Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një mision jo i fshehtë për Fan Nolin

Botuar në revistën “Shqip”, shkurt 2008

Filmimi që mbërriti nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll në pranverë të vitit të shkuar, la në Ministrinë e Punëve të Jashtme një mbresë befasuese. Në shënimin që shoqëronte zarfin me brenda cd-në me regjistrimet e një kamere amatore, përpiluar nga kryekonsullja Elvira Isufi, thuhej se e kishin takuar dy turq. Këta shumë miqësisht i patën thënë se muaj më parë në krahinën e tyre të rrethinave të Edirnesë kishin ardhur disa shqiptarë të një shoqate me emrin e Fan Nolit dhe ishin interesuar për fatin e shtëpisë ku kishte lindur ai në Ibriktepe. Ardhësit nga Tirana, sipas shpjegimit të dy turqve, kishin mjaft dëshirë që në banesën e bashkëkombasit të tyre apo në afërsi të saj të vendosej një shenjë përkujtimore. Përshembëll ata patën shprehur idenë që mund të vendosej një pllakë memoriale, ku të shenohej se në atë shtëpi kishte lindur Fan Noli, një nga njerëzit më të shquar të Shqipërisë. Pse jo edhe një bust i tij aty do të rrinte mirë.
Që prej këtij çasti, ashtu siç u shpjeguan tek kryekonsullja Isufi dy turqit, vëmendja dhe pasioni i tyre punoi për të gjetur mundësinë nëse vërtet në banesën noliane mund të bëhej diçka, por ja që nuk ja kishin dalë dot. Nuk kishin pushtet administrativ të mjaftueshëm. Ca më shumë shtëpia tashmë e braktisur përditë e më tepër po rënohej dhe dikush nga vendasit mund ta blinte lirë e në vend të saj të ngrinte një ndërtesë tjetër. Mundej edhe ndonjë rrugë e re e hapur ta shfarroste.
Në filmin që i dorëzuan përfaqësueses diplomatike shqiptare dy miqtë turq për rreth treçerek ore patën regjistruar pamje të mjediseve të brendshme të shtëpisë dhe herë pas here ato i shoqëronin me shpjegime në gjuhën e tyre.
Konsullata e Përgjithshme në Stamboll filmimin dhe shpjegimet përkatëse i dërgoi pa u vonuar në qendër. I adresoi në Institutin Kombëtar të Diasporës, strukturë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. A nuk ishte Fan Noli një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të diasporës kombëtare? Në 6 janar 1882 ai nuk kishte lindur në hapësirën teritoriale të etnisë së vet, por në një nga zonat e emigracionit shqiptar.

ooo

Në Shërbimin e Jashtëm Shqiptar në Tiranë për këtë çështje dinin më shumë. Ishte informacion i ri ai i dy miqve turq si edhe lenda e regjistruar me pamje, por përpjekja dhe mundësia e vendosjes së një shënje përkujtimore të Fan Nolit në vendlindjen e tij kishte disa vite që përbënte një çështje të hapët. Ky mision pati nisur të bëhej objekt i këtij Shërbimi që në vitin 1995, kur Shoqata Patriotike “Fan Noli”, e drejtuar nga Kastriot Frashëri, pati nisur ta bënte të ndjeshme çështjen e vendosjes në vendlindjen e tij të një objekti përkujtimor të bashkëkombasit të shquar. Një trysni të tillë kjo shoqatë e kreu edhe pranë Ambasadës Turke në Tiranë. Kjo e fundit dërgoi një informacion të hollësishëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Ankara. Prej këtej çështja kaloi edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku edhe ishin përqendruar kompetencat për dhënien e lejes për vendosjen e shenjës përkujtimore. Më 13 shkurt 1996 nga të dy ministritë e mësipërme për në kryesinë e bashkisë së Ibriktepesë u nis një letër, në të cilën mes të tjerash thuhej se “Në një shkresë të marrë nga Ambasada jonë në Tiranë, na janë dërguar të dhëna për F. Nolin, një nga personalitetet më të njohura të Shqipërisë, kryetarin e disa anëtarë të shoqatës kombëtare “Fan Noli” në Shqipëri, qëllimin dhe veprimtarinë e tyre. Duke theksuar dëshirën për të vënë një bust në fshatin Ibriktepe, në afërsi të Edirne-Ipsalas, ku gjendet edhe vendlindja e Fan Nolit, kërkojnë ndihmën e ambasadës tonë në lidhje me këtë çështje.
Ambasada jonë bën të ditur se F. Noli ka lindur në 6 janar 1882 në Ibriktepe. Pasi mbaroi arsimin e mesëm në Greqi shkoi në SHBA, ku u bë prift ortodoks. Në vitin 1920 kthehet në Shqipëri, ku deri atëhere kisha ortodokse shqiptare ndodhej nën vartësinë e Patriarkanës greke dhe në vitin 1922 luan një rol shumë të rendësishëm në fitoren e statusit autoqefal të kishës ortodokse shqiptare. Ai bëhet kryeprift dhe kryepeshkopi i parë i Shqipërisë. Në 1920 Fan Noli ka dhënë një ndihmesë shumë të rendësishme në pranimin e Shqipërisë si anëtare në Lidhjen e Kombeve. Ai ka qënë kryetari i misionit të parë të Shqipërisë në këtë organizatë. Nga qershori i vitit 1924 e deri në dhjetor 1924, kur vendi u pushtua nga Jugosllavia, ka qënë kryeministër i vendit. Në vitin 1965 ndërroi jetë në SHBA.
F. Noli, që përmbledh në personin e tij aftësi shumë të rendësishme si atë të besimtarit, të shkrimtarit, të akademikut, të burrit të shtetit, duke qënë një nga personalitetet e rralla që nuk e ka humbur prestigjin dhe sot e kësaj dite, kujtohet me dashuri nga populli. Ai njihet si personi që hodhi themelet e kishës, në të cilat mbështetet edhe sot, njihet si mbrojtës i statusit autoqefal të kishës ortodokse shqiptare me gjithë përpjekjet e kishës ortodokse greke dhe Patriarkanës greke.
Ambasada jonë në shkresën e saj shpreh vullnetin se do të ndihmojë në institucionet përkatëse, në realizimin e dëshirës së drejtuesve të shoqatës, nën ndikimin e të dhënave të mësipërme. Theksohet se këtij qendrimi do t’i bashkohet edhe ministria”.
Pas kësaj letre të ardhur nga dy ministri kuvendi i bashkisë së Ibriktepesë u mblodh dhe e konsideroi të drejtë kërkesën e shoqatës shqiptare, duke u shprehur pozitivisht për vendosjen e bustit të Fan Nolit. Ndërkohë i dërguan edhe një letër prefekturës së Edirnesë, ku njoftonin se patën marrë një letër nga Tirana, në të cilën drejtuesit e shoqatës shqiptare kishin shprehur dëshirën të vinin për një vizitë në Ibriktepe.
Mirëpo pas dendësisë së parë të shkëmbimit të dëshirave dhe projekteve për këtë çështje ra plogëtia, një pjesë të mëkatit të së cilës patjetër e ka edhe viti i mbrapshtë 1997. U rigjallërua në 1998, sërish nga shoqata, por pas pak për herë të dytë çështja bie në përtaci. Pulsi tjetër i erdhi pas dy vitesh. Tashmë dukej sikur viti dymijë do ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje, madje në Ibriktepe, siç njoftoi edhe revista e përmuajshme kulturore e krahinës, “Rrethinat”, kryetari atë kohë i bashkisë, Hasan Bayram, në një intervistë informoi opinionin se kishin ardhur konsulli i përgjithshëm shqiptar në Stamboll bashkë me një përfaqësues të shoqatës Fan Noli. Ata kishin parë shtëpinë, shëtitur, ngrënë një drekë mikpritjeje dhe gjithnjë sipas Bayram miqtë më në fund ishin larguar të kënaqur. Në intervistën e tij ai po ashtu pohon se “Ata që erdhën, më shumë se burrë shteti, nxirrnin në pah kryepeshkopatën e Nolit”. Ndërkohë në vijim Hasan Bayram bënte të ditur se nga Konsullata e Përgjithshme Shqiptare në Stamboll ishte ftuar dy herë në festën e 28 nentorit, pranonte se shtëpia e Fan Nolit ekzistonte, se i zoti i saj punonte jashtë provincës dhe se aty tashmë banonte një grua e moshuar. Sipas tij shtëpia origjinale pati pësuar nëpër vite jo pak ndryshime, por në strukturë mbetej po ajo e hershmja. Në rast se do t’i jepnin fonde nga Ministria e tyre e Turizmit, shprehej, kishin vendosur t’ia rregullonin pamjen e shëmtuar të hyrjes.
Në këtë bisedë me gazetarin e revistës “Rrethinat” kryetari i bashkisë së Ibriktepesë sqaronte se shqiptarët më së shumti kishin ardhur aty në vitin 1750 të emigruar nga Rusia. Patën qendruar të pandarë gjer në vitin 1924, por më pas një pjesë shkoi në Dumulcin e jo pak prej tyre edhe kthyer në Shqipëri. Sipas pohimeve të tij në Ibriktepe gjatë shekullit të njëzetë kishin emigruar edhe njerëz nga Selaniku, Bullgaria e Rumania. Hasan Bayram sqaronte se Ibriktepe deri në vitin 1924 pati qënë vend i besimit dhe i administrimit ortodoks, madje vendbanimi kishte patur edhe një kishë. Sipas tij mbetjet e saj kanë qënë të dukshme deri vonë, kohë kur u ndërtua mbi të rruga kryesore. Në Ibriktepe, pohonte Hasan Bayram, ka patur edhe një manastir, në qendër të të cilit kishte një pus të madh. Në grykën e tij, sipas një riti, pasi mendohej një dëshirë, hidheshin para. Kryetari i bashkisë së Ibriktepesë në intervistën e tij thoshte se në të dy anët e lumit kishte patur mullinj me ujë, madje edhe dhjetë mullinj me erë. Nga komunë Ibriktepe ishte bërë bashki vetëm në vitin 1959. Që prej 1960-tës nga qyteti kishin emigruar mjaft banorë dhe tashmë ai nuk regjistronte më shumë se 2200 frymë.

ooo

Ka qënë e çuditshme vala e tretë e apatisë mbi këtë çështje, ajo që zgjati nga viti 2002 deri në mars 2007. Eshtë e shpjegueshme vetëm me logjikën e përtacisë apo të marrjes më shumë nga sa duhej me punë të dorës së dytë. Nuk u kuptua se vendosja e bustit të Fan Nolit në Ibriktepe ishte më shumë se një mision diplomatik i rëndësisë së veçantë. “Zgjimin” e zyrave kësaj rradhe, siç më parë e kishte bërë një shoqatë, e kryen dy miq turq. Por këtë herë, pas filmimit të ardhur dhe informacionit të mbërritur nga Stambolli, në Institutin Kombëtar të Diasporës u krijua bindja se ishte tamam koha për t’i dhënë një shtysë të fortë e çuar gjer në fund projektin. Kishte shumë arsye për t’ja dalë në krye këtij misioni dhe për t’ja kumtuar shumë më të plotë mesazhin opinionit publik në Shqipëri dhe në Turqi. Fan Noli mbetet një figurë e madhe historike e kombit tonë, por në atmosferën e përpjekjeve të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian, vepra e tij është aktuale dhe rezëllon akoma më shumë. Ai mbetet po ashtu edhe një simbol i miqësisë dhe lidhjes së fortë mes dy popujve. Ndërkohë Fan Noli nuk kishte qënë vetëm një kryeministër i vendit, por edhe ministër i jashtëm.
Kështu në Institutin Kombëtar të Diasporës u ngrit dhe nisi nga puna një lloj “task force”. Në këtë rreth të ngushtë përveç IKD-së u përfshinë edhe tre drejtuesit e shoqatave shqiptare që merren me jetën, veprën e trashëgiminë e Fan Nolit. Kjo “task force” nuk mund të vepronte pa pjesëmarrjen dhe ndihmën e Prof. Nasho Jorgaqit, studjuesit më të dëgjuar të veprës noliane. Me grupin e vogël të punës u bashkua shpejt edhe Xhemile Avdiu, pedagoge e gjuhës turke në fakultetin përkatës në Universitetin e Tiranës. Nuk do të rrinte larg, madje do të mbetej tepër i angazhuar në realizimin e këtij misioni edhe kryeredaktori i të përditshmes “Republika”, Nuri Dragoj. Nuk kishte përse të ishte patjetër anëtare e “task force” për Fan Nolin edhe gazetarja e njohur televizive Rudina Xhunga, por vullnetshëm dhe me shije ajo do të hynte në shërbim të këtij misioni.
Që gjithçka të shkonte pa u ndalur apo pa u venitur nëpër hallkat e procedurave burokratike Konsullata e Përgjithshme Shqiptare në Stamboll do të ishte ajo që do të vepronte më së shumti në terrenin konkret të realizimit. Si në një kordon veprimesh, ku gjithçka ka rradhën e vet, por nuk harron të ketë ritm, drejt Edirnesë u nisën Konsullja e Përgjithshme Elvira Isufi me një kolegun e saj si edhe më pas pedagogia Avdiu. Pa i lënë ngjarjet të ngurtësoheshin e ftoheshin, tashmë edhe për një emision të veçantë televiziv, u nisën për Ibriktepe me një ekip xhirimi të Top Channel Rudina Xhunga e Nasho Jorgaqi. Prej të tre dërgatave do të vinin jo vetëm informacione të dobishme, por edhe optimizëm. Elvira Isufi kishte takuar kryetarin e ri të administratës së Ibriktepesë, Galip Goren. Më pas të dy sëbashku patën shkuat te Hasan Bayram. Në vijim që të tre morën takim me kryetaren e nënprefekturës së Ipsallës, Aylin Kirci Duman. Në të gjithë bisedat pala turke konfirmoi gatishmërinë e saj jo vetëm për vendosjen e bustit të Fan Nolit, por edhe për përfshirjen e kësaj zone në një bashkëpunim kulturor dhe turistik mes Shqipërisë dhe Turqisë. Me t’u rikthyer në Stamboll Konsullja e Përgjithshme i përcolli Ambasadadës Shqiptare në Ankara të gjithë dosjen për vendosjen e bustit të Fan Nolit, praktikë e vitit 1996, për ta rinovuar atë si kërkesë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë dhe Ministrisë së saj të Brendshme.
Pedagogia universitare Xhemile Avdiu gjeti në vizitën e saj në Edirne edhe pasionin mbështetës të vetë dekanit të universitetit të qytetit, Hilmi Ylban.
Kurora do të ishte një emision i Rudina Xhungës për shqiptarët e Ibriktepesë, i realizuar më 18 qershor 2007, në atmosferën e 95-vjetorit të Pavarësisë.

ooo

A do të vendoset busti?
Kësaj rradhe misioni i nisur në vitin 1995 duhet çuar gjer në fund. Ndryshe nga herët e tjera tashmë grupit të punës ia janë shtuar edhe dy ministra. Shefi i Shërbimit të Jashtëm Shqiptar Lulzim Basha i bëri një ftesë bashkëpunimi kolegut të tij Ylli Pango, dikasterit të të cilit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i takon e drejta dhe detyra për të realizuar pjesën artistike të misionit. Busti, mishërimi në bronc i Fan Nolit, do të vinte prej andej, siç çdo gjë tjetër, leja zyrtare, ndjekja nga afër dhe përgatitja konkrete e ceremonialit të përurimit do të kryhej nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe dy përfaqësive të saj në shtetin turk.
Ai bust doemos nuk do të jetë jetë një krijim i rendomtë, as të përfaqësojë një pamje që kalimtarit nuk i bie në sy. Fan Noli në bronx jo vetëm duhet të jetë vepër e cilësisë së lartë artistike, por patjetër i takon të ketë edhe dimension sugjestionues. Nuk është fjala për monument, edhe pse këtë përsiatje e ka bërë dikur vetë ish-kryetari i bashkisë së qytezës, Hasan Bayram. Në Ibrik Tepe e dinë, por jo përherë fort mirë, se Fan Noli ka përmasa shumë të mëdha në historinë e shqiptarëve. Busti mjaft shprehës i Nolit në vendin mik të Turqisë do të shërbente ta kuptonin akoma më mirë sa nyje na lidhin fort.
Si të thuash ish-ministri i Jashtëm po kryente, më shumë se pesë dekada pas ndërrimit të jetës, një mision diplomatik të veçantë. Bashkë me të do të ishte edhe Fan Noli poet, edhe studjuesi Fan Nol, edhe përkthyesi Fan Nol, edhe peshkopi Fan Nol, edhe Fan Noli kryeministri.
Jeta dhe vepra e tij provon se në politikë mund të bësh karierë me idetë që ke apo edhe projektet qeverisëse, veç një cilësi duhet ta kesh të gjallë e të palodhur: atdhetarinë. Fan Noli të gjithë aftësinë e tij intelektuale, të cilën e ka patur të pazakonshme, e vuri në shërbim të vendit e popullit të tij. Edhe me politikë ai u muarr jo sepse kjo e çonte tek kolltuku qeveritar e tek privilegjet, apo edhe tek vetë historia, siç është praktikuar rëndom dje dhe vijon po aq shtrembërisht edhe sot. Me politikën Noli u afrua sepse nëpërmjet saj pa që mund t’u shërbente bashkëkombasve. Kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi italian ai për hir të atdhedashurisë shpalli se tashmë popullin e tij do ta shpëtonte udhëheqja e Ahmet Zogut, e rivalit të tij, njeriut që e rrëzoi në dhjetor 1924 edhe me ndihmën financiare e ushtarake që i dhanë jugosllavët. I orientuar nga mëmëdhetaria Fan Noli vuri në dispozicion edhe me talentin e tij artistik. Për të mëkembur e frymëzuar shqiptarët, për t’i pasuruar ata shpirtërisht e ndjerë evropianë, ai përktheu disa nga kryeveprat botërore. Edhe peshkop u bë sepse i duhej për të përmbushur misionin kombëtar dhe ndalur revanshin e Kishës Ortodokse Greke në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po përçante. Edhe në Kongresit e Kishës Ortodokse Shqiptare të mbajtur në Berat ai punoi me të njëjtin objektiv: shpalljen e pavarësisë së saj.
Vepra historike noliane meriton të rizgjohet here pas here në kujtesën aktive kombëtare për t’u freskuar bashkëkombasve shumë vlera, midis tyre edhe për faktin se ai ishte një ortodoks i madh shqiptar, përherë i pavarur.
Duke iu kundërvënë dhe në kohën e vet dalë fitimtar kursit shovinist dhe antishqiptar të Kishës Greke jeta dhe vepra e Fan Nolit dëshmon se ai nuk ishte aspak kundër Greqisë, ca më pak kundër popullit të saj fisnik dhe historisë së kontributit themelor dhënë në vetë rrenjët e qytetërimit perëndimor. Ai shkollat, nga fillorja deri në të mesmen, i bëri greqisht. Po ashtu në vitin 1900 vajti në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Kur në 1903 emigroi në Egjipt aty zuri punë si mësues i greqishtes. Në këto vite Fan Noli, duke nisur jetën e tij aktive politike, përktheu në greqisht \\\\\\\"Shqipëria ç\\\\\\\'ka qenë, ç\\\\\\\'është dhe ç\\\\\\\'do të bëhet\\\\\\\" të Sami Frashërit.
Ai ishte një ballkanas i madh, një frymëzues i miqësisë së pandashme mes popujve të gadishullit. Kjo nuk e pengonte, dhe këtu është madhështia e tij, të luftonte çdo shovinizëm antishqiptar, ngado që të vinte. Kjo ndodhte natyrshëm, sepse Fan Noli e kishte mishëruar gjer në madhështi shpirtin rilindas “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com