Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Atje ku nisi dhe mbaroi një shtator i zi (Azem Hajdari, Ahmet Krasniqi)

Botuar në maj në revistën “Shqip“

Në 12 shtator 1998, ora 21.15, sipas dëshmisë së parë të një punonjësi të policisë së Komisariatit Nr. 1 të Tiranës, para selisë së Partisë Demokratike dhe në afërsi të kinemasë “Partizani„ ishin dëgjuar disa krisma armësh. Menjëherë salla operative dërgoi në vendngjarje një autopatrullë të repartit “Shqiponja“, e cila konstatoi se ishte vrarë deputeti Azem Hajdari dhe shoqëruesi i tij Besim Çeraj. Ishte plagosur edhe një tjetër, të cilin në fillim nuk e identifikuan dot.
Me këtë fragment tronditës kronike nis në historinë e Shqipërisë ai që duhet quajtur pa asnjë mëdyshje Shtatori i Zi. Në të vërtetë ky emërtim ndonjëherë edhe është guxuar, por realizuar prej një analize të bërë nga këndvështrimi i luftës së brëndshme politike. Një pamje e tillë nuk ka qënë asnjëherë e sajuar, sepse ka qënë tërësisht pjesë e realitetit e luftës për pushtet në Shqipëri, veç ka qënë vetëm njëra pjesa. Ndoshta gjysma e saj, jo më shumë. Gjysma tjetër ka mbetur e lënë në harresë, e mënjanuar sapo analizat e kanë shtyrë ngjarjen edhe në një kufi tjetër: atë që lidhej me zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare, veçanërisht çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj.
Si në një eklips gjysma e parë ka mbuluar të dytën, e ka mbështjellë me hije. Ka ndodhur kjo qëllimisht, pra ka qënë një humbje e organizuar e gjurmëve, pjesë e vetë planit diversiv kundër shqiptarëve, apo rënie e pandërgjegjshme në grackën e ngritur, do të jetë përherë temë e zhbirimeve që nuk do të shuhen kurrë. Vrasja e Azem Hajdarit, e cila në rrethana të një shteti normal do të kishte shkaktuar bashkimin e të gjithë bashkëkombasve të tij, forcave politike dhe patjetër vitalitetin e Shqipërisë, shkaktoi për disa çaste krejt të kundërtën: pragdestabilizimin e saj. Kjo gjendje e pasojë, pas hutimit e turbullirës së parë, rezultoi se nuk ishte dëshiruar në asnjë seli partie politike shqiptare në Tiranë apo Prishtinë e kudo ku shqiptarët ishin shumica të mirorganizuara Thellimi i përçarjes politike dhe nëse ishte e mundur edhe shpërthimi i një lufte civile mes tyre, objektiv shumë i qartë i atentatit dhe vrasjes së Azem Hajdarit, ishin në interes tërësisht të përputhshëm vetëm me interesat e regjimit shoven të Sllobodan Millosheviçit në Beograd. Në Kosovë lufta për t’i shpëtuar zgjedhës së tij kishte hyrë në finale, pati nisur veprimin e armatosur. Kjo po sillte sensibilizimin e madh të opinionit ndërkombëtar dhe çdo ditë ishte në favor të rreshtimit të tij më aktiv me shqiptarët.
Beogradi ishte mobilizuar tërësisht që ta fikte zjarrin e madh kundër, duke ia ndezur e hedhur atë flakadan vetë shqiptarëve. Armata serbe në gusht u kishte shkaktuar njësive të armatosura të UCK-së dhe të FARK-ut dëme të mëdha dhe shumica e luftëtarëve kishin kapërxyer tashmë kufirin e patën hyrë në Shqipëri. Pjesa dërmuese e tyre qenë vendosur në Tiranë. Për ata që në Beograd përgatitnin e ndiqnin hap pa hapi planin sekret të diversionit dhe destabilizimit të Shqipërisë nuk kishte vend më të mirë për t’i vënë fitilin kaosit e përplasjes së vëllavrasjes gjithëshqiptare se Tirana. Në të shkuarën kishin tentuar pa rezultat përplasje mes jugut dhe veriut, mes të majtëve e të djathtëve, por tani ishte shumë e lakmuar një përleshje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Në këtë dinakëri të fundit edhe mes dy ushtrive UÇK dhe FARK, të ngritura për të njëjtin qëllim fisnik: çlirimin përfundimtar të vendit të tyre. Vrasja e Azem Hajdarit, e cila do të ishte ndezja e fitilit të parë shpërthyes, kishte për mision vëllavrasjen mes shqiptarëve të Shqipërisë. Fitili i dytë do të kishte atë mes shqiptarëve të Kosovës. Dy bomba që parashikoheshin të shpërthenin njëra pas tjetrës, kishin për objektiv të fundosnin përfundimisht ëndërrën gati shekullore të shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e tyre.
Ishte tentuar kjo shumë herë, por në Mukje, në pothuaj të njëjtën stinë, në fundverë 1943, serbët shovenë ja patën dalë.
Sipas Beogradit kësaj rradhe, pesëdhjetë e pesë vite më pas, në fundverë e fillim vjeshte 1998, nuk duhej të realizonin një Mukje të dytë. Shqiptarët nuk duhej kurrsesi të bashkoheshin e të bëheshin një trup i vetëm. Bashkimi i tyre do të ishte fundi i qëndrimit të Kosovës nën kontrollin e Serbisë.
Dy vrasje të bujshme personalitetesh me pasion të shquar për çështjen shqiptare do të ishin kësaj rradhe prishja e Mukjes së re, jo si dikur akuzimi i Ymer Dishnicës, shoqëruar më pas me një burgim të shpejtë e përjashtim nga funksionet publike e nga vetë Partia Komuniste. Ndërsa vrasja e deputetit Azem Hajdari nuk ja doli dot qëllimit për të cilin ishte planifikuar, vetëm nëntë ditë më pas, më 21 shtator, ndodhi “shpërthimi“ i dytë. Fitili me vrapimin e marrë të flakës ishte drejtuar sërish në Tiranë, jo aq shumë larg nga sheshi ku kishte ndodhur vrasja e parë. Edhe ky do të ishte mirëfilli atentat. U vra një shqiptar nga Kosova. Quhej Ahmet Krasniqi. Bashkëkombasit e tij të Shqipërisë nuk e dinin cili ishte, madje nuk ia kishin dëgjuar emrin kurrë. Ishin gazetat që bënë të ditur se pati qënë me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes së qeverisë Bukoshi.
Ndryshe nga jetëmarrja e Azem Hajdarit, nga kjo vrasje e dytë në Tiranë nuk ndodhi asnjë shenjë anarkie, madje u duk sikur ishte një vdekje e kryer në një planet tjetër. Ahmet Krasniqi për shkak të detyrës së tij pati qënë në kryeqytetin e Shqipërisë një pothuaj ilegal, emër larg çdo dukshmërie. Pati qënë një emër i heshtur. Por vrasja e tij, e zgjedhur me shumë kujdes nga shtabi diversiv, nuk kishte për qëllim të parë përpjekjen e dytë brënda pak ditëve të fundosjes së Shqipërisë në paqëndrueshmëri politike dhe rendi të brëndshëm, por futjen në luftë vëllavrasëse mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Sipas provokatorëve zjarri prej Prishtinës le t’i vinte më pas edhe Tiranës. E gjithë skema, njerëzit që morën pjesë në të dy atentatet, shenjat që lanë posaçërisht në vendngjarje, para apo pas krimit, koha dhe pozicioni i vendkrimeve, disa nga lajmet e devijuara që u përhapën, kishin për objektiv përplasjen e madhe zinxhir.
Shqipëria dhe Kosova, sipas shtabit diversionist mjaft dinak, pas kësaj do të rrëzoheshin si në një shtator tjetër të zi, shumë të madh, atë që pati ndodhur në zemër të Nju Jorkut në vitin 2001. Shqipëria dhe Kosova do të shëmbeshin përdhe si dy “Kullat Binjake“.

ooo

Vrasjen e Azem Hajdarit Ministri i Mbrojtjes së qeverisë së Republikës së Kosovës do ta merrte vesh ndërsa ishte në Kukës për të inspektuar trupat dhe qendrat stërvitore të FARK-ut. Ngjarja si edhe gjithçka që pas saj, e tronditi shumë Ahmet Krasniqin. Iu duk si kanosje e drejtpërdrejtë e qendrueshmërisë së Shqipërisë. Ai e kishte dashur gjithë jetën shtetin e vetëm të shqiptarëve, edhe pse deri atëhere vetëm gjysma e kombit. Ajo që ishte mundur të realizohej në fillim të shekullit mbetej për të sidoqoftë baza dhe shpresa e vetme se do të kishte një ditë edhe një shtet të ri të pavarur të Kosovës. Prishja e Shqipërisë ishte rënimi përfundimtar i kësaj dëshire. Drobitja e Tiranës do të ishte po aq edhe dobësim i Prishtinës. Shpresa e tyre për vetvendosje kishte mundësi realizimi vetëm po të ishin të fortë bashkëkombasit në shtetin e tyre e njëkohësisht në kështjellën e prapavijën e vetme që kishin.
Marrja e jetës së Azem Hajdari sipas Ahmet Krasniqit ishte një goditje e rëndë morale dhe psikologjike për përpjekjet e tyre liridashëse. Për shumë shqiptarë të Kosovës ai frymëzonte mbështetje, konsiderohej një nga shtyllat e shpresës të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Të dy bashkë qenë takuar në fund të gushtit, fare i rastësishëm. Ahmet Krasniqi ishte në bar-lulishten e Hotel Rognerit, duke pirë kafe me Flamur Gashin, këshilltarin e Ministrit për Informatat të qeverisë së tyre, kur hyri Azem Hajdari i shoqëruar prej një të miku të tij. Në fillim ai u përshëndosh me Gashin dhe ky pa u vonuar e prezantoi “Ahmet Krasniqi, Ministri i Mbrojtjes i qeverisë Bukoshi”. Tjetri për një çast u step nga e papritura, pastaj u mbush i gjithë me dritë gëzimi dhe ia zgjati të porsaprezantuarit dorën shumë butësisht e me dashuri. Pastaj sikur të ishin njohur prej kohësh rrokën në qafë njëri-tjetrin. Pas kësaj Azemi nuk u ul në ndonjë tryezë tjetër, por ndenji me Ahmet Krasniqin. Pinë bashkë kafe dhe biseduan për një gjysmë ore. Ministri i Mbrojtjes i qeverisë së Republikës së Kosovës gjithë kohën i tha se shumë shpejt forcat e FARK që stërviteshin në disa baza të tyre në veri të Shqipërisë, do të futeshin në Kosovë për të luftuar në terren. Azem Hajdari bëri shaka se mund të ndodhte që të hynte ai vetë më parë se ushtria e Republikës së Kosovës ose fundja, vijoi humorin, në shenjë miqësie le të hynin bashkë pa ja kaluar njëri-tjetrit.
Por tashmë vetëm dy javë larg nga ai takim i përmallshëm Azemi nuk jetonte më. Pas kthimit të shpejtë në Tiranë, në 20 shtator, Ahmet Krasniqi u gjend sërish në veri të Shqipërisë, në një nga bazat stërvitore të FARK-ut. Të nesërmen, më 21 shtator, mori rrugën e kthimit për në Tiranë. Në të dalë të Kukësit një njësi e Policisë së Shtetit e ndali, e kontrolloi dhe e gjeti bashkë me kolegët e tij, të armatosur me pistoleta. Ua sekuestroi menjëherë.
Në kryeqytet hynë në mbrëmje dhe shkuan të pinin një kafe në Rogner. Veprimi i policisë shqiptare u kishte bërë shumë përshtypje. Në veprimet e saj vazhdimisht kishte kontradikta. Kishte njësi apo drejtues që bënin sikur nuk i shihnin bazat apo lëvizjet e armëve të tyre, kishte të tjerë që vepronin për ta kufizuar e ndaluar. Edhe në Tiranë rezidencat e tyre ishin në një legalitet ilegal. Ato i ruanin me njerëzit e tyre, shteti shqiptar nuk investonte asnjë kujdes të tillë. Dukej si shtet e qeveri me dy koka: një i përshendeste e shihte dashamirësisht, tjetra nuk e fshihte në fytyrë se ndihej e bezdisur nga ajo prani.
Afër mesnatës u larguan nga Rogneri dhe makina me Ahmetin hyri në rrugicën ku në një vilë trekatëshe kishte rezidencën Ministria, redaksia e revistës ushtarake që botonin, një komitet për çlirimin e Kosovës si edhe apartamenti i tij i vogël. Ajo ndodhej në mes të rrugicës, e cila në kohën e diktaturës thirrej Rruga e Shtëpisë së Partisë. Më 8 nentor 1941 aty ishte themeluar Partia Komuniste Shqiptare.
Ndërsa makina e tyre ndali para portës së madhe të rezidencës e po zbrisnin, mbi Ahmet Krasniqin u derdhën furi plumbash. Ra përdhe e vdiq menjëherë. Ishte mesnatë. Ata që kryen atentatin ishin shqiptarë, siç edhe shqiptarë qenë ata që vranë para selisë së Partisë Demokratike Azem Hajdarin dhe trupruajtësin e tij besnik. Ai që shtiu mbi Ahmet Krasniqin nuk e dinte mbi cilin person po dërgonte vdekjen. Thjesht i kishin thënë se do të vrisnin një tradhëtar të çështjes shqiptare dhe spiun serb. Që po i merrnin jetën pikërisht Ministrit të Mbrojtjes së qeverisë së Republikës së Kosovës e dinte mjaft mirë personi i dytë, ai që i tregoi atentatorit personin-objektiv të shënjestrës. Ky ishte nga një qytet me emër të mirë nga Kosova dhe shumë muaj më pas do të vritej nga disa pjesëtarë të UÇK-së.

ooo

Por mbi cilin realisht kishin qëlluar e çfarë krimi të kobshëm antishqiptar patën realizuar nuk do të kishte vetëm emrin “Ministri i Mbrojtjes së qeverisë së Republikës së Kosovës”. Kjo ishte fare pak për ideatorët e jetëmarrjes. Në Tiranë lëviznin hapët, gjysëm sekretisht, të mbrojtur mirë e fare të shkujdesur disa ministra të kësaj qeverie, si edhe të tjerë që bënin pjesë në hallkat drejtuese të UÇK-së. Edhe Azem Hajdarin nuk e patën vrarë posaçërisht se ishte deputet apo kryetar i Komisionit parlamentar për Punët e Brëndshme dhe Shërbimin e Fshehtë. Vrasësit e mesnatës së 21 shtatorit kishin shenjuar jo aq shumë Ministrin se sa Ahmet Krasniqin. Çdo dritë e hedhur mbi këtë ngjarje nis e mbaron këtu, te personi e vlerat e tij kombëtate.
Familja e Ahmetit ka qënë ndër më të njohurat në Kosovë për nacionalizëm. Fisi apo siç andej i thonë “familja e madhe”, e kishin mbiemrin Krasniqi, kurse familja e ngushtë e prindërve thirrej Zhilivoda. Ishte emri i fshatit ku brez pas brezi patën lindur. Xhaxhai i tij Aziz Zhilivoda gjatë luftës së dytë botërore dhe pas saj ka qënë ndër nacionalistët më të mëdhenj të krahinës. Në vitet pesëdhjetë ai kapërxeu kufirin dhe jetoi në Shqipëri gjersa në fillim të viteve nëntëdhjetë ndërroi jetë. Megjithatë Aziz Zhilivoda me misione atdhetarie rihyri disa herë në Kosovë, të paktën gjer në vitet 1972-73. Ai nuk ishte komunist, madje besonte mjaft te rivalët e tyre, NacionalDemokratikja. Kjo parti mund të konsiderohet, për nga shpirti nacionalist, si homologia e Ballit Kombëtar në Shqipëri.
Ahmet Krasniqi lindi në burg, ku autoritetet serbe mbanin të izoluar familjen e tij. Atje të jatin ja mbytën me torturën e futjes së tubit të ujit në gojë dhe njëkohësisht shtypjen e barkut me goditje të forta të këmbëve të gardianëve. Kur u rrit Ahmeti u bë nxënës i shkollës së mesme në Vushtri dhe më pas në Prishtinë. Në demonstratat e vitit 1968 në grupin e patriotit me famë Metush Krasniqi qe një ndër organizatorët kryesorë. Ishte këshillimi i këtij të fundit që e bëri Ahmet Zhilivodën të regjistrohej në Akademinë Ushtarake të Beogradit. Këtu, për të mos u bërë i dëbueshëm nga autoritetet e shkollës dhe të qytetit, mori mbiemrin e fisit, atë Krasniqi. Ishte koha kur grupet ilegale të rezistencës kundërserbe në Kosovë, Jugosllavi dhe kudo tjetër organizuan për qëllim të luftës së ardhshme çlirimtare, dërgimin e studentëve shqiptarë mjaft të talentuar e të fortë fizikisht të mbaronin jo vetëm Akademinë Ushtarake të Beogradit, por mundësisht të gjitha kualifikimet më të larta të këtij profesioni. Po ashtu grupet ilegale të rezistencës këshillonin hyrjen e të shkolluarve për oficerë në Ushtrinë Popullore Jugosllave dhe ngjitjen e tyre në të gjitha shkallët e karrierës.
Kur nisi shpërbërja e federatës Ahmet Krasniqi kishte gradën e kolonelit dhe ishte komandant i gazermës së Gospiçit në Kroaci. Ajo konsiderohej baza më e madhe e tillë në Jugosllavi. Ahmet Krasniqi nuk ja dorëzoi atë serbëve, por kroatëve. Këtë veprim njerëzit e Sllobodan Millosheviçit nuk do t’ja falnin për të gjithë jetën. Si pasojë e një kurthi ata e shtinë në dorë kolonelin shqiptar që nuk i deshte dhe vetëm pas më shumë se një gjysmë viti burg, nëpërmjet shkëmbimit të të burgosurve, më në fund Ahmeti u lirua dhe u kthye në Zagreb. Nuk pranoi asnjë detyrë ushtarake në Kroaci dhe punoi si perimeshitës.
Kur në kapërcyell të viteve 1997-98 në Zvicër u mblodhën fshehurisht mbi dyqind ushtarakë të ish-armatës federative për të zgjedhur, nën kujdesin e qeverisë Bukoshi e të presidentit Ibrahim Rugova, shtabin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, Ahmet Krasniqin e zgjodhën njëzëri Ministër të Mbrojtjes. Koloneli vlerësohej si grada më e lartë aktive që pati shërbyer me këmbësorinë. Kërkoheshin njerëz që kishin luftuar në terren dhe jo nga ata që artin ushtarake e patën dhënë në leksione.
Në ditët e para të prillit 1998 Ahmet Krasniqi erdhi në Tiranë.

ooo

Në ditën e tretë të mbërritjes kërkoi të takohej me Flamur Gashin, personin që e gjykonte se ishte një pikë referimi për njohje dhe takime të rëndësishme. Ndërkohë këshilltarin e Ministrit për Informatat e pati telefonuar që më parë vetë kryeministri i qeverisë së Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi. E kishte porositur ta ndihmonte Ministrin e Mbrojtjes me të gjitha lidhjet e nevojshme. Dyzetë e shtatëvjeçari Krasniqi, me një shtat të gjatë e të bukur, me mustaqe të lehta e lëvizje hamonike të një trupi atletik, u paraqit në takim në orën e caktuar, tre e pasdites, tek restoranti “Nëna Mbretëreshë”. Ndryshe nga pamja prej oficeri të mirëfilltë karriere, tek i rrije afër koloneli dukej qënie mjaft e butë. Komunikonte sikur të linte zemrën në dorë.
Takoheshin për herë të parë dhe pinë kafe duke biseduar për çdo gjë, por jo për ushtrinë. Gjithçka më pas rodhi me shpejtësi gjer në një telefonatë në një mbrëmje gushti 1998, kur koloneli i tha “Flamur, kam nevojë të takohemi urgjent!” Këshilltari për Informatat, ndërkohë edhe drejtor i Radio Kontakt, iu përgjegj “Jam në punë”. Ahmet Krasniqi nguli këmbë: “Do të vij afër radios, diku...”. Mbërriti me një frymë, madje u ngjit gjer në mjediset e brëndshme të radios. Pas një minute të dy zbritën poshtë në një kafe. “Situata në terren në Kosovë është mjaft e vështirë, shumë e tensionuar”, tha koloneli. Shpjegoi se tashmë shqiptarët kishin praglufte mes njeri-tjetrit. Në Kosovë patën hyrë një grup oficerësh të FARK-ut në pararojë për të shpërndarë më pas në terren njësitë e ushtrisë së tyre, por mes njerëzve të UÇK-së kishte jo pak që u krijonin pengesa, madje përdornin edhe gjuhë kërcënuese. Në të vërtetë në një takim politik në Osllo të dy armatat kishin rënë dakort për bashkëpunim ushtarak në luftë për të dëbuar serbët.
Në fund Ministri i Mbrojtjes shqiptoi me lutje: “Dua ta takoj zotin Berisha”. Gashi ra dakort menjëherë dhe e telefonoi në çast ish-Presidentin, ato kohë drejtues i opozitës. Ky ra dakort menjëherë, por atë moment ishte me temperaturë e në shtrat. Premtoi të çohej të nesërmen dhe në orën 11.00 e priste Ahmet Krasniqin në selinë e partisë.
Sapo hyri në zyrën e Berishës ai mori menjëherë drejtqëndrim ushtarak dhe shqiptoi solemnisht “Zoti President, ju paraqitem me kërkesën time! Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës”. Sali Berisha u emocionua, u duk sikur u ngjeth. Në pak fjalë Ahmet Krasniqi i shpjegoi si po organizoheshin në terren dhe çfarë vështirësish po ndeshnin. Pastaj tha “Unë ju kërkoj zoti Sali Berisha të thërrisni zotin Demaçi të vijë në Shqipëri, të takohet me ju dhe të ndikoni sa më shumë që situata të qetësohet. Unë jam i gatshëm që në marrëveshje me të dhe me qeverinë e Kosovës të futem në terren ku të kërkojnë e thonë ata. Pa asnjë lloj problemi. Por nuk jam i gatshëm për të ngritur këmbën e pushkës për të vrarë shqiptarët mes vedit”. Berisha, të cilin gjatë gjithë kohës nuk i ishte larguar emocioni i fortë, u përgjegj “Do të bëj të pamundurën”.
Takimi kokë më kokë mes Adem Demaçit dhe Sali Berishës u bë në Tiranë pas katër ditësh. Pas bisedës të dy mbajtën një konferencë shtypi. Gjendja në terren u çtensionua dhe gjakrat u qetësuan.
Akoma ishte gusht 1998. I mbarë për frymën e bashkëpunimit mes dy ushtrive çlirimtare nisi edhe shtatori. Gjersa mbërriti në fillim data dymbëdhjetë dhe pastaj njëzetë e njëshi.


Ylli Polovina

















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com