|
Konferenca e Pezës, rrenjë që nuk mbajnë
Botuar ne “Tirana Observer”, 21 shtator 2007
Tani duket se nderimi për Konferencën e Pezës hyri në kufinj ku duhet ndalur të mos shkojë më tej. Eshtë e drejtë e kujtdo individi, bashkësie apo shtrese sociale që në një shoqëri të hapur e të lirë të zgjedhë modelet, idhujt e tij moralë apo politikë. Eshtë e drejtë e të ardhmes e veçanërisht gjeneratave të reja të rigjykojë nëse paraardhësit në zgjedhjet e tyre vepruan drejt apo gabuan. Në fillim të shekullit të shkuar e gjer tej mezit të tij ende miliona njerëzve komunizmi u dukej një shpresë e rregullimit të botës dhe u provua e kundërta. Kur shumë nacionalistë shqiptarë u lidhën me pushtuesit fashistë për hir të zgjidhjes së çështjes shqiptare, pra bashkimit të trojeve të tyre, dukej një punë e mënçur. Koha dëshmoi se idealizmin e tyre kombëtar e kompromentoi pandreqshëm kolaboracionizmi.
Kështu edhe PKSh ose Partia Komuniste Shqiptare, edhe pse në fillimet e veta disa punë e sidomos luftën çlirimtare e kreu me vetmohim të madh dhe dha gjak në themelet e këtij vendi, më pas me shumë nga ato që kreu e kompromentoi rendë vetveten. Nga PKSh apo më pas PPSh nuk është e udhës më të përkujtohet me nderim asnjë ngjarje kryesore politike. Të gjitha ato janë të kompromentuara që në rrënjë. Përfshi edhe Konferencën e Pezës.
Nga PKSh apo me pas PPSh, nga Balli Kombëtar apo grupet e ndryshme të emigracionit, nga të majtë e të djathtë, Shqipëria moderne duhet të ruajë njerëzit, fatet e tyre. Njerëzit na duhen të parët, jo datat e ngjarjeve. Jemi një popull i vogël, por edhe shumë herë më të mëdhenj se ne kanë bërë “hidalgot” e famshme, pra faljet e ndërsjellta. Kjo e përjashton denoncimin e krimeve si edhe inkurajon historianët ta shkruajnë sa më saktë e sa më vërtetë atë që ka ndodhur.
Konferenca e Pezës, përkujtimi i të cilës u bë sërish, nuk përbën jo themel, po as një fije në rrënjët e një partie moderne. Të majtët, “rozët” e sotëm, janë tërësisht brenda standarteve të një strukture bashkëkohore dhe perëndimore. Ata bëjnë jetë korrekte parlamentare dhe garojnë brenda të gjitha rregullave që pranon shoqëria jonë. Madje e gjithë klasa politike shqiptare ka kohë që ka hyrë në kufijtë e përmasave të qytetëruara. Pretendimet për të tashmë janë çështje vetëm të rritjes e zhvillimit, kërkesa për t’u bërë më të mirë. Atëhere përse majtas kanë nevojë politike për Konferencën e Pezës? Kjo është e pakuptueshme, sepse edhe nostalgji politike nuk është. Diktatura tashmë është e ndëshkuar. Madje nuk gjenden mes nesh “kapitalistë” më të devotshëm se një pjesë e simpatizantëve apo anëtarëve rozë. Ndërkohë nuk dihet çfarë i shton kësaj mase politike përkujtimi që i bëhet ritmikisht kësaj Konference? Mbledhin vota? Absolutisht jo. Ata që mes të majtëve kanë mbetur akoma nostalgjikë me tepri të luftës që kanë bërë dhe të të kaluarës, për sa kohë që në Shqipëri nuk do të ketë ndonjë parti eurokomuniste, rozët do t’i kenë përherë “në xhep”. Në qoftë se nuk ruajnë apo mbledhin vota me këto ngjarje, atëhere ku e kanë këto përkujtime dobinë? Cilat rradhë anëtarësie apo elite kompaktësohet me këtë festë-nderim si Konferenca e Pezës? Mjafton për një çast që nga kalendari i një viti të hiqet kjo veprimtari e bujshme e 16 shtatorit dhe asgjë nuk ka për të ndodhur. Ende nostalgjikëve mund t’u thuhet se në diktaturën e shëmtuar shteti përkujdesej shumë për sistemin shendetësor, për atë arsimor, se bëri mirë kur elektrifikoi vendin dhe se shkëlqeu me fondet e mëdha që jepte për zbulimet arkeologjike apo albanologjinë. Mund t’u thuhet se shumica e tyre dërmuese ishin njerëz shumë të mirë dhe se bënë gjithçka mundën për të mos u rënë mëqafë të tjerëve, atyre që sistemi shtypte. Autorit të këtyre rradhëve i ka ardhur keq para disa muajve që disa pjesëtarë të një familjeje kthyen mendjen e nuk dëshiruan që ai të bënte një shkrim për një ish-sekretar partie rrethi të kohës së diktaturës, të cilin këshilli bashkiak i një qyteti në veri e shpalli në vitet dymijë qytetar nderi. Ka ikur koha, na e ka lënë shëndenë, ku çdo ballist ishte tradhëtar dhe çdo komunist kriminel.
Konferenca e Pezës duhet braktisur nga përkujdesja e politikës, as kur është për mirë dhe as kur është për keq. U duhet tërësisht lënë historianëve. Ishte ajo, pra kjo Konferencë, që e para e braktisi projektin e një Shqipërie realisht demokratike dhe të hapur ndaj Evropës dhe Perëndimit. Konferenca e Pezës nuk ringjallet dot dhe as bëhet e dobishme me muzikë rrok apo birra me shishe a krika. Ajo është e dobishme vetëm historikisht, që të mësohet në shkolla, të studjohet dhe analizohet. Politikisht mesazhet e saj bjen ndesh katërcipërisht me Shqipërinë që po lufton të hyjë në Bashkimin Evropian. Konferenca e Pezës është një kundërstandart evropian.
Thuhet kaq herë që tashmë pjesëmarrës të saj të drejtpërdrejtë mes të gjallëve nuk ka më asnjë. Ekziston vetëm Nexhmije Hoxha. Atëhere na lejoni t’i drejtohemi dëshmisë së saj, botuar në vëllimin e parë me kujtime “Një jetë me Enverin”. Ajo, përjashto idetë e saj akoma të palëkundura staliniste, me aq sa mundet në rrëfimin e asaj që ka ndodhur është e sinqertë. Për Konferencën e Pezës ajo shkruan se ishte tërësisht nismë e komunistëve dhe se Enver Hoxha që në gusht 1942 e kishte projektuar atë si një bashkim politik kundër pushtuesve, front i cili do të udhëhiqej nga PKSh. Kjo ishte edhe direktiva e Kominternit, pra qëndrës botërore komuniste të udhëhequr nga Stalini. Edhe njerëzit që u ftuan, pra nacionalistët jo komunistë, u përzgjodhën nga Enver Hoxha (“Enveri në këto takime me shokët shkëmbente mendime për personat që mund të thirreshin në konferencë“. Fakti që gjithsesi kryekomunisti shqiptar ftoi Abaz Kupin apo Mehdi Frashërin, e bën të vlerësueshëm inisiativën, por nga vendimet që ajo mori dhe pasojat që la, dëshmoi se gjithçka për këtë front për bashkim pa ndasi krahine, feje dhe ideje, ishte taktikë politike dhe jo strategji e mirëfilltë. Nexhmije Hoxha në librin e saj të parë me kujtime “Një jetë me Enverin” ngul kembë që e mbajtën nën udhëheqje e kontroll këtë bashkim, sepse edhe nacionalistët kishin të njëjtin qëllim. Sipas saj rivalët politikë kishin ardhur për tua rrëmbyer pushtetin, për t’i sabotuar, “për të ndalur revanin e PKSh”. Dhe saktëson “Kështu të ishin ata që do ta bënin historinë, si gjithmonë. Por koha tyre kishte kaluar. Populli kishte nxjerrë udhëheqës të rinj, si Enver Hoxha, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Qemal Stafa, Vojo Kushi dhe të tjerë që “e bënin vdekjen me le”.
Në Konferencën e Pezës Enver Hoxha në referatin e tij, gjithnjë sipas kujtimeve të bashkëshortes dhe bashkideales së tij, propozoi që jo vetëm luftëtarët në njësitë e armatosura të këtij Fronti Antifashist të quheshin partizanë (në Evropë në këtë kohë përveç se atyre që quheshin “partizanë të kuq” kishte edhe “partizanë të bardhë”), por edhe të mbanin yllin e kuq në kapela. Nacionalistët kundërshtuan, por pastaj, u thyen, pranuan. Ishin nacionalistët Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi që ranë dakort të parët me mbajtjen e yllit. Më pas, shume shpejt, siç edhe dihet, nacionalistët u larguan nga ky Front tashmë nën kontrollin e plotë të komunistëve. Ata krijuan më vete parti (dhe bënë mirë), tentuan sëbashku me komunistët në Mukje edhe një përpjekje tjetër bashkimi dhe më pas, për turpin e tyre, një pjesë jo e vogël ranë në prehër të pushtuesve.
Sikur të kishte ngjarë që edhe nacionalistët e djathtë të mbanin në ballë yllin e kuq, atëhere do të shembeshin edhe ata në vitin 1989. Do të gremiseshim të gjithë në histori, të majtë e të djathtë.
Konferenca e Pezës është krijesë e PKSh-së dhe për këtë parti nuk duhet patur asnjë iluzion. Jo sepse ndikuan pak, shumë apo aspak jugosllavët, por sepse ishte mirëfilli, në të gjitha fijet e rrënjëve të saj, një parti staliniste. Socialdemokratët në të nuk u ftuan, madje u luftuan shumë ashpërsisht.
Kur më 8 nentor 1941 në shtëpinë themeluese të gjithë ishin stalinistë dhe asnjë të paktën eurokomunist, atëhere më 16 shtator në Pezë, gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vjet më pas, në këtë vend të bukur e me popull liridashës, muzika rrok të ushëtijë e birra të derdhet lumë për të ruajtur me vullnet e shpirt jo kujtimin e një konferencë bashkimi të dështuar, por hiret e një kuvendi të madh pajtimi modern. Politikanët tanë të majtë e të djathtë tashmë janë të aftë ta bëjnë zakon të mblidhen në atë vend, në një datë tjetër, si ta dëshirojnë. Peza është një bukuri natyrore dhe morale atdhetarësh. Të mblidhen simbolikisht për t’u dëshmuar bashkëkombasve se atë që dështoi më 16 shtator 1942, frymën e madhe të bashkëpunimit për të hyrë në familjen e madhe evropiane, ata do ta bëjnë të fitojë.
Me këtë rast kanë në krah edhe një koleg të tyre, i cili mjaft dukshëm ka zënë pozicionin e parë të bashkëpunuesit: Presidentin Bamir Topi.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|