Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Cili flori të kthehet?

Botuar në “Tirana Observer”, 17 shkurt 2008

Kur flitet e shkruhet për kompensimin e floririt të sekuestruar nga regjimi komunist apo bëhet e ditur lista e parë me emrat e personave, të cilëve për arsye ideologjike u është marë, pastaj lista e dyta, të vjen keq përse shumë gjëra u bënë në të anasjelltën e kulturës dhe traditës së shqiptarëve. Në të vërtetë i gjithë ai sistem që u ngrit në kembë dhe mbijetoi për një gjysëm shekulli, duke qënë kundër natyrës së lirë njerëzore, ka qënë posaçërisht shumë edhe në të kundërtën e natyrës së shqiptarëve. Do të ishte e tepërt të kujtonim se shqiptari është shumë individualist për të pranuar format e kolektivitetit, ca më tepër ato të sforcuara. Shqiptari ka qejf të vishet dhe po të jetë e mundur nëpërmjet rrobave të tij, llojit të shtëpisë, makinës apo edhe numrit të kembës të dallohet sa më shumë nga të tjerët. Si mund të jetonte ai me kostumin e dokut apo me një model të standartizuar qepjeje? Shqiptari ka shpirt hedonistik (është ballkanas) dhe nuk i dhanë një film me një puthje! Ai ka dëshirë të hajë mirë, shumë dhe të jenë gjëra të shijshme, ndërsa i ofruan gjysmën e kohës triska dhe pjesën tjetër të regjimit prodhime “me forcat tona”. U bë banania legjendë kur erdhi njëherë si pasojë jo e një kërkese, por detyrimi kontraktor.
Sa të tilla të kujtohen kur të bie në dorë një koleksion i argjendarisë së Beratit, pasqyrë e jetës së shqiptarëve në përmbi gjashtë shekuj, 1300-1929. Përkujdesës i tij, duke pritur që një ditë ta bëjë libër, është piktori, restauratori dhe studjuesi i artit bizantin Agron Dingo. Ai jeton e punën në tre shtete: Greqi, Itali dhe Shqipëri. Një nga ekspozitat e tij të fundit në Prato të Italisë tërhoqi modestisht edhe vëmendjen e më të madhes gazetë të vendit, “Corriere della Sera”. Kur në një ekspozitë në Athinë i pa punimet e tij diplomati grek, disa herë ambasador, Jorgo Jorgjia, tha se autori është artist i vërtetë. Të gjitha këto i citojmë jo për t’i bërë një lavdërim Agron Dingos, por për t’ju garantuar që koleksioni i argjendarisë beratase është fryt pune i një specialisti shumë të mirë. I vëllai i tij, Fatos Dingo, autor librash në Itali si edhe bashkëpunues me Universitetin e Oksfordit, njohës i dhjetë gjuhëve të huaja, e ndihmon për t’ja dalë në krye një studimi të plotë mbi artin bizantin. Dhe dihet që kjo kulturë për shekuj të tërë e ka lidhur Shqipërinë me kulturën helene. Ky art tërheq shumë vëmendjen në Evropën Perëndimore. Ndoshta një ditë në kryeqytetet e saj do të ekspozohet edhe argjendaria shqiptare.
Nuk mund të thuhet se duke qënë një popull jo me mirëqënie të lartë ekonomike nuk e kemi atë shpirtërisht të lartë. Kushdo udhëtar që shkon herë pas here në Krujë për të vizituar kështjellën apo parë pazarin e vjetër, habitet me një gjë: si nuk mbarojnë atje sendet e argjendëta të prodhuara shumë e shumë dekada më parë. Është mjaft e mahnitshme se si një popull i shtrenguar nga burokracia e planeve pesëvjeçarë dhe nga i quajturi “industrializimi socialist” ruajti në shtëpinë e vet sendet e argjendëta.
Në një farë mënyre kjo për kohën ishte disidencë. Ndaj regjimeve mund të mos rezistojë dot deri në fund trupi, por shpirti qendron. Floriri dhe argjendi shqiptar, sidomos ai i derdhur në objekte të jetesës, nuk u zhduk kurrë.
Nuk mund të mbaje të tilla sende të florinjta apo të argjendëta atë kohë. Pas sekuestrimeve të para shteti komandoi bankën e tij të vetme që ta mblidhte floririn monedhë kundrejt një çmimi që e vuri vetë si t’i pëlqente. Doemos aspak të leverdisshëm për njerëzit e thjeshtë. Por cili mund të kundërshtonte? Ishte e ndaluar edhe të mos bije dakort. Me pesë a gjashtë “napoleona flori” të fshehura, po t’i kapnin, shpalleshe borgjez. Kjo donte të thoshte armik. Kush ka mundur ta ruajë në kujtesë tregimin e një njeriu të thjeshtë, disa vite të shkuara, mban mend që u rrëfente gjithë shqiptarëve se si atëhere kishte ruajtur nja njëzetë monedha të tilla duke i vënë në një qeskë të vogël plastmasi dhe pastaj, bashkë me një tufë lakrash të shijshme, futur në barkun e lopës.
Regjimi bënte jo vetëm luftë ndaj ekonomisë së lirë, por edhe ndaj vetë mënyrës tradicionale të jetesës së shqiptarëve. Floririn dhe argjendin, në të gjitha llojet e stolive, femrat tona e kishin mbajtur në kostumet e tyre të festave apo të ditëngjarjeve të mëdha. Arin burrat shqiptarë e patën derdhur me një finesë të rrallë mbi koburet e tyre. Me argjend ishin veshur jo vetëm me qindra e qindra ikona nëpër kishat tona, me byzylykë floriri zbukuruar duart e grave, me ar menteshat apo bravat në dyert e dhomave të miqve, me shëndane argjendi dhomat e ndënies, me pafta të arta rripat e mezit. Kishim edhe libra me kapakë të larë në flori. Pikërisht në atë album-koleksion që ka punuar restauratori e studjuesi Dingo, gjenden edhe të famshmit Kodikët e Beratit.
Shqiptari dhe floriri për shekuj me rradhë kishin shkuar në harmoni, kurse në fund të viteve dyzetë të shekullit të shkuar realkomunizmi u bëri thirrje që të dorëzonin edhe unazat e gishtit?! Me justifikimin se vendi duhej të dilte nga uria dhe të rindërtohej nga paslufta.
Ishte një përndjekje e madhe kundër floririt, një progrom e persekutim i padëgjuar ndaj tij. Edhe ajo pak që mbeti, kur nisën të shfaqen “shoferët e eksportit”, pra njerëzit e besuar që transportonin mallra jashtë kufijve shtetërorë, u largua nga vendi. Njerëzit ua jepnin fshehurazi, ata po aq fshehtas i ruanin në makinë dhe, duke i shkembyer në Perëndim, blinin ndonjë këmishë najloni për dhurata martese.
Shqiptarët e kanë dashur floririn për kënaqësinë e tyre, jo si ethe pasurimi. Ishte qeveria e kohës që për një gjysëm shekulli bëri luftën kundër floririt. Oh, sa shumë flori ka mbledhur, marë, në të vërtetë plaçkitur! Sepse edhe kur u hodhën për vepra industriale u investuan në një sistem të dështuar, në makineri që më në fund i mbuloi ndryshku.
“Masakra e floririt”, boshatisja e shfarrosja maksimale e tij nga shtëpitë e shqiptarëve, mbaroi në prag të vitit 1991. Dhurata më e bukur që një paasardhës i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, funksionar banke në Kazerta të Napolit, Itali, tregon është një shqiponjë që e mban në qafë. Është prej floriri. Ja kishin sjellë para dy vitesh nga Tirana.
Është koha e rikthimit të floririt. Thonë se edhe në Bankën e Shtetit Shqiptar sasia e tij e ruajtur është tepër e vogël (numërohen 2412 kg e 172 gramë ar, që vlerësohet në 78 milionë dollarë). Nuk është aq fort e madhe edhe ajo sasi floriri që ndodhet në shtëpitë e shqiptarëve. Kapërximi i humbjes së madhe që u bë për një gjysëm shekulli, kërkon kohë. Bashkë me atë flori të sekuestruar padrejtësisht rikthimi i tij në jetën e shqiptarëve nuk mund të bëhet i plotë pa ekspozitat për të, pa botimin e studimeve dhe të albumeve, pa filmat dokumentarë, pa sesionet studimore, pa hedhur në treg masivisht edhe objekte të jetës së përditshme. I mbrapshti regjim komunist nuk bëri keq që në kohën e vet, vetëm për të huajt, prodhoi një medalion të artë me fytyrën e Skënderbeut. Tani mund të prodhohet diçka e përafërt me pamjen e Nënë Terezës, përshembëll.
Floririn e ruajti identiteti kombëtar, në simbolet e tij ai rri natyrshëm.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com