Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pse një dërgatë e Ministrisë së Jashtme shkoi në Berat, Qyprillinjtë

Botuar ne Shqip, 30 tetor 2007

Një dërgatë e Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë me në krye drejtorin e saj Flamur Gashi jo më larg se një muaj më parë shkoi në qytetin e Beratit. Kjo vizitë pune kryhej pas një bashkëpunimi disamujor me një shoqatë lokale, e cila në këtë qytet mban emrin e Mehmet Qyprilliut dhe drejtohet nga një mjek i nderuar dhe disa bashkëpunëtorë të tij të aftë ta çojnë gjer në fund misionin e tyre. Siç tashmë jo pak e dinë Mehmet Pashë Qyprilliu ka qënë një kryeministër shqiptar në krye të administratës së Perandorisë Osmane si edhe përfaqësuesi më në zë i një familjeje shumë të fuqishme shqiptare të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Saga e tyre është nga më të rrallat në historinë e ish-supershtetit turk të kohës dhe përfshin mbi një shekull (1600-1710), prej ku nëpërmjet disa kryeministrave dhe veçanërisht ministrave Qyprillinjtë e drejtuan Portën e Lartë për plot 27 vjet, 2 muaj e 15 ditë.
Dërgata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë shkonte në Berat sepse kjo familje historike shqiptare origjinën e vet e ka nga fshati (qytezë) Roshnik, një vendbanim me shumë emër pak kilometra larg, në jug të kështjellës, saktësisht ku dikur ka kaluar një korridor pothuaj trasnacional i dy perandorive, romake dhe osmane.
Dërgata e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, ndërsa të zakonshme do të kishte marrjen e avionit për të shkuar në Stamboll apo Ankara, e kreu gjestin e saj jo sipas “traditës”, pra jasht[ vendit, por brenda tij, duke ritakuar në Berat drejtuesit e shoqatës “Mehmet Qyprilliu”, përfaqësuesit më të lartë të Prefekturës dhe të Bashkisë. M[ pas e vijuan rrugën për në Roshnik, ku edhe atje kryen të njëjtin veprim. Rezultati: tek bashkëpunëtorët e prefektit Roland Bejko, tek kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, tek përfaqësuesit e pushtetit vendor në Roshnik gjetën jo vetëm mirëkuptim, por edhe një terren të bërë gati me kujdes. Ishin të gjithë të një mendjeje: Dinastia e Qyprillinjve duhej rilevuar edhe më shumë në historinë e qytetit. Këshilli bashkiak tashmë i kishte vënë emrin Mehmet Qyprilliu një rruge të Beratit, e cila të çonte në drejtim të vendlindjes së qeveritarëve të perandorisë. Ishte bërë gati, në bashkëpunim me studjuesin Shaban Sinani, projektplatforma e një sesioni shkencor me rastin e 430 vjetorit të vdekjes së Mehmet Qyprilliut (mars 2008)….Por të ardhurit nga Instituti Kombëtar i Diasporës nuk e fshehën idenë e tyre se ish-kryeministrit shqiptar të supershtetit turk spikatja mund t’i shkonte edhe më tej: përshembëll edhe me një bust.
Por kjo, vetëm emër rruge e një sesion studimor, një koncert apo edhe një botim zyrtar, bazoreliev apo bust, është një e drejtë e beratasve dhe e elitës së tyre, të cilët dinë të këshillohen edhe me njerëz e institucione në krye të vendit. Marrë shkas nga kjo ngjarje rëndësi për të komunikuar me lexuesin ka tema: Eshtë edhe kjo, shpluhurimi i bëmës së dinastisë së Qyprillinjve dhe përgjithësisht i drejtuesve të lartë shqiptarë të Perandorisë Osmane, një nga mënyrat për të plotësuar historinë kombëtare dhe shkruar realisht atë. Në zbrazëtimin e të kaluarës sonë, në varfërimin e saj për njëmijë arsye, në lënien e shqiptarëve me në trashëgimi shumë pak histori, kur gjenden fqinjërisht me ne popuj miq që kanë shndërruar në lavdi humbjet dhe çdo majë mali e bryl rruge, a ndihmojnë të vetpasurohemi shpirtërisht spikatja e kryeministrave tanë në krye të Portës së Lartë apo e governatorëve e komandantëve ushtarakë të saj?
Gjer dje, gjatë Luftës së Ftohtë, por edhe më pas, ne kemi patur një opinion të caktuar për Perandorinë Osmane. Pushtimi prej saj është gjykuar si një dramë e madhe kombëtare, si një fatkeqësi, si një gjëmë që duhet mallkuar. Një mendim i tillë nuk ka qënë produkt i ndonjë manipulimi të posaçëm nga diktatura komuniste. Ky opinion negativ është transmentuar nga brezi në brez prej vetë shqiptarëve. Duke qënë një popull mirëfilli evropian pllakosja e pushtimit nga një qytetërim e mënyrë krejt tjetër jetese nuk u kapërdi dot dhe asnjëherë nuk përfundoi në muaj mjalti. Periudhat kur bashkëkombasit tanë bënin emër në administratën e lartë osmane ishin më së shumti frute të karierës profesionale. Pas përgjakjes së rezistencës së paepur me në krye Gjergj Kastriotin, Porta e Lartë i bëri aleatë shqiptarët. Aleanca me ta, numri relativisht i madh i funksionarëve bashkëkombas në piramidën shtetërore të Perandorisë Osmane, nuk ka qënë pasojë e servilizmit, përulljes e ca më pak të hyrjes në shërbim të verbër të të huajit. Aleanca që ata kryen me Portën e Lartë ishte një lloj vijimi, në një formë tjetër, i “kokës më vete”, në mos edhe i dinjitetit të mëparshëm. Ishte një mënyrë për të ruajtur lirinë, një liri që tek ne, shqiptarët, është një përzjerje e ngatërruar edhe me anarkizmin, plus të bërit me domosdo emër. Aleanca dhe kompromisi me supershtetin turk po ashtu ishte një nga mënyrat për t’u mbrojtur edhe nga shovinizmi fqinj. Kryeministrat, ministrat apo governatorët tanë në Perandorinë Osmane nuk mund të quhen kolaboracionistë. Kolaboracionist mirëfilli, përshembëll, ishte Ballaban Pasha, gjenerali që e luftoi me të gjitha mjetet Skënderbeun dhe qendresën e tij. Ai, edhe siç e meritonte, përfundoi: në muret e Krujës e vrau ushtari i thjeshtë shqiptar Gjergj Aleksi.
Kur disa nga bashkëkombasit tanë bënë karierë marrja pjesë në qeverisjen e perandorisë më të madhe të botës ishte një mënyrë e tërthortë për t’i shërbyer edhe vendit të tyre. Në periudhat e administrimit të Perandorisë Osmane nga hierarkë të lartë shqiptarë nuk mbahet mend që ata të kenë sulmuar, dhunuar apo përgjakur Shqipërinë. Në Stamboll një kryeministër me origjinë nga anët tona do të thoshte se vendi ynë, duke mos qënë patjetër më i përkëdheluri, ishte më i sigurtë dhe më i mbrojtur. Qyprillinjtë, duke filluar nga Mehmet Pasha (1578-1661), ndërtuan në Roshnik një shkollë dhe një xhami. Kjo e fundit u porosit të bëhej me 99 dritare dhe me 4 minare, por për arsye jo shpërfilljeje u realizua me vetëm 9 dritare dhe një minare. Qyprillinjtë ndihmuan në riparimin e mureve të kalasë në Berat si edhe të objekteve të kultit të ndodhura në të. Këto atë kohë nuk ishin përkujdesje të vogla. Sot ne do të kishim dëshirë që ata të bënin më shumë, por edhe për kaq sa kryen nuk janë të kritikueshëm. Sepse kishin këtë përkushtim e ndjenjë përkatësie për vendin, qytetin e vendlindjen e tyre, ndodhi edhe një gjë shumë e veçantë. Kur për pothuaj tre shekuj dinastia e tyre kishte humbur fuqinë dhe aftësinë për të luajtur rol ndikues, madje ishte zhytur thellë e pothuaj humbur në arkivat e Portës së Lartë, një pasardhës i tyre papritmas shkëlqeu. Ishte Dr. Prof. Mehmet Fuat Qypërliu. Më 1950 ai u b[ Zv.Kryeministër, Ministër Shteti dhe Ministër i Jashtëm. Në debatin për pranimin e Shqipërisë si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 1955, ai deklaroi “Shqipëria duhej ta kishte përfaqësinë e saj në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së që në vitin 1945, në ditën e themelimit. Tani është nderi ynë t’i ofrojmë asaj vendin e mohuar”.

oooo


Kurrsesi në kujtesën kombëtare dhe në të gjithë pasurinë tonë historike nuk mund të zënë të njëjtin vend raportet me Perandorinë Romake si me atë Osmane. Një barazvlerësim i tyre në kontributin dhënë qytetërimit shqiptar, edhe pse të dy janë pushtime, do të ishte njëlloj si të mos shihje përtej hundës. I pari dha hop, i dyti frenoi. I pari bashkoi, i dyti ndau. Një perandor ilir parashqiptar në Romë nuk mund të jetë njëlloj si një kryevezir në Stamboll. Nuk mund të ketë sens krahasimi një Papë me origjinë shqiptare, si në vitin 1700 në Vatikan ishte Papa Klementi Xl ose Albani, me të gjithë dinastinë e fuqishme në Stamboll të Qyprillinjve. Mirëpo ne nuk kemi lënë mënjanë vetëm këta të fundit, por edhe të parin, kryekatolikun e përndritur, në sajë të mbështetjes të të cilit u përhap jo vetëm letërsia fetare proevropiane në Shqipëri, por edhe etnia jonë u ndje më e nderuar në kontinentin amë. Mirëpo a keni dëgjuar që një rrugë apo një shesh të ketë emrin e tij? Kemi parë një bust të Papa Klementit të ngrihet diku?
Në rast se një rrugë në qytetin e Beratit ka marrë emrin e një shumë të spikaturi nga dinastia e Qyprillinjve e ndoshta nesër në qytetin e madh turistik do të shkohet më tej edhe me një dallim më të dukshëm, kjo do të thotë se i kemi hyrë shumë në hak jo vetëm Papa Albanit, por edhe shumë perandorëve romakë me origjinë ilire. Në ndodhtë që të ngrihet edhe më shumë shkalla e përkujtimit të 430 vjetorit të Mehmet Pashë Qyprilliut nuk ka më kohë e vend për atë rutinë tonën për t’i lënë gjer këtu Rilindasit. As, përshembëll, tre Vëllezërit Frashëri. Ajo është familja më e shkëlqyer që gjer tani ka nxjerrë kombi. Sepse saktësisht në Berat poeti i frymëzuar nga dashuria e malli për atdheun e tij, Naimi, ka punuar ca kohë në administratën lokale. Por për këtë prani të ndritur nuk ka asgjë shenjë të dukshme në qytet. Dhe po u respektua edhe më qartas familja që miradministroi, dhe kështu në fakt forcoi Perandorinë Osmane, Qyprillinjtë, nuk duhet të pranojmë më boshllëkun që në historinë e këtij qyteti ka lënë moskuptimi i betejës së Gjergj Kastriotit, i cili më 1455 për ta çliruar kështjellën nga garnizoni osman dhe vijuar më pas në jug dëbimin e pushtimit të huaj, ra në një pabesi. Akoma Berati për këtë “disfatë” ka ndjenjë ndroje, hutimi apo turpi, duke harruar se në grackën e shkujdesjes dhe të tradhëtisë lumi Osum u skuq nga gjaku i mijra ushtarëve të lirisë të goditur në shpinë. Aty u zhvillua një betejë ndërkombëtare, 552 vite të shkuara dhanë jetën afro dymijë ushtarë evropianë, shumica katalanë nga Spanja dhe italianë nga Mbretëria e Napolit. Ende në Berat e gjithë kjo histori e dhimbshme përkujtohet me një përkrenare të lënë mbi kulmin e një piedestali të vogël, diku larg syve të njerëzve, ndërsa duhej me kohë të lartohej një memorial i madh. Ajo betejë u bë për llogari të Evropës dhe ata, ndërsa vijnë e më shumë nesër do vijnë të vizitojnë superqytetin turistik, këtë gjë duhet ta dijnë.

oooo

Eshtë shumë komplekse historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me turqit e vjetër, osmanët, dhe ata modernë. Tashmë kush nuk e di që me Republikën Turke ne kemi një vend të madh mik. Cili apo ashtu nuk e di që Perandoria Osmane, fuqia e madhe e dikurshme antievropiane, edhe për vetë këtë republikë moderne është pjesë e të shkuarës. Ishin vetë turqit e shekullit të njëzetë që i dhanë fund asaj dhe mbi të, me inteligjencën e vullnetin e hekurt të Qemal Ataturkut, ngritën në këmbë vendin që prej dekadash është në NATO dhe tashmë përparon të hyjë në BE.
Kjo do të thotë se pesëqind e ca vite të shkuara me të drejtën, largpamjen dhe përparimtaren ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe jo “pushtuesi i botës”, Sulltan Mehmeti II. Kjo po ashtu do të thotë se ditën e gëzuar kur Turqia e re do të hyjë në BE dhe në Bruksel do të ngrihet flamuri e do të kendohet himni i saj, ne shqiptarët kemi edhe një arsye më shumë për t’u ndjerë entuziastë. Himnin kombëtar turk e ka shkruar një shqiptar: Mehmet Akif Ersoj, me origjinë nga Peja.
Dërgata nga Instituti Kombëtar i Diasporës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë shkoi në Berat, sepse e dinte që do të mirëkuptohej. Ai është një qytet kozmopolit, shumë i hapur ndaj kulturave të tjera. Berati është plot ekuilibër dhe mjaft i orientuar nga Evropa. Kohë më parë ai habiti jo pak bashkëkombas kur njerit prej shesheve në qendër të tij i vuri emrin e “babait” të Bashkimit Evropian, Robert Shumanit. Jo vetëm rruga, por edhe një bust i kryevezirit të famshëm dhe themeluesit të dinastisë së Qyprillinjve, po u gjykua se duhet të ketë një vend në atë kryeqendër të turizmit kombëtar, do të rrinë nën “hijen” e Evropës.
Kështu, siç duket, do të vijë më shpejt edhe dita, kur popullit e qeverisë mike turke mund t’i themi se ka ardhur koha të bëjnë një gjest diplomatik e fisnik, të japin një shenjë të sigurtë se janë, siç edhe duan sinqerisht, pjesë e BE-së: të pranojnë të ngrihet në republikën e tyre, pse jo edhe në Stamboll, një bust i Gjergj Kastriotit.
Heroi ynë i madh asnjëherë nuk luftoi turqit si popull e komb, por frymën antievropiane të pushtetarëve të saj osmanë.
Ja edhe pse, duke mos harruar asnjë çast profesionin e tyre, dërgata e Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë me në krye drejtorin e saj, shkoi në Berat.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com