Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shtet, mos të humbtë pulla!

Gazeta “Shqip”, 16 qershor 2007


Nuk mungojnë kurrë në Shqipëri dëshmitë për të kuptuar se shteti ynë ka një histori kaq fort të çakërdisur sa që mund t’ia nisësh portretizimin nga zyrat e gjendjes civile akoma me regjistra të rrjepura, nga kadastrat ku ende gjen vetëm gjysmën e dokumenteve për një pronë reale dhe dhjetë pronarë të mbivendosur mbi të njëjtin truall. Për të vizatuar të djeshmen e shtetit tonë dhe për të mos u çuditur me të sotmen mjafton të shohësh sa herë jemi djegur dhe rindërtuar “me forcat tona”. Shtet, gjysmështet, çerekshtet apo pashtet, të gjitha hipotezat na shkojnë në mendje kur kemi rastin ta shfletojmë historinë e tij nëntëdhjetë e pesë vjeçare. Nuk është se kjo gjë na dëshpëron aq shumë sa të humbim besimin tek ai, veçse shqiptarët duan Shtet. Por, duke qënë se në jetën e përditshme prej përvojës që ndeshin me autoritetin e shtetit të tyre provojnë jo pak zhgënjime, po përpiqemi ta kendvështrojmë atë dhe historinë e tij nga një pikë që është pothuaj e parrahur: nëpërmjet pullave postare.


00000000000000000000

Zero!
Të gjithë e kemi dëgjuar këtë fjalë. Nuk e kemi ndjerë në formën që (për shembull) “shqiptari është një zero”. Edhe kur kanë sajuar historinë se bredhim nëpër male si bagëti apo paskemi qenë njerëz me bisht shpifësit kurrë nuk shkuan gjer aq sa të na përcaktonin se mendërisht përfaqësojmë një zero. Mjafton të shkëputësh një copë nga historia jonë, qoftë kjo edhe vetëm një periudhë njëzetë e katër orëshe, për të pranuar se nuk ekziston mbi këtë faqe bote asnjë shqiptar “zero”. Janë të gjithë aq zhurrmëmëdhenj e poterexhinj, aq vitalë e vullkanikë sa që më e pakta përbëjnë shifra me pesë numra. Mirëpo ne, njerëzit me kaq shumë peshë individuale, kur ka qënë puna për të bërë shtetin, e kemi nisur e rinisur atë nga zero. Madje jo pak prej krerëve tanë nëpër histori nuk u ka shterrur pasioni që këtë shtet të shqiptarëve ta deklaronin me kënaqësi si të filluar nga zero. Kjo ishte mënyra më e mirë për të shprehur qartë atë që kishin në kaplloqen e tyre, pra që shteti shqiptar e niste historinë vetëm kur ishin ata në krye. Kështu shteti ynë në të vërtetë përfundonte në shtet të disa individëve. Aq fort jemi mësuar me këtë gjendje sa që nuk themi dot në bisedat e lirshme “shteti shqiptar i viteve 1925-1939” apo “periudha e monarkisë“, por “koha e Ahmet Zogut”. Gjysmëshekullin 1944-1990 po ashtu fare pak e cilësojmë diktaturë apo “regjimi komunist”. E emërtojmë më lehtësisht si “koha e Enver Hoxhës”.
Por le të vijmë te “koha e pullës postare”. Kjo duhet të jetë edhe koha e shtetit. Thimi Nika, një nga filatelistët më të mirë shqiptarë, thotë se pulla postare është dokument i mirëfilltë shtetëror. Nëse nuk ke shtet nuk nxjerr dot pullë. Nëse e ke këtë shtet duhet patjetër të nxjerrësh pulla. Madje me rregulla shumë të forta për tematikën e tyre, shpeshmërinë e çdo element tjetër. Pyetjes se a keni pulla të Kosovës koleksionisti i njohur i përgjigjet “po, veç pas vitit 1999”. Kjo do të thotë se Kosova ka qënë gjithçka, por shtet jo dhe se shtet ka nisur të bëhet vetëm pas ndërhyrjes së armatosur të NATO-s dhe të luftës së paepur të UÇK-së.
Ndërsa pulla e parë në historinë e botës nuk ka nisur aspak me biografinë e shtetit të parë, por vetëm në vitin 1840, që prej këtij çasti shteti dhe pulla u bënë binjakë. Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe me Shqipërinë, e cila u shpall shtet i mëvetësishëm vetëm në 28 nentor 1912. Më përpara kishte qënë juridikisht vetëm pjesë e një shteti shumëkombësh osman: Turqisë. Doemos edhe pullat e këtij shteti perandorak vepronin në hapësirat e banuara nga shqiptarët. Pulla të tilla turke në ditën e 28 nentorit 1912 kishte plot nëpër të gjitha zyrat postare. Sipas rregullit, më 29 nëntor e më tej shërbimet postare duhej të kryheshin menjëherë me pulla që identifikonin ekzistencën e shtetit shqiptar, por dihet që qeveria e Vlorës ishte akoma e vetshpallur dhe ende e panjohur nga autoritetet ndërkombëtare apo fuqitë më të mëdha të kohës. Ajo kontrollonte një hapësirë të vogël të trojeve shqipfolëse dhe i ranë njëherësh mbi kokë të gjitha hallet e një shteti të brishtë e në gojë të fqinjëve dhembëskërmitur. Sidoqoftë kjo qeveri e re dhe fillestare në traditën e saj një gjë e dinte mirë: shteti katër elementë i ka jetikë që të konsiderohet sadopak i tillë. Ai patjetër duhet të ketë ushtrinë, administratën, bankën dhe postat. Mungoi një prej këtyre katër gjymtyrëve, shtet nuk ka më. Në kabinetin e parë qeverisës shqiptar kishte një ministër të Postave. Ky ishte Lef Nosi. Mrekullisht Nosi ishte edhe një filatelist, pra një koleksionist pullash poste.
Nën kujdesin e zellin e tij, por edhe për nevojë të shtetit të ri, doli edhe pulla e parë shqiptare. Kjo ngjarje datohet 5 maj 1913. Pulla e re e shtetit të ri është thjesht një zarf i vulosur në njerin skaj. Kjo vulë ka të shkruar në brendësi “Ministeria e Post-Teleg e Telefonëvet” dhe në qendër një shqytë. Në mes të shqytës gjendet një shqiponjë dykrenore. Kushtonte një grosh pulla e parë mbi zarf. Krahasuar me pullat turke, me të cilat deri ato çaste ishin mësuar shqiptarët, këto zarfa me vulë ishin teknologjikisht një kthim i madh mbrapa. Veç përbënin një hap të dukshëm përpara, sepse dëshmonin vullnetin e qeverisë së Ismail Qemalit dhe të të gjithë bashkëkombasve të tij për të ngritur shtetin e tyre të pavarur. Ndoshta mospajtimin e gjatë me këto pullë-vula ka patur shtysë ministri Lef Nosi që brenda një muaji bëri kërcimin më të madh të mundshëm për një qeveri që nuk gjente para të mjaftueshme as për pesë-gjashtë ministrat e saj. Duke filluar nga qershori u hodhën në qarkullim njeri pas tjetrit edhe pesë emisione të tjerë pullash. Ishte një gjest i hovshëm dhe i gjallë, një surprizë. Ndërsa emisioni i parë dhe i dytë ishin zarfa me vulë sipër, në emisionin e tretë ministri Nosi grumbulloi të gjitha pullat turke që u gjetën në administratën shqiptare dhe i mbishtypi. Kjo punë u bë me dorë. Mbishtypja nuk ishte tjetër gjë veç mbi pullën e myhyrin e sulltanit turk u vendos një shqiponjë dykrenore dhe poshtë saj me harkore u shkrua fjala “Shqipënia”. Këtë ngjarje të madhe e njofton gazeta zyrtare e qeverisë Qemali, “Përlindja e Shqipërisë”.
Viti 1913 në historinë e Shqipërisë njihet si Viti i Mbrapshtë, por në biografinë e filatelisë shqiptare është disi e kundërta. Fillon mëkembja. Këto gjashtë emisione janë edhe ndër më të kërkuarat për koleksionistët. Kjo ndodhi sepse drejt Shqipërisë u nisën për të gjetur e grumbulluar pullën e shtetit të ri shqiptar shumë koleksionistë nga kontinenti. Filatelia në fillim të shekullit të shkuar ishte një hobi në lulëzim. Nga këta koleksionistë jo pak ishin matrapazë e thjesht tregëtarë pullash. Blinin e shitnin. Fatin e këtyre spekulantëve e ndihu edhe papërvoja e administratës sonë. Ajo ishte tepër e re dhe bënte gabime gjer edhe te mënyra e mbishkrimit të pullave. Flitet se këtë kohë shumë prej tyre janë bërë artificialisht të rralla, sepse gabimet janë kryer edhe qëllimisht.
Ndërsa po afrohej viti 1914, saktësisht në 1 dhjetor 1913, në emisionin e gjashtë të këtyre pullave të mbishtypura, u shfaq portreti i parë i një shqiptari. I përzgjedhuri i madh ishte Gjergj Kastriot Skenderbeu.

00000000000000

Shqipëria gjer në vitin 1920 ishte dhe nuk ishte shtet. Në fillim duhej bërë, pastaj njohur nga Fuqitë e Mëdha dhe më pas nga Lidhja e Kombeve. Që nga fundviti 1912 Shqipërisë i duhej të bashkonte në një të gjitha territoret e veta dhe, kur ia rrëmbyen gjysmën, të luftonte me thonj e dhembë të ruante atë hapësirë që mundi të mbronte. Kur fqinjët edhe në gjysmën e mbetur sulmonin t’i merrnin dy të tretat e territorit për ta katandisur minishtetin shqiptar në një brez të hollë toke rreth e rrotull lumit Shkumbin, sërish i duhej të përgjakej për ekzistencën e saj. E gjithë kjo dramë kombëtare gjendet e regjistruar në historinë e pullave të kësaj kohe. Kjo do të thotë se për filatelistët pullat e kësaj periudhe të shtetit shqiptar gjenden më shumë në zonën e Vlorës e të Elbasanit, se Princ Vidi, që erdhi në mars 1914 dhe iku ne shtator të po këtij viti, e bëri një pullë me portretin e tij, por nuk e gëzoi dot, sepse ajo u bë gati kur ai ishte larguar nga Shqipëria. Kështu nuk u vu në qarkullim. Në këtë periudhë, veç pullave të qeverisë qendrore, gjen edhe pullat e kryeministrit paralel Esat Pashë Toptani, të shoqëruara me fjalët “Qeveria e Shqipënisë së Mesme, Albanie Centrale”. Ato kanë pamje të ndryshme nga vendi, madje edhe Taraboshin, sepse qeverinë e tij e quante të Shqipërisë së Mesme, por synonte pushtetin për të gjithë vendin. Këto pulla esatpashiste kanë po ashtu edhe myhyrin e tij, veç çuditërisht asnjë portret të vet. Nuk donte apo nuk mundi? Enigmë që akoma nuk shpjegohet as nga historianët dhe as nga filatelistët. Ndërkohë gjen kudo në këto vite pulla greke, italiane, serbe, austrohungareze.
Koleksionisti Thimi Nika dëshmon se në këtë shtet, që nga agresiviteti i shovinizmit të fqinjëve nuk po mëkembej dot, gjen edhe disa pulla lokale. Tregon atë të Beratit, të cilën e ka trashëguar nga i jati, Kostandini, gjithashtu edhe ai filatelist. Ka të qytetit të Shkodrës, për emetimin e të cilave ka meritë Sadik Tirana, atë kohë drejtor poste. Gjen pulla lokale të Vlorës, të Korçës (meritë e Emin Cangonjit), të zyrave të financave të Elbasanit e të Durrësit. Koleksionistët ruajnë pulla lokale me emërtimin Komisioni i Kontrollit, viti 1914. Gjen edhe katër pulla të Himarës ku një shoven filohelen me emrin Spiro Milo ka shpërndarë hijen e zymtë të një territori të shkëputur nga Shqipëria.
Edhe serbët, me pushtimet e tyre të shkurtëra, janë po aq agresivë sa edhe helenët. Gjithçka në pulla gjatë pushtimit të tyre është shkruar në serbisht, përfshi edhe fjalën Tiranë. Portret kanë krajlin, mbretin e tyre të veshur ushtarakisht. Kurse në zonën e Korçës francezët janë shumë më pak imponues. Edhe italianët janë relativisht “të butë” me ndonjë pullë që u përdor më së shumti në Sazan apo një tjetër e rrallë, që është vulosur me tekstin Basa Navale di Valona.
Filatelisti Nika shpjegon se pas vitit 1920 ka patur një periudhë ngërçi. Nuk kishte më pulla. U prodhua një e vogël me portretin e Skenderbeut, e cila më pas u mbishtyp. Pati edhe ndonjë emision tjetër. Ishte koha kur pluralizmi shqiptar bënte hapat e para, fillestar ishte edhe parlamenti. Gjer në 1924 qeveritë e shtetit shqiptar të përgjysmuar, siç dihet, binin si gjethe fiku. Për këto kabinete që ngriheshin nga poltronat ende pa u ulur, prodhimi i pullave ishte një punë që i takonte ndonjë planeti tjetër.
Kështu, edhe pse bëri revolucion me armë e ndenji në pushtet për plot gjashtë muaj, Fan Noli nuk mundi dot të prodhojë qoftë edhe një pullë me portretin e tij. Që nga dita e parë e shpalljes së pavarësimit e gjer sa do të ulej në postin e të parit të Shqipërisë Ahmet Zogu pullat shqiptare do të kishin vetëm një portret: Skenderbeun. Ishte ai që e kishte bekuar shtetin e porsadalë shqiptar. E kishte bërë përpjekjen e parë vetë ai me Besëlidhjen e Lezhës që më 1444. Tani, pas pesë shekujve, kishte të drejtë të gëzonte ëndërrën e tij të realizuar.

00000000000000000

Rikthimin në pushtet Zogu e shpalli me një pullë, në të cilën shkruhej “Triumfi i Legalitetit 24 Dhetuer 1924”. Donte të thoshte se bashkë me të në Shqipëri kishte mbërritur edhe ligji. Kjo pullë ishte e mbishkruar mbi një emision të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës. Ishin shtatë pulla, thjesht me pamje nga vendi ynë. Më pas Ahmet Zogu nxori emisionin tjetër, të cilën e prezantoi me fjalët “Republika Shqiptare”. Edhe kjo ishte e sursazhuar (mbishkruar). Më vonë emisionet e pullave, tashmë dukshëm më cilësore, duke dëshmuar forcimin e shtetit, regjistrojnë të gjithë biografinë personale të njeriut të fortë të ardhur nga Mati. Nuk mungojnë as shpallja e mbretërisë, as dhjetëvjetori i saj, as martesa me Geraldinën. Sugjestionues është emisioni për 25 vjetorin e pavarësisë.
Gjer sa e shtrenguan të ikte e linte pas vendin e tij, tashmë të pushtuar nga fashistët italianë, Ahmet Zogu prodhoi me bollëk pulla vetëm me një portret: të vetin. Me këtë rast dëboi edhe pamjen e Gjergj Kastriotit. Gjatë qeverimit të tij nuk u emetua asnjë pullë me portretin e heroit tonë kombëtar. Dukej Zogu e mbante veten për Skenderbe. Kulti i tij sundon tej për tej në filatelinë e periudhës 1925-1939.

000000000000000

Dihet që Lufta e Dytë Botërore mundi fashizmin dhe përhapi komunizmin. Pesë vitet e periudhës së pushtimit edhe në Shqipëri dëshmojnë boshllëkun që u hap si gropë e zezë për të përpirë më pas fatin e shqiptarëve. Musolinianët mes të tjerash prodhuan një emision me katërmbëdhjetë pulla, ku ishte edhe portreti i shtatshkurtërit gjer në xhuxhëri, Viktor Emanuelit. Ai ishte tashmë mbret i Italisë dhe i Shqipërisë. Prandaj pati guximin të rishfaqej në prill 1942 me një emision në shtatë pulla. Gjermanët, kur erdhën, e panë të udhës që gjurmën e tyre të rendë të pushtimit ta linin pikërisht edhe mbi fytyrën e mbretit-xhuxh Viktor. Mbishtypën edhe mbi një pullë të tij datën e ardhjes së tyre: 14 shtator 1943. Ky emision përbëhet nga trembëdhjetë pulla.
Gjatë pesë viteve të pushtimit vijoi tradita e mohimit të Gjergj Kastriotit. Kur komunistët erdhën në pushtet heroi ynë më i madh kombëtar mbushte njëzetë e pesë vite që shpërfillej hapur. Bolshevikët, thuhet, se pullën e parë e nxorën me inicialet që i kishin frymëzuar në luftën çlirimtare: FVLP. Ngjarja datohet e shtatorit 1944, kur u çlirua qyteti i Beratit dhe u shpall Qeveria Demokratike e Shqipërisë. Këto pulla janë të rralla, dëshmohen si realitet deri edhe nga studjuesi i huaj më i mirë i filatelisë shqiptare, britaniku Xhon Fips në librin “Pullat dhe postat e Shqipërisë dhe Epirit 1887-1945”. Megjithatë mendohet se kjo pullë është false. Pra, nuk është krijuar atë kohë, por shumë më pas. Shenjë e sigurtë kjo se shqiptarët kishin hyrë në një periudhë ku e vërteta do ta ndjente veten pisk.
Pulla e parë e vërtetë e pas çlirimit daton 10 janar 1945. Ishte mbishtypje e disa pullave të një emisioni të pushtimit italian të vitit 1940, ku kishte edhe pamje nga Shqipëria si dhe kostume kombëtare. Në tridhjetë e pesë vitet e deriatëhershme shtet çdo përmbysje shoqërohej me mbishtypje. U mbishtyp pulla e perandorisë osmane për të dëshmuar shtetin e ri të pavarur shqiptar, u mbishtyp pulla e periudhës së monarkisë shqiptare për të bërë të ditur se na kishin pushtuar, u mbishtyp pulla e pushtimit fashist për të shpallur përmbysjen e tretë: komunizmin.
Gjer në vitin 1948 shteti që po totalitarizohej pati disa emisione, por mungojnë pullat me portretin e Enver Hoxhës dhe nuk ka asnjë jugosllave. Ndarja me Beogradin bën që, më në fund, kryekomunisti shqiptar Hoxha të shfaqet edhe në filateli. Pas dy pullave, një për Reformën Agrare dhe një tjetër me Vasil Shanton, është 10 korriku i vitit 1948, pesë vjetori i Ushtrisë, që me një pullë të emetuar me këtë rast e vendos Enver Hoxhën jo në plan të parë, por në sfond. I veçuar plotësisht dhe në plan të parë Hoxha del më 16 tetor 1949. Është një përvjetor jo jubilar, të cilit i kushtohet një emision me tetë pulla me portretin e tij. Me sa duket ai nxiton të përhapë sa më shpejt rrjetën hutuese të kultit të vet. Më 1 mars 1951 rishfaqet Skenderbeu. Kishte munguar në filatelinë e vendit të tij për plot dyzetë e gjashtë vite.
Që nga 10 korriku 1948 e deri në fund të vitit 1990 portreti me të gjitha pamjet, ngjyrat e formatet e Enver Hoxhës sundon filatelinë shqiptare. Portreti i dytë më i adhuruar është Stalini. I treti Gjergj Kastriot Skenderbeu. Ahmet Zogu e anashkaloi portretin e heroit, ndoshta sepse e kishte kujtim të një mbreti rival. Enver Hoxha e trajtoi si ndihmës të pushtetit të tij. Gjithsesi të dy portret-sunduesit më të mëdhenj të filatelisë shqiptare e pëlqenin lajkën se gjithsecili prej tyre ishte një Gjergj Kastriot.
Sidoqoftë periudha e realkomunizmit përmirëson teknologjinë e prodhimit të pullave shqiptare dhe e zgjeron shumë tematikën. Në vitin 1950 filluan të duken për herë të parë portretet e rilindasve si Naim e Abdyl Frashëri, Çajupi, Kristoforidhi, shumohen ato të heronjve të luftës si Qemal Stafa, Vasil Shanto apo Vojo Kushi. Vijojnë më pas Luigj Gurajuqi, Mihal Grameno, Çerciz Topulli, Aleksandër Mosiu, Ali Kelmendi, Migjeni, Juri Gagarini, Petro Nini Luarasi. Kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, për herë të parë u shfaq më 28 nentor 1962, plot një gjysëm shekulli nga koha kur kreu veprën e tij të gjithëlëvduar.
Më vonë nuk mungojnë që nga Mao Ce Duni e deri te Karavaxho, Zheriko, Mikelanxhelo, Amperi, Galileu, List, Servantes, Hygo, Darvin, Delakrua, Bajron. Gorki, Vat, Kolombi, Van Gogu, Renuar, Moxart....
Fan Noli portret del në një emision pullash të 6 janarit 1982, plot pesëdhjetë e tetë vite pas kryerjes së veprës së tij si kryeministër.
Ramiz Alia nuk doli kurrë në asnjë pullë, edhe pse ishte i pari i vendit për pothuaj shtatë vite. Pas rënies së diktaturës, përmbysjes së katërt të shtetit shqiptar, për fat të mirë prodhimi i emisioneve të pullave me mbishtypje është tejet i rrallë. Më 4 tetor 1992 në një emision me dhjetë pulla shfaqet për herë të parë Nënë Tereza. Ky ishte edhe bekimi i ri e fatlum për shqiptarët. Më 25 prill 1993 duket edhe Papa. Rishfaqen njeri pas tjetrit të mohuarit e mëdhenj Gjergj Fishta, Faik Konica etj. Ikin përfundimisht portretet e politikanëve të gjallë. Çuditërisht për një pullë me portretin e Skenderbeut shteti shqiptar pasdiktatorial pret vitin 1997. Por nuk mungon Princesha Diana. Po ashtu jemi në mes të vitit 2007, por janë shumë të vonuara pullat e vitit 2006.
“Gropën” e krijuar nga pakujdesia e mbushi pulla e re me pamjen e Xhorxh Bush. Afro njëzetë muaj të mungesës së një pulle të re shqiptare i zëvendësoi presidenti amerikan me vizitën e tij mbresëlënëse të 10 qershorit. Kështu nuk u rivërtetua vetëm se duhet të shkundemi fort që të kujtojmë se shteti ka rregulla, por edhe se SHBA gjithsesi zënë një vend të posaçëm në idolatrinë tonë, si edhe në virtutin që kemi për të respektuar mikun.
Në mbrëmjen e 10 qershorit në dyqanin e vetëm filatelik që ka Tirana, në rrugën “Mbreti Zog i Parë”, shitësja Alina Luzi të thotë se blerësit kanë qënë të shumtë. Kishin qënë shqiptarë dhe të huaj. Mjaft gazetarë të ardhur nga e gjithë bota, pse jo edhe njerës të sigurisë. Të gjithë blinin pullën e Xhorxh Bushit. Ndërkohë i quajturi Zarfi FDC (ose Zarfi i Ditës së Parë), me tre pullat e tij në ngjyra të ndryshme dhe silhuetën e Statujës së Lirisë, nuk gjendet më. Ka mbaruar.
Tanimë pulla me portretin e presidentit amerikan, për shkak të mungesës për afro njëzetë muaj të një emetimi tjetër, ka nisur të përdoret edhe për “afrankim”, pra për letrat e zakonshme dhe, i prodhuar në sasira tepër të mëdha, është shpërndarë në të gjitha zyrat e Postave Shqiptare.
Ja përse, ilustruar dhe me këtë rast të fundit, gjatë nëntëdhjetë e pesë viteve të ekzistencës shteti ynë është bërë më i gjallë, por ende mbetet brenda traditës së tij: ca kaotik e i padisiplinuar. Ndërkohë brezi i ri nuk merret më me filatelinë, sepse posta elektronike ia ka zbehur vlerat postës romantike me pullë. Kështu koleksionistë të filatelisë shqiptare si Robert Ballauri, Shefik Osmani, Ferik Ferra, Kristaq Jorgji, Nikolla Xharo, Thimi Nika, Vasil Xhitomi, Sokrat Bozo, e deri te më i riu Olsi Plasa etj., do të mbeten më të çmuar. Të paktën këta njerëz të mirë nuk do ta lënë shtetin tonë t’i humbë pulla.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com