|
Foto: Tashme te sheh ne sy | Iggy po rritet me shpejtesi
Ardhja e pamjes së re të qenit të Patricios dhe Besit, Iggy, u nxit nga kjo korespodence e shkëmbyer më 24 korrik 2007 mes meje dhe Besit.
Beso,
A po e shfleton ndopak librin e Kolonelit... E di që ke punë, por më duhet opinioni tend.
E di po ashtu që ke mjaft punë, por diçka për website tonë familjar duhet të bësh, pjesën tende të paktën, në italisht.
Me Emin në shtëpinë tonë deri në shtator gëzohemi shumë, po ia njohim më mirë natyrën, karakterin. Eshtë i mrekullueshëm, natyrë artistike, plot energji. Ndërkohë është edhe pak
frikacak. Të dielën në drekë hëngrëm peshk të skuqur, një lloj të mirë, që
e ka mishin si të pulës. Edhe Emi la thonjtë, por ndërsa kërkonte edhe pak
më shumë peshk Bardha më tha si me kujdes, në mes të tavolinës së bukës, ku Emi qëndronte ndërmjet nesh, se fëmijëve po të hanë peshk shumë u bëhet Hepatiti A. I thashë se ishte një
padituri ajo që thoshte. Ajo nguli këmbë para Emit se ishte pikërisht ashtu siç po thoshte. Në orën dhjetë të natës, mesa duket nga ndonjë fryrje e lehtë e barkut, sepse edhe në darke Emi nuk hëngri pak (jo peshk), nisi të qante me ngulç e të thoshte se do të vdiste nga Hepatiti A. Nisa ta qetësoj dhe mora vesh se në shkollë kishte një shok me Hepatit B, i cili bënte gjëlpëra pa fund. Alba i paskej thënë gjithashtu se kush sëmuret me hepatit vdes. Me siguri ja ka dhënë këtë informacion që të jetë i kujdeshëm me ushqimet që ha pa praninë e saj.
Ja kështu kjo punë!
Mbrëmë në mesnatë në shtrat i kishte thënë Bardhës (Bardha e vë ne gjumë duke i kënduar), se po vdiste nga infarkti i zëmrës. Bardha e sqaroi se
infarktet e zëmrës janë për të moshuarit. Pastaj e sqaroi se thjesht po merrte frymë rënde nga që ishte shumë vapë, ditë të tëra në Tiranë me 42-43 gradë,
Të përqafoj
Babi
Babush,mamush,
Sa qesha! Nuk e njihja këtë aspekt të Emit. Faktikisht më kujtoi kur mezi prisja të sëmuresha kur isha e vogël, sepse më pëlqente supa e mamit.
Kushedi përse Alba i ka paraqitur një kuadër katastrofik e ai e ka besuar me të dyja këmbët.
Alba më paraqiti projektin e biznesit që elaboron: Alba do blej rroba këtu në Via Sagno e Portaportese e do tja çojë me pako Ninës që do i shesë në Greqi. Sepse grekët preferojnë rroba italiane. E une nuk i binda dot se në Romë, në ato vende, gjen vetem mall gjerman.
Sa për librin, është drita ime e syrit, edhe për gjallërinë e proçesit të shkrimit e botimit.
Po ju dërgoj dy fotografi, një të Igit dhe një tjetër të bluzës që qepa dje. Më pëlqen sepse më bën për të qeshur, më kujton pak vitet 50. Pjesa sipër jeshile ishte një fund, pjesën e poshtme e preva nga një rrobdishambër shtëpie. Faktikisht, tani që e mbarova më vjen keq ta shes, mund edhe ta mbaj si babi në një arkiv ku, në vend te fletëve, të ketë valixhe me rroba.
Babi, për sitin po të përgatis disa histori të vogla. Janë momente të prera nga pamjet këtu, nga paradokset ose komicitetet, në formë ditari. Një dialog midis meje këtu dhe juve aty, tregimi i një dite të veçantë ose krejt të rendomtë nga Roma me pluhur tek Tirana me pluhur. Për të treguar se, në fund të fundit, gjithë ky det qe na ndan nuk na ndan dot.
Ju puth fort
Besi juaj
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|