Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Amerikë, pse të duam

Botuar ne revisten “Shqip”, shtator 2007


Kur fashistët italianë në 7 prill 1939 mbërritën në Shqipëri, tashmë nëpërmjet zbarkimit masiv të ushtrisë nga deti dhe ajri, gjetën çuditërisht një popull që ruante lidhje shpirtërore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Jashtme Italiane dhe të dërguarit e saj me mision për të përgatitur shqiptarët për bashkimin përfundimtar të tyre me mbretërinë e Viktor Emanuelit, e kishin pikasur me kohë këtë admirim të popullit fqi për kontinentin e madh të përtej oqeanit. Natyrisht edhe e kishin raportuar. Në atë pjesë të vëzhgimeve të tyre diplomatike, ku duhej të shpjegoheshin arsyet e kësaj dukurie, pra influencës së një shteti tjetër në një territor që historikisht e konsideronin pjesë të ndikimit të tyre, misionarët e italianizimit dhe fashistizimit të shqiptarëve nënvizonin se kjo miqësi e vendasve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte pasojë e drejtpërdrejtë e emigracionit të madh të tyre përtej Oqeanit Paqësor. Konsujt italianë informonin se që prej fillimit të shekullit nga Shqipëria drejt SHBA kishte një ikje të përhershme, një rrjedhje të pandalur njerëzore. Ata saktësonin se përgjithësisht dallohej një prirje ngulmuese e shqiptarëve për të emigruar në fillim nëpër Evropë, sidomos në Francë, por më pas vrapimi i tyre e rimerrte drejtimin nguturazi për në Amerikë.
Ndërkohë shifrave që zyrat e Romës fashiste zotëronin rreth përmasës së emigrimit ekonomik të shqiptarëve drejt Italisë, duke qënë të ulta, raportuesit e italianizimit dhe fashistizimit të Shqipërisë i shmangnin nga interesi i analizës, duke vënë në dukje me entuziazëm se kishte shumë studentë. Të rinjtë shqiptarë shkolloheshin në të gjitha nivelet e arsimimit në gadishullin Apenin. Ata e nisnin me shkollat e mesme dhe e përfundonin me universitetet. Për këta të fundit raportet diplomatike theksonin se, duke jetuar në Itali, studentët shqiptarë mund të doktrinoheshin më shpejt me mënyrën vendase të jetesës dhe veçanërisht me idetë fashiste. Këtu, sipas tyre, edukoheshin fare lehtësisht edhe me urrejtje ndaj të quajturave demokracive perëndimore, veçanërisht mëkoheshin me antiamerikanizëm. Siç dihet ideologjia fashiste musoliniane dhe ajo e të gjithë aleancës Romë-Berlin-Tokio kishte për themel më shumë se luftën ndaj komunizmit betejën e pamëshirë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ja përse raportet e ardhura nga Shqipëria, tashmë e pushtuar ushtarakisht, siguronin se adhurimi i çuditshëm i vendasve për Amerikën mbetej një cipë e heqshme, e parrezikshme për të qënë një plasdarmë influence e SHBA-së dhe për të zhvendosur atë mit do të mjaftonte zbarkimi nga Italia i disa vaporëve me ushqime. Populli i “vendit të shqiponjave” duhej të bindej se bollëkun e mirëqënies dhe modelin më të mirë social në botë do ta sillte fashizmi, aspak Amerika.
Për të mbështetur arsyetimin se fijet shpirtërore të shqiptarëve me ShBA kishin vetëm profil nevoje ekonomike dhe aspak politike, në Romë kishte shkuar fjala se në popullin e vogël përtej Adriatikut me humor emrin e njohur ndërkombëtarisht Amerikë e shpjegonin me tre fjalë të gjuhës së tyre: Ha, Merr dhe Ikë. Kjo donte të thoshte, sipas interpretuesve musolinianë, se shqiptarët Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin marrë shpërfilltazi, sipas një logjike përtace: vetëm do të hapnin gojën dhe të mirat do të hynin atje vetë. Gjithnjë sipas tyre në Shqipëri përveç influencës minimale që kishte modeli amerikan i jetës, pa asnjë ndikim rezultonin edhe idetë komuniste me modelin e tyre, sipas të cilit kush luftonte për idetë bolshevike do t’i gëzohej një shoqërie bollëku të madh, ku secili do të punonte aq sa kishte mundësi dhe do të merrte aq sa të kishte nevojë.
Në fillim të vitit dyzetë të shekullit të shkuar betejën mes tre projekteve të mirëqënies sociale, asaj fashiste, komuniste dhe amerikane, vëzhguesit musolinianë të shoqërisë shqiptare e parashikonin se me siguri do ta humbisnin Bashkimi Sovjetik dhe Amerika.
Historia dëshmoi se, edhe pse me çmimin e një lufte të tërë botërore, garën e humbën në të gjithë botën ata, fashistët. Shembja e këtij modeli, megjithatë, nuk mundi të zhvlerësojë atë bolshevik. Komunizmi që korri një fitore të habitshme në disa vende të eurolindjes, në shumicën e Azisë dhe tek-tuk në shpate të tjera të globit, filloi me zell të ngrejë në kembë modelin e vet. Armiku i tij tanimë ishte i vetëm: Amerika.

0000000000000

Ndërsa deri ditën që në Vlorë ngrihej flamuri kombëtar qendrat kryesore të lobeve patriotike, “truri” i kombit, ndodheshin në Bukuresht, Sofje apo Kajro, duke filluar prej viteve njëzetë këto qendra nuk hodhën shtat në Paris apo Londër, por në Boston apo Filadelfia e Cikago. Në Shqipëri pas humbjes së betejës me rivalin e tij Ahmet Zogun vetë kryeministri për gjashtë muaj i Shqipërisë, Fan Noli, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dijetari dhe poeti i shquar kishte bërë çuditërisht një kthesë të plotë: nga politikan që kishte anësuar me pasion për lidhjen e ngushtë të partneritetit me Bashkimin e Republikave Sovjetike, ishte shndërruar në përkrahës të zjarrtë të mbështetjes së patundshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ShBA edhe Ahmet Zogu dërgoi e mbajti në postin e ambasadorit eruditin tjetër të madh të kombit, Faik Konicën. Në vendin e madh të përtej oqeanit u formua dalngadalë një komunitet i fuqishëm shqiptar, ata që më pas në kohë e halle të ndryshme që e zunë njëri pas tjetrit “vendin e shqiponjave”, u quajtën “djemtë e Amerikës”. Ka tashmë një treçerek shekulli që një kengë popullore vazhdon të thotë “Shqipëri, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”.
Këta “djem” shfaqjen e fundit në krah të kombit të tyre e patën në mes të vitit 1999, në luftën e madhe të NATO-s dhe UCK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Ky ishte batalioni “Atllantiku”.

00000000000

Shqiptarët nuk i ngritën shumë kengë Ismail Qemalit, kjo thjesht se u mjaftuan duke i qendisur mirë ato vargje që për të thurrën. Por ndërsa flamurngritësit të shtetit të tyre të pavarur kengën ja mbushën me admirim, në mes të viteve 1913-15, emri tjetër që hyri në vargjet e tyre ishte presidenti amerikan Udrou Uillson (1913-1921). Ishin tretur me kohë ato pak vargje për Princ Vidin dhe nuk zunë rrënjë kurrë disa rreshta bejtesh për Esat Pashë Toptanin apo Haxhi Qamilin. Do të jetonte po aq gjatë sa edhe kënga e Ismail Qemalit edhe ajo që shprehte adhurimin për Uillsonin. Presidenti amerikan e kishte patur mandatin në periudhën më kritike të shtetit të ri shqiptar dhe për fatin e këtij të fundit, ai kishte luajtur rol kyç. Kjo donte të thoshte se Shqipëria kishte në vitet njëzetë të shekullit të shkuar dy flamurngritës e dy ruajtës flamuri. Në kujtesën mbarëpopullore, kur shqiptarët akoma nuk kishin administratë të mirëfilltë, pra edhe strukturë të plotë shteti normal, Udrou Uillson u fiksua në kujtesë si burri i tyre i shtetit.
Presidenti amerikan mbeti në zemrën e shqiptarëve i pacënuar, një monument, sepse kishte ndalur dorën e rendë të atyre fuqive të mëdha të eurokontinentit, të cilave u kishte hipur në kokë të ndanin trojet shqiptare e ta linin shtetin e ri sa një rrip i hollë toke rreth lumit Shkumbin. Pra ta linin Shqipërinë në gjendjen e shtetit më të dobët të Ballkanit.
Që të mos nëpërkembej ky popull liridashës, por atë kohë pa aleatë e mbrojtës të fuqishëm, siç ndërkohë zotëronin fqinjët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dërguan njoftimin zyrtar për njohjen e Shqipërisë menjëherë pas hyrjes së tij nga Lidhja e Kombeve, më 28 korrik 1922. Gjersa në dhjetor në Tiranë mbërriti ambasadori Xhon Smith me statusin e përfaqësuesit diplomatik të ShBA punoi një i ngarkuar.

000000000000

Pas një aleance të shkurtër antifashiste modeli stalinist i Enver Hoxhës menjëherë pas lufte zgjodhi si alternativën kryesore të tij antiamerikanizmin. Në disa vite rresht, 1947-1953, Tirana zyrtare dhe Uashingtoni u përleshën me njëri-tjetrin. Çuditërisht në këtë betejë më të egrit nuk u bënë më të fortët, pra amerikanët, por më të dobëtit, bolshevikët shqiptarë. Ndërsa administrata e Shtëpisë së Bardhë e tendosi më fort prirjen e saj antikomuniste (kishte nisur Lufta e Ftohtë), miqësinë për shqiptarët ajo e ruajti të paprekur. Në Uashington ishin antikomunistë, por ajo antishqiptarë. Në Tiranë u shndërruan tërësisht në antiamerikanë. Për llogari të dogmës së tyre, por mbi të gjitha edhe të interesave gjeostrategjike të Moskës dhe Stalinit, tek ne antiamerikanizmi u përgjak gjer në fyt me të vrarë e të burgosur. Kur hyri viti 1955 dhe ndikimi i veprës së Udrou Uillsonit u duk sikur më në fund ishte asgjësuar përfundimisht, në Tiranë vërsheu ndihma sovjetike dhe ajo e “kampit socialist”. Nisi të ndërtohej modeli komunist i shoqërisë së bollëkut, ai që pas trullosjes së plumbave dhe prangave, do të rrëmbente zemrat e shqiptarëve. Këtë kohë në treg nuk mungonte pothuaj asgjë, në gjysmën lindore të kontinentit lëvizej pa vizë dhe studentët në shkollat sovjetike, polake, hungareze, rumune apo çeke e bullgare ishin disa mijra. Lejoheshin edhe veturat personale. Shtuar në këtë atmosferë edhe fytyra e barku babaxhan i Nikita Hrushovit të lihej përshtypja se përfundimisht modeli amerikan i jetës, forma e organizimit shoqëror të saj, kishte humbur çdo lloj ndikimi te shqiptarët. E gjithëpushtetshme dhe triumfante dukej mënyra komuniste e jetës. Diktatori shqiptar ishte brenda vetes aq antiamerikan saqë e ndoqi modelin stalinian edhe mbi tridhjetë vite të tjera pas vdekjes së tiranit sovjetik. Në të gjithë lindjen ish-komuniste Shqipëria nën diktaturë mbeti shteti më antiamerikan. Kështu, i trallisur nga antiamerikanizmi, regjimi edhe u shemb nën vete.
Diktatura ra nën dëgjimin e fshehtë e pastaj të hapët, deri edhe në mes të plazheve, të radios “Zëri i Amerikës”. Nuk u shemb duke ndjerë lajmet e BBC-së, as të Dojce Velles e ca më pak të Radio Beogradit. Regjimi kishte kujtuar se e kishte mbyllur me shtatë çelsa kumtin liridashës të Udrou Uillsonit, por gjesti i tij kishte mbetur i paprishur. Ishte ende viti 1991 kur në Tiranë erdhi Xhejms Bejkeri dhe një turmë gjigande, e tollovitur nga pasionet proamerikane, e priti për ta ngritur e mbajtur në krahë. E asaj madhështie, natyrshmërie dhe spontaneiteti nuk është përsëritur më pas asnjë miting adhurimi për ShBA-në. Në të vërtetë ashtu dëshmohej se me atë shkulm gëzimi ishte pritur Udrou Uillsoni, vetë amerikani i madh që kishte hedhur themelet e miqësisë mes dy popujve.
Pastaj në Kosovë, siç dihet, shkoi për vizitë presidenti Bill Klinton e në zëmër të vitit 2007 Xhorxh Bush zbriti mirësisht në Tiranë.

Ooooooooooo


Kur publicisti i njohur i gazetës amerikano-shqiptare “Iliria”, Dalip Greca, i bëri Albana Lifshin-it, një intervistë, e cila u botua më 13 qershor 2003, si nëntitull zgjodhi fjalët “Albana Mëlyshi, shkrimtarja, poetja, gazetarja, që vendos ura lidhjeje me Shqipërinë dhe shqiptarët në botë...” Intervista ishte bërë për një rast të shënuar: Albana, studentja që në vitin 1973 kishte mbaruar degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës, më pas për një kohë të gjatë ushtruese e këtij profesioni në Televizionin Shqiptar, emigruar në vitin 1992 në Nju Jork, aktualisht pedagoge e gjuhës angleze në Globe Institute of Technology Manhatan si edhe asistente avokate për emigracionin, autore e disa librave (“Kafe Shkodra e Nju Jorkut”, “Children of Kosova-Stories of Horror”, “Fundjavë në Hillsajd”, “Zëra nga larg”, “Poezi”, “Takim me të panjohurën”, “Dje preva flokët”) pas pesë vitesh pune ngulëkembëse kishte në prag të botimit “Udhëtim në historinë Amerikane”. Sapo doli nëpër librari Profesor Nikollaq Pano do ta cilësonte “Vepër e një kërkimi të kujdesshëm”. “Udhëtim i balancuar, i drejtë dhe i drejtpërdrejtë” do ta vlerësonte Profesor Peter Prifti. “Punë që meriton lavdërime” do ta përcaktonte Profesor Sami Repishti. Dhe kështu ishte: libri “Udhëtim në historinë Amerikane” mbetet një dëshmi e sinqertë e asaj ndjenje të përhershme mirënjohjeje që shqiptarët në trojet e tyre dhe kudo në botë kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Albana Lifshin (Mëlyshi) për të ndërtuar librin e saj treqind e pesëdhjetë faqesh si një krijesë që të rrëmben zemrën, është konsultuar me afro 60 librat më prestigjiozë të botuar gjer tani për historinë e vendit të madh të demokracisë dhe ka synim “t’u vijë në ndihmë emigrantëve që kanë ardhur në SHBA”. Ndërkohë ai libër ka për qëllim t’u rrëfejë në mënyrën më sugjestionuese dhe të sinqertë shqiptarëve në vendin e tyre se duhet të jenë të qetë që kanë zgjedhur një vend mik të tillë, lidhja shpirtërore me të cilin bën që kurrë të mos u rënohet apo rrëmbehet nga piratët ideologjikë ëndërra e tyre e çmuar për lirinë. Albana Lifshin me atë libër të saj të bën ta duash Amerikën, duke e dashur edhe më shumë Shqipërinë.
Urën e madhe mes dy popujve e ngriti presidenti amerikan Udrou Uillson, por ajo do të ishte vetmitare, pse jo edhe fatkeqe, në rast se përreth saj, nga mijra e mijra shqiptarë e amerikanë nuk do të ngriheshin urat e vogla, ato ku realisht përditshëm kalojnë njerëzit. Kur sot flitet për aleancë në luftë kundër terrorizmit islamik do të thotë se ne shqiptarët kemi përpara ringjalljen fatkeqe të fantazmës së modeleve shoqërore të fashizmit dhe komunizmit, luftën e tyre të përgjakshme për të asgjësuar nga e ardhmja e njerëzimit të modelit demokratik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hitleri, Musolini, Stalini apo diktatori komunist i Tiranës me antiamerikanizmin e tyre patologjik tani po përsëriten nga Bin Ladeni. Fondamentalizmi terrorist islamik është përpjekja e rradhës për të asgjësuar me zëmërim të verbër ideologjik shembullin amerikan. Ja përse kjo miqësi duhet mbajtur gjallë dhe mbrohet. Në këtë mision të madh midis shqiptarëve dhe popullit amerikan ka një shekull që janë formuar personalitete të mëdhenj, gati epokalë si vellëzërit Xhon e Xhim Belushi, i paharruari Anthony Athanas, nobelisti në mjekësi Ferid Murad, bisnesmeni Peter C. Kole, At Artur Liolin, Dr. Ana Kohen, presidente e organizatës Shqiptaro-Amerikane të Gruas (AAWO), qytetare nderi e Vlorës. Janë njerëzit e ditur të mendjes e të veprimit atdhetar Sami Repishti e Nikolla Pano. Citimi i emrave mund të vazhdojë, ai do të ishte më i gjati në të gjithë familjen e madhe disa milionëshe të diasporës shqiptare nëpër botë.
Në këto rradhë të këtij shkrimi nuk ka ekzaltim, por edhe në pastë ai duhet të mirëkuptohet nga ata popuj që për arsye të ndryshme të historisë së tyre kanë raporte të tjera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarëve ëndërrën e dashur për ta të lirisë dhe mirëqënies ia mbajtën të ndaluar mizorisht, për pothuaj gjashtë dekada me rradhë. Shumë u vranë për të, pra i dhanë jetën. Tani që më në fund e rigjetën dhe nuk duan ta humbasin, ka shumë arsye që gëzimin ndonjëherë shqiptarët ta shprehin si fëmijë të ngazëllyer. Rëndësi ka që ndjenja e tyre është e sinqertë. Ca më tepër këtë vit, ndërsa mbushën 85 vite marrëdhëniet zyrtare Uashington-Tiranë.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com