Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ca fjalë të tjera për Presidentin Amerikan

Botuar ne Tirana Observer, 30 gusht 2007

Në një shoqëri me sens të madh potereje e kritike gjer në buzë të grindjes dhe të shpërfilljes së etikës më të vogël, siç akoma jo rrallë na ndodh në Shqipëri, shkrimet përgëzues, ata që shprehin një vlerësim pozitiv për një person, nuk janë fort të pëlqyer. Ca më tepër do të ishte e ndëshkuar me nëpërfolje një i tillë për vetë presidentin e vendit më të fuqishëm në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kuptim edhe për sa do të shkruaj më poshtë, sipas “rregullit”, artikulli i ka të gjitha kartat për t’u përcjellë me ironi.
Megjithatë, në emër të asaj që gjykojmë se është sadopak e dobishme, po e nisim trajtesën e asaj teme që na tundoi nëpërmjet një faksi që pak ditë më parë mbërriti në adresë të një nëpunësi të shtetit tonë. Ai është drejtor i Drejtorisë së Shtypit dhe i Marrëdhënieve Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Faksi vinte nga Uashingtoni, nga Shtëpia e Bardhë dhe firmosej nga presidenti amerikan Xhorxh W. Bush. Në gjashtë rradhët e saj letre njeriu i parë i SHBA-ve, në emër të vet dhe të bashkëshortes së tij Laura, e falenderonte nëpunësin e administratës shqiptare për ndihmën që kishte dhënë gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Pastaj Xhorxh W. Bush, duke ritheksuar se e vlerësonin punën e palodhur të nëpunësit tonë, nuk harronin të vinin në dukje se atdheu i njeriut që po përgëzonin, pra Shqipëria, ishte një vend i bukur.
Në fund të letrës emrin dhe firmën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e printe një “Sinqerisht”.
Sigurisht deri këtu mund të thuhet ajo që dihet nga të gjithë. SHBA janë një shtet i vërtetë, prandaj doemos që kanë edhe një kulturë të plotë e të konsoliduar etike. Po ashtu kush nuk e di që numurin një të vendit të madh e ndjek nga pas një aparat i tërë i njerëzve që merren me kujdesin ndaj imazhit të tij dhe me protokollin. Protokolli në thelb është edukatë sjelljeje e një administrate shteti. Njohim një bashkëkombas fare të thjeshtë që vite më parë i pati dërguar një letër Bill Klintonit dhe vetë presidenti i ktheu përgjigje. Nuk u numuron dot ata që kanë dalë në foto me Klintonin. Sa të tillë njihni ju, lexuesë të këtij shkrimi! Po të bëhet një vëzhgim i shpejtë tek të gjithë shqiptarët në trojet e tyre dhe nëpër botë, me objekt sa prej tyre kanë një kujtim me presidentin amerikan apo me ish-kryeministrin britanik Toni Bler, apo edhe me personalitete të njohura të politikës e qeverisjes në vendet ku kanë emigruar, dalin patjetër dy rezultate: Vendin e parë e mbajnë amerikanët dhe vendin e fundit (të fundit, të fundit fare), kujtimet me ndonjë politikan apo qeverisës shqiptar.
Po ku është e mundur që nga administrata jonë të marrësh një falenderim të shkruar? Rastet e rralla do të duhet t’i kërkosh për ditë e ditë të tëra.
Për shumë arsye nga disa qarqe vizita e presidentit Bush në Shqipëri ishte në qendër të goditjes dhe shvlerësimit politik e mediatik. “Filoamerikanizmi” i shqiptarëve u vu në shënjestër, por jo për parimësi. U shënjua për paturpësi, për intrigë. Shqipëria duhej të përkeqësohej në imazhin e saj për të mos lënë të lirë në pavarësimin e vet Kosovën. U përzjenë nga padia dhe jo vetëm nga ajo, edhe disa të paktë mes nesh. Dhe nuk është fjala këtu për historinë e asaj ore gjoja të marë tinëz nga dora e Xhorxh Bushit në Fushë Krujë, një pasion i çakërdisur i manipuluesve të opinionit për të na bërë popull hajdut.
Vizita, siç dihet, kaloi shumë mirë dhe shqiptarët treguan fisnikëri. Atëhere, mund të thotë kushdo, përse ky shkrim, çfarë urgjence ka.
Sepse kemi përshtypjen se nuk vumë re sa duhet dhe nuk vlerësuam aq sa të na bëjë të reflektojmë faktin që presidenti Xhorxh W. Bush gjatë gjithë kohës sa ndenji në Tiranë, përjashto masat e sigurisë, të cilat ishin tipike për çdo vend ku një kryetar i shtetit amerikan shkon, nuk shfaqi as më të voglën shenjë të njeriut tepër të rëndësishëm, të atij që realisht është: më të fuqishmit në botë. Nuk iu vu re me sy të lirë e asnjë kamerë nga ato dhjetra e dhjetra që e ndiqnin hap pas hapi nuk regjistroi më të voglin gjest fodullëku. Nuk iu pa një sekondë humbjeje vëmendjeje nga ajo që thoshte përfaqësuesi i shtetit tonë. Njëmijë mënyra gjejnë (ka kode të posaçme gjestesh) nëpërmjet të cilave qeveritarë të këtij apo atij shteti, kur vijnë në një vend të vogël, kryejnë për të theksuar epërsinë. Nuk e bëri këtë asnjë grimë presidenti amerikan. Xhorxh W. Bush nuk i bëri asnjë shfrytëzim mediatik vizitës së tij në Tiranë, madje as asaj, të quajturës “banjë turme”, që kreu në Fushë Krujë. Shfrytëzimin mediatik e kryen dhe ja dolën të kenë rezultat, të tjerë, mospëlqyesit e tij dhe të Shqipërisë.
Faksi që mbërriti në zyrën e një nëpunësi të administratës shqiptare, ajo letër përgëzuese e ardhur nga Shtëpia e Bardhë, nga një President që dukshëm la të kuptojë se e donte sinqerisht vendin tonë, nuk ishte e vetmja e ardhur në Tiranë. Ajo shkoi një për një tek i gjithë stafi kryesor shqiptar, i cili u muarr me pritjen e Xhorxh W. Bush, duke filluar nga Nënkryeministri.
Secili që e mori, ka të drejtë ta ruajë si një ndër kujtimet më të bukura.
Dhe meqënëse kësaj rradhe u ka mbërritur gëzueshëm shumë drejtuesve të lartë, sa mirë do të ishte të ndodhte një mrekulli: të kuptonin edhe tanët se njeriu, kolegu i punës, vartësi, bashkëpunëtori, ka nevojë edhe për fjalën e mirë. Madje më shumë për të. Nuk e do si gur në trastë, por si gjurmë e shkruar.
Që më në fund të ndjenin e të pendoheshin për një fakt, i cili nuk na nderon: Të vetmet gjëra me shkrim, të cilat lëshohen me bollëk për njerëzit janë ato me masat ndëshkimore apo me formulimet e shkurtëra, tamam si goditje kamzhiku, “pushim nga puna”, “pezullim”, “largim”, “do të dilni në listëpritje”.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com