Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kopertina e librit
Foto: Kopertina e librit
“Gjysma e harruar e Skenderbeut”

Fragment

Por intervista e Kadaresë në seksionin shqip të radios “Zëri i Gjermanisë” atë janar 2005 nuk ishte e vetmja. Kishte ndodhur edhe një tjetër në 2 gusht 2004.
Kësaj rradhe ndërhyrja e tij ishte bërë në një media me fuqi ndikuese të pakrahasueshme me atë të radios “Deutche Velle”.
Në rast se në këtë të fundit i ishte drejtuar të gjithë bashkëkombasve, në rastin e mëparshëm pati për palë komunikimi të huajt, vetë Evropën.
Më 2 gusht 2004, pra pothuaj gjashtë muaj përpara se të fliste në “Zëri i Gjermanisë” dhe faqet e para të gazetave shqiptare intervistën ta botonin me titujt “Kadare: Me Skënderbeun shqiptarët janë ndier evropianë në shekuj”, mendimin e shkrimtarit e botoi e përditshmja e njohur franceze “Le Figaro”.
Atje Ismail Kadare u shpreh se “Figura e Skënderbeut është krijuar nga Evropa për ta kthyer Shqipërinë drejt kristianizmit. Nëse konsultoni veprat e shkruara mbi Skënderbeun, ka më shumë se njëmijë të tilla, por vetëm katër apo pesë prej tyre janë shkruar nga shqiptarë. Do të gjeni një opera të Vivaldit, një sonet të Ronsard, vepra të Byron dhe të Victor Hugo-s. Figura e Skënderbeut është subliminuar nga Evropa sepse nuk ishte vetëm një princ shqiptar që luftonte Otomanët – ka patur plot të tjerë – por ai ishte konvertuar në katolicizëm, kishte bërë aleancë me Venecian dhe Napolin dhe kishte bërë që ushtri evropiane të hyjnë në tokën shqiptare. Ai e humbi luftën me turqit, por ai krijoi një mit dhe një histori. Në këtë kuptim ai ka fituar. Ai u dha shqiptarëve nostalgjinë për Evropën. “O dritë hyjnore që ke lindur atje ku dielli perëndon”, shkruante Naim Frashëri, më i madhi poet i Rilindjes shqiptare. E gjithë kultura shqiptare është një hymn për Evropën. Në vitin 1908, kur bëhej fjalë për të kodifikuar gjuhën shqiptare, u zgjodh alfabeti latin dhe jo ai grek apo cirilik që dominonin në Ballkan”.
Kjo deklaratë e Ismail Kadaresë, bërë në një gazetë me tirazh një ngjysëm milioni kopje, e përditshme që lexohet jo vetëm në Francë, por edhe në bashkësinë e madhe të afro shtatëdhjetë vendeve frankofone të globit, që po ashtu lexohet dhe arshivohet në të gjitha bibliotekat e botës, është një himn i pashoq për prirjen natyrale të shqiptarëve ndaj Evropës.
Në atë intervistë Kadare ia kishte mbyllur çdo shteg atij sulmi, i cili saktësisht edhe ky i shpërthyer në zemër të kontinentit, përpiqej të provonte prirjen jo perëndimore të shqiptarëve. Argumentat që shkrimtari kishte bërë publike, mekanizëm i sofistikuar i logjikës së tij të hekurt, i vunë përballë propogandës kundërshqiptare idenë e fuqishme se Skënderbeu vërtet e kishte humbur luftën me perandorinë e madhe osmane, por kishte krijuar një mit dhe një histori. Sipas interpretimit të tij ishte Gjergj Kastrioti dhe jo sulltani ai që pati fituar. Pra, ishin shqiptarët ngadhënjimtarët e asaj beteje pesëshekullore, jo e kundërta.
Ismail Kadare në “Le Figaro” nguli këmbë se me në krye Skënderbeun lufta e bashkëkombasve të tij kundër pushtimit lindor otoman shkaktoi një pasojë të mahnitshme e shumë të dëshiruar: u dha shqiptarëve jo ndjenjën e ndarjes me Evropën, jo largimin nga ajo, por atë të afrimit dhe bashkimit me të.
Kadare atë e quan “nostalgjia për Evropën”.
Është një formulim mjaft poetik dhe po aq inteligjent. Të ndihesh nostalgjik do të thotë të zotërohesh nga një ndjenjë që nuk ka forcë në botë të ta shkulë lehtësisht. Sepse çrrënjosjen duhet ta nisësh që nga kujtimet, nga këngët, nga ëndërrat, nga malli, nga vetë zemra.
Nostalgjia për Evropën, vlerë që Ismail Kadare ia jep si meritë Gjergj Kastriot Skënderbeut, është një risi, një zbulim që të entuziazmon e të bën ta besosh.
Në intervistën e tij në “Le Figaro”, duke cituar nga poeti kombëtar Naim Frashëri vargjet e tij adhuruesë për Evropën “O dritë hyjnore që ke lindur atje ku dielli perëndon”, ke përshtypjen se ato nuk mund të mos kenë tronditur edhe lexuesit e huaj.
Janë vargje me tingëllim homerik.
Veçanërisht bërja publike në të përditshmen e madhe franceze e faktit se përkundër popujve të afërt gjeografikisht, grekëve dhe sllavëve, të cilët për shkrimin e gjuhëve të tyre zgjodhën alfabete që nuk vinin nga kontinenti mëmë, shqiptarët, madje edhe duke u ndeshur me presionin e ashpër të fqinjëve, për të kodifikuar dhe ruajtur gjuhën e tyre morën vetëm alfabetin latin.
Dihet që shqiptarët në mungesë apo varfëri të disa traditave, me të cilat shumë popujt evropiane krenohen për nivelin e qytetërimit, gjuhën e kanë trajtuar si pasurinë e tyre më të madhe. Gjuha shqipe ka qënë për shqiptarët vetë shteti dhe pavarësia e tyre. E gjithë lufta për mbrojtjen e mbijetimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve u mpiks tek ajo, e folura, gjuha e veçantë që kishin, një nga më të vjetrat e kontinentit.
Nuk ishte e lehtë të vendosnin se kujt gërme e cilës histori t’ia besonin thesarin e vetëm të madh që kishin.
Por nuk u lëkundën asnjëherë në vendimin e tyre: me Perëndimin, me Evropën. Ata që dëshironin t’i shtynin drejt Lindjes vetëm ia vonuan aktin e madh të shpalljes së shkrimit me alfabet latin.
Ismail Kadare këtë të vërtetë dhe argument të madh e spikat me tendencë të hapët në intervistën e tij në “Le Figaro”. Madje para se ta deklarojë këtë fakt peshërëndë në favor të idesë se bashkëkombasit e tij janë evropianë të lindur, shkrimtari nuk humbet busullën e tij kryesore: Gjergj Kastriotin.
Para se t’ja thotë kombit të vet se Skënderbeu është tani flamuri i tyre i integrimit në BE, Kadare shpall se e ka edhe vetë si flamur.


Frazat e para që ai formulon për të përditshmen franceze mbartin edhe një fakt shumë domethënës: në mbi njëmijë veprat e shkruara për Gjergj Kastriot Skënderbeun vetëm pak prej tyre kanë autorë shqiptarë.
Ismail Kadare saktëson në këta të fundit se janë vetëm “katër apo pesë“. I gjithë korpusi kryesor, sipas shkrimtarit të shumënjohur, është hartuar nga evropianë.
Po si mund t’i thuash ndryshe kësaj, veçse të pranosh që Skënderbeu më shumë se hero kombëtar shqiptar është një hero kontinental evropian?


Në parim, po të ngulësh ca këmbë, kupton se disa shqiptarë këtë realitet e dinë, edhe pse për shumë arsye nuk e kanë të ngulitur posaçërisht në kujtesën e tyre. Po të bëhet një sondazh se sa bashkëkombas kanë njohuri për faktin që për Gjergj Kastriotin kanë hartuar vepra shumë të huaj, mund të mos dalë një shifër modeste, por po të ishte se anketimi do të pasonte zhbirrimin për të kuptuar përse ka ndodhur një gjë e tillë, vështirë që rezultati të jetë inkurajues. Shqiptarët dinë që për bashkëkombasin e tyre më të spikatur kanë shkruar mjaft të huaj, por janë gjithashtu të stërbindur që për të kanë mbushur tonelata me letër edhe ata vetë. Ndarja e thiktë u që bën Ismail Kadare autorëve (nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë me katër) i huton, madje ua përmbys përfytyrimin që kanë.
Me këtë hepim të madh të raportit të skënderbeshkruesve mes nesh dhe të huajve, Kadare të paktën na vë mëndjen në lëvizje më shumë nga sa ngathësisht shpesh e bëjmë ne të punojë.
Ai na çel një temë për debat.


Në intervistën e tij në “Le Figaro” shkrimtari i njohur shumë ndërkombëtarisht i jep edhe një shpjegim të vet kësaj dukurie. Për aq sa mund të lejojë një komunikim i tillë nga faqet e një gazete, gjithë-gjithë katër-pesë minuta lexim, ai bën gjithçka për të dëshmuar që për Skënderbeun nuk kanë shkruar patjetër pena pak të njohura, por vetë Victor Hugo, Byron e Ronsard, ka kompozuar Vivaldi.
Ishte realisht me dimensione kontinentale kjo figurë, i sajoi apo i krijoi këto përmasa Evropa thjesht për ta përdorur Skënderbeun si shembëll për të nxitur rezistencën kundër rrezikut të pushtimit osman, le ta rrahim këtë mendim më pas.
Kadare në intervistën në “Le Figaro”, vështruar në të gjithë kontekstin e ndërhyrjes së tij, nuk ka synuar ndonjë spekullim. Ai e ka thënë sipas mënyrës së tij atë të vërtetë, të cilën e konsideron të dobishme për të theksuar e ritheksuar: Gjergj Kastrioti është realisht një hero i madh evropian.


Duke e harmonizuar intervistën e 4 gushtit 2004 me atë të janarit 2005, në harkun kohor “Le Figaro”-“Deutche Velle”, Ismail Kadare afron, bashkon e përputh në një idenë e tij të ngulmët se shqiptarët kanë të gjitha të drejtat për ta patur Gjergj Kastriotin si flamur të bashkimit të tyre të natyrshëm me Evropën.
Veç në rast se këtë gjë nuk e kuptojmë vetë ne, të tjerët, bashkëkombasit e tij të shumtë, kudo ku ndodhemi në këtë botë të madhe!?
Kadare sheh se nga vendi i tij, pesëmbëdhjetë vite pas rënies së diktaturës komuniste, në misionin e madh të integrimit në Bashkimin Evropian nuk po ngrihet lart flamuri i veprës së Skënderbeut.
Në Tiranë vërtet nuk e kuptojnë këtë nevojë? Nuk e ndjejnë këtë emergjencë?
Nuk e kanë këtë problem?
Në Prishtinë e kudo ku ka qendra të politikës, kulturës e mendimit të përparuar shqiptar e kuptojnë apo jo se Gjergj Kastrioti është edhe një qytetar i vjetër evropian?


0

Ismail Kadare në vitet 2004-2005 shihte brenda vendit të tij një kanosje antievropiane. Revizionimi i shëmtuar i Skënderbeut ishte një nga shfaqjet e saj.
Sipas një të përditshmeje të Tiranës, kundër këtyre revizionistëve ai do të shprehej edhe më ashpër. Në një intervistë tjetër fraza e pamëshirtë saktësisht do të ishte “Gjithmonë në këtë logjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bënë vitet e fundit, prej vetë renegatëve shqiptarë tashmë pikërisht gjuhës shqipe, figurës sublime të Gjergj Katriotit, i cili u quajt \\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\"hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\".
Ismail Kadare nuk e thoshte dhe as e tha ndonjëherë që kundër Skënderbeut dhe Shqipërisë ka në veprim një komplot. Këtë fjalë shkrimtari i njohur do ta merrte për ekzagjerim e në mos si një spektakël të panevojshëm.
Mirëpo ne do të guxojmë dhe dalim për pak çaste nga kjo etikë.
Po pyesim: Vërtet, tani që Shqipëria kërkon të hyjë në Evropë, pra të sigurojë përfundimisht përkatësinë e saj natyrale properëndimore, a është rishfaqur realisht për të disatën herë rresht komploti i devijimit drejt lindjes?
Pra, mos po tentohet një shkëputje e butë nga Perëndimi?


0

Ndërsa Ismail Kadare ishte shfaqur në seksionin shqip të radios “Zëri i Gjermanisë” më 27 janar, katër ditë më përpara, më 23, para një pjese modeste të opinionit publik shqiptar ishte dukur, me temën e Gjergj Kastriotit, një emër që vinte nga vija të hershme të shërbimeve politike.
Ishte dikur diplomati A.B.
Shkrimi i tij u botua në gazetën që e drejtonte vetë. Ajo titullohet akoma “Rimëkëmbja”.
Tirazhi i saj shumë i vogël jo vetëm atë ditë të 23 janarit, por as më parë dhe as më pas, nuk premtonte ndonjë ndikim të përfillshëm në shoqërinë shqiptare.
Megjithatë A.B. e botoi atë qëndrim të tij tamam në fillim të vitit që shënonte 600-vjetorin e Skënderbeut.
Shkrimi ishte i gjatë, i sistemuar në teza. Qe një shkrim-fjalim. Autori i kishte dhënë pamjen e formën e një lënde programatike.
Artikulli i tij dukej si një platformë.
Në krye, si një titull i zgjedhur posaçërisht për të qënë që në fillim i qartë dhe i rreptë, A.B. kishte formuluar njëra pas tjetrës fjalët: “Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?”
Kishte përzgjedhur një kontekst të caktuar diplomati i vjetër i Shqipërisë dhe në fillimet e pluralizmit edhe politikan i opozitës demokratike. Pak ditë më parë nga shpallja e platformës së tij, më 17 janar, sipas të përditshmes “Koha Jonë”, ish-drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shtetit dhe studjuesi i mesjetës, Luan Malltezi, tashmë nën statusin e deputetit të Partisë Demokratike në opozitë, i kishte kërkuar një ditë më parë kryetarit të parlamentit të ndërhynte pranë qeverisë me qëllim “që viti 2005 të shpallej vit jubilar në kujtim të figurës së Skënderbeut”. Po kjo gazetë informonte se zëvendëskryeministri socialist e kishte sqaruar deputetin propozues si edhe gjithë parlamentarët e tjerë se një ditë më parë për këtë çështje kishte patur një takim të veçantë me Ministrin e Kulturës dhe drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar. Sipas tij jo vetëm që kabineti qeveritar do ta shpallte pa u vonuar Vitin e Skënderbeut, por edhe do të përpiqej, për herë të parë, që të silleshin në Shqipëri, për një kohë sado të shkurtër ekspozimi, armatimet e përdorura nga Heroi Kombëtar.
Ato ruheshin në Muzeun e Vjenës, nën rregulla mjaft të rrepta sigurie, por zëvëndëskryeministri siguroi se diplomacia e kishte marrë porosinë të vihej në lëvizje dhe se ajo patjetër do ta bënte të mundur këtë mbartje të përkrenares dhe të dy shpatave origjinale të Gjergj Kastriot Skënderbeut nga kryeqyteti austriak deri në Tiranë.
Por ndërsa më 16 janar në Kuvend kishte ndodhur ngjarja e mësipërme, po atë ditë gazeta afër të djathës politike, “Tema”, kishte mbyllur katër ditë shkrimesh kritikë të një historiani kundër Kristo Frashërit, të pranuar në shumë mjedise shkencore si skënderologu më i begatë shqiptar. Jo libri i tij një vëllimësh, pra monografia për Gjergj Kastriotin, por kërkesa publike e Prof. Frashërit për të financuar botimin e një serie të plotë dhjetëvëllimëshe me dokumentacion për Skënderbeun, pati shkaktuar reagimin e ashpër të kolegut.
Ky e akuzonte se duke vendosur vetëm emrin e tij mbi të gjithë atë dhjetëvëllimësh dokumentash në të vërtetë përvetësonte punën e një grupi të tërë studjuesish, të cilët ishin marrë dekada të tëra me kërkimin, gjetjen, përkthimin dhe çdo shërbim tjetër shkencor të materialeve.
Tre ditë më pas, më 19 janar, një përkrahës i historianit 86-vjeçar Kristo Frashëri shkruante se i bënte shumë përshtypje që libri i tij për Skënderbeun deri ato çaste nuk kishte provuar asnjë reçensë serioze, veç ndonjë komenti apo shpjegimi të sipërfaqshëm. Madje, në të kundërt, kishte shkaktuar katër ditë të pandërprera sulmi mediatik. Artikullshkruesi po ashtu pëlqente të vinte në dukje se për monografinë e heroit kombëtar Akademia e Shkencave të Republikës mund të vihej në lëvizje mbase më shumë jo për të analizuar punën e anëtarit të saj të spikatur, por të paktën për të nderuar Gjergj Kastriotin.
Autori i 19 janarit në atë atmosferë të çuditshme konfuze dhe ireale e shtynte edhe më tej depërtimin e logjikës së tij, kur nënvizonte se “Mbase është kjo arsyeja nga ku duhet të justifikohet edhe qeveria shqiptare, e cila duke njohur këtë realitet shkencor në vend, \\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\"heziton\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\" të shpallë një platformë kombëtare për kremtimin dhe respektin e heroit të madh”.
Pikërisht në këtë kontekst të rrëmujshëm dhe të potershëm ishte shfaqur analiza-platformë e A.B. dhe pak ditë më pas intervista e Ismail Kadaresë.
A kishin këto dy ngjarje sadopak lidhje me njëra-tjetrën?


Fuqia ndikuese e gazetës që A.B. kishte zgjedhur për të shpallur idetë e tij revizionuese për Gjergj Kastriotin, nuk e ndihmonte dot që shkrimi i tij të perceptohej nga opinioni publik shqiptar siç edhe ishte: një “bombë”.
Për të siguruar këtë efekt do të mjaftonte një e përditshme me tirazh të madh ose një intervistë e autorit në një televizion të shumëndjekur. Mirëpo kjo nuk ngjau e as kishte gjasa të ndodhte. Për vite të tëra A.B. nuk ishte ftuar nga ndonjë televizion kombëtar. Po ashtu shkrimeve të tij nuk i pati çelur hapësirë asnjë gazetë kryesore. Ai pikërisht prej kësaj pamundësie për të shprehur pikëpamjet e veta pati zgjedhur botimin e të përjavshmes së tij modeste.
Kështu njeriu që ishte marrë hershëm me politikë dhe pati synuar përherë të jetë një protagonist i veçantë i saj, me shkrimin “Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?” jo vetëm nuk mundi dot të ndikojë në opinionin e përgjithshëm publik, por nuk arriti dot të shkaktojë edhe ndonjë debat.
Artikullit të tij revizionues iu përgjegj një heshtje e plotë.
Po të dëshironte, pra po ta pëlqente, media kryesore do ta “rrëmbente” mesazhin e A.B. dhe do ta shumëfishonte. Më parë i kishte ndodhur që për ndonjë pikëpamje të tij të bujshme ndonjë skaj faqeje gazete edhe t’i hapej.
Por e shpërfillën.
Ndërkaq A.B. kishte kryer një rishikim përmbysës të të gjithë veprës së Skënderbeut dhe kishte dalë kundër të gjithë trashëgimisë së mbledhur gjer atëhere.
Ai ishte përpjekur ta ndante kohën mëdysh.
Me vlerësimin e tij për çështjen e Gjergj Kastriotit ish-diplomati dëshironte të fillonte një erë e re.
Askush nuk e kishte bërë këtë gjë më parë. As guxuar ta mendonte.
Gjergj Kastriotin, heroin dhe mitin e të gjithë shqiptarëve, A.B., pa hezituar, e kishte vënë me kokë poshtë. Kishte rrëzuar të gjithë “mbretërinë” e tij të adhurimit kombëtar. Në rast se deri atëhere bashkëkombasit e kishin mbajtur Skënderbeun në lartësi , A. B. në lartësinë e dukjes publike të artikullit të tij të gjatë e kishte ngritur vetëm sa për ta varur në litar.
Ideja e tij ishte e hapët dhe e pamëdyshtë që në rreshtat e para të shkrimit: “Debati i sotëm për Skënderbeun nuk ka asnjë lidhje me Skënderbeun real, por me përdorimin dhe përdoruesit e tij. Skënderbeu real mund të përdoret dhe është përdorë për politika shumë të ndryshme dhe të kundërta”.
Për aq sa kumtohet me këto tre radhë të artikullit të tij nuk ke si të mos jesh dakort me idenë se politika e ka përdorur dhe ende e shpërdor Gjergj Kastriotin.
Në vijim A.B. përpiqet të argumentojë se “Skënderbeu ka bërë luftë kundër fuqisë më të madhe të kohës, kundër superfuqisë botërore. Prandaj ai mund të përdoret si shembull i luftës kundër superfuqive dhe të bëhet thirrje “hajde t’i shpallim luftë fuqisë më të madhe të kohës tonë, SHBA-ave, si Skënderbeu fuqisë më të madhe të kohës së tij. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Kështu u përdor, për shembull, nga Enver Hoxha për t’iu shpallë luftë dy superfuqive”.
Por në rast se vërtet ky përdorim i Gjergj Kastriotit kundër të quajturave dy superfuqi nga regjimi komunist gjatë Luftës së Ftohtë pati ndodhur, në pesëmbëdhjetë vite pluralizëm nuk kishte asnjë shenjë, si edhe shkak e arsye, që kjo të përsëritej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që pas rënies së diktaturës Shqipëria ishte shndërruar në një vend adhurues i SHBA-ve, jo pak i kritikuar nga disa mjedise jashtë kufijve tanë edhe si shtet satelit.
Pa e paragjykuar, arsyetimi që A.B. kryente që në paragrafin e parë të analizës së tij revizionuese për Skënderbeun, të linte edhe shijen e një provokacioni.
Argumentimi i tij i dytë në favor të idesë së përdorimit të mbrapshtë të Gjergj Kastriotit nga politika formulohej në artikull saktësisht kështu: “Skënderbeu u bashkua me papatin kundër rilindjes europiane dhe Europës moderne. Prandaj ai mund të përdoret si shembull për luftën kundër modernitetit europian dhe të bëhet thirrje “hajde t’i bashkohemi reaksionit europian kundër rrymave moderne e modernizuese europiane si Skënderbeu që u bashkua me Papën në luftën kundër përpjekjeve europiane për ndarjen e kishës nga shteti, sekularizimin, rilindjen, humanizimin, iluminimin dhe sot pasmodernizimin! Kështu mund të përdoret sot në luftën ndaj filozofive europiane pasmoderne, për shtrirjen e të drejtave dhe lirive njerëzore në grupet sociale, kulturore etj., të shtypura nga modernia. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut”.
Në rast se në paragraf-argumentin e parë ish-diplomati me jo pak stazh shërbimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte tentuar një provokacion, mbase vetëm për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, në sprovën e dytë të tij dëshmonte se provokacioni ishte vetë fryma e artikullit të tij.
Por a mund të realizohet një revizionim i drejtë apo qoftë i padrejtë mbi veprën e Gjergj Kastriot nëpërmjet teknikës së provokacionit?


Ideja e A.B. se Skënderbeu ishte bashkuar me Selinë e Shenjtë, pra me fenë katolike, për t’iu kundërvënë rilindjes evropiane dhe Evropës moderne, përfundon tek pohimi se ai jo vetëm nuk është një hero shqiptar, por as hero evropian.
Sipas A.B. Gjergj Kastrioti është një antihero.
Patjetër edhe një antievropian.
Duke e interpretuar Skënderbeun si një kundërshtar të euromodernitetit, si një figurë që sipas tij edhe sot mund të përdoret nga politika si një shembull në luftën kundër përhapjes së të drejtave dhe lirive njerëzore, ish-diplomati e vlerëson atë as më pak dhe as më shumë, por si një papëlqyes të Bashkimit Evropian.
Pse jo edhe kundërshtar.
Tani nuk ka asnjë rëndësi nëse Ismail Kadare me ndërhyrjen e tij në “Deutche Velle” kishte parasysh apo jo këtë shkrim e interpretim të A.B.
Shënojmë vetëm se në atë shkrim të gjatë gjendet, çuditërisht pa asnjë lidhje të fortë e të kuptimshme me temën kryesore, edhe ky fragment: “Tipike moderne janë psh përpjekjet e Kadaresë për të demitizuar mitet dhe legjendat shqiptare e botërore (psh në poezinë “Laookonti”), ose ta zëmë, përpjekja për të interpretuar në frymën e frojdizmit (tani gati i harruar) legjendën e Konstandinit dhe të Doruntinës, për ta interpretuar jo si mesazh të forcës dhe të besës, por si inçest, si dashuri seksuale ndërmjet motrës e vëllait, si legjendë në të cilën shqiptarët kanë ruajtur dhe çliruar perversitetet e veta seksuale”.
Jo për ta shpërfillur këtë sulm të beftë dhe me një akuzë krejtësisht të pavërtetë ndaj Ismail Kadaresë, por për ta anashkaluar e mos rënë në një provokacion tjetër të diplomatit të vjetër, po i rikthehemi rrjedhës së natyrshme të shkrimit “Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?”
Megjithëse kaq sa më sipër cituam mjafton për të dalë në përfundimin se kemi të bëjmë me një revizionim radikal të veprës së Gjergj Kastriotit dhe një qëndrim që bie ndesh me të gjithë frymën properëndimore të Shqipërisë, po ndjekim edhe më tej revizionimin që ka tentuar të kryejë në 23 janar 2005 A.B.
Ish-diplomati shkruan: “Skënderbeu ka vrarë masivisht shqiptarët që ishin kthyer në fenë islame. Prandaj Skënderbeu mund të përdoret për të bërë thirrje që të masakrohen masivisht pakicat fetare siç masakroi Skënderbeu fshatarët myslimanë të rrethit të Krujës.... Skënderbeu e ka ndërruar fenë disa herë dhe mund të bëhet thirrje ta ndërrojmë fenë përditë “si Skënderbeu!”...Dihet se Skënderbeu dhe Dukagjinët nuk kanë shkuar aq mirë, përshembull Skënderbeu iu nënshtrua Vatikanit pa marrë parasysh rrrjedhojat për vendin dhe popullin e vet, ndërsa Dukagjinasit menduan për vendin e popullin shqiptar pavarësisht ambicieve të Vatikanit. Skënderbeu kish miqësi familjare e politike me serbët, ndërsa Dukagjinasit jo etj., aq sa Vatikani gati i shkishëroi pse kundërshtonin politikën shkatërrimtare të Skënderbeut. Pra, dukagjinasit nuk i ka dashtë shumë Vatikani dhe i ka dashtë populli; Skënderbeun nuk e ka dashtë aq shumë populli, por e ka dashtë Vatikani”.
Këtu mund të mbyllet lehtësisht referenca ynë ndaj një shembulli agresiv të revizionimit përmbysës kryer ndaj Gjergj Kastriotit.
Në të vërtetë pjesa argumentuese e artikullit “Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?” vijon më pas, ku njëri pas tjetrit merren në shqyrtim nga autori dhe po ashtu, një për një hidhen poshtë, gjashtë vlera të veprës së Gjergj Kastriotit (mbrojtës i Evropës, mbrojtës i krishtërimit, krijues i miqësisë së popullit shqiptar me popujt e tjerë të Ballkanit (sllavët dhe grekët), shembulltyra e luftës së një populli për liri dhe pavarësi, krijues i shtetit shqiptar, mit dhe simbol i shqiptarëve).
Citojmë ndonjë: “A duhej të mbrohej qytetërimi dhe kultura perëndimore e asaj kohe? Qytetërimi dhe kultura evropiane e asaj periudhe dhe shumë më pas, ishin ndër të tjera, qytetërimi dhe kultura e kryqëzatave, inkuizicionit, djegies së rreth 700 mijë plakave të pafajshme të akuzuara si shtriga, e shfarosjes së hebrejve etj., etj. Vetë evropianët kishin filluar, dhe pak pas vdekjes së Skënderbeut, i kishin shpallur luftë qytetërimit dhe kulturës së deriatëhershme evropiane...”.
Sërish citojmë: “Skënderbeu mund të interpretohet si udhëheqësi shqiptar që përuroi fillimin e luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve. Kështu mund të interpretohet sjellja e tij ndaj besimeve të tjera fetare në Shqipëri pas kthimit në Krujë, kur kërkoi nga kolonistët dhe të konvertuarit në myslimanë të zgjedhin ndërmjet kristianizmit e vdekjes dhe të gjithë ata që nuk pranuan të braktisin islamin, i masakroi. Masakra masive si këto nuk janë kryer gjatë gjithë periudhës së sundimit osman dhe përgjithësisht kjo sjellje e Skënderbeut nuk u pasua nga udhëheqës të tjerë (ndoshta me përjashtim të Pjetër Bogdanit dhe ndonjë rasti tjetër të rrallë) e nuk u shndërrua në traditë tek shqiptarët. Përkundrazi, traditë u bë toleranca fetare që është një përvojë dhe karakteristikë tipike shqiptare. Por në qoftë se do të ishte vazhduar qëndrimi i Skënderbeut, atëherë atij do t’i takonte merita e themeluesit të intolerancës dhe luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve”.
Citojmë përsëri: “Figura e Skënderbeut nuk ka qenë burim frymëzimi i shumë ngjarjeve tepër të rëndësishme për shqiptarët, duke përfshirë dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 etj., etj.”
A.B. nuk i shpëton edhe një merak që me sa duket e ka të madh e ndoshta për këtë arsye edhe mori në dorë penën: “Mbi arsyetimin se Skënderbeu dhe shqiptarët kanë mbrojtur Evropën nga pushtimi osman, është kërkuar nga Evropa që “tani që shqiptarët kanë nevojë për ndihmën e Evropës, Evropa duhet t’u kthejë borxhin”.
Sipas ish-diplomatit rikthimi në kujtesën e kombit e veprës së Gjergj Kastriotit si një vlerë historikisht proevropiane e Shqipërisë është një mënyrë e re e përdorimit politik të tij.
Gjithnjë sipas A.B. ringjallja e kësaj figure, citimi i saj ndërsa shqiptarët po bëhen gati të integrohen në Bashkimin Evropian, nuk është gjë tjetër veç një hile e dinakëri e zakonshme e sjelljes rrufjane të krerëve shqiptarë për të përfituar ndonjë lëshim nga standartet e rrepta të Brukselit.
Patjetër në tufën e hileqarëve A.B. kishte rreshtuar edhe Ismail Kadarenë, të cilit mbase nuk i kishte falur intervistën që ai pati bërë në të përditshmen franceze “Le Figaro” e që menjëherë shtypi i Tiranës e kishte shndërruar në ngjarje popullore. Ndoshta A.B. ndjenjën e reagimit ndaj Kadaresë e kishte të shkaktuar nga ndonjë ndodhi më e afërt. Në 20 janar media e kryeqytetit shqiptar një pyetje-përgjigje të shkrimtarit të njohur i kishte vënë titullin “Enveristët dhe mafiozët po mbajnë peng Shqipërinë”.
Këto episode mund të mos kenë komunikim me njëri-tjetrin. Përderisa mes të dyve nuk ka patur asnjë polemikë të drejtpërdrejtë, gjetja e një lidhjeje mbetet përherë një hamendje. Në periudhën para se Ismail Kadare të denonconte disa bashkëkombas të tij që po kryenin gjestin e rivlerësimit të shëmtuar të Gjergj Kastriotit, ishin shfaqur në llogoren e re të zhvlerësimit të tij edhe dy a tri emra të tjerë.
Veç ndërhyrja e A.B. më 23 janar 2005, në ditët që po bëhej trysni të shpallej “Viti i Skënderbeut”, mbetej më e angazhuara dhe më e kthjellta në objektivin e saj.
Dukej qartë që ishte e kundërta nga sa po kërkohej. Me artikullin nën titullin kuptimplotë “Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?” deklaronte se gjatë vitit 2005 nuk duhej të kishte asnjë lloj përkujtimi të veçantë për Gjergj Kastriotin. Pas gjashtë shekujsh ai duhej përfundimisht braktisur. Madje edhe dënuar.
A.B. shpallte për qëllim të vetëdijshëm rrafshimin e imazhit e të shembullit të veprës që shqiptarët deri atëhere njihnin si meritë historike të Skënderbeut. Ai sulmoi ta godiste këtë simbol pikërisht në nyjen e tij më jetike e njëkohësisht më të favorshmin për bashkëkombasit e tij të fillimit të viteve dymijë: shërbimin e madh që kishte dhënë për Evropën.
Mirëpo kjo ishte, po të kujtohemi, edhe vlera më e mohuar nga diktatura komuniste.
Ishte edhe vlera që pas shembjes së saj duhej të merrte patjetër sa më tepër dritë.


Kur nisi jubileu i 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut prej pesëmbëdhjetë vitesh shqiptarët po përjetonin momentin e rikthimit në familjen e tyre historike. Kishin pesëmbëdhjetë vite që po ngrinin një urë.
Në rast se do të miratonim një çast arsyetimin e A.B., sipas të cilit Gjergj Kastrioti nuk mbart asnjë vlerë evropiane, si do t’ja bënim një trashëgimie tjetër të tij: asaj vetëm kombëtare?
Shqipëria nga rezistenca kundërosmane e Skënderbeut kishte marrë dy nga simbolet më të shenjta kombëtare: flamurin dhe ditën e shpalljes së pavarësisë. Madje në atë janar 2005 kishte dy-tre vite që përkrenarja e tij ishte vendosur në stemën e shtetit shqiptar dhe për ata që nuk kishin të bënin me shkresa, për ta konstatuar ngjarjen e re, u mjaftonte të ndiqnin në televizion transmentimin e seancave të Kuvendit.
Stema me përkrenaren e Gjergj Kastriotit ishte e lartuar me përmasa të mëdha në ballë të sallës parlamentare.
Kur A.B. hidhte poshtë vlerën proevropiane të Skënderbeut dhe, donte apo nuk donte, rrëzonte edhe flamurin e shtetit të tij si edhe ditëshpalljen e pavarësisë, simbolet e heroit kombëtar kishin bërë një hap më tej.
Tanimë edhe uniformat ceremoniale të Gardës së Republikës po stilizoheshin sipas veshjes personale të Gjergj Kastriotit.












Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com