Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pëllumbat që vijnë nga ambasadat

Botuar ne gazeten “Shqip“, 23 tetor 2007

Pamja ishte befasuese. Në njërin anëtrotuar të udhëkryqit e sheshit më emërkeq të Tiranës për ndotjen e ajrit, “21 Dhjetori”, para dyqanit “Fotokolor Mita 1939”, ishin ulur tufë e çukitnin grurë mbi pesëdhjetë pëllumba. Në të gjithë kryeqytetin tonë, të lavdëruar e stërlavdëruar prej nesh, shpallur me dëshirë e mburecllëk provincial si metropoli i madh i shqiptarëve, nuk gjen një kend për pëllumba. Jo vetëm të gjitha kryeqytetet e botës, por çdo qytezë ka një vend shplodhës për ta. Veçanërisht në Perëndim. Në Tiranë nuk gjendet. Mund të ketë banorë të veçantë që nuk e kanë larguar mallin për këta shpendë të magjishëm, siç ka në kryeqytet një rregullues biçikletash në udhëkryqin pranë shkollës “Vasil Shanto”, i cili ushqen disa herë në ditë pëllumbat endacakë të lagjeve përreth.
Në anëtrotuarin e udhëkryq-sheshit me të ndotur të Tiranës (thonë deri edhe njëzetë herë më tepër se normat e lejuara) shpirti i ndjeshëm është i një gruaje. Quhet Nurika Hoxha. Eshtë në atë studio fotografike e punësuar dhe pas dyerve të xhamta ndjek me një buzëqeshje njeriu të mirë tek pëllumbat, nga ngutja edhe duke hipur mbi njeri-tjetrin, çukisin kokrat e grurit. Me sa duket gjestin e bukur ajo e bën me pëlqimin e dëshirën e pronarit të asaj studioje, mbase ndonjë mjeshtër i vjetër fotograf përderisa në tabelën jashtë vendoset viti 1939.
I kuriozuar, ndërsa hyn në dyqan dhe e pyet gruan, e cila me përdellim ndjek tufën e zogjve dhe sërish del t’i ushqejë (kutia me grurë është nga ato që tregëtohen posaçërisht), pyetjes nga vijnë aq shumë pëllumba, Nurika i përgjigjet se di që ata vijnë nga ambasadat. “Nga ambasadat?”, e pyet i habitur. Ajo vë sërish buzën në gaz dhe dëshiron të saktësojë: “Po, kështu thonë”. Në të vërtetë m[ pak se nj[ kilomet[r m[ larg, duke shkuar në afërsi të qendrës së kryeqytetit, ndodhet ajo, e cila thirret “Lagjia e Ambasadave”. Janë pallatet e vilat e punonjësve të përfaqësive të huaja. Ajo tufë e madhe pëllumbash, pra, vjen prej andej. Nuk e dinë të gjithë që mbi Tiranë rrahin krahët edhe pëllumba, të cilët i mbajnë dhe i rrisin diplomatë të huaj. Përtej kësaj të veçante më shumë se simbolike ngasja për temën e këtij shkrimi autorit i ka qënë dëshirë e vjetër. Gjatë gjithë gjysmëshekullit të ashpër stalinist pëllumbi në jetën publike shqiptare u përdor vetëm njëherë dhe rasti u gjet, siç mund të ndodhte në një shoqëri nën trysni ideologjizimi, për motive politike. Shtysa erdhi nga Lindja, Moska. E përhapi Nikita Hrushovi me kursin e tij të ri të bashkëjetesës paqësore mes dy sistemeve të kundërta, siç atëhere ishin të quajturit kapitalizëm dhe socializëm. Ata që e kanë jetuar këtë kohë hrushovizimi të përkohshëm të Shqipërisë e mbajnë mend që nëpër sheshet kryesore të disa qyteteve u ngritën skulptura me pamjen e një shtati të një gruaje, e cila e mbante njërën dorë të nderur përpara e në pëllëmbë e saj një pëllumb i bardhë sapo hapte krahët të merrte fluturimin drejt qiellit.
Më pas këtij çasti të shkurtër politik me pëllumba të ardhur nga Lindja, kurrë nuk pati një moment të dytë që simboli i paqes të miqësohej me sheshet tona. Një përpjekje e dytë për t’i dhënë një kujtesë publike zogut të bukur kreu Azem Hajdari. Në mes të furisë antikomuniste të pas vitit 1992, kur vënia në vend e të drejtës historike ishte e domosdoshme, por mllefi kërkonte vetpërmbajtje, ai në një nga sheshet e Tiranës lëshoi në ajër disa pëllumba. Zogjtë e paqes fluturuan drejt qiellit deri sa humbën nga sytë dhe me kaq u mbyll vëmendja publike e re për ta. Atë kohë në qytetin e Beratit një mësues i vjetër dhe veprimtar i spikatur i lëvizjes demokratike vendosi disa kafaze me pëllumba mbi terracën e bashkisë. Ata rrahën krahët, u vërtitën dhe ulën në sheshin përballë e sërish u ringritën për muaj të tërë, derisa u pakësuan. I rrëmbenin fshehurazi disa djem të vegjël. Pikërisht për disa djem të vegjël që i rrëmbejnë pallumbat e ambasadave, rrëfen edhe Nurika Hoxha tek fotostudioja në anëtrotuarin e udhëkryq-sheshit “21 Dhjetori”. Ajo tregon se fare afër është edhe shkolla “Sabaudin Grabani”, drejtoresha e të cilës jo vetëm kujdeset që nxënësit e saj t’i rrethojnë me dashuri pëllumbat kur ulen në oborrin e madh e të gjelbër të shkollës, por i sjell Nurikës herë pas here ushqim tua hedhë miqve që vijnë aty nga “Lagjia e Ambasadave”.
Mjafton të rrish një dhjetë minutësh brenda fotostudios Mita 1939 që të shohësh e të bindesh se shqiptarët jo vetëm i duan shumë këta zogj të hijshëm, por pothuaj të gjithë sa kalonin në atë udhëkryq (është më i rrahuri nga kalimtarët pas sheshit “Skënderbej), tek shihnin trumbën e gëzuar të pëllumbave që çukitnin kokrat e grurit vinin buzën në gaz. Kishte nga ata që rrinin një çast, si edhe të tjerë, që ndërsa iknin, kthenin kokën nga pas edhe për një copë të rrugës.
Atëhere e kuptoje më mirë përse, tek shihte zogjtë e paqtë që hanin tërë qejf ushqimin të cilën sapo ua kishte hedhur, Nurika Hoxha rrinte, sikur të ishte në krahët e një ëndërre, me buzën në gaz. Buzëqeshja e përndritur e saj dhe e kalimtarëve provonte se kudo nëpër kryeqytetet apo qytetet e eurokontinentit a të botës pëllumbat rriten e mbahen edhe për një arsye fare të thjeshtë: janë shplodhës për njerëzit, janë antistres.
Po ku bie fjala për stres e antistres social tek ne? Këto konsiderohen çështje jashtë vemendjes së politikës dhe të veprimtarëve shoqërorë, përtej kujdesit të institucioneve publike dhe të rubrikave televizive, matanë interesave të revistave e shtojcave për Vip-a të vërtetë e të sajuar. Të flasësh për pëllumba që duhen vendosur pranë disa prej shesheve tona do të kuptohet nga disa si çështje lluksi e qejfi. Të kujtohet një kryetar bashkie për t’u kujdesur e mbajtur në qytetin e vet një shesh me pëllumba duket puna më e paimagjinueshme. Po të jetë për votat, sipas tyre, ato mblidhen me premtime të tjera siç tashmë është proverbiale ajo anekdotë elektorale, e cila thotë “Do t’ju ndërtojmë urën, por me që nuk keni një lumë, do t’ua sjellim edhe lumin”.
Në Kuçovë ka një njeri që i rrit dhe i ushqen pëllumbat në të gjithë qytetin. Duke filluar nga orët e para të mëngjezit, çast kur ai me makinën e tij zbret nga kodra mbi qytet për të mbërritur deri në sheshin në qendër, u hedh nga dritaret e veturës ushqim. Zogjtë e paqes e ndjekin nga pas një ngarendje marramëndëse, që të mbush me gëzim për jetën.
Mund më në fund kryetari i bashkisë së Tiranës, një piktor e artist i njohur, ta përurojë këtë vend të parë me pëllumba tek sheshi Nënë Tereza e kudo ku kjo mund të bëhet tani për tani, me po atë pasion mediatik që u përkushtohet rrugëve të reja? Një njeri, i cili e gjeti të spikatshme politikisht që në prag të fushatës së fundit për kryebashkiak të mbillte bashkë me një çift të porsakurorëzuar një pemë në lulishten “Tre Vëllezërit Frashëri”, nuk ka përse nuk e gjen me shumë humanizëm e pse jo përfitim politik një vepër të tillë. Do ta ndiqnin shembullin e tij edhe mjaft kolegë të tjerë.
Kush më shumë se pëllumbat bëjnë të bjerë mirësia e paqes dhe e bashkëpunimit mes njerëzve dhe administratorëve publikë me shenja të ndryshme politike?
Nurika Hoxha në anëtrotuarin buzë udhëkryqit të zhurrshmëm e të shumë akuzuar për superndotje të ajrit, gjithë kalimtarët që vënë aty një çast buzën në gaz, drejtoresha fisnike e shkollës “Sabaudin Gabrani” apo qytetari i magjishëm në Kuçovë dëshmojnë se vullnetarëve të tillë zëmërmëdhenj u ka ardhur koha të ndiejnë e gjejnë afër me kulturën e tyre edhe atë të bashkiakëve. Shqiptarët i duan shumë pëllumbat. Ka jo pak të huaj që, duke mosbesuar si shumë dekada më parë se jemi akoma me bisht, na kujtojnë të pazemër. Kurse ne jemi akoma pak të vrazhdë, por zemrën e kemi të butë e paqësore. Bashkiakët mund të na ndihmojnë që ardhësit nga përtej kufijve ta gjejnë sa më shpejt këtë dëshmi të thjeshtë.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com