Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tentativa për të “vrarë“ Ameriken (dhe një ditëlindje)

Botuar ne gazeta “Shqip”, 28 korrik 2007


Më 28 korrik mbushen tetëdhjetë e pesë vite nga ai çast, kur shtetit shqiptar që, pasi ja kishte dalë të mbronte gjysmëtrojet dhe sapo kishte hyrë në Lidhjen e Kombeve, i mbërriti njoftimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen zyrtare. Do të ishte 4 dhjetori dita kur në Tiranë në krye të përfaqësimit të marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Uashingtonit do të vinte ambasadori Grand Smith.
Pothuaj një dekadë më parë, ndërsa Rilindja Shqiptare, tek realizonte shtetin e pavarur kombëtar, shëmbullin e modelit që projektonte e kishte tërësisht evropian, pasi flamuri u ngrit dhe për rrëzimin e tij u vërsulën disa fqinj, zëri që kumboi për ta mbrojtur krijesën e re e të shumëdëshiruar të shqiptarëve erdhi nga përtej eurokontinenti. Në pak çaste emri i presidentit Uillson u bë i njohur mes popullit dhe ndodhi që hyri në kengët e tij po aq sa edhe Ismail Qemali.
Më pas në Shqipëri, gjer në pushtimin fashist, shteti dhe shoqëria shqiptare, edhe pse me plot probleme të brendshme dhe rreziqe të jashtme, busullën që kishte gjetur nuk e ndërroi. SHBA mbetën vendi i madh mik. Politika e qeverisësve të Tiranës, për arsye pushteti e pragmatizmi imediat, gjeti protektorë që nga Austria, Italia e pse jo për disa çaste edhe Jugosllavia. Megjithatë nuk e la mënjanë bindjen gjithëkombëtare se protektori i vërtetë perspektiv do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pushtimi fashist italian e pas tij ai gjerman, përveç mbartjes së shkatërrimit të luftës, kreu mes shqiptarëve edhe përpjekjen e parë të futjes së frymës antiamerikane. Komunistët shqiptarë, të influencuar nga partia e tyre me në zemër modelin stalinist, u doktrinuan që në fillim me antiamerikanizëm. Megjithatë përsa kohë vijoi lufta çlirimtare dhe “babastalini” kishte bërë aleancë me dy mbrojtësit e mëdhenj të shoqërisë së lirë, pasuesit e modelit ideologjik sovjetik ruajtën baraspeshën. Qëlloi që edhe Enver Hoxha e kujtoi ndonjëherë shembullin e Uillsonit. Kjo zgjati gjer në ditën e parë të pasçlirimit. Duke filluar nga janari i vitit 1945 e deri në dhjetor 1990, nisi të ngrijë e lëshojë akull në Shqipëri vala e re e antiamerikanizmit. Kjo donte të thoshte jo thjesht harrimi për kontributin që SHBA kishin dhënë në vitet e para të shtetit të ri shqiptar për të mos lejuar shbërjen e tij, por edhe për atë që kishin kryer në mbrojtje të tij gjatë përpjekjes së dytë të shbërjes, pushtimit fashist.
Pasi u pavarësua, dy herë ishte kërcënuar Shqipëria të prishej dhe të dy herët Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin ardhur në ndihmë. Me ngulitjen e regjimit stalinist në Tiranë, në Londër dhe Uashington gjykuan se vendit me akoma gjysmën e trojeve të tij etnikë i kishte mbërritur për të tretën herë shbërja. Në të vërtetë nuk gabonin, ua vërtetoi koha largpamjen. Kishte ngjarë pikërisht ajo, prishja e tretë. Veç kësaj rradhe ndodhi në një formë tjetër. Komunistët nuk lejuan t’u prekej asnjë pëllëmbë e shtetit të tyre, madje, po të guxoje, të derdhnin në gojë plumb të nxehtë. Prishja e tretë shqiptarëve u erdhi nga brenda, nga sistemi shoqëror që vunë në jetë.
Pasi diktatura ra Shqipëria në rilindjen e re u orientua drejt kontinentit mëmë, Evropës, tashmë një bashkësi solide vendesh të shumëzhvilluar e demokratikë. Veç nuk vonoi asnjë çast për të bashkuar në këtë orientim natyral të saj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bashkimi Evropian mbetet familja jonë, po u shkëputëm prej saj do të përfundojmë endacakë. Por SHBA në vitin 1999, me ndërhyrjen e armatosur të NATO-s në Kosovë, provuan se ishin po ajo forcë e madhe dhe e qendrueshme protektore e shqiptarëve. U erdhi në ndihmë për të katërtën herë. Çfarë duhet më tepër për të pranuar një kahje të përhershme të gjeopolitikës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmohen për një shekull të tërë si mbrojtësi ynë më i madh strategjik.
Duket sikur këtë argumentim e bëjmë vetëm me rastin e 28 korrikut 1922. Mirëpo realisht po e kryejmë edhe në nderim të të gjithë të rënëve, të cilët gjatë gjithë periudhës antiamerikane (1939-1990) patën në mendje dhe ruajtën në krahëror këtë të vërtetë jetike kombëtare. Një muaj më parë ka dalë një libër me titullin si rëndom janë biografitë: “Kostaq Stefa, Martir i Demokracisë” (1905-1948)”. Autore është Eleni Stefa, bashkëshortja e Kostaqit, Mësuese e Popullit. Në mbi dyqind faqet e tij nuk gjen vetëm dramën e një familjeje fisnike të keqtrajtuar padrejtësisht, por edhe dëshmi të panumërta se si duke i dashur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihesh edhe më shumë shqiptar. Rrëfimi i Eleni Stefës dhe i fëmijëve të saj Alfred, Elda, Vitore, Vangjush dhe Parashqevi, janë mahnitës jo vetëm për sinqeritetin apo vetitë e larta morale, por edhe për shqiptarizmin e tyre.
Ky libër të rënqeth jo vetëm për çfarë i ndodhi Kostaq Stefës. Natën e errët të 8 shtatorit 1947 policët e rrëmbyen para gruas e fëmijëve të vet. Me tre mars 1948 e pushkatuan. Vetëm gjysmë shekulli më pas iu gjetën eshtrat. Bashkë me Kostaqin ndodheshin edhe trupat e tretur të Baba Bedri Carkanjit, Hamit Myftiut dhe Tajfur Hasnedarit. Të katër skeletet u gjetën të lidhur me një zinxhir kafshësh e të kyçur me një dryn të madh. Një dëshmitar me banim afër vendshvarrimit deklaroi: “Erdhën policët duke i rënë fort derës së shtëpisë dhe na ngritën nga gjumi. Ne tre më të rinjve na thanë “Hajde shpejt, merrni kazma dhe lopata!” Ne i dëgjuam pushkët, por nuk e menduam se aty në buzë të përroit do të gjenim katër kufoma të torturuara çnjerëzisht. Aty kishte gjak dynjaja...(“Kostaq Stefës i kishin thyer krahun për së gjalli” do të pohonte dëshmitari)...Policët këndonin dhe losnin me çallmën e babait të Teqes, duke e përdorur si top futbolli. Ndërkohë ne i hodhëm njeri pas tjetrit në gropë dhe i mbuluam. Kur mbaruam punë ata na thanë “Për aq sa patë e bëtë këtu, po e hapet gojën gjëkundi, do të përfundoni dhe ju si ata”.
Po përse u vra Kostaq Stefa? Thjesht sepse ishte simpatizant i demokracisë amerikane. Ishte stërnip i Konstandin Kristoforidhi. Gjyshi, Gjergji, kishte qënë kryetar i degës së Lidhjes së Prizrenit në Berat. I jati, Vangjeli, patriot i njohur. I vëllai, Telemaku, emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punoi si sekretar pranë Fan Nolit. Në Boston bashkëpunoi me gazetën “Liberty”. Vetë Kostaq Stefa në vitin 1926 arriti të mbarojë shkëlqyeshëm Shkollën Teknike me drejtor dhe pedagog Harri Fulcin, i cili e mbajti aty mësues. Në vitin 1927 u zgjodh kryetar i organizatës së parë të Boy Scouts në Shqipëri. Kur mbërriti pushtimi fashist Kostaq Stefa i la përgjysëm studimet për jurisprudencë në universitetin e Firences në Itali dhe menjëherë u kthye në atdhe, ku u lidh me luftën çlirimtare. Ka një libër me titullin “Ikja nga Shqipëria” me autore e Agnes J. Mangerich, të publikuar nga Universiteti Kentucky në 1999, ku ashtu siç i treguan Evelin M. Monahan-it dhe Rosmary I. Neidel-it, përshkruhet hollësisht ndihma që familja Stefa e sidomos Kostaqi u dhanë nga nëntori 1943 deri në 30 janar 1944 dymbëdhjetë infermiereve amerikane që të hipura në një avion ushtarak transporti C-53 një stuhi dhe ndjekja nga aeroplanë gjermanë Messerschmitt i shtrëngoi të bëjnë ulje të detyruar natën në një fushë në afërsi të Beratit. Prej dy rrëfimtareve në libër dëshmohet se Kostaq Stefa u ka deklaruar amerikaneve “Populli im e ka parë gjithmonë vendin tuaj si shembull të demokracisë” dhe se “Presidenti Wilson ishte personi i vetëm që foli për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve atëhere kur dukej sikur vendi ynë do të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Ne u ndjemë sikur ai kuptoi dëshirën për liri të një vendi paçka se i vogël.”
Mirëpo ndërsa lufta çlirimtare antifashiste bashkëjetoi me dashurinë për Amerikën, sistemi komunist jo. Mjafton të lexosh librin e Enver Hoxhës “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë”, shkruar më 1975 dhe botuar më 1982, për të kuptuar mekanizmin që shpërtheu për të vrarë përfundimisht lidhjen e madhe shpirtërore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo u bë me gjak, me vrasje dhe me varje të të gjithë atyre që gjykoheshin se mbartnin simpati për të. Në muajt e parë të çlirimit përfaqësuesi i administratës amerikane në kryeqytetin shqiptar, Gjenerali Hoxhson, kishte kërkuar vetëm zgjedhje të lira dhe lejimin e opozitës, kurse Enver Hoxha, siç edhe e pohon vetë në libër, iu përgjigj “Nuk është e thënë se po s’pati opozitë, nuk ka demokraci. Bile kjo është demokracia më e gjërë, është demokracia e shumicës”. Brenda të njëjtës ditë, më 10 nëntor 1945, Hoxha pret dy dërgata diplomatike. Në fillim takon kryetarin e misionit ushtarak sovjetik Sokollov, i cili i njofton njohjen që vendi i tij i bënte qeverisë shqiptare. Siç edhe shkruan vetë nga kënaqësia që ndjeu i dërgoi Stalinit të gjitha llojet e përshendetjeve. Më pas erdhën për t’i njoftuar të njëjtën gjë, pra njohjen nga SHBA dhe Britania e Madhe të qeverisë së tij, Hoxhson dhe Fulc. Takimi kthehet shumë shpejt në bisedë të tensionuar vetëm sepse kryekomunistit shqiptar iu propozua që të kishte në zgjedhjet për deputetë edhe kandidatë demokratë (jo ish-kolaboracionistë). Këta të mund të garonin me komunistët. Në “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë” Enver Hoxha shkruan po ashtu se “Vetëm Sejfulla Malëshova i pa me sy tjetër këto njohje...Ai hodhi tezat: “Zyrtarisht Bashkimin Sovjetik, Anglinë dhe SHBA-në duhet t’i vëmë në të njëjtin plan...” dhe “Më pas ai u përpoq që politika e jashtme e vendit tonë të orientoheshin drejt Perëndimit. Por këto gjurmë qenë të përkohshme. Këmbanën e tij të prishur e mbylli përfundimisht Plenumi i 5-të i KQ të Partisë në shkurt të vitit 1946”.
Lufta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe vijoi edhe më e ashpër gjersa në fund të vitit 1946 të dy misionet e braktisën Shqipërinë. U rikthyen vetëm në ditët kur diktatura antiangloamerikane po binte.
Në vitet që erdhën më pas u dëshmua se Amerika nuk “vritej” dot jo thjesht sepse ishte një superfuqi politike, ekonomike dhe ushtarake, por sepse mbi të gjitha ishte një superprotektore e shqiptarëve. Nuk mund të vritej vetvetja. Ndërsa vrasja e simpatizantëve të SHBA-së jo vetëm mbeti në histori si një vepër barbare, por edhe tërësisht kundërkombëtare. Vajza më e vogël e Kostaq Stefës, Parashqevia ose Tina, siç në qytetin e Beratit e thërritnin, për disa vite ishte një nga basketbollisteve më të mira të ekipit të “Tomorrit”. Ajo ngrinte peshë antuziazmin e bashkëqytetësve. Dhe përherë njihej si vajza me buzën në gaz. Ndërsa e vërteta ishte se dhimbjen e madhe të vrasjes së të jatit e mezimbante brenda vetes, mbështjellë si re lotësh në gjoks. Tina, duke qënë se për shkak të sportit ishte personi më publik i Stefajve, nuk duhej t’i jepej trishtimit, sepse mund të dyshohej e akuzohej se nuk e donte regjimin. Madje ajo vajzë energjike që shytonte e “çante rrjetat”, ajo krenari sportive e beratasve, kishte një dramë shtesë: Në ditëlindjen e saj, më 3 mars, kur ishte vetëm një vjeç, i kishin pushkatuar të jatin. Ditëlindja e të bijës ishte ditëvdekja e të jatit, Kostaq Stefës. Dramatikisht e tillë do të jetë ajo ditëlindje deri sa Tina të jetojë gjatë në këtë botë, atje në Trieste të Italisë, ku në emigracion banon e gjithë familje Stefa. Tashmë pa Alfredin, një nga mësuesit më të mirë të vendlindjes së vet. Ai ndërroi parakohshëm jetë.
Tinës nuk i vranë vetëm të jatin, por edhe ditëlindjen, duke ridëshmuar megjithatë se as ditëlindjen e saj nuk ja shndruan dot në ditëvdekje. Nuk vritet dot në përjetësi Kostaq Stefa, as dashuria e tij e sinqertë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do të vritet dot kurrë po ashtu kjo simpati zemërçelur e shqiptarëve për demokracinë më të madhe të botës.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com