Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Monumenti i Skenderbeut ne Kruje
Foto: Monumenti i Skenderbeut ne Kruje
Pasardhësi i Skënderbeut që shmangu keqkuptimin me Leka Zogun

Botuar në revistën “Shqip”, prill 2008

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg (Xhorxho Maria Kastriota Skënderbe) jeton në qytetin e Kazertës, afër Napolit. Me dëshmi të pakundërshtueshme të Drejtorisë së Arkivës së Shtetit Italian, protokolluar me numrin 2566, regjistri 14/86, ai ka stërgjysh të tij Giovanni Castriota Scanderbeg. Kjo do të thotë se është stërnip i Gjonit, djalit të vetëm të Skënderbeut, i cili në mes të shkurtit 1468, diçka më pak se një muaj nga vdekja e të jatit, bashkë me Donikën, të jëmën, si edhe disa vejusha, gra komandantësh ushtarakë shqiptarë të rënë në fushë të betejës, u nisën nga porti i Durrësit për në Mbretërinë e Napolit, te kryezoti dhe aleati i tyre, mbreti Ferdinand i Aragonës.
Sipas një rregulli që ishte veprues në Italinë e para vitit 1948, kur me referendum monarkia humbi dhe fitoi republika, ai është një princ. Sigurisht i tillë është sipas pemës gjenealogjike, e cila nëpërmjet provash dokumentare është njohur nga Arkivi i Shtetit Italian. Kjo përkatësi dhe cilësim me titullin princ i shkruhet në të gjitha botimet e fisnikërisë italiane dhe të vetë qytetit të Napolit.
Por problemi nuk është këtu, pra tek ekzistenca e një princi italo-shqiptar, të një arbëreshi me këtë titull. Me një ligj të veçantë që në vitin 1948 në vendin fqinj janë ndaluar përdorimi zyrtar i titujve të fisnikërisë, edhe pse në rrethe të ngushta apo në media, në shenjë individualiteti apo respekti, emërtimet sipas traditës së vjetër i përdorin pa e tepruar. Kështu ndodh jo vetëm me princërit, por edhe me dukët, kontët e markezët.
Te Giorgio Maria Scanderbeg kësaj rradhe u kthyem jo për të bërë të ndjeshme praninë e tij si edhe faktin që është ligjërisht pasardhës i heroit tonë kombëtar. As se është trashëgimtar i ndonjë froni mbretëror, sepse të tillë nuk ka në Shqipëri të paktën që nga viti 1997, ku nëpërmjet në referendumi të vonuar mundësia e një sistemi monarkik nuk u pranua përfundimisht.
Mbi pesëqind vite larguar Kastriotët e emigruar në Itali kanë një histori të ndërlikuar marëdhëniesh me tokën amë. Ajo nuk mund të tregohet në këtë shkrim të shkurtër, ca më shumë që ai ka sipërmarë një temë tjetër. Giorgio Maria e do shumë vendin e tij të origjinës, por mbetet një bashkëkombas i italianizuar që nuk ka patur kurrë ndërmend të rikthehet në Shqipëri as për ndonjë pretendim dinastik dhe as për të trazuar jetën politike. Nuk e ka bërë këtë gjë edhe nga përtej bregu, pa e kapërxyer detin fare, edhe pse rastet dhe arsyet kanë qënë joshëse.
Në të vërtetë ai nuk ka dashur asnjëherë, por kanë qënë të tjerët ngacmonjës. Pikërisht kjo situatë e fundit, krejt e paparashikuar nga stërnipi i Skënderbeut, është edhe arsyeja kryesore përse zgjodhëm këtë temë për shkrimin e rradhës në “Shqip”, revistë që ka e takon nëpër Evropë mjaft lexues nga trojet tona. Duke jetuar në Perëndim, në një botë me qytetërim më të kultivuar, ku një pjesë e vendeve janë forma moderne të monarkisë si edhe të tjerë nga më të vendosurit në alternativën republikane, ata do të na mirëkuptojnë thellësisht çfarë duam të kumtojmë.


ooooooo

Shqipëria e mban mend shumë mirë vitin e saj të trazuar 1997. Bota e pa këtë që na ndodhi prej së largu, edhe pse shumë vende na ndihmuan ta kapërxejmë sa më shpejt. Edhe përtej detit, në gadishullin Apenin, italianët çfarë na ngjau e ndoqën nëpërmjet ekraneve televizive dhe faqeve të para të gazetave.
Për ta ajo që po ndodhte në Shqipëri ishte edhe afër, edhe larg. Nuk do ta merrnin dot me mend që njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtata e “vendit të shqiponjave”, me një ngjarje nga më befasueset, do t’u depërtonte edhe në vendin e tyre.
Kjo kishte të bënte me Giorgio Maria Scanderbeg.
Ndodhia përfshiu atë dhe familjen e tij në Kazerta, ndërsa vetë ishte nëpunës banke, bashkshortja Stefani shtëpiake dhe dy djemtë fare të vegjël.
Një ditë mesprilli i ra ziles në apartamentin e tij gazetari i një të përditshmeje lokale të qytetit. I porsardhuri u prezantua me emrin Fulvio Fiano dhe e pyeti mos i zoti i shtëpisë ishte Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, pra pasardhësi i Skënderbeut, disa shekuj më parë mbret i Shqipërisë. Thjesht kërkonte një intervistë. Giorgio Maria në fillim u hutua, jo vetëm sepse iu duk i çuditshëm ai interesim për të dhe familjen e tij ndërkohë që vendi i stërgjyshit të tij gjendej në vështirësi të madhe. Nga natyra e tij e ndruajtur, por edhe prej një rregulli moral për të mos e shfrytëzuar kurrë lidhjen e tij të veçantë, me përkatësi të ligjshme fisnike, me Shqipërinë, ai e pyeti gazetarin prej kujt e kishte marë informacionin. Tjetri i përmendi një mikun e tij, gazetarin Matias. Në të vërtetë ky i fundit, mik i Giorgio-s, prej shumë muajsh i pati shprehur interesin për një intervistë. Sipas tij fakti që ishte një princ me origjinë nga Shqipëria do ta bënte shumë të lexueshëm shkrimin dhe do ta kthente vëmëndjen e opinionit tek ai. Matias atëhere nguli kembë se nuk kishte përse bënte aq shumë jetë të rezervuar dhe se, duke e bërë të njohur përkatësinë e tij fisnike, do të kishte një rast për t’u angazhuar në jetën publike. Atëhere Giorgio Maria nuk e kundërshtoi bërjen e një interviste, por jo të një shkrimi, në mënyrë që miku Matias të shkruante në gazetë vetëm fjalët e shqiptuara prej tij dhe jo çfarë mendonte vetë.
Por i njohuri i tij nuk erdhi kurrë për ta bërë atë intervistë dhe çështja e harrua. Tani që Shqipëria ishte trazuar dhe në ngjarjet e saj ishte shfaqur edhe Leka, i biri i Ahmet Zogut, një politikan që në vitet tridhjetë pati qënë shpallur mbret i atij vendi, Matias ishte kujtuar për Giorgio Maria Castriota Scanderbeg. I kishte thënë kolegut Fulvio se ajo që në Tiranë po bënte Leka Zogu, i cili pretendonte fronin e Shqipërisë, ishte e padrejtë, sepse trashëgimtari i atij froni nuk ishte atje, por në Itali. Madje nuk ndodhej as tepër lart në veri dhe as shumë poshtë në jug. Nuk gjendej as në Romë. E kishin fare afër, bile mu te hunda, në qytetin e tyre të Kazertës. Tjetri kishte mbetur pa mend: një trashëgimtar froni, pra një princ shqiptar, gjendej aty dhe prej dekadash asnjë nuk e dinte këtë gjë!? Kështu vrapoi me një frymë për në adresën që i dhanë.
Sapo mbaroi intervistën Fulvio Fiano kërkoi leje t’i bënte edhe disa foto veças dhe bashkë me familjen. Ndërkohë ishin mirëkuptuar që thelbi i asaj që Giorgio Maria Castriota Scanderbeg dëshironte të thoshte lexuesve duhej të ishte “vendi im i origjinës, Shqipëria, duhet të ecë me kembët e veta dhe i uroj sa më shpejt ta kapërxejë krizën”. Pasi bëri shpejt e shpejt fotot gazetari lokal, syndezur nga subjekti shpërthyes që kishte gjetur, ja mbathi për në redaksi.
Dy ditë më pas, fundjavë, e shtunë, 18 prill, Giorgio Maria i lirë nga puna në bankë, si përherë shkoi të shoqërojë djalin e madh, Filipin tetëvjeçar, në shkollë. Në një nga reklamat e shtypit, vendosur buzë rrugës, pa nga makina me shkronja të mëdha emrin e tij. Titulli ia turbulloi vështrimin. Në të thuhej se ai paskej thënë se në rast se në Shqipëri kthehej mbretëria për të trashëguar fronin të drejtën e ligjshme e kishte ai dhe jo Leka Zogu.
Iu muarr fryma dhe pasi futi në shkollë të birin u kthye në kioskën më të afërt të shtypit dhe bleu gazetën lokale “Il Giornale di Caserta”. Në faqen e parë përveç titullit gërmëmadh “Jeton në Kazerta trashëgimtari i fronit të Shqipërisë”, në më shumë se dy të tretën e hapësirës së faqes së parë ishte botuar një foto e madhe e tij me bashkëshorten e tij, Stefaninë. Në brendësi faqja 6, e gjitha speciale për të, niste me një foto tjetër të madhe të çiftit, kësaj rradhe sëbashku me dy djemtë. Titulli i ri ishte “Lotoj për Shqipërinë dhe shpresoj që të shpëtojë”. Në të majtë e të djathtë të fotos së tyre familjare gërmat e dukshme shënonin “Giorgio Maria Scanderbeg është trashëgimtari i drejtpërdrejtë i princit Gjergj, heroit kombëtar shqiptar, i cili në mes të viteve 1400 luftoi kundër turqve myslimanë për pavarësinë e vendit të tij” dhe “Jeton në lagjen San Nicola la Strada me gruan e tij të bukur Stefania e dy djemtë e pasionuar pas basketbollit dhe tenisit. Banon në bankë, ka një karakter që të rri larg dhe ndihet i bezdisur kur e thërresin princ”.
Shkrimi niste me fjalët “Forca popull shqiptar, është momenti të ngrihesh në kembë!” Është një thirrje por edhe një urim. Është një shpresë që vjen nga Princi Giorgio Maria Scanderbeg i Shqipërisë, trashëgimtar i ligjshëm i fronit në rast të rikthimit të sistemit të monarkisë në vendin tashmë të përfshirë nga lufta civile”.
Kur mbërriti në fund të shkrimit të gjatë të Fulvio Fianos Giorgio Maria gjeti fjalët “E përsëris, të rikthehem në atdhe këto çaste më duket punë e papërshtatshme. Nuk kërkoj publicitet dhe nuk kam qëllime për pushtet”. Pa u vonuar nxitoi për në shtëpi dhe ja tregoi të gjithë ngjarjen të shoqes. Stefania në fillim u ndje e gëzuar që patën tërhequr vëmendjen e opinionit. Për të i shoqi gjithnjë kishte qënë një princ i vërtetë, i konfirmuar ligjërisht. Por kur pa se Giorgio Maria ende dukej i shqetësuar dhe përsëriste se me atë titull dhe me mënyrën se si gazeta lokale e kishte ekspozuar rrezikonte të shkaktonin një keqkuptim të madh politik jo vetëm në Shqipëri, por edhe aty, në vendin e tyre, të angazhuar ato çaste në një operacion ndihme për ta nxjerrë nga kriza. Atë ditë e kishte në majë të gjuhës, por nuk ja tha Stefanisë, se në mënyrën se si gazetari Fulvio pati devijuar bisedën me të kishte një aluzion edhe për grindjet e njohura për fronin mbretëror që bëheshin në Itali mes familjes Savoja dhe asaj të Dukës së Aostës, zënkë me të cilën italianët ishin ngopur dhe për të dy palët mendonin keq. Prej atij publiciteti të shtrembëruar, po të hynte edhe nën kureshtjen e gazetave të tjera, do të pësonte të njëjtën gjë edhe familja e tyre.
Dhe “shpërthimi” mediatik nuk vonoi. Pas tre ditësh nga botimi në gazetën lokale vjehrri i Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, babai i Stefanisë, i cili ishte fotoreporter dhe gazetar i Agjensisë Italiane të Lajmeve, ANSA, ia tha këtë që pati ndodhur një kolegu të tij. Ky menjëherë i kërkoi nëse mund të bënte një intervistë me dhendërin e tij. E telefonoi Giorgion dhe ky ra dakort. Pranoi sepse kishte tashmë një rast për të bërë koregjimin e asaj që pati përhapur lokalja “Il giornale della Caserta”. Gjatë pyetjeve nëpërmjet telefonit kolegu i vjehrrit nisi ta provokojë. E pyeti se si i kishte marrëdhëniet me Leka Zogun, i cili në Shqipëri po kryesonte një lëvizje e parti politike dhe kërkonte referendum për monarkinë.
Duke e kapërxyer nervozimin Giorgio Maria Castriota Scanderbeg pyetjes së mbrapësht iu përgjegj me frazën “Po të ketë në Shqipëri një referendum për monarkinë sigurisht që nuk do të paraqitem. Nuk dua të dal e të them “Shiheni, jam edhe unë” e ca më pak as që ka për të ndodhur të vihem në krye të ndonjë lëvizjeje politike! Unë do të qëndroj në shtëpi”.
Intervista me ANSA-n doli dhe brenda gjendej sërish fara e trazimit që po i bëhej thelbit që ai përherë thoshte korektësisht. Lihej të kuptohej se jo Leka Zogu, por ai, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, ishte pretendenti real i fronit mbretëror shqiptar. Kështu e kuçi gojën dhe u mbyll edhe më shumë brenda mureve të bankës dhe të shtëpisë. Por tashmë për çfarë mendonte ai nuk kishin më nevojë. Lajmi kishte bërë kembë dhe ikte vetë.
Në 6 maj njëherësh dy gazeta të mëdha, “Il Mattino” dhe “Il Giornale di Napoli”, botuan për të shkrime me tituj befasues. Sipas tyre mbret i vendit, ku po ndodhte katrahura dhe po shkonin me urgjencë ndihma ndërkombëtare, nuk ishte Leka Zogu. Por ndërsa e përditshmja rajonale “Il Giornale di Napoli” e botoi shkrimin me titullin “Giorgio Maria Castriota banon në Kazerta dhe punon në bankë”, tirazhmadhja kombëtare “Il Mattino” bëri një zgjedhje tjetër. Në titull shkruajti “Çfarë Leka! Mbreti i Shqipërisë jam unë”. Në mbititull redaksia vendosi “Kazerta. Giorgio Scanderbeg, 40-vjeçar, punonjës banke, pretendenti i dytë”. Ajo vijonte “Është kohë kokash me kurora, mbretërish të humbura dhe psherëtimave për t’u kthyer në atdhe. Ka një Viktor Emanuel, i cili pothuaj e ka fituar betejën, por ka edhe një princ trashëgimtar të një dege tjetër të zhdukur, i asaj të Shqipërisë: tërheqës i vëmëndjes së shtypit i pari, një funksionar i panjohur banke ky i dyti. Dhe sikur të mos ishte lufta, sikur të mos ndodhte që shqiptarët të zbarkonin me mijra në brigjet pulieze, sikur të mos ishte operacioni humanitar “Alba”, mbase do të mbetej përgjithmonët një zotëri dyzetëvjeçar me shtat elegant dhe i rezervuar, me një mbiemër origjinal, një grua të bukur dhe dy fëmijë të shkëlqyer. Me një fjalë është një njeri si gjithë të tjerët. Porse pa shih, është trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Gjergj Kastriot Skënderbeut, hero kombëtar i shqiptarëve, i cili gjatë luftës për pavarësi kundër turqve fitoi titullin Bej....E kishte treguar historinë e vet në një të përjavshme të Kazertës dhe më pas nuk ishte ndjerë më. U rikthye në jetën e tij anonime. U shfaq që të bënte t’i dëgjohej zëri se ishte ai dhe jo Leka, i biri i Zogut, trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Shqipërisë, fron që ishte i Skënderbeut. “Mbroj titullin tim, jam krenar për origjinën time, më qan zemra kur shoh të gjithë ata të dëshpëruar që mbërrijnë në Itali, por nuk kam asnjë pretendim dhe as më ka shkuar mendja të merrem me politikë në vendin prej ku të mitë vijnë, edhe pse ngjarjet atje i ndjek me vëmendje”.
Pas dy artikujve të “Il Giornale di Napoli” dhe “Il Mattino” ishte krejtësisht i pafuqishëm. Të nesërmen, më 7 maj, ndërsa gjendej në punë i mbërriti një telefonatë nga Radiotelevizioni Italian. Zëri përmatanë receptorit pyeti nëse po fliste me të vërtetë me zotin Kastrioti dhe se vetë quhej Maria Teresa Beluçi. Tha “A mund t’ju bëjmë një intervistë radiofonike?” Giorgio Maria iu përgjegj “Në këtë çast nuk mundem, jam i angazhuar në një punë. Nëse mund të më telefononi sot në mbrëmje në orën 18.00, kur ndodhem në shtëpi”. Gazetarja e Rai-t ra dakort menjëherë. Intervista u bë në orën e parashikuar dhe u transmentua e plotë tre herë të nesërmen, duke filluar me edicionin radiofonik të lajmeve të orës tetë. Ngacmimi i paraleles me Leka Zogun u bë vetëm në pjesën hyrëse të bisedës, opinion i vetë redaksisë, porse më pas u tha vetëm ato që kishte deklaruar Giorgio Maria. Thelbi i tyre ishte se qe trashëgimtar dinastik i heroit kombëtar të shqiptarëve, se uronte shpëtimin sa më të shpejtë të atdheut të stërgjyshit të tij dhe me zhvillimet e brendshme politike që zhvilloheshin në Shqipëri nuk kishte asnjë punë.
Dy ditë më pas për të, çështjen e Leka Zogut dhe të referendumit që ai kërkonte për rikthimin e monarkisë, botuan shkrime të përditshmet “Il Giornale di Roma” dhe “La Nazione”. Tashmë gjithçka kishte marrë trajtën e një gosipi dhe ai nuk dinte si ta ndalte. Vendosi ta linte të fikej. Kështu vijuan disa ditë me heshtje. Telefonata e re tingëlliu më 30 maj. Vinte nga Roma. Tani ishte vetë kanali i parë i televizionit publik, programi “Una Mattina”. I thanë se do të intervistohej për një rast të veçantë: 2 qershorin, festën e Republikës Italiane.
Giorgio Maria iu përgjegj me mirësjellje se do të vinte në studion e atij programi të nderuar vetëm në rast se bashkë me të do të ishte gruaja e tij dhe dy djemtë. Në rast të kundërt e refuzonte ftesën. U tha “Unë nuk kam asnjë interes e dëshirë të dukem, nuk kërkoj asgjë nëpërmjet kësaj interviste. Vij vetëm në rast se më duhet të prezantoj familjen time dhe prejardhjen që kam, pra vlerat që kemi, vetë heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Në rast se nuk ju intereson kjo që po ju propozoj, unë qëndroj në shtëpi”. Redaksia e “Una Mattina” ra dakort. Kur vajtëm në Romë dhe në një nga zyrat e redaksisë i vunë në duar tekstin me pyetjet që do t’i bënin, i lanë një gjysëm ore për të përgatitur përgjigjet. Kjo gjë e irritoi Giorgio Marian dhe u vuri kusht “Ju lutem, nuk dua asnjë pyetje për Zogun, sepse nuk më intereson, nuk dua!” U shpjegoi se në vendin e tij, në Kazerta dhe në të gjithë jugun e Italisë, kishin boll probleme të tjera, duke filluar nga papunësia dhe lufta me krimin e mafies dhe askush nuk donte t’ja dinte për atë që po luhej në media, ku po përpiqeshin më kot ta interpretonin rastin e tij sipas modelit italian të konfliktit mes Savojas dhe Dukës së Aostës. Për këtë lojë, u kembënguli, nuk u vihej në dispozicion. Njerëzit e Una Mattina” e pranuan kushtin e tij.
Porse në studio gjatë transmentimit të drejtpërdrejtë, pasi e lanë të prezantonte familjen, në pyetjen e dytë u hodhën te tema për Leka Zogun. Giorgio Maria Castriota Scanderbeg u përgjegj pa thënë asgjë nga ajo që prisnin të eturit për gosip. Shqipëria ende ishte në hall të madh dhe mezi po e merrte veten nga kriza e madhe e anarkisë. Loja e pistë që po bëhej me të e mbushte me zëmërim.
Kur u kthyen në shtëpi kuptuan se ishin bërë më të famshëm se më parë. “Una Mattina” kishte mbi pesë milion shikues. Një pjesë e miqve që e vizituan, i thanë se tashmë duhej të përfitonte nga ai moment. Ishte bërë VIP, person tepër i rëndësishëm. Por Giorgio Maria ua preu: do të mbetej i tërhequr në punën e tij, ashtu siç kishte bërë gjithmonë.
Ato ditë ra edhe një telefon tjetër. Ishte Digos, policia sekrete italiane. Kërkuan ndjesë që nuk e kishin ditur se ndodhej aty dhe se tashmë një patrullë do ta mbante nga afër nën mbrojtje. E porositën t’i lajmëronte menjëherë në rast se në afërsi të shtëpisë së tij do të dëgjonte qoftë edhe krismën e një fishekzjarri.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com