Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Lamtumirë kallashnikov


Libri është nëpër libraritë kryesore

Fragment

Në vitin 1988, në një ditë maji, Arjani, tashmë student në vitin e parë për inxhinier ndërtimi në Tiranë, u gjet në buzë të rrugës së madhe automobilistike që nga kryeqyteti, nëpër kurrizin e gjatë të disa maleve, shkonte e ulej për në qytetin e Elbasanit. Konvikti i inxinierisë ishte pothuaj në buzë të kësaj rruge.
Pas leksioneve, siç bënte përherë, shkoi në dhomën e tij dhe kur deshte ta hapte derën, vuri re se nuk e kishte çelsin me vete. Në pritje të ndonjërit prej shokëve të dhomës, doli nga konvikti dhe nuk gjeti mënyrë më të mirë për të kaluar ca kohën se dalja në buzë të rrugës plot lëvizje. Aty nuk kalonin vetëm makina, por më së shumti edhe njerëz. Pa llogaritur çiftet e të rinjve që nëpër një shteg të gjerë hynin në një pyll për të fshehur intimitetet e tyre, në rrugën e madhe automobilistike shëtitnin ndonjëherë edhe diplomatë të huaj. Në anë të pyllit, në një vend të bukur që i ngjante një korieje, kishin shtëpitë e tyre të stilit alpin disa punonjës të ambasadës gjermane e ndoshta edhe të ndonjë përfaqësie tjetër.
Atë mesditë maji Arjani kishte dalë t’i lëshohej shpengueshëm mendimeve të veta. Makinat në rrugë ishin të rralla, kalimtarët po ashtu, dielli i ngrohtë mjaft përgjumës. Gati ishte gjysmëkotur kur fare pranë pa t’i kalonte një çift të huajsh.
Ai u shkund nga apatia dhe e përndezi ndjenja e kuriozitetit. Mund t’i përshendeste, pse jo.
U foli anglisht me aq pak fjalë sa dinte. Dy batutat e para ishin afërsisht “Si jeni?” dhe “Si ju quajnë?” E treta përmbante pyetjen e drejtpërdrejtë “A dini italisht?”. Dy të huajt u përgjigjën “Po, jemi italianë”. Pastaj me buzën në gaz vijuan “Pse, flisni italisht?”. “Po”, iu përgjegj brof Arjani, “flas shumë mirë italisht”.
Dhe në të vërtetë ishte pikërisht kështu, nuk zmadhonte asgjë. Konomët gjithë atë shekull, pse jo edhe më parë, nuk e kishin orientuar vetëm tregëtinë drejt gadishullit Apenin. Merrnin prej andej edhe veshje, orendi shtëpie, libra. Në jo pak raste nëpër ngushticën e Otrantos e kapërxenin detin edhe për të udhëtuar nëpër vendin që për ta ishte më i dëshiruari, më joshësi, më romantiku, më i gëzueshmi.
Arjani gjuhën e përtej detit e kishte mësuar, duke lexuar me fjalor dhe përkthyer, që në shkollën e mesme. Pjesën tjetër të punës e kryente televizori dhe një antenë e thjeshtë me vetëm një “vibrator”. Në Ujin e Ftohtë, ku banonin, mjaftonte vetëm kaq për ta kapur RAI-n me një sinjal të kënaqshëm, shpesh edhe aq mirë sa e përcaktonin me vlerësimin “qelq fare”.
Ishte viti 1983 kur u ndje se e zotëronte gjuhën italiane aq mjaftueshëm sa mund ta fliste. Eksperimentin e provës e bëri kur, nxënës i klasës së shtatë, bashkë me shokët pati shkuar në qytetin kështjellor të Beratit dhe në hotel-turizmin e tij foli italisht me disa të huaj që po rrinin në lulishten para godinës. E dalloi mësuesja apo ajo nuk pa asgjë, veç dikush e sinjalizoi, ajo e thirri dhe i tërhoqi vëmendjen të mos e përsëriste më gabimin.
Atë mesditë maji të vitit 1988 bashkë me dy të huajt Arjani bisedoi e shëtiti gjatë. Tema më e pëlqyer qëlloi të ishte festivali i Sanremos. “Nuk e kemi parë festivalin”, thanë ata, “kemi qënë për disa kohë në Zelandën e Re”.
Dy të huajve u bëri përshtypje informimi i thellë që kishte i riu shqiptar për shumë ngjarje që zhvilloheshin në Itali. Sigurisht ata nuk e dinin se për hir të të ndjekjes të të gjitha emisioneve të RAI-t studentit të porsatakuar i ishte dashur t’i krijonte shqetësime vëllait të vogël. Ky shpesh shtrengohej ta kallzonte te prindërit me arsyen e thjeshtë se për shkak të televizionit italian nuk e lejonte të shihte emisione të ndryshme të Radiotelevizionit Shqiptar, të cilat ia kishin dhënë si detyrë shtëpie në shkollë.
Biseda mes Arjanit dhe dy të huajve pothuajse ishte lodhur kur më në fund ky pyeti shkujdesur “Po ju turistë jeni?”.
Për habinë e tij ata thanë “Jo”. Pastaj kur panë se i riu kurioz zmadhoi bebëzat e syve vijuan sqarimin: “Punojmë në ambasadë”.
Mjaftoi vetëm kaq që Arjanit t’i ngrinte gjaku.
Ishte i sigurtë se jo mësuesja e klasës së shtatë dhe as ndonjë nga ata të gjimnazit të Vlorës, por vetë Sigurimi i Shtetit të kryeqytetit e kishte futur në shenjestër. Ata, “njerëzit me xhaketa”, duhej të ishin aty afër. Duhej të qenë patjetër rreth e rrotull edhe për një arsye të thjeshtë. Në ambasadën italiane ishte futur si e arratisur familja Popa dhe që prej dy vitesh godina e saj ishte në një rrethim e kontroll të trefishtë. Po ashtu marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë kishin shkuar gjer në prag të ngrirjes.
Tashmë i kishte dalë nga hundët ai kuriozitet i tepërt. Më mirë ta kishte lënë veten të kotej në diell dhe të priste ndonjë nga shokët që të hapte dhomën në konvikt.
Pas deklarimit të beftë “Punojmë në ambasadë” biseda mes dy palëve pothuaj nuk zgjati asnjë grimë më shumë. U ndanë dhe në rrugën e kthimit për në konvikt, gati duke vrapuar, nuk i dalloi shpejt dy nga “njerëzit me xhaketa”.
Po e pritnin.


Gjithsesi “njerëzit me xhaketa” nuk i bënë asnjë përdhunë dhe asnjë lloj kërcënimi të hapur apo të tërthortë. Interesoheshin më shumë për çka kishin biseduar dhe sidomos çfarë kishin thënë dy të huajt. Kembëngulës dukshëm ishin për të ditur çdo tekst e nëntekst të italianit, jo gruas që e shoqëronte. Ata e besuan që Arjan Konomi ishte takuar me dy italishtfolësit për herë të parë vetëm ato çaste dhe se as që kishte ditur më parë gjë për ta. Po ashtu e morën vesh nga i riu se ai personalisht nuk ishte ndjerë mirë kur në fund të bisedës pati marë shpjegimin se të dy miqtë e tij të rastësishëm punonin në Ambasadën Italiane.
Pas kësaj ngjarjeje jeta për Arjanin vijoi e patrazuar dhe ai për disa kohë nuk u kujtua më të delte në buzë të rrugës, edhe pse iu përsërit rasti i gjetjes së derës së dhomës mbyllur dhe vetë pa çelsin në xhep.
Te vendi i “pritës” u gjend rastësisht në një mesditë tjetër, por shumë muaj më pas, në mes të vitit 1990.
Dy punonjësit e ambasadës italiane kaluan aty saktësisht si atëhere. U përshëndetën dhe vijuan shëtitjen e përbashkët. Biseda sërish u përqendrua në zhvillime të vendit përtej detit. Kur u ndanë dhe ndërsa Arjani nxitonte drejt konviktit, “njerëzit me xhaketa” i ridolën përpara. Hetimi për temat e bisedës dhe ndonjë reagim me nëntekst veçanërisht nga ana e italianit ishin si edhe më parë objekti i punës së tyre. Çuditërisht nuk e qortuan përse ishte takuar sërish me dy të huajt. Më shumë këtë mendim ja dhanë në formë këshille të butë, gati-gati sikur të gëzoheshin që i riu ngulmonte të takonte dy punonjësit e ambasadës italiane.
Ndodhi që ai, i zbritur te buza e rrugës, i takoi edhe për herë të tretë dy italianët. Kishte filluar viti 1990.
Edhe kësaj rradhe “njerëzit me xhaketa” nuk munguan me saktësinë e tyre, duke e ndalur në distancën e shkurtër nga rruga automobilistike për te godina e konviktit. Kësaj here, pasi e mblodhën informacionin për çka ishte biseduar, u tregon nervozë. E paralajmëruan ashpër të mos i takonte më dy të huajt. Me sa duket informacioni që po “vilnin” nëpërmjet “karemit” të tyre të rastësishëm nuk kishte asgjë të re dhe të rendësishme. Arjani Konomi nuk u duhej më.
Mbase gjërat do të kishin rrjedhur disi më ndryshe sikur një fundjavë, i gjetur te daja i tij në emisionin e lajmeve të orës njëzetë, të shihte në ekran italianin që takonte në buzërrugë. Ishte një veprimtari e ambasadës italiane në Muzeun Historik Kombëtar. I kushtohej botimit të disa librave.
Spikerja e televizionit të njohurin e tij në buzërrugë e prezantoi si ambasadorin italian në Tiranë, shkëlqesinë e tij De Andreis.
Arjani u gëlltit.
Kur e mori veten i tha dajës se e njihte atë njeri dhe se bashkë me të kishte shëtitur jo një herë, por plot tre të tilla. Nuk e dinte se ishte ambasador. Daja u shqetësua dhe kur gjeti momentin e përshtatshëm, nëpërmjet një gjysmëshakaje, i tha “me siguri të kontrollojnë“. Pastaj u përpoq të shpjegonte se Konomët kishin vuajtur boll nga burgjet dhe nuk ishte ndonjë punë e mënçur t’u riktheheshin atyre.
U mundua të bënte siç i thanë, por një ditë ja la veten kuturisjes.
Nga dega e Inxhinierisë së Ndërtimit, godina e fakultetit të të cilës nga Qyteti Studenti nuk ishte aspak afër, Arjani po studjonte në degën e Gjeografisë. Fakulteti me këtë profil gjendej tamam në buzërrugë dhe jo më larg se njëqind metra nga ambasada italiane. Kështu që tundimin e kishte të madh. Afërsia ia trazonte mendimet edhe kur ishte duke marë leksione në auditor.
Një mesditë qershori ai shkoi te porta e madhe e hekurt dhe i ra ziles.
Ishte veshur posaçërisht me rroba të jashtme, veshje që i vinin nga kushurinjtë e të jëmës në Francë. Te hyrja vuri re se nuk ishte si zakonisht një polic, por tre të tillë. Ata ia ngulën sytë dhe u duk se edhe fizikisht u tendosën për të vrapuar deri te ai. Mirëpo mbetën në mëdyshje. Arjani ua kishte hedhur. I pati rënë ziles befasisht dhe kur ata nuk e kishin patur vëmendjen.
Në çitofon dikush u përgjegj “Kush je?”. Ai shqiptoi me një italishte të kthjelllët “Jam Arjani, ai studenti i Fakultetit të Inxhinierisë që njihet me ambasadorin”. “Prit!” u përgjegj zëri.
Tre policët, tashmë shndërruar në pantera muskujtendosur, dukeshin në prag të kërcimit. Arjani nuk guxonte ta kthente vështrimin drejt tyre, por me bisht të syrit arrinte tua kontrollonte çdo veprim. Për fat dera anësore e portës së madhe të ambasadës u hap shumë shpejt dhe prej andej doli një grua. Tha se quhej Serena dhe se ishte e ngarkuar me veprimtaritë kulturore.
Nga sa priste ajo nuk e ftoi të futej brenda, por pas dy-tre pyetjeve të para dhe kur ai i tha se kishte ardhur të takonte ambasadorin De Andreis, Serena e kapi lehtas nga bryli. Pastaj e ktheu butë në drejtim të trotuarit. Kështu nisën të ecnin dhe njëkohësisht të largoheshin nga ambasada.
Me mirësjellje ajo e përcolli Arjanin deri tek kthesa e rrugës që hynte për në Qytetin Studenti, ku edhe u ndanë miqësisht.
Gjatë gjithë kohës që qendruan bashkë, biseduan lirisht. Serena e vuri në dijeni se ambasadori u kishte folur disa herë për të, se e njihnin, edhe pa e parë ndonjëherë, të gjithë kolegët e saj. Po ashtu ajo shpjegoi se De Andreis me të shoqen e tij e bënin shëtitjen çdo ditë për një arsye të detyruar shëndetësore. Ambasadori e kishte njërin gju të sëmurë dhe i duhej çdo ditë të bënte disa orë ecje në kembë. Serena e siguroi gjithashtu se me t’u kthyer në seli do ta vinte menjëherë në dijeni De Adreisin për dëshirën që të gjendej mundësia e një takimi të të dyve.
Mirëpo qershori u mbyll dhe askush nuk e kërkoi nga përfaqësia e huaj.
Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com