Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kristo Frasheri “përmbys” historinë

Botuar ne gazeten “Shqip”, 27 shtator 2007

Botuesi apo ndoshta edhe vetë autori për kopertinën e librit ka zgjedhur ngjyrë të kuqe. Titulli disi i gjatë për t’u marrë vesh që në komunikimin e parë me tregun tonë bërtitës: “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941. Vështrim historik dhe një shtojcë dokumentare”. Autori Kristo Frashëri. Në pjesën e pasme të kopertinës, në rreshtat për autorin, profesor dhe akademik i njohur, shkruhet “Kur ishte ende i ri, në vitet 30-të të shekullit të kaluar, nxënës në Gjimnazin e Shtetit, përqafoi idetë majtiste. Në kohën e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare (8 nëntor 1941), student universitar, ishte anëtar i Grupit Komunist të të Rinjve. Ndonëse i ri pati mundësi të ndiqte me vëmendje dhe interesim të veçantë proçesin e themelimit të saj. Eshtë nga anëtarët e parë të PKSH-së që u përjashtua prej saj (qershor 1942). Pavarësisht nga përjashtimi mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas përjashtimit nga partia hoqi dorë nga jeta politike…..Që nga viti 1950, sidomos që nga viti 1953, kur kaloi në Institutin e Shkencave, iu kushtua studimeve të mirëfillta historike. Ka trajtuar tema të të gjitha periudhave. Një nga dëshirat e tij të hershme ka qënë ndriçimi i historisë së lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSh-së, të cilat kanë qënë të pasqyruara në mënyrë jo të plotë dhe jo të saktë në historiografinë qoftë komuniste, qoftë antikomuniste”.
Jetëgjatë dhe me shkëlqim të pandërprerë intelektual, profesor Frashëri e ka shkruar këtë libër siç mund të mbahet një premtim solemn që ia ka dhënë vetes shumë e shumë dekada më parë. Në këtë moshë nuk bëhet gabim me çfarë kërkon t’u lësh pasardhësve. Zgjidhet çdo fjalë, mendohet mirë secila ide.
Kur e përfundon këtë libër me afro pesëqind faqe e kupton se historiani i njohur e ka mbajtur premtimin e vet. Nga duart e tij nuk ka nxjerrë një libër dosido, por ka bërë një “revolucion”. Kjo është fjalë akoma e nëmur, si edhe ngjyra e kuqe. Me të dyja është mbajtur në kembë mizorisht një diktaturë e tërë. Porse “revolucioni” (jo social) në një shkencë apo dije të caktuar, në një temë apo çështje me rëndësi të madhe shoqërore, është vepër e shënuar, është një kryengjarje, të cilën nuk e kryen dot çndokush. Profesor Kristo Frashëri vitet e fundit ka bërë disa “revolucione” të tilla. Mbase më shumë se në të gjithë jetën e vet prej historiani të klasit të parë. Liria i bëri mirë profesorit tetëdhjetë e shtatë vjeçar, mrekullisht shumë mirë.
Për gëzimin e tij dhe të mendimit historik shqiptar Kristo Frashëri pas vitit nëntëdhjetë njëra pas tjetrës theu prangat e tabuve të krijuara në një kohë, ku ngushtonte ideologjia komuniste. Tanimë studjuesi ka kryer në pak vite një sprovë këndvështrimi suksesi për Gjergj Kastriot Skënderbeun, ku nuk e analizoi vetëm si prijës ushtarak, shtetar apo edhe diplomat, por mbi të gjitha edhe si njeri. Një risi “revolucionare” ishte libri për historinë e Tiranës, ku analiza dhe dokumentacioni befasues shkoi gjer në të panjohura, të cilat e ndriçojnë shumë ndryshe nga më parë të kaluarën e kryeqytetit.
Libri “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941. Vështrim historik dhe një shtojcë dokumentare”, shumë herë më tepër se botimet e mëparshme ndryshon, në mos përmbys, revolucionon, gjithë rutinën apo të vërtetën mbi historinë e të majtës shqiptare. Ai libër shkallmon e tund nga themelet një skemë të tërë të ngrirë dhe e vë botën aktuale politike nën sprovën e kërkimit dhe gjetjes së rrënjëve të saj të vërteta.
Kjo e “rishkruar” e historisë, në thelb një analizë dhe shkrim shumë i thelluar i saj, nuk ka ndodhur një ditë, një javë apo një muaj më parë. Ka ngjarë plot një vit të shkuar. Autori i këtyre rradhëve këtë libër e lexoi pikërisht atëhere, por iu rikthye shfletimit të shënimeve të mbajtura për të, ndërsa në opinion u nismua dhe u rifol për nevojën emergjente të shkrimit më të plotë të historisë, të paktën të një përpjekje më të organizuar për tekstet shkollore të kësaj lënde. Dhe duke qënë se që në çastin e parë pati idenë se ky libër ishte një nga përpjekjet më të thella dhe më profesionale të mënyrës si xhvishet lëvozhga ideologjike e çdo pale politike, priti natyrshëm reagimin me reflektim. Të paktën për ku edhe historiani i njohur po e jepte ndihmën: në krahun e majtë.
Profesor Kristo Frashëri në librin e tij jep kontribut të çmuar që më në fund rrënjët e socialdemokracisë shqiptare të ndahen njëherë e përgjithmonë nga ato të komunizmit. Ai provon se idetë socialiste, pra jo bolshevike, leniniste apo staliniste, në Shqipëri kanë një nismëtar të madh: vetë Sami Frashërin, ideologun e Rilindjes Kombëtare si edhe hartuesin e platformës së parë të shtetit shqiptar demokratik dhe me orientim evropian. Për pesëdhjetë vite rresht regjimi realkomunist, i cili në parim ia ka bërë të gjitha nderet zyrtare kësaj figure të shquar, ia ka fshehur shqiptarëve këtë mendim të rilindasit të shquar. Për Sami Frashërin “Socializmi është e kundërta e sistemit të pronës së përbashkët. Sa sistem i urryer është ai i pronës së përbashkët, aq i pëlqyer duhet të jetë socializmi”. Një sistem modern pluralist nuk ka sot në themel as “socializmin” dhe as “kapitalizmin”, por shoqërinë e hapur, alternimin në qeverisje të partive të ndryshme. Idenë e Sami Frashërit e citojmë për vetë faktin shumë të rëndësishëm se do të mjaftonte vetëm aq sa ka shkruar ky ideolog i spikatur për të hedhur në erë bazat e asaj marrëzie sociale që u mbajt në kembë për një gjysëm shekulli tek ne. Tashmë që këtë të vërtetë e bën publike Prof. Frashëri, ne shqiptarët mund të gëzohemi që në projektin bazë të shtetit të pavarur shqiptar, ende pa nisur shekulli i shkuar e ngritur flamuri në Vlorë, themelet janë projektuar kundër komunizmit. Kjo ndërkohë e bën shumë të dhimbshme edhe dramën që u ra shqiptarëve, duke u instaluar një sistem i papajtueshëm me vetë Rilindjen Kombëtare.
Në librin “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941. Vështrim historik dhe një shtojcë dokumentare” mëson se, përshëmbëll, edhe Faik Konica në vitin 1922 ishte simpatizant i qarqeve socialiste, në fillim të kahjes bolshevike, pastaj u bë një socialist evolucionar, pra socialdemokrat dhe më në fund u ktheu shpinën të gjitha ideve të majta. Në librin e Prof. Kristo Frashërit shpjegohen shumë qartë se si pati një efekt impresionues (dhe ndikues) Vladimir Ilir Lenini dhe pas tij edhe vendi i parë i bolshevikëve në botë, mbi shumë shqiptarë, nga që në gjysmën e parë të vitit 1918 prishi sekretin e shëmtuar të Traktait të Fshehtë të Londrës, ku Shqipëria ndahej mes fqinjëve dhe pushtonte së ekzistuari si shtet. Për një gjysëm shekulli të diktaturës nga arkivat nuk u nxuarr kurrë dhe nuk u bë e ditur se Avni Rustemi në parlamentin shqiptar, bashkë me kërkesën për të mbështetur propozimin për të mbajtur pesë minuta zi si shenjë hidhërimi për vdekjen e Leninit, u shpreh se sistemi bolshevik ishte i papërshtatshëm për Shqipërinë (“Nuk dua që Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj nuk e do”).
Po ashtu, në këtë ndikim të mëvonshëm të mbrapësht, siç ishte vendosja e stalinizmit në vendin tonë, do të ushtronte ndikim iluzor roli pozitiv i Internacionales së Tretë Komuniste, themeluar në Moskë më 1919, e cila në një harmoni e ndoshta konkurencë të çuditshme me atë që po bënte ndërkohë presidenti amerikan Udrou Uillson, e mbronte shtetin shqiptar nga copëtimi.
Në librin e Prof. Kristo Frashërit gjen vizitën në Moskë, më 1927, të Fan Nolit dhe entuziamin e tij të shprehur hapur për sistemin sovjetik. Më pas edhe largimin i tij nga idetë bolshevike, drejt moderimit. Në libër mëson se Ali Kelmendi ishte profil i një modeli mirëfilli stalinist, se ishte një dogmatik dhe për këtë arsye edhe idhull i historiografisë komuniste shqiptare.
Në këtë libër mëson se më 8 nëntor 1941, ditën e themelimit të PKSH-së, jo vetëm nuk u ftuan socialdemokratët, por u zbuan të gjithë dhe më pas u përndoqën. Aty shfaqet drama e Hasan Reçit, njërit prej të majtëve modernë, siç duket qartë përse nuk u thirr Ymer Dishnica në mbledhjen themeluese.
Botimi i Profesor Kristo Frashërit nuk ka fund me risitë dokumentare që sjell e veçanërisht me energjinë dhe vullnetin intelektual për të rivendosur autoritetin e të vërtetës në histori. Ai dëshmon se politika tani duhet vetëm të inkurajojë klasën e historianëve dhe ta mbështesë financiarisht. Edhe të mos lejojë t’u futet kush në punët e tyre.

Ylli Polovina






















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com