Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sejfulla Malëshova, sa i pafat!

Botuar në “Tirana Observer”, 20 nentor 2007

Ishte mezi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar, fare pak çaste kur pas “pranverës së vogël” të liberalizimit të jetës shqiptare, viti 1973, Enver Hoxha rimori fort pozicionin e ruajtjes së linjës staliniste të regjimit dhe masat e shtrengimit përfshinë njëra pas tjetrës, duke nisur nga kultura e deri tek ushtria dhe ekonomia, të gjithë vendin. Pikërisht në një moment të tillë, ndërsa kisha takuar një ish-komandant partizan të krahinës së Kuçovës, ky më tregoi një episod që më tronditi. Sipas tij gjatë kohës së luftës kundër pushtimit fashist italian pati ardhur ilegalisht për një takim me njësitin partizan lokal, i dërguari i PKSH-së, Sejfulla Malëshova. Të pranishmëve të këtij çasti u paska bërë përshtypje një episod. Sejfulla Malëshova qenka shfaqur para tyre me një makinë të vogël shkrimi, të futur në një valixhe të vogël portative. Kjo partizanëve, gjithnjë sipas rrëfyesit, u kishte lënë përshtypjen e pakendshme të një udhëheqësi komod e të shkëputur nga realiteti. Por sipas ish-komandantit kjo pjesë që panë, ishte më e papërfillshmja e asaj që iu ngulit në tru dhe i la pa mend më pas. Një çast Sejfulla Malëshova kishte hapur kapakun e kutisë portative të makinës së daktilografimit dhe menjëhere nga brendësia e saj patën rënë përtokë një tufë me....prezervativë.
Asnjë nga interpretimet apo “faktet” që na kishin futur në tekstet e librit të historisë në shkolla, prej ku Malëshova delte një renegat i rendomtë e i pavlerë politikisht, nuk ka qënë më shumë ndikues e deformues në mendësinë time se sa kjo ngjarje e treguar “midis miqsh”. Sigurisht i besova veteranit të njohur, episodi ishte shumë shokues. Do të duheshin zhvillimet e pas vitit 1990 që me qarkullimin e lirë të informacionit të bindesha shumë shpejt se ajo ngjarje ishte një montazh nga më profesionistët dhe më diabolikët për të denigruar një nga komunistët më liberalë që ka patur Shqipëria e viteve tridhtetë e dyzetë.
I munduar nga pendesa e doktrinimit tim, për shtatëmbëdhjetë vite me rradhë, me sa kam mundur e përsa publikisht është thënë, e kam ndjekur nga shumë afër personalitetin e këtij liberalkomunisti apo eurokomunisti (si] dy-tre dekada më parë ishte një term aktiv që përcaktonte në Perëndim ata komunistë, të cilët pranonin shoqërinë e hapur, pluralizmin partiak dhe garën e marrjes së pushtetit dhe të të drejtës për të qeverisur nëpërmjet rrugëve paqësore e jo të dhunës).
Tek dëshira për t’u shprehur nëpërmjet një shkrimi u ktheva, sepse aktualisht po zhvillohen ngjarje që të bëjnë të besosh se janë akoma të fuqishme e në veprim të plotë po ato mendësi që e denigruan gjatë diktaturës Sejfulla Malëshovën dhe përgjithësisht liberalizmin, qoftë ky majtas po ashtu edhe djathtas. Ne rivërtetojmë përditë që jemi vendi i triumfit të të ashpërve. Veç të qendrojmë te Profesori, siç në kohën e veprimit të tij aktiv politik e kulturor thirrej Malëshova.
Ka shtatëmbëdhjetë vite pa pushim që Shqipëria kërkon të gjejë rrugën më të volitshme për një jetë më të mirë, punë ku të gjithë po bëhemi dëshmitarë se ka e ndeshet mjaft mundim. Me Lëvizjen e Dhjetorit u gjet vetëm traseja kryesore, aty ku lëvizja e një shoqërie dhe e një kombi u zgjodh si drejtimi më i arsyeshëm i përparimit. Tani është një Shqipëri që lëviz sadopak, por, duhet ta theksojmë, bën përpara me në prapashpinë jo vetëm një trashëgimi zhvillimi ende të ulët, por mbi të gjitha hijen e rendë të diktaturës. Kjo e ndjek nga pas, duke dihatur ta arrijë dhe t’i gjendet tek kembët, për t’ia kapur e mbajtur.
Sigurisht në vendin tonë mundësia e një rikthimi të diktaturës është shteg i mbyllur. Jo ata që e provuan, por edhe gjenerata e re shqiptare nuk ka ngasje jo vetëm për shoqërinë e mbyllur, por edhe për stilet autoritariste të drejtimit. Mirëpo ky opinion qetësues ka krijuar një iluzion të përgjithshëm. Stalinizmi shumëve u duket si një kujtim i largët.
Mjafton në pak radhë të tregosh fatin e trishtë të pas vitit 1990 të Sejfulla Malëshovës për të kuptuar e ndjerë si gong alarmi që pikërisht stalinizmi nuk ka ndërmend të largohet aq lehtë nga viset tona. Kembët e tij të plumbta vërtiten përreth shqiptarëve dhe nuk kanë ndroje, ndonjëherë as edhe kujdes që të maskohen.
Sepse ndërsa një rikthim i regjimit stalinist bindshëm është punë e mbyllur, nuk është e tillë ai i dëmit që ai ka kryer. Ka një stalinizëm të parë të Shqipërisë, ai nga fundviti 1944 deri në dhjetor 1990 dhe një formë të dytë të tij që prej vitit 1991 vjen deri në ditët tona. Në fazën e parë e sunduese të tij ai shfarrosi energjitë kombëtare dhe u përpoq të fshinte nga kujtesa e shqiptarëve një elitë të tërë vlerash. Dëmi dhe deformimi i shoqërisë në atë gjysmëshekull ka qënë kolosal. Nuk u ngrit një mal, por u hap një gropë e madhe. Në të u vërvitën edhe njerëz si Sejfulla Malëshova. Këtë emër e veçojmë jo sepse është më i rëndësishmi nga elita kombëtare e diskriminuar prej regjimit të atëhershëm ideologjik apo sepse e pësoi më shumë. Nuk është as njëra dhe as tjetra. Malëshovën e rikthejmë në kujtesë sepse përfaqëson një Gorbaçov të kohës, një komunist të ditur që mund të ndikonte në një fat disi më të mirë të Shqipërisë së pasluftës. Nuk është vendi në këtë shkrim të analizojmë se luftën dhe pasluftën e kishin në dorë ta fitonin në mënyrë të sigurtë të djathtët me nacionalistët e tyre apo bashkë me mbretërorët. Eshtë po aq e ndërlikuar të ndezim debatin po ashtu nëse ishte e mundur apo jo pas vitit 1944 që Shqipërinë ta vinin nën kontroll jo jugosllavët apo rusët, por angloamerikanët. Ishin shumë rrethana të jashtme e të brendshme që i shtynë ngjarjet në fitoren e qeverisjes prej komunistëve.
Pikërisht në këtë moment kyç, pra kur ngadhënjimtarë dolën komunistët, kishte mjaft rendësi cili lloj e kush krah e korent prej tyre do ta shtinte në dorë pushtetin. Në plenumin e Beratit, ndërsa ngrihej qeveria e parë e çlirimit, u krye mes të tjerash edhe përballja e parë frontale e stalinistëve dhe e liberalkomunistëve. Në atë plenum mund të ketë patur edhe shumë intriga, patjetër edhe ndërhyrje keqdashëse të emisarëve jugosllavë, por ndeshja mes Enver Hoxhës dhe Sejfulla Malëshovës u bë titanike si në një legjendë. Publicisti dhe shkrimtari, universitari me diplomë, miku dhe bashkëpunëtori i Fan Nolit që nga viti përvëlues politik 1924, veprimtari patriot në Komitetin e Çlirimit Nacional (KONARE) të krijuar në Vienë më 1925 nga emigrantët e majtë, pedagogu i filozofisë në Bashkimin Sovjetik, e kritikoi ashpër Enver Hoxhën si njeri që përdorte sektarizmin. Për Sejfulla Malëshovën vrasjet jo të bashkëpunëtorëve të pushtuesit fashist, por të kundërshtarëve politikë, shpesh nga njësitet guerrile apo atentatorë të veçantë, pa u bërë kurrë gjyqin, por thjesht “me urdhër të Partisë”, ishin akte mirëfilli terroriste. Ai paralajmëroi se kjo ishte një udhë pa krye, e cila një përfundim e kishte të sigurtë: PKSH do të rënohej në një grup me përparësi përdorimin e krimit fizik. Shumë dëshmi kanë dalë tashmë, ku vërtetojnë se gjatë atyre ditëve Malëshova përsëriste nëpër biseda të veçanta dhe kokë më kokë këtë alarm e parashikim të tij tronditës.
Pasi kapërxeu Plenumin e Beratit Enver Hoxha nuk ja fali më rivalit të tij liberal. E shkarkoi nga Ministër i Kulturës, nga drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe e internoi në Ballsh e Fier. Pasvitet 1947-48 ishin edhe një spastrim i thellë i partisë dhe i administratës nga liberalkomunistët. Kudo u vendosën stalinistë të hekurt. Përleshja tjetër e rradhës mes të dy krahëve u bë në Konferencën e Tiranës më 1956, pastaj u përsërit ritmikisht nga një dekadë në tjetrën. Në një gjysëm shekulli të tërë opinionit iu bë shplarje truri, duke iu ndryrë idenë se ata që ishin hequr qafe nuk paskeshin qënë veç ca tradhëtarë, karrieristë e borgjezo-revizionistë, prokapitalistë e kështu me rradhë, vetë e keqja e Shqipërisë. Enver Hoxha në kujtimet e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” shkruan dhe konfirmon se Sejfulla Malëshova kërkonte aleancë me Perëndimin.
Tani ne kemi shtatëmbëdhjetë vite që jemi pjesë e Perëndimit. Njeriu që kishte përkthyer në shqip “Internacionalen”, përkthyer prozën poetike të Maksim Gorkit “Zgalemi” apo edhe Pushkinin, Heinrik Hainen, Gëten, Nekrasovin, Bokaçion, Çehovin, gjendet i harruar. Ose i kujtuar thjesht nga gazetat, siç mirësisht bëri ditët e fundit një e përditshme. Në vitin 1998 ishte një shtëpi private botuese (Argeta LMG), që i publikoi në tre vëllime veprën e tij në poezi, përkthime, publiçistikë, mendim kritik dhe epistolar. Kurrkush tjetër nuk është ndjerë, parti e veçantë apo administratë shteti.
Madje edhe tani, kur mundet që emrat stalinistë të historisë sonë të mënjanohen nga riciklimi i tërthortë nëpërmjet institucioneve demokratike joqeveritare apo partiake, ndodh lehtësisht e kundërta. Sejfulla Malëshova ishte një komunist, gjithsesi, dhe projekti i tij utopist dështoi. Doemos nuk mund të udhëhiqet më Shqipëria nga ide të tilla, qoftë edhe në formën e tyre liberale.
Veç Sejfulla Malëshova, ky njeri i ditur dhe i hapur ndaj Perëndimit dhe ekonomisë së tregut që në vitet dyzetë të njëqindvjeçarit të shkuar, po të merrte pushtetin e të mbështetej nga rrethanat historike, do ta kishte mbyllur shumë shpejt periudhën utopike realkomuniste dhe me siguri që në vitet pesëdhjetë në vendin tonë do të gëzonim qeveri pluraliste me sistem shoqëror plotësisht të hapur. A mund ta marrim dot me mend, me fantazinë tonë, çfarë mrekullie do të ishte?
Ne do të kishim një zhvillim tjetër, një histori tjetër, një fat tjetër.
Mirëpo Sejfulla Malëshova ishte atëhere i pafat, është edhe tani i tillë. Ai parathotë se në atdheun tonë, që nuk është aq i keq sa na e bëjnë, hapësira historike për liberalët është shumë e ngushtë. Shpesh nuk ka vend fare.







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com