se kam vetëm të drejtën morale të interpretimit të ngjarjeve historike dhe të protagonistëve të tyre. Duke patur objektiv të parë pasqyrimin e zhvillimeve të ditës, përparësi sidomos ato të ndodhura pas vitit 1990, me librin “Gjysma e harruar e Skënderbeut” për herë të parë shkoj thellë në histori. Përgatitja për të bërë këtë depërtim nuk ka nisur disa muaj më parë, por mbi dhjetë vite të shkuara, kur në 17 janar 1998, vetëm dyzetë ditë nga fillimi i punës në ambasadën tonë në Romë, ndesha me statujën e madhe dhe imponuese të Skënderbeut në mes të kryeqytetit italian. Ajo gjendet në Sheshin “Albania”. Po atë ditë u shfaq edhe një i prezantuar në tribunë si pasardhës i familjes së Gjergj Kastriotit, familje që siç dihet pas vdekjes së tij (Donika dhe i biri, Gjoni), u vendosën në Napoli dhe Pulia. Gjithë kohën e veprimtarisë përkujtimore pretenduesi si trashëgues i ligjshëm i Skënderbeut heshti dhe në mbyllje të saj, kur i entuziazmuar dhe i emocionuar kërkova ta takoja, iku me ngut. Hetimi im i parë, po ashtu edhe habia: personi që edhe vazhdon të jetë një intelektual i mirë dhe artist i talentuar, patjetër me origjinë të largët shqiptare, nuk është aspak pasardhës i vërtetë i heroit tonë kombëtar.
Më pas do të njihja shumë të tillë. Në Itali dhe jo vetëm aty të sajuarit si pasardhës të Skënderbeut qenë aq turmë e madhe sa nuk të linin të dalloje e gjeje të vërtetët. Por edhe kur këta të fundit, falë kërkimeve edhe të miqve të mi si botuesi roman Costanco D’Agostino dhe më pas edhe Profesor Giancarlo Vallone, pedagog në Universitetin e Salentos, u gjetën, sërish të pavërtetët trashëgimtarë dhe sponsorët e tyre të gjithfarshëm nuk i lënë të shihen. Një dinakëri e tillë mori jetë edhe dy javë më parë, ndërsa ishte bërë e plotë përgatitja që të dy përfaqësuesit realë, doktori në nivel shkencëtari Alessandro Castriota Scanderbeg dhe Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, drejtues i një filiali banke, u bënë gati shpirtërisht të gjendeshin këtu, në këtë sallë ku sot jemi mbledhur të gjithë.
Libri që falë pjesëmarrjes tuaj të nderuar dhe vëmendjes së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” sot do të analizohet që të vijojë më i realizuar në dy vëllimet e tjera, ka marë përsipër të dëshmojë çfarë gjëra të tjera kam kërkuar e kam zbuluar këto vite pune të parreshtur. Në pjesën e parë që tashmë është botuar, përpiqem të provoj se ne në Shqipëri dhe kudo ku ka bashkëkombas njohim vetëm një pjesë të dimensionit historik të Gjergj Kastriotit. Përmasën e tij reale ne jo vetëm nuk e kemi zmadhuar, siç dëgjon rëndom dhe tashmë për disa është bërë modë për t’u shfaqur si interesant, por nën ndikimin e shumë faktorëve kemi bërë dramatikisht të kundërtën: mbajtjen në përmasa të zvogëluara. Ka një gjysëm të harruar prej Skënderbeut dhe ky është profili e rëndësia e tij shumë e madhe evropiane. Në vitin 1913 Fuqitë e Mëdha të kohës na ndanë mëdysh. Pastaj ndodhën vite përpjekjesh dhe lufte që çështja shqiptare të fillonte të vihej në vend. Tani kemi një Kosovë shtet të pavarur. Ndërkohë ne nuk kemi mësuar nga elita jonë e pushtetit publik se jo Fuqitë e Mëdha, por ne vetë e kemi ndarë mëdysh Skënderbeun. Ky dhunim ndodhi veçanërisht gjatë regjimit realkomunist, kohës së vetizolimit ideologjik nga familja jonë natyrore, Evropa, por për sa dokumenta e prova kam mbledhur nuk shpëton nga qortimi edhe Shqipëria e para vitit 1939.
Në librin “Gjysma e harruar e Skënderbeut” këmbëngul që para se të jetë një hero lokal, pra hero i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti është një hero i kontinentit tonë. Madje, gjithnjë sipas pikëpamjes time, ai është më i madh si hero evropian se sa si kombëtar. Më parë se t’u takojë shqiptarëve ai u takon evropianëve. Ky nuk është një truk politik në favor të lehtësimit apo mbajtjes me hatër nga Brukseli tashmë që po përmbushim detyrimet e proçesit të hyrjes në Bashkimin Evropian.
Gjysma e harruar e Skënderbeut janë edhe dy degët e ligjshme e natyrore të pemës gjeneologjike të tij, të cilat jetojnë në Napoli (Kazerta) dhe Leçe (Rufano). Gjysma e harruar ka edhe dëshmi të tjera. Do të jenë dy vëllimet e ardhshëm të triptikut që do t’i paraqesin para lexuesit.
Në librin që ju prezantoj kam bërë një përpjekje për të mbushur sadopak këtë zbrazësi mbi heroin tonë kombëtar edhe pse tashmë kam ndeshur në një mur të rëndë heshtjeje, gjë që e parandjeva duke e shkruar në këtë libër. Në opinionin tonë është ngurrosur ideja se tashmë për profilin pozitiv të Skënderbeut dihet gjithçka, kërshëri bashkëkombasit kanë vetëm për defektet e tij të mundshme. Në punën time edhe unë kam dalluar disa prej tyre, të gjitha i kam sistemuar për një publikim të ardhshëm. Veç nuk gjykova këtë rrugë si më të dobishmen tani. Mes spektaklit dhe komerçializmit, që nuk mund të përbuzen në një shoqëri të lirë me ekonomi të etur tregu, zgjodha të ndjek interpretimin e vlerës pozitive të Gjergj Kastriotit edhe për një arsye të rëndësishme. Mbi të i kanë zgjatur duart zellshëm dhe pa asnjë minimum vetëpërmbajtjeje disa që pretendojnë ta rishkruajnë historinë pa lexuar më parë kontributet e vyera që historiografët kanë dhënë. Mirëpo Skënderbeu është zgjedhur nga të paktën pesëmbëdhjetë breza shqiptarësh si simbol i identitetit dhe i vetë qytetërimit tonë evropian. Do të duheshin të paktën të përmbyseshin njëherësh të gjithë pesëmbëdhjetë brezat që të mund të rishkruhej ai ndryshe nga më parë.
Tre vite më parë kam shkruar edhe një libër tjetër për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i gjithë i lidhur me raportet e tij me Italinë dhe Romën. Nuk e kam dërguar për botim, duke e lënë publikimin e tij për një kohë tjetër. Ngasjen për të nisur sa më shpejt një krijim të ri, triptikun, dhe botuar pjesën e parë në maj të këtij viti, ndërsa jo më shumë se dyzetë ditë nga ai çast pata nxjerrë për lexuesit librin “Lamtumirë kallashnikov” erdhi si pasojë e zhvillimeve që po ndodhnin. Në librin tim prej 264 faqesh ngul këmbë se tashmë po bëhet një zakon i keq që kohëve moderne disa rishkruesë bashkëkombas t’u përgjigjen duke e përshkruar Gjergj Kastriotin si një njeri që me luftën e tij të rezistencës e përgjaku ekstremisht e në mënyrë të panevojshme popullin e vet. Në libër denoncoj ata që kanë shkuar edhe më tej: e kanë shpallur Skënderbeun renegat, njeri që bashkëpunoi me fqinjët shovinistë kundër vetë interesave kombëtare. Nuk përbën as histori dhe as art ta interpretosh Gjergj Kastriotin me shkujdesje deri edhe si hileqar province apo të ngulësh kembë se ishte i shëmtuar dhe i shkurtër. Nga rishkruesit modernistë nuk mund të kuturiset gjer kaq, të paktën për një minimum respekti ndaj të vërtetës, por edhe ndaj historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj. Edhe pse shtati i protagonistit nuk ka asnjë rëndësi në gjurmën që lë në histori, Skënderbeu ishte burrë i pashëm dhe truplartë. Kjo është e dokumentuar shumë dekada më parë.
Pasioni i të rishkruarit me përmbysje apo nëpërkëmbje, kaq shumë e gjallëruar këto kohë, ndryshe nga ç’mund të pritej, nuk i ka zënë historianët, pra profesionistët, por amatorët.
Për të gjitha këto, për këta aspak reformuesë por deformuesë, jap në libër argumentat e mia. Ato janë modeste dhe për këtë arsye edhe të hapëta për t’u kritikuar e koregjuar. Këtë promovim e kryej jo aq shumë për publicitet ndaj librit, ç’ka për arsye të temës që rrah do ta dëshiroja sinqerisht, por mbi të gjitha sepse dua të këshillohem t’i shkruaj më të plotë e më të argumentuar dy librat e tjerë të triptikut.
Ju faleminderit!

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com