Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Jepni për Fan Nolin!

Gazeta “Shqip”, 7 janar 2008

Ai ka lindur në një ditë si sot, 6 janar. Veç viti është i largët, 1882. Larg ka qënë edhe vendlindja e tij, Ibrik Tepe e Turqisë. Ky fshat shqiptar në atë pjesë të Thrakës që gjendet përtej kufirit të Republikës Greke, përbën një bashkësi me identitet shumë të fortë kombëtar. Shqiptarët atë e thërrasin në gjuhën e tyre me emrin e ngrohtë Qytezë. Nuk i thanë kurrë as fshat dhe as katund, edhe pse këto fjalë kanë një thelb të bukur dhe mbartin emocion karakteristik që vjen nga thellësi shekujsh. Bashkëkombasit tanë në vendlindjen e Fan Nolit i thanë tokës së tyre Qytezë mes të tjerash edhe sepse ndihen qytetarë. Të ndihesh qytetar nuk do të thotë aspak se të mjafton fakti që vjen nga një qytet apo jeton syresh në një të tillë. Koncepti i qytetarit në atë frymë që e solli revolucioni francez me tre parimet e tij vezulluese liri-barazi-vëllazëri, kishte depërtuar me kohë në elitën shqiptare të kohës, edhe pse përjetonte sundimin e atëkohshëm anadollak. Banorët shqiptarë të Qytezës kanë emigruar nga Kolonja. Vitet e galopet e dekadave, madje edhe njëqindvjeçarët, mund të zbrazin edhe kujtesat e njerëzve, por përherë do të gjendet vullnet për të ribërë të ditur se zona e Kolonjës ka qënë një ndër vatrat më shkëlqyese të qytetarisë shqiptare, pra të civilizimit të tij. Ajo ka përbërë historikisht një fashë rezëllitëse diturie si edhe rezistence kombëtare. Nga më modernet e më inteligjentet.
Në rast se bashkëkombasit tanë në kufirin etnik me sllavët e sidomos administratën serbe, qofshin sot në teritorin shtetëror të Shqipërisë apo në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoni, kanë bërë heroizëm, ata që u ndodhën në brezin e takimit me mentalitetin shoven të disa lobeve e qarqeve greke, kanë bërë legjendë.
Një nga këta legjendarë është edhe Fan Noli.
Poliedrik në personalitetin e tij ai është gjigand në të gjitha dhuntitë që pati e manifestoi. Ishte poet dhe tashmë është në Pantenonin e poezisë kombëtare. Ishte përkthyes, por shumë pak e kapërxyen talentin e kontributin e tij, siç akoma më shumë nuk e arritën dot. Ishte studjues dhe kujt, si dy botimet e tij të “Historisë së Skenderbeut”, jeta e veprave të tyre ka moshën e një treçerek shekulli? Ishte politikan dhe arriti të bëhej kryeministër i vendit. Bir i një psallti kishe të vogël fshati ai u bë kryepeshkop, madje deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka përreth nesh, siç kishte edhe atëhere, me mijra që me ambicie, ego pozitive apo plot ligësi, lakmi apo projekte e plane të natyrshme, luftojnë për t’u bërë maja në të gjitha fushat. Pjesa dërmuese e këtyre nepsqarëve dështojnë, sepse nuk kanë talent për asnjërin epsh. Fan Noli patjetër ka qënë i mbushur gjer në grykë me ambicie, ego, pasione, vrull protagonist dhe synim për të qënë “njëshi”, por ja arriti. Ja doli në të gjitha. Sigurisht nuk ishte mbinjeri, sepse një krijesë e tillë nuk ekziston, veç në një korent filozofik që i ka sjellë njerëzimit mbrapështi. Fan Noli ishte njeri, por njeri tepër i madh.
Këtyre u thonë gjeni. Nuk gjendet nëpër fjalorë emërtim tjetër.
Këtë 6 janar 2008, një viti që duket i mbarë për të paktën dy ngjarje të pritshme kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe anëtarëzimin e Shqipërisë në NATO, Fan Nolin mund ta kujtojmë me ngazëllimin se ishte një ndër atdhetarët më të mëdhenj, një nga projektuesit e realizuesit e shtetit proevropian shqiptar. Janë punë të politikanizmave ato që e vizatojnë atë si një kryeministër që, i sulmuar dhe i rrethuar nga armata e rivalit të tij Ahmet Zogu, në selinë e qeverisë i binte flautit. Ai ishte intelektual i mirëfilltë. Kush e ka përsëritur në historinë e qeverisjes së shqiptarëve një përmasë të tillë? Sigurisht edhe Ibrahim Rugova, qeverisësi intelektual më i madh i bashkëkombasve tanë në Kosovë, dukej ca i mjegullt apo jo dorë e fortë organizative, veç ishte vizionar mjaft i spikatur. Noli ka qënë një vizionar i tillë. Shqipëria e tij nuk do të ishte kurrë diktatoriale. Aksidentet e tij me tentativën për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik si edhe një vizitë që bëri më pas, pse jo edhe disa fonde që mori nga Moska bolshevike, nuk ia zbehin këtë largvështrim. Ishte kohë kur shumica e elitës së shkrimtarëve të Perëndimit shkonin tek pasuesit e të quajturit Revolucion i Tetorit me iluzionin se me në fund njerëzimi dhe politika kishin gjetur mundësinë e krijimit të një shoqërie të lirë. Fan Noli ia ktheu shpinën shpejt aleancës së shkurtër me Moskën bolshevike dhe gjithë jetën e tij e kaloi në vendin që e luftonte komunizmin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fan Noli për Shqipërinë bëri çdo punë që ajo të jetonte e bëhej më e mirë. Këtë 6 janar kujtojmë se u bë prift për ta mbrojtur lirinë e saj nga Kisha Ortodokse Greke, atëhere armikja më e madhe e pavarësimit dhe e përparimit të shqiptarëve. I lindur në një vend musliman, siç ishte Turqia, ai ishte vetë një ortodoks i madh dhe i pavarur shqiptar.
Kur ndodhi që Italia fashiste pushtoi Shqipërinë Noli, ky rival i paepur i Zogut, shpalli se ishte pikërisht koha kur duhej pranuar e mbështetur udhëheqja e këtij të fundit për të çliruar Shqipërinë.
Ngjarjet rrodhën ndryshe dhe gjer sa ndërroi jetë në vitin 1965 kush mund të thotë se ai u tregua aq dritëshkurtër sa të hynte në shërbim të regjimit të Tiranës?
Në të vërtetë këtë 6 janar 2008 Fan Nolin nuk ka nevojë ta kujtojë ky shkrim, madje ai në thelb nuk u bë për të sjellë në vëmendje të shqiptarëve veprën e tij historike. U shkrua thjesht për të lënë (po të mundej) një gjurmë modeste në morinë e punëve të shumta ditore të politikanëve tanë të këtij fillimshekulli. Ata mund të japin më shumë për të. Jo të bëjnë më shumë për të. Të japin më shumë do të thotë ndonjëherë edhe të kenë ambicien për t’iu afruar përmasave të tij.
Nuk është punë aq e pamundur.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com