Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur femra xhvesh lakuriq femrën

Botuar në gazetën “Shqip”, më 18 prill 2008

Pak muaj më parë në një televizion informativ të shumëndjekur u shfaq që grua, e cila ato çaste ishte e ftuar me statusin e Vip-it. Tha se ishte piktore dhe kjo dukej punë e padyshimtë e saj. Mes dëshmive të profesionit ajo paraqiti për shikuesit edhe një foto të bërë në Milano, ku kishte dalë bashkë me të paharruarin Ibrahim Kodra.
Kjo bashkëkombase që tashmë jetonte e punonte në emigracion, pati hapur ato ditë me krijime të saj edhe një ekspozitë. Ajo i shpjegoi moderatores së emisionit dhe publikut të gjërë se në sallën e ekspozitës pati vendosur edhe një femër “pothuaj lakuriq”. Këtë element të krijimtarisë ajo e shpjegoi me terma artistikë, siç është “bukuria e formës” e kështu me radhë. Kur biseda me Vip-en mbaroi në kokë ndodhi që nuk na mbeti asgjë e qënësishme që lidhej me krijimtarinë e saj dhe talentin, por nuk na u largua gjesti i ekspozimit në sallë para vizitorëve e një femre të xhveshur. Sigurisht për këtë qëllim, për të lënë këtë gjurmë, për të na ngulur këtë gozhdë në tru, ishte kryer edhe ajo lakuriqësi. Femra e xhveshur ishte përdorur thjesht si karem për vizitorët. Piktorja kishte objektiv jo tërheqjen e mendimit të kualifikuar për krijimet e veta, por synonte sa më shumë numra njerëzish. Për ta patur “sallën plot” ajo edhe e kishte gjetur mjetin e vjetër sa është bota dhe që në thelb është pjesë e zanatit të bordellove. Ndërkohë duke xhveshur një femër lakuriq në një sallë ekspozite, pra pothuaj në mes të rrugës, ajo pa dashje pati dëshmuar se krijimet e saj ishin fare pa talent. Veprat e arrira artistike janë vetë bukuria, kështu që nuk ka bukuri tjetër t’i konkurojë.
Mund ta lije në harrim këtë ngjarje, ta shtyje prapa kurrizit e të mos ja hidhje më sytë, sikur pak ditë më parë e njëjta dukuri të mos rishfaqej dhjetra herë më imponuese dhe më e zhurrmshme. Tani ishte një stiliste, e cila me një sfilatë në mes të Tiranës, bash në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, bash në vetë Javën e Modës Shqiptare, ja kishte dalë të bënte “bum” mediatik jo nëpërmjet modeleve të veshjeve që pati paraqitur, por nga e njëjta “gjetje”. Ndërsa piktorja kishte nxjerrë para publikut vetëm një femër lakuriq, stilistja ekspozoi dy. Në njërën nga nudot që u tundën e u shkundën në podiumin e gjatë të parakalimit, krijuesja e modeleve të veshjeve që kërkoi bujën, nuk përdori asnjë lloj “gjethe fiku”. I la të gjitha “hiret” t’i dukeshin. E pyetur në televizion çudibërësja e shpjegoi “gjetjen” e saj se e kishte bërë posaçërisht për të treguar si ka qënë femra e parë mbi tokë, Eva. Thua nuk e dinim. Ndërkohë në një njoftim për shtyp para sfilatës pati deklaruar se ishte një mënyrë për të dalë jashtë kornizave të sfilatave. Pra na ishte edhe origjinalitet!?
Që të bjenë në sy apo të ngecin varur nëpër fletët e historisë çfarë nuk kanë bërë njerëz të ndryshëm. Si “gjetje” u kanë shkuar në mendje edhe masakrat. Dy femrat e njëkohësisht dy personazhet, piktorja e stilistja, janë fare paqësore e të buta në ushtrimin e të njëjtit pasion protagonizmi. Ato dy thjesht xhveshën para publikut tre femra të tjera.
Problemi është jo si ndodh që nuk e dinë se opinioni ynë publik ka etikë të mjaftueshme njerëzore për ta refuzuar këtë mënyrë banale mediatizimi apo edhe sepse brezi i ri po ngulmon këto kohë përherë e më dukshëm afirmimin e vlerave të vërteta të tij, por si ndodhi që vetë femrës nuk iu dridh dora e nuk i dhembi zemra për ta fyer një femër.
Shqipëria jeton kohë të tjera, por dy personazhet tona këtë gjë nuk e dinë. Shqipëria ka ndezur deri në politikë debatin për “kuotat rozë“, pra pranimin e futjen e merituar të femrës në elitën e saj shtetbërëse. Sepse në media e në universitete ajo po shkëlqen. Të bësh sot modernizëm apo përparim feminist me femra të xhveshura lakuriq është jo vetëm e kundërta e atij kontributi të dobishëm për të cilin ka nevojë shoqëria jonë, por ...më ndjeni që nuk e gjej dot shprehjen e duhur. Vështirë të gjesh një fjalë për të përcaktuar atë mënyrë poshtërimi të hijeshisë së vërtetë të shpirtit, mendjes e të trupit të një femre.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com