Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pashë një hero ballist, Daut Gumeni

U botua në gazetën “Shqip”, 12 mars 2008

Që në fillim të këtij shkrimi, pas këtij titulli, mund të nisë keqkuptimi i parë. E mbart vetë përdorimi i fjalës “ballist”, akoma shumë e lënduar nga djallëzimi një gjysëm shekullor që i bënë kundërshtarët politikë, komunistët. Si pasojë e hidhur e kësaj të shkuare, përfshi edhe asaj të krijuar nga vetë Balli Kombëtar në raport me luftën çlirimtare dhe pushtuesit fashistë, t’i afrosh një anëtari apo përkrahësi shpirtëror të kësaj lëvizjeje edhe epitetin “hero”, jo pakëve mund t’u shkaktojë habi, hutim e pse jo edhe një të nënqeshur. Ballist të mënçur, sipas jo pakëve, mund të ketë. Edhe zemërgjërë po ashtu. Edhe të pafajshëm gjen shumë. Ka mes tyre radikalë e liberalë, fanatikë të ngurtë e mendje të hapura për ndryshim. Por ballist hero është pak e vështirë të përfytyrojë jo vetëm brezi ynë, i doktrinuari për pesë dekada, por edhe brezi i ri i lindur bashkë me rënien e diktaturës. Më shumë se nga informacioni i ri i pluralizmit ai akoma ndikohet nga mjedisi i ngushtë familjar.
Por sigurisht që fjala “ballist” shkon patjetër me fjalën “hero”. Heronjtë kanë qënë e mbeten të pakufizuar as nga ideologjitë dhe as nga mosha, as nga përkatësia etnike dhe as nga ajo fetare apo shkolla që kanë kryer. Çfarë do të ndodhte po t’i kërkonim diplomën universitare Selam Salarisë, i cili u hodh mbi telat me gjemba të ushtrisë pushtuese italiane? Sa do të ishte e dobishme t’i vinim si kusht Qemal Stafës, për ta quajtur hero, të mos ishte komunist? Përse nuk qenka hero Abaz Kupi, më i shquari i rezistencës së shqiptarëve në 7 prill 1939?
Dhe a do të ishte me vend që heronj të quheshin vetëm prej atyre patriotëve pa parti, komunistëve, ballistëve apo legalistëve që morën pjesë me shpirt atdhetar në Luftën e Dytë Botërore? Heronj pati Shqipëria edhe gjatë periudhës së quajtur “ndërtimi socialist”, edhe pse tanimë mund të quhen heronj të një ideje e realiteti të gabuar. Mirëpo vendi ynë ka edhe një klasë tjetër heronjsh, nga më të madhërishmet në historinë e saj. Janë mes të burgosurve politikë të diktaturës së shkuar. Heroizmi i tyre u krye në jetën e përditshme, në vendet e tyre të internimit dhe sidomos në burgje.
Doemos që fjala “Hero” më shumë se statusi, duket e stilit të vjetër. Në kohët moderne mjaftojnë dekorime të shkallëve të ndryshme për ta vlerësuar një njeri në mënyrën më të merituar. Kështu në Shqipëri, duke qënë se ky titull nuk jepet më, duket sikur nuk ka më heronj. Duke shpresuar që lexuesi do të na mirëkuptojë, fare simbolikisht, thjesht për të dalë në një mesazh, autori i këtij shkrimi zgjodhi një prej atyre që i gjykon të tillë. Ky është Daut Gumeni.
Patjetër nuk është më i miri dhe më heroiku nga shtresa e të persekutuarve prej regjimit komunist, por mbetet ndër më përfaqësuesit e tyre. Po të përpiqesh ta njohësh nga afër dhe në rast se ai të lejon t’i depërtosh në pjesët e dhimbshme të jetës, bindesh edhe më shumë se nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore në elitën e tyre kishin një grup individësh me personalitete shumë të fortë. Epopeja e shumëdiskutuar e tyre gjatë rezistencës antifashiste nisi e plotë dhe e madhërishme kur ndaj tyre filloi persekutimi prej stalinizmit. Në rastin më të madh ishte përndjekje dhe burgim jo sepse kishin kryer krime gjatë luftës, sepse të tillë nuk i fali kurkush edhe në vendet më të zhvilluara e demokratike të Evropës perëndimore, por sepse burgosja dhe dënimet iu dhanë thjesht se kishin qënë ballistë.

oooo

Vitin e kaluar Daut Gumeni përktheu e botoi librin “Në kërkim të kuptimit të jetës”, një bestseller. Autor i tij është Viktor E. Frankl, i konsideruar si kreu i psikiatërve të Evropës dhe teoria e të cilit, logoterapia, përdoret për kurim të traumave psiqike. Në të vërtetë ky libër titullin e botimit të parë e kishte patur “Prej Kampit të Vdekjes në Ekzistencializëm”. Vetë Frankl kishte përjetuar përvojën dramatike të burgosjes nga nazizmi dhe të punës së egër detyruese në kampet e përqëndrimit e të shfarrosjes masive. Logoterapia e tij studjon kuptimin e jetës së njeriut, humbjen e vetë jetës kur humbet ai kuptim dhe i ruajtjes së saj kur e ruan atë kuptim.
Kështu Daut Gumeni ka përkthyer një libër që në një mënyrë të qartë, edhe pse të tërthortë, nëpërmjet emrave të çifutëve, demokratëve polakë apo italianë e francezë, ka sjellë deri te ne jetën e nacionalistëve shqiptarë në burgjet e kampet e punës të diktaturës. “Në kërkim të kuptimit të jetës” të Viktor E. Frankl mund ta sillte në vëmendjen tonë secili që zotëronte mirë anglishten, por i kishte hije dhe të drejtë morale një njeriu si Daut Gumeni. Me jetën e tij të jashtzakonshme ai dëshmon se të gjithë atë forcë të pashoqe mbijetimi e ka jo prej muskujve apo shtatit të madh. Daut Gumeni nuk zotëron asnjë lloj veçansie të tillë, është një shtatmezatar i zakonshëm. Rezistenca e tij gjatë burgimit në diktaturë, e cila po të kishte fatin e një vetrrëfimi, mund të tronditë e sugjestionojë miliona lexues të huaj, buron prej energjisë dhe forcës së shpirtit. Daut Gumeni e ka nisur jetën me vetë kuptimin e saj. Duket sikur nuk ka bërë asnjë ditë pa i dhënë asaj përmbajtje, qëllim, vlerë. Sepse e kanë kuptuar që ai i pati dhënë kuptim jetës që në fillim i hapën dosje përgjimi e ndjekjeje. Ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç. E bënë “katërmbëdhjetë vjeç dhendër” për burg. Rast unik në Shqipëri.
Aspak çuditërisht vitin e kaluar, ndërsa përktheu e botoi librin e Frankl, ku tregohet se si me mijra njerës të pafajshën vdesin në kampet e përqendrimit apo digjen nëpër krematoriume, Daut Gumeni përktheu dhe botoi edhe një libër të dytë. Ai titullohet “Mbrëmje në pyjet me borë”. Janë poezi të zgjedhura botërore. Shumë janë lirika (“Filozofia e dashurisë”-P.B.Shelli, “Jehonë”-Kristina Rozeti, “Pse kaq i zbehtë?-Sir J. Sakling, “Më beso, dhe gjithë hiret...”-Tomas Mur, “Maj”-Viktor Hugo, “Pjeshka”-F. Pastonki.....).
Kengëtari i njohur Sherif Merdani, bashkëvuajtës me të, për tetë vite rradhasi jetuar në të njëjtën dhomë masive në kampin-burg të punës në Burrel, tek e përshkruan Daut Gumenin, nënvizon nga tiparet e tij: shumë i thellë politikisht, njohës pa fund i poezisë franceze, angleze apo italiane, shqipërues fantastik; tip i vendosur dhe i heshtur, nuk bënte asnjë kompromis me komandën e burgut; po të bënte ndonjë “gabim”, pra shkelje të rregullave të burgut, nuk dinte të kërkonte falje. Sipas Merdanit ai pranonte më mirë ndëshkimin, birucën me minus dhjetë gradë dhe dysheme të mbuluar me akull. Ishte stoik, duronte gjithçka, mundimin më të madh që mund t’i jepte një torturë.

oooo

Pasi i hapën dosjen për politikë që katërmbëdhjetë vjeç u përpoqën t’ia mbushnin atë për një dekadë të tërë. Kur gjykuan se tashmë nuk mund të pritej më, e arrestuan në vitin 1967, kur ishte njëzetë e katër vjeç. Ishte mësues. E prangosën pikërisht si mësues. Nga regjimi mendohej se nuk ishte njëlloj të përfaqësoje një “armik” në një skaj zyre kooperative si normist dhe të ishe mësimdhënës në një shkollë qyteti të madh apo fshati të largët. Ligji në fuqi ndalonte “agjitacionin dhe propogandën kundër pushtetit popullor”. Të përjashtuar nga e drejta të botonin libra, të shkruanin në gazeta apo të flisnin në radion e vetme të shtetit, diktatura kishte dalë në përfundimin se pozicioni më i rrezikshëm i kundërshtarëve të saj ishte mësuesia. Llogaritë qenë të thjeshta dhe për ta mbushëmendëse: një mësues fliste para të paktën njëqind e pesëdhjetë nxënësve. Kjo donte të thoshte se kishte si minimum këtë mundësi komunikimi dhe ndikimi edhe jashtë shkollës. Të njëqind e pesëdhjetë nxënësit imazhin apo fjalën e nënkuptimtë të mësuesit “armik” e çonin në njëqind e pesëdhjetë e pesë familje. Këto, si në një ortek të madh, me vetëdijë apo pandërgjegjshëm, i rrokullisnin në qindra miq e të afërm. Më shumë se kaq nuk bënte dot as edhe një radio lokale, kurse dhjetë mësues që nuk e donin regjimin, me forcën e fshehtë të sjelljes dhe fjalës së nënkuptimtë ishin të barabartë me dëgjimin e fshehtë të një radiostacioni të huaj antikomunist si “Zëri i Amerikës” apo BBC.
Ja përse prangimin e Daut Gumenit në një seminar mësuesish në Tiranë e kishte paralajmëruar edhe vetë Manush Myftiu, nënkryeministri. Mënyrën se si ai e tha mund ta kuptonte vetëm mësuesi i ri, i cili atë mbrëmje, menjëherë pasi u mbyll mbledhja, i tronditur shkoi në një skaj rruge dhe kërkoi për herë të parë të pinte një cigare.
Në jetë ndodhin gjëra që mund të jenë fatale. Nuk ke asgjë në dorë t’i shmangësh. Diktatura realkomuniste i kishte mbyllur hermetikisht kufijtë, nuk mund t’i kapërxeje dot. Mes plumbit në buzë të piramidës dhe kërcitjes së prangave në nyjet e duarve ishte kjo e fundit e keqja më e pëlqyer. Daut Gumenit i duhej të priste çastin kur t’i delte para makina e vjetër sovjetike e Luftës së Dytë Botërore “Gaz” dhe civilët me xhupa apo kapota që do të zbrisnin me kërcim prej saj.
Në hetuesi sigurisht që i thanë se kishte tentuar për arratisje. Pastaj pati bërë agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor. I thanë se ishte “armik”. Por as ai nuk priste një akuzë më të lehtë. Ai i ngjante të jatit. Babai i tij që në kohën e luftës nuk i kishte simpatizuar komunistët. Ishte shumë dakort me mobilizimin e tyre kundër pushtuesit, por krejtësisht qe kundër për sistemin shoqëror që donin të vendosnin në Shqipëri. Por mospëlqimin e tij nuk e shprehu asnjëherë me armë, me asnjë formë dhune, me asnjë formë kundërvënieje të organizuar. Sa ishin të pushtuar plumbat qenë për fashistët italianë dhe gjermanë, jo për njëri-tjetrin. Kur vendi u çlirua dhe komunistët e morën të gjithë pushtetin i jati i Daut Gumenit, kur e pyetën nëse kishte vënë mend dhe më në fund i donte, sërish ua deklaroi mungesën e simpatisë. Veç u tha se të dy palët, ai qytetar dhe ata shtet, mund të bënin një marrëveshje si në të gjitha vendet normale. “Ju tani keni shtetin”, u tha, “dhe unë do të zbatoj të gjitha ligjet tuaja, nuk do të shkel asnjërin. Do të vuaj e ha me dhembë veten në punën time dhe do t’ju paguaj rregullisht të gjitha taksat. Në këmbim, siç bëhet në çdo shtet, ju kërkoj të më garantoni sigurinë e jetës”.
“Cilin ligj kam shkelur?” i pyeste pa pushim edhe Daut Gumeni hetuesit e vet. Këta e shihnin të habitur. Për çfarë ligje bënte fjalë? Kush po pyeste nëse kishte respektuar apo shkelur ligje. Ai njëzetë e katërvjeçar ishte “armik” dhe këtu mbyllej çdo gjë. Ja kishin shkruar këtë në dosjen e fshehtë për dhjetë vite rresht. Ndërkohë mendonin se Daut Gumeni kishte qënë “armik” edhe para moshës katërmbëdhjetëvjeçare. Ai kishte qënë përherë i tillë, edhe kur në klasën e parë mësoi të shkruante. Edhe kur disa muajsh bërbëliti fjalët “mama” dhe “baba” po njëlloj “armik” pati qënë. Si nuk e kuptonte, flisnin me vete hetuesit e provincës së thellë në Tepelenë ku i pranguari dhe ata jetonin. Daut Gumeni pati lindur “armik i pushtetit popullor”. Ai ishte “bir armiku”. Fshehurazi kishte qënë admirues i nacionalizmit. Ata e patën pranguar sepse ishte kundërshtar politik i lindur, jo sepse kishte shkelur ndonjë ligj.
Se si ai regjim gjente kurajë dhe logjikë që të burgoste kundërshtarë të tij jo se vepronin, por thjesht se vetëm e mendonin, do të mbetet, sa më shumë vite të shkojnë, një nga çuditë më të mëdha të kësaj bote. Kështu hetuesit ia fabrikuan provat. Dhe duke qënë se Daut Gumeni i ngjante të jatit, pra edhe pse nuk e donte regjimin bënte kujdes të respektonte e zbatonte ligjet, shkeljet sidoqoftë iu gjetën.
Ishin dy fletore.
Në njërën prej tyre kishte poezi. Në krye ishte Fan Noli. Pas Nolit ishte Bajroni dhe pas tij Gëte. Të gjithë ata poetë hetuesi i akuzoi si borgjezë. Edhe Bajroni ishtë për të borgjez i poshtër, por thjesht nuk ishte aq i fëlliqur sa Gëtja. Daut Gumeni përpiqej t’i sqaronte se ata autorë të huaj mësoheshin në shkolla, por hetuesi nuk donte t’ja dinte. Bënte sikur nuk kishte dëgjuar kurrë për Lord Bajronin apo për Volfang Gëten. Madje me këtë të fundit kishte inat të madh. Daut Gumeni në fletore e kishte vizatuar poetin e madh gjerman të ulur në një shezlog para shtëpisë së tij në Vaimar. E kishte marë pamjen nga një enciklopedi që qarkullonte lirisht. “Po ky ç‘është?” i thoshte hetuesi “Është Gëtja” përgjigjej Gumeni. “Mos ke ëndërruar të kesh edhe ti një pallat si ky borgjez i poshtër?”, ia kthente njeriu i ashpër i hetimit. “Po është Gëtja”, i përsëriste Dauti, “Merr vesh apo jo?” Nga kjo përgjigje kryelartë hetuesi u zëmërua shumë dhe pas dhunës së menjëhershme të krahëve të tij blloku me poezi fluturoi në një anë dhe i pandehuri në krahun tjetër. “E di Partia që është Gëtja”, shkumëzoi fjalët njeriu i shtetit, “Por e dimë po ashtu që është edhe i poshtër”.
Prova tjetër e fajësisë, pra fletorja e dytë, një lloj blloku, kishte kengë popullore të mbledhura nga pleqtë e plakat, nga goja popullore, siç thuhet në raste të tilla. Daut Gumeni ishte lindur bashkë me këtë kengë dhe është një nga ata intelektualë që edhe sot mendon pa mëdyshuar se shqiptarët kanë një poezi e kengë popullore të jashtzakonshme, shumë më të mirë se e kultivuara. Sherif Merdani tregon se kur vuanin burgimin në Burrel “më vinte çudi se si një njeri që e dinte aq mirë historinë botërore dhe të Shqipërisë, njihte tërë letërsinë anë e mbanë globit, kishte një kontradiktë të madhe me shijen e tij muzikore. Kur qëllonte ndonjë periudhë e shkurtër liberalizmi në dhomën-birucë na vendosnin një altoparlant dhe prej Radio-Tiranës dëgjonim Tom Xhonsin apo Edit Piafin. Unë isha shumë i lumturuar dhe këndoja bashkë me radion. Ndërkohë shihja që Daut Gumenit ajo muzikë nuk i bënte ndonjë përshtypje të madhe, të paktën nuk e nxiste të mbante ritmin apo ta shoqëronte me mërmërimë. Ndodhte krejtësisht e kundërta kur në altoparlant fillonte të dëgjohej një këngë labe. Menjëherë mrekullohej. U kërkonte të gjithë miqve të tij të burgut qetësi dhe me një lëvizje të harmonishme të kokës ndiqte këngën, duke e kënduar edhe me fjalë, një për një. Kur i bërë kureshtar i thosha “Si është e mundur që ti, përkthyes aq i madh i Shellit apo i Gëtes dhe Hugoit, akoma qëndron me shijet e këtyre kengëve? Më përgjigjej “Me këtë muzikë jam rritur. Ti nuk e di, nuk e njeh Gusmarin e Tepelenës, ku kam lindur. Unë duhet të lindem edhe njëherë në një vend tjetër që ta harroj atë këngë. Por ti duhet ta dish se kënga labe është një perlë, e kanë pohuar studjues të huaj. Është një nga meloditë e rralla në botë që ka polifoni, jo pak, por katër zëra”. Pastaj niste të thoshte se kënga e viseve të tij ngjante me shumë me atë skoceze dhe se më fort besonte që nëpër humbëtirën e thellë të shekujve nuk kishin ardhur skocezët në Shqipëri, por bashkëkombasit e tij në trojet e lashtë të Britanisë së Madhe”.
Këtij Daut Gumeni, të shpallur politikisht armik, hetuesit i thoshin “Po përse në këtë bllok nuk ke asnjë kengë për partinë? Ka plot nga këto kengë”. “E di”, përgjigjej, “Ato po thyejnë dhogat e festivaleve, por unë nuk i mbledh sepse janë këngë operativash”. Hetuesit nxeheshin dhe ankoheshin “Na i ka lidhur duart partia, sepse do të të bënim copa-copa”.
Kur luftën me dy fletoret nuk i nxorën dot fitimtare iu qepën një libri që ja patën gjetur në shtëpi. Ishte “Fjalori” i Kristoforidhit i vitit 1902. Që kur ishte student Daut Gumeni e pati gjetur te një bukinist në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Për proçesin e hetimit ai libër parashikohej të ishte prova më e madhe e fajësimit të tij si agjent i grekut. Akuzuesit e pyetnin pa u lodhur përse ai fjalor nuk ishte shkruar edhe në shqip, por i gjithë, bashkë me shpjegimin e fjalëve, vetëm në greqisht. Gumeni u shpjegonte se ai libër ishte botuar në Athinë në vitin 1902 dhe për këtë mund të shihnin vetë datën e shtypur në kopertinë. “Mos më mëso mua se çfarë të bëj, sepse më ka mësuar partia!”, ngrinte zërin hetuesi, “Por m’u përgjigj përse është vetëm në greqisht?” I riu njëzetë e katërvjeçar rifillonte edhe njëherë t’i bënte të kthjellët akuzuesit të tij se në vitin 1902, pra kur ishte shtypur ai fjalor, shqipja akoma nuk shkruhej, sepse alfabeti u hartua gjashtë vite më vonë, në 1908. Hetuesi i pakënaqur tundëte kokën dhe i bënte shenjë ndihmësit me makinë shkrimi të fiksonte në akuzë “Shënoje edhe këtë që sapo tha, është provë e krimit!”

oooo

Në librin “Në kërkim të kuptimit të jetës” Viktor E. Frankl shkruan se thelbi i ekzistencializmit është “Të jetosh domethënë të vuash, të mbijetosh do të thotë të gjesh kuptimin e jetës në vuajtje”.
Daut Gumeni e pa këtë, e provoi.
Që në çastin e parë të bisedës me të e jo më pas disa ditësh apo kur shfleton të gjithë veprën e tij intelektuale, përkthim e krijimtari e mirëfilltë, habitesh se si e gjithë ajo periudhë e rëndë burgimi nuk e ka cënuar në asnjë pjesë të individualitetit të tij, të personalitetit e identitetit, të shpirtit poetik e të aftësisë për të ëndërruar, të ndjenjës së thellë të humorit e dashurisë së madhe për jetën, të ndjeshmërisë ndaj delikates dhe tërheqjes pas të bukurës, në ironinë e kendshme dhe batutën e kripur, në thellësinë e vështrimit dhe shpejtësinë e të menduarit. Asnjë nuk i është tjetërsuar dot, nuk i është rënuar, prishur, kalbur, deformuar, enjtur, mpakur. Ka ndodhur krejtësisht e anasjellta. Tiparet e dhuntitë e tij individuale kanë spikatur më shumë.
Ndoshta nuk është fjala e saktë, por Daut Gumenin njëzetë e tre vite burg e kanë rigjeneruar. E dimë që kjo e pohuar është nonsens e megjithatë ka ndodhur pikërisht kështu.
E fshehta e kësaj ka qënë kuptimi i jetës. Diktatura dështoi jo vetëm për një mijë arsye, përfshi edhe vetmbylljen dhe autarkinë ekonomike, por sepse përdori një sistem shoqëror dogmatik, të pazgjuar, shpesh të trashë dhe idiot. Nëse ishte shumë barbare kjo i ndodhi jo vetëm për shkak të ideologjisë, por edhe të mënyrës mediokre se si u zbatua apo iu imponua shqiptarëve. Ishte jo vetëm kriminale e quajtura “lufta e klasave”, por edhe banale. Ajo kërkonte të krijonte një “njeri të ri”, duke shkatërruar “të vjetrin”. Kështu në thelb ajo tentoi të rënojë e shpërbëjë “njeriun e ri” dhe “të vjetrin” bashkë. Kjo donte të thoshte se diktatura realkomuniste ishte një sistem shoqëror kundër vetë njeriut, kundër kuptimit të shoqërisë dhe të jetës.
Këtu humbi, u rënua dhe u shpërbë vetë ajo.
Ka kapërxyer më shumë se dy dekada të pandërprera burg dhe Daut Gumeni tani thotë se ka qënë njeri me fat. Sërish në pamje të parë ky është një nonsens. Cili fat është ai që të merr nga jeta njëzetë e tre vite, pa përfshirë kohën kur për një dekadë të tërë më përpara përgjoheshe, kufizoheshe dhe ndaloheshe në shumë të drejta fillestare? Si mund të flitet për fat kur bashkë me të i arrestuan edhe të vëllanë, duke i dhënë plot tetëmbëdhjetë vite dënim? Si mund të konsiderohet fat kur nga kampi i punës në Vlorë Dautin e dërguan në burgun e tmerrshëm të Spaçit dhe aty pas ca kohe e arrestuan sërish? Si mund të quhet fat fakti se iu bënë jo një, por dy gjyqe të gjatë? Si mund të emërtohet fat fakti që të jatin, në vitin 1972, ia vranë fshehtas në një pusi, sepse “pengonte punën e partisë”? Madje pasi ja vranë dhe ai ishte në burg, në çastin e apelit të mëngjezit dhe të mbrëmjes komandantët e gardianëve enkas nuk shqiptonin emrin e tij, por të të jatit. E bënin këtë gjë që t’i thoshin se “si ja bëmë atij ta bëjmë edhe ty”.
Mirëpo Daut Gumeni e quan veten megjithatë me fat. Kjo jo se nuk i kanë rrëmbyer padrejtësisht pjesën më të re e më të bukur të jetës, por sepse ka ditur t’i japë kuptim asaj që prej fillimit. Kështu u bë i pashkatërrueshëm. Për ta kuptuar këtë të ndihmon karakteri i tij, temperamenti, mënyra e veçantë si i sheh gjërat, gazi që i buron nga i gjithë qënia, si të jetë një lum i madh e i pafund optimizmi, të shtyn dialogu me të, natyra e tij e çliruar, e lirë nga çdo paragjykim.
Fatin, kur pikërisht fati ishte ai që iu rrokullis kur e pranguan, Daut Gumeni e sheh në konstatimin personal se ka qënë i rrethuar kurdoherë nga njerëz të mirë. E nis me prindërit e vet. Të jatin, Mehmetin, që mesa dukej e pati udhëheqës shpirtëror, e konsideron si fatin e tij të parë. Arsyen e shpjegon: sepse kur e vranë mund t’i thoshin njeri i lig, por i thanë vetëm armik. Gumeni këtë e quan gjë të madhe. Ai i ndan njerëzit jo sipas ideve politike dhe mospëlqimit nga kjo apo ajo pjesë e shoqërisë që ka pikëpamje të ndryshme apo të kundërta. Ai i ndan sipas dëmit apo të mirës që i bëjnë të gjithë shoqërisë. Kështu njerëzit kanë vetëm një ndryshim: janë të mirë ose të këqinj për popullin e kombin e tyre.
Të dy palët dhe kundërshtarët e mëdhenj të luftës së nxehtë e të ftohtë shqiptare, komunistët e ballistët, gjithçka që kryen e bënë në emër të atdheut. Njëra palë kishte ideologji internacionalizmin, tjetra nacionalizmin. Ishte një ndarje e dhimbshme dhe po aq fatkeqe. Të dy ndeshësit e donin Shqipërinë secili sipas mënyrës së vet. Komunistët ranë në grackën e stalinizmit, humbella më e rendë që iu hap në kembë shqiptarëve shekullit të shkuar. Ballistët nuk e ndanë dot mirë distancën mes fashistëve dhe komunistëve dhe ranë në kurthin e luftës civile aq të dëshiruar nga emisarët jugosllavë. E megjithatë nacionalistët ishin shumë më pak të ideologjizuar nga korentet politike të kohës dhe më të gatshëm dhe më të afrueshëm për mirëkuptim. Për aq sa ndjenin e dinin ata bashkëkombasit nuk i ndanin në të majtë e në të djathtë, por në të mirë të zgjidhjes së çështjes shqiptare a në të keqe të saj.
Ja pse Daut Gumeni e quan fat që u përkiste dy prindërve të tij atdhedashës e që asnjëherë nuk u përfshinë në luftë ideologike, por kërkuan një shtet me ligje, të cilit t’i shërbenin dhe ai t’u bëhej strehë mbrojtëse pa u nisur nga idetë që kishin. Prej këtej natyrshëm i është shfaqur fati i dytë. Këta ishin disa prej të burgosurve nga regjimi komunist. “Më ndoqi fati”, thotë Gumeni, “edhe kur vajta në burg, sepse atje gjeta ca burra shumë të mirë, të cilët qenë arsimuar me paratë e tyre dhe jo të kooperativave”. Sipas tij “Ata qenë njerëz të hekurt. Mund të ishin katandisur në 40 kile, sepse kishin dekada në burg, por te ta gjeta pedagogët e mi të mirë, universitetin tim. Duke filluar nga nipi i Sheh Karbunarës, i cili kishte mbaruar për financë në Torino. Nesim Shehu quhej. Ishte një njeri shumë i mprehtë. Afëria me të të rriste përditë, ta impononte rritjen. Me Nesim Shehun të forcohej kocka. Isha vetëm 24 vjeç, kurse Nesimi ishte mosha ime tani, gjashtëdhjetë e pesë. Kishte bërë gjysmën e jetës burg”.
Më pas Daut Gumeni bashkë me fatin e tij të dytë përmend edhe nacionalistin himariot Niko Mali, i cili kishte mbaruar shkollën në Athinë. “Njeri me kockë”, e përcakton, “Njeri me intelekt”. “Në këtë kuptim”, shpjegon Gumeni, “unë e quaj fat të madh që gjeta në burg njerëz të kthjellët, me dije dije perëndimore dhe shqiptare”.
Fati i tretë ishin mësuesit e nxënësit e tij. Edhe pse “me biografi të keqe” mësuesit e shkollës e shpallën atë në Gjirokastër, ku vazhdonte të mesmen, më të mirin e 1200 nxënësve. Kur e burgosën dhe i bënë gjyqin e parë, tashmë edhe vetë mësues, asnjë prej nxënësve të tij dhe kolegëve nuk dolën dëshmitarë. Rrinin në sallë të heshtur e të pikëlluar. Dhe nxënësit e tij nuk ishin fëmijë dosido, por bij komunistësh e kolonelësh. Në Tepelenë kishte bazën Brigada e Ndjekjes për të gjithë jugun dhe ishte e mbushur me oficerë të lartë të Ministrisë së Brendshme.

oooo

Pas gjyqit të parë, ku prokurori kërkoi 25 vjet burg dhe gjykatësi la njëzetë, duke u justifikuar se i pandehuri ishte moshë e re dhe kishte mundësi të koregjohej, Daut Gumenit iu bë një riarrestim dhe për pasojë edhe një gjyq e dënim tjetër.
Iu zhvillua në Tepelenë, në vetë vatrën e Brigadës së Ndjekjes.
Ky gjyq i dytë ndodhi në mars 1970 dhe ndryshe nga i pari, u bë posaçërisht publik. Përse ndodhi kështu? Kjo periudhë rastëson me një frymë të lehtë liberalizmi që kishte nisur të buiste këto kohë e që u mbyll në fund të vitit 1973 me disa valë të mëdha pastrimesh të egra që vazhduan për një dekadë të tërë tashmë brenda vetë klasës udhëheqëse komuniste. Në të vërtetë gjyqi i dytë për Daut Gumenin u krye për të kundërtën e kësaj atmosfere. Klasa e quajtur e përmbysur duhej të mbetej e trëmbur. Ajo nuk kishte punë nëse shtrëngimi i regjimit lirohej ndopak për të tjerët, të quajturat “klasat në pushtet”. Ekzistenca e kësaj manovre politike të diktaturës dëshmohet nga shumë seanca të tjera gjyqësore që janë bërë këtë kohë. Luan Myftiu, një nacionalist tjetër, nga më të spikaturit dhe të diturit, dëshmon se hetuesi kryesor, pasi kishte pranuar që e patën arrestuar pa bërë asgjë, i kishte thënë “Pse, djemtë tanë, që këndojnë kanconeta italiane, do të marrim ne!?”
Gjyqi i dytë i Daut Gumenit zgjati tre ditë. Më 25 mars ia bënë në mjedise të mbyllura, brenda në Degën e Punëve të Brendshme, duke i ushtruar presion që gjatë seancave të hapura të “rrinte urtë”. Gjatë tre viteve burg kishin parë tek ai një njeri që jo vetëm nuk nënshtrohej, por edhe e shpallte hapur mendimin e tij, pa pyetur sa mund t’i kushtonte. Për të mbrojtur idetë e veta Gumeni paguante edhe çmimin e jetës. Kështu ndryshe nga disa të burgosur të tjerë që mospajtimin e tyre e mbanin të kyçur brenda vetes, tashmë 27 vjeçari ishte gati ta kthente seancën gjyqësore në një “Ju akuzoj” të madhe për regjimin.
Kur menduan se mbase e tutën ndopak seanca e dytë e bë në Shtëinë e Kulturës të Tepelenës më 26 dhe 27 mars. Ishte ndërtuar në formën e një spektakli kundër “armikut të klasës”. Trupi gjykues e prokurori u vendosën në skenë, madje në një podium të lartë. Të dënuarit, në krye të të cilëve Daut Gumeni, i lanë në pjesën e parë të sallës, nën nivelin e podiumit dhe të sallës, cila duke filluar nga rradha e parë lartohej. “Të pandehurit” i futën në të quajturën “gropë të orkestrës”.
Dëshmitari i parë i konsideruar i rëndësishëm ishte një punonjës policie që pati qënë dërguar fshehurisht jashtë shtetit për të përgjuar emigrantët. Pasi kishte dështuar, pra ishte zbuluar, e patën rikthyer dhe kishte kohë që vegjetonte pa bërë asgjë të rëndësishme. Në atë gjyq i kishte ardhur ora të bëhej i famshëm. Ai tha se nëpër kampet e refugjatëve kishte dëgjuar që familja Gumeni ishte kështjellë e nacionalizmit. Ky atë kohë quhej krim i rëndë sepse lidhej me veprimtarinë e Ballit Kombëtar, porse Dauti, me ta dëgjuar, provoi një gëzim të madh dhe këtë gjë e bëri menjëherë publike. Mes të tjerash tha “Nëse është e vërtetë që kemi qënë kështjellë e nacionalizmit u gëzova. Veç shtëpinë si ndërtesë e kemi patur fare të thjeshtë dhe haurët na i dogji lufta”. Pas kësaj edhe pse disa në podium e sidomos prokurori u nxinë në fytyrë Daut Gumeni vuri re se kryetari i trupës gjykuese e linte të fliste lirisht, nuk e ndërpriste. Ishte minoritar. Tridhjetë e tetë vite më pas ai akoma e quan atë “njeri i mënçur”.
Një dëshmitar tjetër tha se “Ke thënë në filan vend kështu, ke thënë ashtu”. Ia ktheu përgjigjen “Po, të gjitha ato i kam thënë. Kam thënë se njerëzimi ka nevojë për utopi dhe se utopia është e saktë gjer tek Tomas Mori. Ai peshkopi i Anglisë nuk ishte budalla që ja vuri emrin utopi, se komunizmin nuk e keni shpikur ju. Komunizmi është që tek hebrenjtë e lashtë. Pastaj e mori krishtërimi, më vonë e morët ju. Por ata që thanë se do bëhet shkencë, ata ishin batakçinj. Gjallë në botë ajo nuk bëhet shkencë. Lëreni të rrijë deri tek utopia! Përse thatë se do të vërshejnë të mirat materiale si lumë dhe nuk ka filluar të pikojë ai lumi juaj? Njerëzit janë të uritur. Ku e keni lumin e të mirave materiale? Po hyn dekada e tretë që jeni në pushtet, ku e kini?”
Ky guxim, kjo “Ju akuzoj”, bëri që nga podiumi e nga salla, përgjithësisht e mbushur me të porositur, të thërrisnin “Mbyllini gojën!”. U ngrit njëri dhe tha “Unë flas në emër të njëzetë e tetë mijë dëshmorëve. Këtij armiku duhet t’i pritet fjala. Të dënohet me pushkatim!” Pas kësaj kryetari i gjykatës iu drejtua Daut Gumenit: “Përgjigju popullit!” Ky, akoma i habitur nga liria që po i jepej, ia ktheu përgjigjen të revoltuarit të sallës, duke e tallur. Nga pjesëmarrësit qeshën. Një tjetër nga rradhët e para, i cili kishte vënë një kapele republike mbi gjunjë dhe pati qënë veshur me pallto “Gub” tha “Ki qenka kobra vetë. Në ato eritrocidet e tij nuk gjen dot një reze drita nga ato të shokut Enver që ndriçon gjithë botën. Ki qenka kancer antikomunist. Ki nuk duhet dëgjuar këtu se na bën propogandë më shumë se “Zëri i Amerikës”. Mbylljani gojën këtu, futeni në birucë e jepini një koqe plumbi!” Kryetari i gjyqit sërish iu drejtua Gumenit: “Përgjigju popullit!”. Daut Gumeni ia ktheu drejtpërsëdrejti: “Dëgjoni! Atij veteranit të Sigurimit të Shtetit që thotë se ka lexuar veprat e Enver Hoxhës që ndriçojnë gjithë botën, i them se me to nuk ndriçon dot as shtëpinë e tij. Nuk ndriçon dot sepse ka vënë gjithë Shqipërinë në burg. Ju quani filozof një hoxhë?! Se të ishte që e pati mbaruar në Stamboll shkollën po hajde, po ai është hoxhë fshati. Kurse ky ish-koloneli i Sigurimit ka të drejtë të flasë ashtu, sepse sa merr ai pension nuk merr gjysma e një kooperative”.
Pas kësaj atmosfera në sallë u elektrizua dhe nga rreshtat e para, futur në gropën e orkestrës, Daut Gumeni dëgjonte që i thoshin mënjanë njëri-tjetrit “Po ku dëgjoka ky!, ky qenka t’i pish dollinë! Ku e gjeti që ka qënë kolonel Sigurimi!” Ndërkohë një i moshuar, i cili njihej si ish-partizan dhe ishte komunist i ndjerë, u ngrit në kembë dhe tha para të gjithëve “Mjaft me këto thirrje për pushkatim! Le të veprojë ligji, por ky qenka astrit djalë! Ta thotë atë që mendon!”
Në sallë e në trupin gjykues trazimi u bë më i madh.
Tjetri që u ngrit, tha se ishte përgjegjes i sektorit të dytë në Golem. Ishte futur në një peliçe të re nga ato që atë kohë ndante Dega e Punëve të Brendshme. Tha prerë “Propozoj që atë profesorin ta djegim në dru të njomë!. “Të njëma” shqiptoi golemasi në dialektin e vet, duke lënë të kuptojë se të pandehurit i duhej marrë shpirti pak nga pak, në një zjarr me dru të njoma, të cilat digjen ngadalë. Pas tij u ngrit një veteran i luftës. Ishte i zëmëruar dhe iu drejtua drejtpërsëdrejti Daut Gumeni: “I je turrur edhe Marksit, por deri kaq nuk të lejoj!” Pas ndërhyrjes së kryegjykatësit “Përgjigju popullit!” Gumeni iu përgjegj “Marksit unë nuk i turrem si filozof dhe erudit, por u turrem atyre që thonë se zbatojmë marksizmin. U turrem se nuk ishte budalla Marksi që të bënte parashikime sesi me idetë e tij do bëheshin regjimet. Kur ai vetë ishte gjallë dhe dëgjoi se Pol Lafargu, dhendëri i tij, në emër të marksizmit vajti e rrahu fshatarët në Francë vetë Karl Marksi tha “Në rast se marksizimi kryen gjëra të tilla as unë nuk jam marksist”. Kurse ju, po ta kishit zënë Marksin të gjallë, e dini çfarë do t’i ndodhte? Do të hante supë me mua tani në burg”.
Menjëherë u ngrit një banakjere. Tha “Unë mezi duroj, më dridhet trupi kur e dëgjoj atë profesorin, që na shau që nga gjërat më të shenjta, që nga udhëheqësi legjendar, që kemi, shokun Enver. Me këta dy të tjerët bëni si të doni po me atë profesorin dua një lugë gjak të ngrohtë”.
Salla mbeti në pështjellim jo vetëm atë ditë, por edhe të nesërmen, më 27 marsi. Ç’po ndodhte atje kishte marë dhenë. Liria e fjalës së të një “armiku” kishte krijuar për disa çaste një mjedis ireal, fantastik, të paharrueshëm, si të hyje në histori. Kjo ditë mbajti në kujtesë edhe fjalët e një koloneli nga ata të Brigadës së Ndjekjes, madje ishte vetë shefi i ndjekjes. Njërën dorë e kishte të prerë në luftën çlirimtare. Tha pothuaj solemnisht “Ky djali ka të drejtë. Kemi dy ditë me këtë, latë nam, dëgjohet graria këtu. Një e kërkon të pjekur, një të gjallë, një te djegur. Ky djali ka të drejtë, (“Nuk më tha “i pandehur”, kujton Daut Gumeni”) Ka të drejtë që tallet ai, merremi me një djalë ne! Ç’është kjo kujë! Ne i kemi mbushur jo vetëm rrugët, por edhe malet me lapidarët e heronjve tanë, por ky është një hero i reaksionit. O vëllezër, me këta kemi luftuar ne! Respektoheni heroin e reaksionit! Dënojeni dhe mbaroi puna!”. “Përgjigju popullit!” ndërhyri menjëherë kryegjyqtari minoritar. Daut Gumeni shqiptoi butësisht “Sa për këtë zotërinë, ushtarakun, nuk kam gjë. Atij sa herë që prishet koha i dhemb dora. Ai ka të drejtë sepse për idealin e tij dhe atdheun ka dhënë pjesën e trupit. Ky ka të drejtë të më hedhë gurë dhe jo vetëm fjalë. Për të nuk kam asnjë vërejtje. Duket që i ka mbetur kockë dhe karakterin nuk e ka prishur. Ai është në shekullin e tij. Unë nuk pretendoj të kthej shekujt mbrapa. Unë shikoj shekullin tim”.

oooo

I futur në burg në 27 qershor 1967 Daut Gumeni doli në liri vetëm më 7 gusht 1990. Në gjurmët e kësaj historie që ju përshkruam më lart, nuk ramë pasi pimë ndonjë kafe me të. Kishte shumë kohë, që pa e njohur personalisht, pata mbledhur të dhëna nga mjaft pjesëmarrës në gjyqin e tij të dytë. Ata edhe tani, në lirinë tonë të pasdiktaturës, mes tyre edhe vetë atë kohë drejtori i Shtëpisë së Kulturës ku ndodhi ngjarja e pazakonshme, ndihen të magjepsur.
Kishin përjetuar një akt të madh heroik dhe vetëm një vit më parë këtë gjë e mësova fare rastësisht prej tyre. Fatkeqësisht ishte një ngjarje e mbajtur në padije dhe më lindi dëshira ta bëj të njohur. Më ndjeni që doli shkrim i gjatë dhe për këtë gjë radaksinë e “Shqip” po e vë në siklet!
Rasti Daut Gumeni është një “sui generis”. Edhe njëherë rishfletova në internet se çfarë thuhej e shkruhej për të. Kryesisht ishin të dhëna për aktivitetin e tij si kryekonsull në Janinë e Zagreb, si këshilltar Presidenti të Republikës, përkthime dhe botime origjinale, copra modeste nga aktiviteti i tij politik, pasion që me sa duket e ka të pashuar dhe plot kokëkrisje. Veç nuk gjeta dot shkrime për burgun e tij. Nuk gjeta asnjë të dhënë kur kishte hyrë në të e kur kishte dalë prej tij. Flitej vetëm se brenda qelive dhe telave me gjemba kishte bërë 23 vite.
Kohë heronjsh të çuditshëm! Apo mbase kështu janë të vërtetët?


Ylli Polovina








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com